Dita, 5 shkurt 2018
Pedagogu dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare Ksenofon Krisafi, shpalosi gjykimin e tij si teknicien lidhur me delimitimin e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Krisafi e konsideroi si fat të madh, që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë marrëveshjen e 2009-s.
“Nuk mund të gjykoj dot sa kilometra mund të humbnisim, por njerëz që janë marrë me këtë gjë dhe që kanë kompetencë, si kolonel Myslym Pashai, i ka rezultuar se humbeshin 354 kilometra katrorë”, tha ai.
Lidhur me bisedimet që sollën marrëveshjen famëkeqe Krisafi theksoi: “Nuk pati negociata të mirëfillta, nuk pati raunde mes palëve. Ne kemi patur negociatat me Italinë që zgjatën 8-9 vjet. Sipas Konventës së Montegobeit për të drejtën detare, ka dy kritereve që duhen zbatuar: Ekuidistanca, ose baraslargësia dhe kriteri i dytë është kriteri i drejtësisë ose ndershmërisë. Parimi bazë është parimi i baraslargësisë, palët diskutojnë që ta barazojnë parimin e ekuidistancës edhe me atë të drejtësisë. Në rastin e marrëveshjes së vitit 2009, nuk rezulton të jetë zbatuar parimi i ndershmërisë. Edhe parimi i ekuidistancës është zbatuar në dëmin tonë, sepse nuk janë respektuar vijat bazë, që përcaktojnë bregdetin e një vendi. Është një vijë e drejtë që bashkojnë kepet më të dala në të dalë të detit. Nëse kemi gjire, distanca e hyrjes të së cilës është mbi 12 milje detare, ato nuk gëzojnë statusin e ujërave të gjirit të brendshëm”.
Krisafi zbuloi gjatë një interviste për Report tv një fakt jo shumë të njohur për publikun, ose më saktë faktin që me akte ndërkombëtare kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar.
“Në marrëveshjen e vitit 2009, nuk u zbatua parimi i vijave bazë, sepse në 2008, ndodhi diçka e pashpjegueshme dhe Kuvendi shfuqizoi ligjet e vitit 2001 dhe 2002, duke hequr vijat bazë dhe konfigurimin e bregdetit shqiptar. Pala jonë pranoi pretendimin e palës tjetër, që t’i jepte hapësirë ujërash territoriale edhe disa shkëmbinjve, që deti herë e mbulon dhe herë e zbulon, që nuk ka të drejtën të ketë statusin e ishullit të banuar.
Te Barketa deri në atë moment kalonte vija e kufirit. Pas kësaj vija e kufirit do të matej nga barketa në drejtim të Ksamilit. Edhe kufijtë detarë kanë qenë të caktuar nga kufijtë tokësorë. Më 1913, la një akt që përcakton kufijtë e Shqipërisë në Konferencën e Londrës, u detajua me protokollin e Firences në vitin 1913, dhe që u ribë po në Firence me 1925. Në këtë protokoll përcaktohet edhe kufiri detar. Në këtë protokoll thuhet, vija e kufirit në det, është perpendikularja që hiqet nga piramida 79, formohej këndi i drejtë dhe do vendosej vija e kufirit dhe ashtu është respektuar nga të dyja palët, si nga greku, edhe nga ne. Greku më 1936, e ka pacaktuar 6 milje gjerësinë e ujërave të veta.
Ne më 1992, korrigjuam një gabim të 1976-s, kur e bëmë nga 15 milje, në 12 milje, pasi kishte krijuar probleme me fuqitë e mëdha. Me marrëveshjen e re, vija e kufirit vinte pranë ishujve të Ksamilit. Janë bërë gabime plot edhe me ishujt pranë Himarës, si Othonoi në Greqi, të cilit i është dhënë hapësirë e ujërave territoriale më shumë nga çfarë i takonte. Nëse përfiton shumë nga deti, duhet t’i jepet edhe palës tjetër të përfitonte. Pa Korfuzin përballë Shqipëria do kishte një hapësirë gjigante detare.
Kjo mundësi i mbyllet nga ishujt, ndaj Shqipëria hyn në radhën e shteteve me pozicion gjeografik të disavantazhuar, ndaj në negociata delegacioni duhet ta përdorë këtë në favorin tonë. Konventa jep mundësinë që të kombinosh ekuidistancën me ekitenë, dhe këtë nuk e ka bërë pala jonë” – tha Krisafi. e.k/Dita