Xhelal Zejneli
Shumë i nderuar Shkëlqesia Juaj,
Më 10 shtator 2019, kryetari i Republikës Çeke Milosh Zeman ishte për një vizitë në Beograd. Pas takimit me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, në një konferencë për shtyp në Beograd, kryetari çek Milosh Zeman tha se vendi i tij do të diskutojë me zyrtarët kushtetues çekë mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Me këtë rast ai shtoi se “shteti i udhëhequr nga kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”.
Ua bëj me dije, i nderuar Shkëlqesi, se prononcimet e kryetarit çek ishin shqetësuese për Kosovën si dhe për mbarë publikun shqiptar në Gadishullin Ballkanik, përfshi edhe shqiptarët në diasporë. Deklaratat e sipërthëna ngjallën zemërimin e tërë kombit shqiptar. Është nën nivelin e një kryetari shteti të vihet në rolin e prokurorit apo të gjyqtarit.
Për fat të mirë, personalitete të nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës Çeke dhe të politikës çeke nuk janë në të njëjtin mendim me presidentin e vendit Tuaj.
Shumë i nderuari kryeministër i Republikës Çeke – Andrej Babish, reagoi sakaq dhe tha: “Çekia nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Lidhur me prononcimet e kryetarit Zeman, përmes një shkrimi në Twiter, reagoi edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Tomash Petriçek, për të thënë se “qeveria çeke nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës”.
Po kështu reagoi edhe kryetari i Senatit Çek, Jaroslav Kubera i cili për portalin çek Dnes tha: “Ideja e kryetarit Milosh Zeman për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, është joreale”. Njëherazi ai shtoi: “Kryetari mund të thotë çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh për asgjë.”
Shkëlqesia Juaj!
Shqipërinë dhe brigjet detare të saj në Adriatik dhe në Jon i vizitojnë shumë turistë pothuajse nga të gjitha vendet e botës. Midis tyre ka edhe turistë nga Çekia mike. Ashtu si turistët e vendeve të ndryshme të botës, edhe vizituesit e shtetit Tuaj, për vendin e Gjergj Kastriotit shprehen me fjalët më të mira. Të gjithë njëzëri, janë të impresionuar me mikpritjen dhe me bujarinë e popullit të Nënë Terezës.
Një rast tragjik që ndodhi në korrik të vitit 2015, me ç’rast humbën jetën dy qytetarë çekë, u dënua në mënyrë të prerë nga të gjithë shqiptarët në Gadishullin Ballkanik dhe në diasporë.
Populli shqiptar ka një admirim të madh për popullin çek. Studiuesit çekë të shekullit XIX si dhe të fillimit të shekullit XX, në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë popullore dhe të historisë, midis tyre edhe albanologu dhe profesori i gjuhëve romane, i fokusuar kryesisht në studimet krahasuese të gjuhësisë shqiptare dhe rumune, Jan Urban Jarnik (1848-1923) – janë marrë me studime albanologjike dhe me shkrimet e tyre i kanë nxjerrë në dritë vlerat shpirtërore të kombit shqiptar. Ne u jemi mirënjohës sot e mot.
Shkëlqesia Juaj!
Më 21 maj të vitit 2008, vendi Juaj e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Për këtë, kombi shqiptar përjetë i është mirënjohës Republikës Çeke. Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur e kanë njohur sot 116 shtete të botës. Pohimet e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiqit se 16 shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk janë veçse gënjeshtra të kulluara.
Diplomacia serbe i përdor veprimet më të ulëta dhe më të padenja për të bindur vende të caktuara të kontinentit afrikan si dhe ca shtete – ishuj të Paqësorit, që ta tërheqin njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë ekzistues.
Shkëlqesia Juaj!
Ua përkujtoj se Serbia, e udhëhequr nga A. Vuçiqi, nxënës i devotshëm i kriminelit të luftës, Vojisllav Sheshelit si dhe nga I. Daçiqi, bashkëpunëtor i afërt i kriminelit të luftës, S. Millosheviqit që ia vuri flakën ish-Jugosllavisë, ndjek politikë destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse. Politika e sotme e Beogradit ecën rrugës së ideologjisë serbomadhe të Ilija Garashaninit dhe të Naçertanies së tij, ideologji kjo e mesit të shekullit XIX, retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike. Politika e sotme e Beogradit shkon gjurmëve të Pashiqit, të karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit dhe të zjarrvënësit të Ballkanit – Millosheviqit.
Politikanët e sotëm serbë vazhdojnë të ushqehen prej ideologëve serbomëdhenj të llojit të Vlladan Gjorgjeviqit, të Jovan Cvijiqit, të Vaso Çubrilloviqt dhe të pseudo-akademikëve serbomëdhenj, me në krye babanë e kombit – Dobrica Qosiqin.
Serbia e sotme ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve të saj – Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Kroacisë, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe, për pretendime territoriale, nuk e njeh autoqefalinë e kishës maqedonase.
Kombi shqiptar i është mirënjohës republikës Çeke për mbështetjen që ia ka dhënë Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare, sikundër ishte rasti i mbështetjes për anëtarësimin në Interpol apo mbështetja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kosova sot është në ndërtim të shtetësisë së vet. Natyrshëm, ajo kalon nëpër sfida dhe peripeci. Një ditë do të kemi një Kosovë ekonomikisht të zhvilluar, me shkallë të lartë të demokracisë, të ngritur mbi baza të shtetit ligjor. Me politikën e saj konstruktive dhe paqeruajtëse, Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Ua përkujtoj Ekselencë, se liritë dhe të drejtat e minoritetit serb në Kosovë janë të garantuara sipas standardeve evropiane më të larta.
Republika Çeke është një shtet me tradita të fuqishme evropiane, ndaj dhe politika e saj është konzistente. Me një fjalë, politika e Pragës lidhur me Kosovën është në vijën e politikës së Uashingtonit, të Berlinit, të Parisit, të Londrës, të Romës etj.
Ju lus Ekselencë që nëpërmjet kësaj letre ta përshëndetni popullin mik të Çekisë si dhe autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë.
Ju përshëndes Ekselencë, me ndjenjën e konsideratës më të lartë, ndërsa popullit çek dhe Republikës së Çekisë, i dëshiroj përparim dhe mirëqenie.
Çka paske shkru pallavra? ÇEKIA nuk e krijoi Kosoven. Punë e madhe edhe nese e çnjeh…
RRNOOOOFTË AMERIKA dhe BRITANIA qe e çliruan, pavaresuan dhe e pranojne, mirembajne kete LIRI DHE PAVARESI… e a per per shtete si Çekia, e tjera… kurrrrrrr KOSOVA nuk kish ekzistue. Aq me teper pa AMERIKE as SHQIPNIA nuk kishte me ekzistue, por WOODROW WILSON e pavaresoi.
Çfarë teksti koti c.c.c.c.c.c.c.
Komentet janë mbyllur.