“KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME SHQIPTARE KUNDËROSMANE E VITIT 1912″

0
972

PROF. DR. MUHAMET SHATRI
Recension: Lekë MRIJAJ

Libri i mirë gjithmonë është i ri, pikërisht është burim i përhershëm për informata shkencore të mirëfillëta dhe i tillë është libri “KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME SHQIPTARE KUNDËROSMANE E VITIT 1912″ i prof. dr. Muhamet Shatri, libër i radhës i botuar në tetor 2016, nga SHTËPIA BOTUESE LIBRI SHKOLLOR – E shtypi shtypshkronja “KGT” – Prishtinë, e financuar nga DSH-MASHT-i. ISBN 978-9951-23-073-5. Andaj është e pamundur që në një recension të tillë e të shkurtër të flitet në detaje për një libër voluminoz me 960 faqe të shkruar nga një profesor doktor shkence, mirëpo duke e shfletuar e lexuar me vëmendje këtë libër monografik të tij, nga këndi im dua të jap një mendim timin personal, se ky libër shkencor vertetë është interesant jo vetëm për studentët studiues e hulumtuesit, por edhe për lexuesit e profileve të tjera pasi që komunikimi pak a shumë na prek të gjithë neve. Autori në këtë libër monografik me mjeshtri dhe një realizëm të skajshëm ka ndërtuar një arkitekturë kronologjike historike të ngjarjeve dhe të rrjedhave, pikërisht ai ka bërë një studim e hulumtim të plotë në të gjitha aspektet të historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga rrethe më të gjera në Tiranë, Prishtinë e gjithandej Trojeve Shqiptare, andaj autori në fjalë në këtë përmbledhje voluminoze ka arritur suksese në trajtimin e kësaj periudhe të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Vetë titulli i këtij libri na bën të kuptojmë se çka gjejmë në te: pra, aty takojmë hulumtime, studime faktike nga kryengritja e përgjithshme shqiptare kundërosmane e vitit 1912, por edhe shkrime të tjera të autorit të cilat peshojnë dhe janë fundament për ne shqiptarët në përgjithësi.

Ky libër të themi troq është një libër historik, ku takojmë edhe përmbledhje të tjera si fjalorin e termave osmane dhe të tjera burime të ndryshme nga literatura, arkivore, historiografike, dokumente, gazeta, revista, punime në dorëshkrim, artikujt të tjerë dhe shënime gjithpërfshirëse për autorin. Për këtë arsye ajo të tërheq më tepër dhe nuk ndahesh dot prej saj nga larmia dhe informacionet faktike që sjell. Në brendi të saj ka gjëra mjaft interesante dhe realiste për Shqipërinë dhe kryengritjen e saj të vitit 1912. Me njohuritë e thella, përvojën dhe përjetimet jetësore, autori i librit prof. dr. Muhamet Shatri i përshkruan hulumtimet e tij në mënyrë të thuktë dhe shumë realiste të gjitha ngjarjet kryengritëse të asaj kohe, duke depërtuar deri në thelbin e ngjarjeve dhe dukurive të përgjithshme. Libri mongrafik i prof. dr. Shatrit është si një vitrinë, e mbushur me plot ngjarje interesante, vlerësime objektive të përshkruara me ndjenjë dhe realizëm që ndonjëherë të trondit. Pa u ndalur në përmbajtjen thelbësore të librit të prof. dr. Shatrit, që shtrihet në 960 faqe, e ndarë në 20 kapituj, gjë që kronologjikisht paraqet një tërësi organike të ngjarjeve kryengritëse. Kjo është edhe arsyeja e parë pse nuk do të merrem me citime nga kjo vepër me interes, sepse në fund të fundit nuk dëshirojmë të zvogëlojmë kurreshtjen e lexuesve serioz, pasiqë ky nuk është qëllimi im parësor.

Libri në fjalë ka këtë strukturë: Në fillim në parathënien e këtij libri autori (“KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME SHQIPTARE KUNDËROSMANE E VITIT 1912″ )bënë një vështrim të thuktë pikërisht ai përmbledh apo e bën hartimin e kësaj monografije, monografi të cilën ka filluar ta shkruaj shumë vite me parë mu atëherë kur Kosova ishte e rënkosur apo ishte nën thundrën e pushtuesit serbofil, dhe me një ndërprerje të kohëpaskohëshme për të rivazhduar pas përfundimit të luftës së fundit të Kosovës. Prof. dr. Shatri për ta bërë këtë monografi ishte nxitur e motivuar nga disa miq të tij e autor të huaj të cilët edhe perkundër faktit se shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me robërinë osmane ata ( autorët e huaj ) kanë shprehur habinë për këtë ndaj si i vetmi komb me shumicë myslimane në Evropë pra nuk i pëlqenin asnjëherë falangat turkoshake dhe gjithmon donin të shkëputeshin nga Kalifati dhe të jetonin të lirë e të barabartë sikurse fqinjët e tyre të krishterë në Evropë.

Në parathënien e kësaj monografije autori në fjalë është mbështetur në mënyra të ndryshme dhe u është mirnjohës edhe bashkë kolegëve e miqve të tij të tjerë si: historiani Ramiz Avdyli ( libri: Lëvizja Kombëtare Shqiptare e vitit 1912 vepër e përkthyer nga gjuha maqedone ), prof. Zekerija Cana ( hulumtimet, studimet e tija gjithperfshirëse kombëtare ), Xhevat Loshi, Skënder Gashi, Hysen Matoshi, Lulzim Lajçi, Vehap Shita, Ilijaz Rexha ( ndihmesën në fjalorin e termave osmanë ) , Anton Pançev, Fazli Hajrizi, Bardhyl Selimi, Xhemajl Ahmeti, e Fetah Beqiri, Meliha Balla, e Hyrë Jasharaj, Izber Hoti, Beqir Meta, Xheladin Shala, Bajram Shatri, Refik Bekteshi, Nijazi Hashani, e Blerim Hasanajetj., Ukë Osmani ( MASHT-i ), Sabile Keçmezi-Basha ( MASHT-i ) në ndihmat gjithëpërfshirëse në përkujdesje, përkthim, recension, redaktim, korrekturë, botim, teknikë dhe të dhënave të tjera plotësusese për këtë libër.

-Kreu i parë ka disa sythe, pikërisht autori ka prezentuar një përmbledhje në disa pika mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët gjatë fundit të mbi pesë shekujve të sundimit Osman. Njëkohësisht ai përmend edhe kufijt etnik të Shqipërisë dhe popullatën e saj, e cila çdo herë ka qënë shënjestër si objekt manipulimi nga politikat të tjera famkeqe mesjetare serbe, greke e bullgare e servilet e tyre, njëkohësisht autori është ndalur edhe në flotiljen e madhe i cili në këtë kapitull përmend territorin, strukturën banuese, përkufizimine popullatës, si dhe të dy pjesët gjeografike të saj: Gegërin dhe Toskërin, me ndarjet e tyre administrative Osmane në tri vilajete:-Manastirit, – Janinës, – Shkodres, dhe më vonë nga viti 1864 – vilajetin e Kosovës, popullsinë e saj ndër ato zona duke e dhënë një pasqyrë përmbledhëse të vilajeteve dhe popullsisë në pergjithësi etj…

-Gjatë shtjellimit të kreut të II-të shohim se autori analizon në sythe të veçanta perandorinë osmane dhe Shqipërinë në vigjiljen e kryengritjes së përgjithshme. Në këtë pjesë ai përfshin gjendjen e perandorisë osmane si të pa shpresë tamam në vigjiljen e kryengritjes Shqiptare të vitit 1912, kohë kur komiteti perandorak i asaj kohe përmes aleancash të ndryshme ishte bërë primat në perandori e cilame vonë erdhi deri tek paknaqësitë, e cila u përcjell me çarje e përplasje në radhët e xhonturqve, nga ana e një grupi “Partia e Re” ( Hizb-i Cedit ) krijuar nga kolonelet Sadik dhe Abdylazis Mexhidi Bey, grup që ishte në rritje e sipër, andaj me 23. 4. 1911 nxori një marrëveshje apo memorandum prej 10 pikash, gjë që me shfaqjen e këtij memorandumi u shfaq edhe grupi djathtist, ku menjëherë u shoqërua me një grup kundrejt tij apo fraksion rival majtist që thirrej si: Partia e Progresit ( “Hizb-i Terraki ) dhe opozitës kundër xhonturqve etj., njëkohësisht në këtë kapitull u përshkrua gjendja në Shqipëri e shtimi i pakënaqësisë ndaj regjimit xhonturk aty nga fundi i vitit 1911, që do të thotë se ky regjim i perandorisë Osmane e kishte humbur pozitën dhe kontrollin krejtësisht pas shpërthimit të luftës Italo-Osmane, ku dhe vet regjimi filloi të luhatej dhe të zbatonte politikën e lëshimeve në dobi të shqiptarëve dhe përçarjes së xhonturqve në ç’rast me 21. 11. 1911 me formimin e Partisë së “Lirisë dhe Mirëkuptimit” ( Hyrriyet ve Itilaf Ferkasi) që ishte pasardhëse e partisë së shpërndarë “Ahrar”. Kjo parti arriti të tuboj pranë vetës shumë kundërshtar të politikës xhonturke, si drejtues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e që ishin edhe Hasan Bej Prishtina njëri nga njëmbëdhjetë themeluesit të partisë së “Lirisë dhe Mirëkuptimit”, deputetit Dibran Basri Beu e Mt’hat Frashëri. Pikërisht ia vlenë të theksohët se nga ana e përkrahësve u mbështet e drejta e shqiptarëve për alfabetin shqip nga ana e disa turqve dhe anëtarëve të komitetit “ Bashkim e Përparim”.

U përshkruan edhe disa nga rrethanat specifike për vilajetin e Shkodrës që ishin mjaftë komplekse njëkohësisht kësaj situate me 31. 01. 1912 i kontriboi largimi i valiut Mustafa Nedim Beu, i cili ia dorëzoi detyrën një shqiptarit nga Prishtina me ermin Hajri Pasha e cila sipas konsulit françez në Shkodër ishte një frymë uniteti e dashamirëse për shqiptarë kuptohet për ata të komunitetit të krishterëe musliman. Argumentet e sjellë nga autori kanë kaluar në një sitë të hollë duke renditur pikë për pikë, fakte dhe analiza të hollësishme në lidhje me fisin e Shales së Shoshit, Hanit, Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Kirit, njëkohësisht marrjen e detyrës nga ana e Preng Bib Dodës i cili mblodhi për kryengritje kundrejt perandorisë osmane të gjithë krerët e Mirditës, apo dymbëdhjetë bajraqet e saj në Kallmet të Zadrimës etj…

-Në kreun e tretë autori e spjegon dështimin e misionit të haxhi Adil Beut në Shqipëri, i cili aty në mesin e janarit të viti 1912 si këshilltar i vezirit të madh e ministër i brendshëm, që i kishte ftuar deputet shqiptar në kabinetin e tij të cilëve u interpretoi atyre vendimin për dërgimin e Komisionit Special në Shqipëri, komision që do të shqyrtonte gjendjen gjithpërfshirëse në Shqipëri në reforma e zëvendësim të administratës së përgjithshme. Andaj para deputetëve shqiptar u paraqit edhe një projekt prej 60 pikash i Abdullah Pashës ku kërkohej nga deputet heqja dorë nga veprimtaritë kundrejt pushtetit xhonturk që do monitorohej nga dy komisione ashtu sipas sugjerimeve të ambasadorit austro-hungarez të Stambollit ku do përfshiheshin edhe njerëz që gëzonin mbështetje tek shqiptarët.

Nga analiza e fakteve tutje autori na sjell detaje nga vizita e Haxhi Adil Beut në vilajetin e Kosovës dhe karakterin e saj propagandistik, i mirëpritur dhe si i padëshiruar në Pejë pikërisht udhëtimin e tij nga Peja në Gjakovë e Prizren, i cili në të arrirë në Shkodër u injorua nga popullata shkodrane i cili nuk ishte pritur nga askushi përveç nga ana e Prenk Bibë Pashës dhe nxënësit shqiptarë të shkollave katolike pas kërkesës këmbëngulëse nga konsulli i Austro-Hungarisë. Njëkohësisht në këtë pjesë të këtij kapitulli përfshihen edhe kërkesat e malësorve të Sangjakut të Dibrës e vizita e komisionit të reformave në Manastir, Shkup, e Selanik etj…

– Në kreun e katërt, autori analizon me shumë kujdes zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u zhvilluan me 19 5 1912, si dhe rezultatet dhe emërtimet e deputetëve në disa periudha kohore, zgjedhje të mbajtura në mbarë vilajetet Shqiptare e situatat të tjera specifike kundrejt shqiptarëve që u vinin në mbështetje perandorisë osmane – xhonturke edhe politikat famkeqe antishqiptare si ajo ruse, serbe, bullgare, maqedone kuptohet edhe në mbështeje të servilëve të tyre…

-Një vëmendje të veçantë autori në kreun e pestë, i ka kushtuar edhe përgaditjeve për kryengritje nga ana e Shqiptarëve kundrejt perandorisë osmane dhe përpjekjet e saja për të i siguruar armatimin dhe mjetet të tjera strategjike e luftarake ndaj autori në fjalë duke studiuar burimet dhe literaturën hulumutese e ekzistuese dhe njëkohësisht duke nxjerrë përfundime të tija, të cilat sigurisht që janë bazamente dhe të vlefshme e të rëndësishme për ta ditur ne dhe brezat në vijim…

– Në kreun e gjashtë autori argumenton përpjekjet për një aleancë me fqinjët në mbështetje të faktorit nderkombëtar, kontaktet e deshtuara të Serbisë, synimet e Malit të Zi dhe të tjerëve, qëndrimet e Bullgarisë, Greqisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Gjermanisë, Anglisë, Francës, dhe të Rusisë e cila deshironte të ruante një status – quo në ballkan etj…

-Në kreun e shtatë autori më tej analizon e prezanton shkëlqyeshëm shkëndijat e para të kryengritjes, fillimin e grupeve të armatosura që drejtoheshin nga Hasan Prishtina, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Qeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Ram Binaku etj., dhe përpjekjet për themelimin e një qendre drejtuese të kryengritjes duke vazhduar më tutje me sulmet e armatosura njëkohësisht edhe angazhimin e Basri Beut për kryengritje etj…

-Në kreun e tetë autori Shatri, me të drejtë përshkruan aksionet dhe perleshjet e armatosura të zhvilluara gjatë prillit në vilajetin e Kosovës që vinin me ndihma nga çetat kryengritëse Kristo Luarasi, Mahmut Zajmi andaj u fillua me aksione të armatosura kundrejt xhandarmarisë e ushtrisë xhonturke dhe të gjithë atyre që ishin kundër qëndrimit antishqiptar. Nga valiu i Kosovës u kërcënua edhe imz. Lazer Mjeda, i cili urdhërohej apo kërcënohej që të i pengonte pjestarët e komunitetit të tij katolik shqiptar që të heqnin dorë nga kryengritja, mirëpo ai iu përgjegj se komuniteti i tij nuk do të ndalej deri në realizimin e aspiratave të tyre shekullore të perbashkëta të kauzës për çlirim dhe bashkim kombëtar, gjë që edhe me kërcënimet nga ana e valiut kundrejt imz. Lazer Mjedës ishin të dështuara ndaj tutje u fillua me kryengritjet e armatosura gjithandej vilajetit të Kosovës…

Në kreun e nëntë të këtij libri mund të shohim masat e karakterit strategjiko-ushtarak të qeverisë osmane kundrejt shqiptarëve dhe dislokimin e trupave të tyre në Kosovën verilindore dhe në Sangjak, pikërisht kazermat e saja dhe strukturën e tyre gjithperfshirëse ushtarake Osmane në Prishtinë, Mitrovicë, Vushtri, Pazarin e Ri, Senicë, Tasligje, Beranë, Akovë ( Plevlje ) etj. dhe shërbimet shëndetësore të tyre me kritere të ulta dhe strukturën e tyre efektive të garnizoneve ushtarake njëkohësisht ku përfshiheshin bataljonet e këmbësorisë, artilerisë, stërvitje rekrutëve, taktika , kontigjenti njerëzor etj…

Autori në kreun e dhjetë të këtij libri argumentues e pohues, sjell vërtetësi arkivore historike për aksionet e armatosura në rrafshin e Dukagjinit, luftimet në Pejë, Podgur të Istogut mbështetur nga Sadik Rama i Gjurgjevikut të Madh-Klinës, zhvillimet të tjera në Cerovikin e Klinës, kryengritjën në Manastir, Kerçovë si dhe zgjerimin e saj në vilajetin e Kosovës, kryengritjen e zhvilluar gjatë muajit maj kunder xhonturqve dhe tubimet e saja mobilizuese në Drenicë që kryesoheshin nga partia intelektuale shqiptare si: Hasan Prishtina, Zejnullah Beu të cilët e ftuan edhe Isa Boletinin, patriot e atdhetar i cili e priti më kënaqësi ftesën dhe ishte i gatshëm për vazhdimin e luftës deri në çlirim kundër njësive mesjetare xhonturke. Në këtë pjesë të këtij kapitulli autori permend edhe Kuvendin e Junikut si dhe rrjedhat e pergjithshme të saj, ku morën pjesë shumë personalitete e atdhetar shqiptar nga nahija e Gjakovës, Llapusha, Kazaja e Vushtrisë, vilajeti i Manastirit etj…

Në kreun e njëmbëdhjetë e gjejmë rrugëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt kryengritjës së përgjithshme, përleshjet sporadike ( 31 maj-qershor. 1912 ) të tyre kunder pushtuesit mesjetar osman duke perfshirë veriun, jugun, lindjen e Shqipërisë, Kosovën Lindore e Sangjakun, njëkohësisht edhe zgjerimet e kryengritjeve, rigrupimet e tyre, aksionet e tjera guerile si dhe veprimet e kryengritësve kundër xhonturqve në Selanik etj…

Kreu i dymbedhjetë sjell, lëvizjen e oficerëve – aleate kalimtare e kryengritjes, thellimi i krizës politike e përçarjet, dezertimet e pikësynimet e shqiptarëve, synimet e tyre, pikërisht në kapitullin në fjalë na paraqitet edhe mbrojtja e Shkupit nga vet shqiptarët e qarkorja e Nazim Pashës, i cili menjëherë pas formimit të qeverisë vet ky ministër u dërgoi një qarkore komandantëve të korpuseve të armatës dhe divizioneve të tjera të pavarura e cila u mirëprit mjaft mirë nga hierarkitë ushtarake dhe ishte një sukses i madh për Nazim Pashën, falë autoritetit të tij dhe largimit nga politika ai kishte të drejtën të u impononte armatës kërkesën dhe ishte i denjë në arritje të rezultateve të mira…

Në kreun e trembëdhjetë na paraqitet kryengritja gjatë gjysmës së parë të korrikut e qëndresa heroike e forcave të Isa Boletinit, vazhdimi i aksioneve kryengritëse në rrafshin e Dukagjinit si dhe zgjerimi i saj në juglindje tek vilajetet të Kosovës, Shkodrës, zhvillimet në Shqipërinë e mesme e të jugut dhe pengmarrja e drejtuesve kryengritës etj…

Në kreun e katërmbëdhjetë e shohim rënien e qeverisë osmane, dhe fitoret e njëpasnjëshme të kryengritësve, pikërisht depërtimin e kryengritësve nga Fushë të Kosova, Sangjaku, dhe hyrja e tyre në Prishtinë. Tutje shohim marshimin e forcave të Isa Boletinit në Mitrovicë e Vushtri, veprimet e tyre në Shqipërinë e mesme dhe të jugut dhe përmasat e saj në Berat, kontributin e çetës së studentëve, e memorandumin e Vlorës i arrirë me 29 korrik, në Prishtinë, memorandum me 13 kërkesat e shqipëtarve të jugut, e cila në hyrje theksohej se shqiptarët kanë jetuar 6 shekuj nën perandorinë osmane dhe i kanë dëshmuar besnikërinë e saj përherë duke kontribuar në hyrjen në fuqi të kushtetutës së vitit 1908 në shpëtim të vendit dhe përsëri ndaj tyre ( shqiptarëve) po ndiqej një politikë mesjetare…

Në kreun e pesëmbëdhjetë e vërejmë qëndrimin e shtetëve ballkanike ndaj kryengritjes dhe politikat antishqiptare nga ana e Serbisë, furnizimin me armë dhe organizimin ushtarak të fshatrave serbe në Kosovë njëkohësisht armatosjen e shqipëtarve e kontaktet e Serbisë me Isa Boletinin në Mal të Zi, nga viti 1911 dhe oponencën e Preng Doçit, i cili konsideronte se kryengritjet e hapura kundër perandorisë Osmane ishin në shërbim të ekspansionistëve serbë, malazez, bullgar, grekë ndaj Shqipërisë, një mendim që e ndante edhe Edith Durham, e cila e vlerësonte Preng Bibë Dodën si një njeri me largapamësi e nacionalist shqiptar. Andaj me tej në këtë kapitull shohim edhe qëndrimin e Malit të Zi, Greqisë, Bullgarisë, dhe angazhimin e Rusisë kundrejt kryengritjës Shqiptare, dhe ndikimit të Rusisë në shkëputje të Malit të Zi nga ndikimi i Vijenës, si dhe vazhdimin e kontrabandës me armë nga ana dom Pjetër Tushës etj…

Ndërsa kreu i gjashtëmbëdhjetë sjell, bisedimet fillestare shqiptare-osmane: larmia e kërkesave të krahinave shqiptare, njëkohësisht këtu përshkruhet edhe gjendja në vilajetin e Kosovës, ku qeveria Osmane filloi një diferencim ndaj punonjësve të administratës së lartë dhe zëvendësimin e tyre me shqiptar kuptohet me urdhër të valiut të Kosovës, që do të thotë të diferencuarit u terhoqën rrënjësisht në Shkup e Stamboll për tu shpëtuar nga hakmarrja e popullit kryengritës shqiptar, ndaj me 2 gusht, edhe dha dorëheqje koloneli i shtabit të përgjithshëm e mytesarifi i Pejës, ku në vend të tij u emërua Hajredin Beu i cili nuk ishte idhtar i xhonturqve ndërsa komandanti dhe gjyqtarët s’bashku me Xhafer Tajari të cilët me 5 gusht, ashtu të armatosur dezertuan në Mitrovicë e Pejë dhe tutje në Serbi që do të thotë se i shpëtuan atentatit të hakmarrjes, nga Ademi i biri Isa Boletinit etj. Ishin edhe zhvillimet e tjera të përgjithshme në vilajetin e Shkodrës të cilat u karakterizuan me situata të ndërlikuara nga ana e malësorve trima të cilët si gjithherë fuqishëm mbanin anën e levizjës kombëtare kundrejt perandorisë se xhonturqve me një rezistencë të fuqishme etj…

Në kreun e shtatëmbëdhjetë shohim marrjen e Shkupit e marrveshjën Shqiptaro-Osmane si dhe hyrjen e kryengritësve shqiptar në Shkup, ndaj ishin Isa Boletini e Idriz Seferi që morën përsipër hartimin e planit strategjik për futjen e kryengritësve në Shkup. Një plan strategjik që të anashkalohej Gryka e Kaçanikut dhe të bëhet futja e tyre në Shkup si dhe rrugëtimi i tyre për në vilajetin e Shkodrës, gjë që u miratua fuqishëm nga Bajram Curri dhe bashkpunëtorët e tij. Lajmi për depërtimin e kryengritësve shqiptar në Shkup jehoi fuqishëm në të gjitha trojet shqiptare që u pershkrua qartazi edhe në mediat e shkruara të gazetës“Liri e Shqipërisë” etj…
Në kreun e tetëmbëdhjetë i shohim trojet shqiptare në prag të luftës së parë ballkanike, ku gjasat e tyre ishin të pakta për fitoren e xhonturqve në Kosovë përkatësisht nga Kaçaniku deri në Serbi si dhe rrjedhat e saja deri në fillim të luftës ballkanike e debimin e zyrtarëve xhonturq e reagimit ndaj shpalljës së amnistisë në Shkodër për nënpunësit, ushtarët, xhandarrët etj., nga ana e valiut të komandantit të divizionit të Shkodrës Hasan Riza Beu që ishte në koordinim me arqipeshkvin e Shkodrës etj…

Në kreun e nëntëmbdhjetë në radhë, takojmë qëndrimet e fuqive të mëdhandaj çështjes shqiptare, gusht-tetor 1912, kompletimin e Aleancës Ballkanike si dhe miratimin e një plani të posaqëm për ndarjen e Shqipërisë që vinte nga mardhëniet e ngushta të paktit serbo-grek në vitin 1912 nga përfaqësuesi i Serbisë në Bullgari, Spallajkoviq e ai grek Panas të cilët ishin dakorduar për copëtimin e Shqipërisë,dhe që të diskualifikohej autonomia e Shqipërisë nga projektet e Fuqive të Mëdha, ku ndarja të shenjëzohet nga liqeni i Ohrit në detin Adriatik etj…

Në kreun e fundit të njëzetë të këtij libri vërejmë qëndrimet e fuqive të mëdha ndaj çështjes shqiptare, gusht-tetor 1912, pikërisht opinionet e qarqeve drejtuese të Austro-Hungarisë, shqetësimet e qeverisë osmane kundrejt ministrit të Vijenës Berchold dhe qëndrimet armiqësore e injoruese kundrejt shqiptarëve nga ana e qeverisë Gjermane, Françeze, Italiane, dhe deklaratat Ruse e Londineze kundër projektit të Bercholdit, reagimet e qeverisë italiane, gjermane etj., si dhe hapat të tjerë të Berchtoldit njëkohësisht qendrimet , reagimet, udhëzimet të tjera nga fuqitë e mëdha njëkohësisht edhe nga ana e Berchtoldit drejtuar amabsadorëve të pesë Fuqive të Mëdha etj…

Në fund të kreut të njëzet kapitujve, autori i këtij libri më pas nxjerr e pasqyron edhe disa përfundime e përmbledhje të tjera që lidhen plotësisht me materialin e trajtuar në libër, siq është ajo e shqiptarëve katolikë të cilët në krye me imz. Nikollë Kaçorrin e imz. Jak Serreçin kundërshtonin fuqishëm perandorinë Osmane dhe copëtimin e trojeve shqiptare si dhe pasigurinë e rrezikun e tyre në rast zëvendësimi të perandorisë Osmane me atë Serbo Malazeze gjë që do ishte një hap fatal për Shqipërinë dhe shqiptarët etj. Ky libër monografik ka vlera shkencore, pikërisht është një prezantim shkencor serioz që mund t’i vlejë secilit që merret me studime të tjera historike andaj është i pajisur me një aparat të pasur historik e letrar. Intelektualiteti, gjuha e përdorur nga ana e autorit të këtij libri është e thjeshtë dhe mund të pëlqehet nga të gjithë ata që i kanë në ëndje hulumtimet gjithëpërfshirëse historike etj.

Në këtë recension të bërë nga këndi im jam munduar pak a shumë që të pasqyroj e prezentoj përshtypjen time lidhur me këtë libër, por edhe shumë e shumëçka ndoshta kemi lënë pa përmendur, në mënyrë që lexuesit e tjerë të krijojnë një përshtypje rreth tij, të familjarizohen shumë e shumë me të, si dhe të thellohet në atë që quhet KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME SHQIPTARE KUNDËROSMANE. Fare në përfundim të këtij vështrimi do të shtoja se libri i prof. dr. Muhamet Shatrit është vlerë jo vetëm për studiuesit dhe historianët që merren e që do të merren në të ardhmen me të kaluarën dhe historinë e një populli liridashës siç është në këtë rast populli shqiptar, por kjo do t’i shërbejë si një mesazh brezit të sotëm dhe atyre që do të vijnë më pas. Së fundi edhe një herë e përgëzoj studiuesin, historianin dhe mikun tim të çmuar prof. dr. Muhamet Shatrin, akademik e personalitet me vlera të padiskutueshme për historinë e Shqipërisë të dobishme e tepër interesante, e cila deri tani i ka munguar shkencës historiografike. Shëndet, suksese në hulumtime, studime të tjera shkencore dhe botime të tjera në të ardhmen e afërt.


Biografia e autorit të këtij libri:
Muhamet Shatri u lind më 17 korrik 1946 në fshatin Tomoc të Istogut. Shkollën fillore e mbaroi më 1961 në Muzhevinë të Gurakocit ndërsa gjimnazin më 1965, dhe shkollimin universitar në Fakultetin Filozofik-Dega Histori në vitin 1972 në Prishtinë. Magjistraturën e perfundoi në vitin 1977 e doktoraturën me 1982. Prej vitit 1965 deri më 1977 punoi si mësimdhënës i lëndës së historisë e gjeografisë në shkollën fillore në Gurakoc pastaj në Gjimnazin e Istogut, në Normalën e Prishtinës dhe në Qëndrën Shkollore Teknike në Kastriot ( Obiliq). Në vitet 1978-1989 ishte punonjës shkencor i Institutit të Historisë së Kosovës në Prishtinë.

Në vitin 1989 për shkak të perndjekjës e kqetrajtimit nga regjimi serb detyrimisht largohët nga vendlindja për të emigruar në Suedi ku nga viti 1990-1998 ka qenë në krye të komunitetit shqiptar në Suedi pikërisht ishte kryetar i Degës së LDK-së ( 1990-1995 ), kryetar i komisionit Qendror të Fondit për Ndihmë Kosovës (1991-2005 ), kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Regjsitrimit të Shqiptarëve në Botën e Jashtme ( 1992 ); kryetar i shoqatës’ Kosova” në Malmo ( 1993-1995 ); kryetar i Këshillit të Emergjencës ( 1998-1999 ); anëtar i kryesisë së Lidhjes së Arsimtarve Shqiptar “ Naim Frashëri”-Dega Suedi ( 1992-2006 ); anëtar i redaksive të revistave Qendresa e Besa ( 1992-1998 ), që botoheshin në Suedi. Në korrik të viti 1999 u kthye në Kosovë dhe vazhdoi angazhimin për ndertimin e Kosovës dhe punën shkencore në Institutin e Historisë në Prishtinë.

Ishte sekretar shkencor i Institutit të Historisë ( 2003-2007 ), anëtar i Komisionit Qendror për Standardizimin e Emërvendeve në Kosovë ( 1999*2005 );anëtar i Këshillit të Pergjithshëm i LDK-së ( 2003-2008 );kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Intelektualëve “ Trojet e Arbrit” ( 2004-2016 ) dhe redaktor pergjegjës i Edicionit të saj E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, Zyrtar i Lartë në Ministrinë e Mergatës dhe Diasporës ( 2012-2015 ) për grumbullimin e lëndës arkivore dhe muzeore të krijuar nga veprimtaria e mergatës në botën e jashtme, anëtar i Redaksisë së projektit “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX” të qëndres Studimore Albanologjike, Instituti i Historisë në Tiranë.

Është autori i monografive: Lëvizja Nacionalçlirimtare në Prizren dhe rrethinë 1941-1945, Prishtinë, 1984, Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945, Instituti i Historisë, Prishtinë, Dukagjini Pejë, 1997, ribotuar nga Toena, Tiranë1997 ), Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Ibrahim Graincës, Libri Shkollor, Prishtinë, 2006, si dhe i vellimëve me dokumente: Dokumentet françeze për Shqipërinë dhe shqiptarëtmë 1912, Vëllimi I, Instituti i Historisë Prishtinë, 2006 ( bashkautor), Dokumente italiane pëe Levizjën Kombëtare Shqiptare më 1912, Prishtinë, janar-shtatot – 1912, Vëllimi II, Qëndra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Botimet Albanologjike, Tiranë, Toena, 2012, Dokumente britanike për çështjen shqiptare në KOnferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913, Qëndra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë në Tiranë. Toena, 2012. Prof. dr. Muhamet Shatri ka botuar artikuj e studime në revista shkencore të Kosovës, Shqipërisë e të vëndeve të tjera.Ishte pedagog i jashtëm në Universitetin e Tetovës 2003-2004.Disa projekte punimesh të tjera shkencore të tij pritën të finalizohen së shpejti.