KRYEMINISTËR, SHKARKOJENI DAKËN!

0
192
Avdullah Hoti

IDRIZ ZEQIRAJ

Si Mërgatë, kemi përcjellur me dyshim e shqetësim, veprimet destruktive të kryetarës të KQZ, Valdete Daka, në komunikimin dhe trajtimin e mërgimtarëve, për çështjen e votimit. Koordinimet e institucioneve ligjore, që nga Gjykata Kushtetuese, PZAP e deri ke kryetrja Daka, me KQZ e saj, kanë qenë në dakordim, për ta sabotuar, madje, sa më shumë që është e mundur, votimin e Mërgatës tonë. Arsyet, tashmë, janë bërë të njohura për opinionin gjithëshqiptar.

Fillimisht, dy partitë: PDK dhe LDK, refuzuan organizimin e lehtësuar të votimit në Mërgatë, edhe pse mërgimtarët, prej vitësh janë në kërkim të kësaj të drejte ligjore e kushtetuese, si qytetarë të Kosovës. Madje, nënkryetari i PDK-së, Abelard Tahiri, ka mashtruar shqiptarët se “mërgimtarët nuk kërkojnë votimin, por vetëm përfaqësimin në Parlament!” Kjo është një shpifje monstrume. Përkundrazi, mërgata, e cila përbën gjysmën e popullësisë të Kosovës, ka kërkuar ushtrimin e së drejtës, për votim të organizuar në Mërgatë, si dhe përfaqësimin në Parlament.

Subjektet politike, të organizuara në Mërgatë, përzgjodhën një numër minimalisht kandidatësh, për deputetë dhe u përcollën emrat e tyre partive politike përkatëse në Atdhe. Mirëpo, e gjithë kjo është një formalitet, një mashtrim, sepse konkurrenca nuk është e barabartë, duke qenë larg Atdheut. Rrjedhimisht, është iluzive, për të arritur kuotën e votave të nevojshme. Statuti i tyre duhej të ishte i veçantë, meqë përzgjedhja është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, ata duhet të gëzojnë vendet e rezervuara, pra, status të veçantë.

Rregullorja e votimit me postë, kësaj radhe u komplikua, qëllimshëm, edhe më shumë. Udhëzimet kontraverse, me shtesë kërkesash, flasin për pengesa të qëllimshme e provokative. Ky mision i pistë, tashmë, i është ngarkuar kryetarës së KQZ, Valdete Daka. Disa nga anëtarët e KQZ, reaguan dhe denoncuan, më kohë, se “diçka po zihet”, dhe “kryetarja po fletë në emër të Komisionit të KQZ, pa qenë e autorizuar!”

Kushti i thirrje-përgjigjeve telefonike verifikuese të mërgimtarëve, dështoi turpshëm. Afatizimet aplikuese dhe votuese, ishin dhe mbetën bllokuese dhe zhgënjyese. Për të gjitha këto anomali e poshtërsi, paraprakisht të projektuara, në qendër të fajësisë e vënë, pikërisht, kryetarën e KQZ, Valdete Daka. Prej këtej rrjedhë dyshimi i bazuar, se kryetarja ka marrë obligime sabotuese për votimin e Mërgatës shqiptare. Thënë troç, ajo është e shantazhuar dhe vepron e dirigjuar. Andaj, asaj duhet dhënë ndihma e nevojshme, duke e liruar nga detyra e kryetarës të KQZ.

Shembull: Kur shoqëruesi i kudoshëm i Presidentit Rugova, Adnan Merovci, u shantazhua nga krerët kriminelë të LPK-së, ndoshta, edhe për likuidimin fizik, helmim, Dr. Rugova e liroi nga të qenit shoqërues i Tij. Zotëri Merovci, për kohën, mençurisht e motivoi lirimin: “Tepricë teknologjike!” Realisht, ai, për këtë veprim mençurak, i është shumë mirënjohës shefit Rugovë. Dhe, kjo mirënjohje e respekt, shprehet në librin “Një hap me Rugovën” dhe kurdoherë që i jipet rasti.

Prandaj, kryeministër Hoti, shkarkojeni Dakën nga kryetare të KQZ, madje, qysh sot.

Sepse, është ajo që nuk pranon zgjatjen e afatit të dërgimit të dokumentacionit votues, deri në datën 21 shkurt! Edhe pse janë mijëra fletë-vpotime në rrugëtim e sipër, të cilat, assesi, nuk do të arrijnë deri më 12 shkurt në KQZ, siç afatizon kryetarja Daka! Dhe, nëse nuk e bëni këtë, lind dyshimi i bazuar se jeni pjesë e sabotimit të pjesëmarrjes të mërgimtarëve tanë, në votimin e ligjshëm të tyre. Rrjedhimisht, bëheni pjesë e krimit! Jua kujtojmë, se keni heshtur edhe në kërkesën e ligjshme të Mërgatës, të titulluar “Diskriminimi i mërgimtarëve”, ku thirreni për të ndërhyrë, pikërisht, për këtë problem!

Përgjatë vizitës Tuaj zyrtare, vitin e shkuar, në Mynih, në një takim, me ne, përfaqësues të mërgimtarëve, të Bavarisë gjermane, premtimi për angazhimin Tuaj për Mërgatën, ishte domëthënës. Andaj, mbajeni fjalën, Kryeministër!

Mërgimtarët, pas të gjitha atyre konspiracioneve të pista, të bëra nga KQZ, në koordinim me horrakët e Gjykatës Kushtetuese dhe PZAP, ngulmojnë që afati i fundit të nisjeve të fletë-votimeve, të jetë data 21 shkurt. Është rregull postar botëror, që afati i korrespondencës llogaritet nga data e shënuar mbi pullën postare. Dhe, kurrë me datën e arritjes në destinacion, në rastin konkret, në KQZ. Injorancën, mosnjohjen e kësaj rregulloreje postare elementare, nga ana e kryetarës Daka, nuk duhet ta vuajnë mërgimtarët, me mohimin e të drejtës së votimit të tyre!

Fundja, kryetarja Daka s`ka pse nxitohet, ndërkohë që nuk është “me bythë në prush!”

Kujdes nga heshtja burokratike, Kryeministër! Sepse, edhe heshtjet kushtojnë, qoftë për personalitetin e Kryeministrit, qoftë për partinë që përfaqëson – LDK-në dhe Shtetin e Kosovës. Sepse, atëherë, kur shkelet e drejta e qytetarëve, SHTETI nuk është SHTET! Të premtën “e zezë”, sipas Dakës, skadon afati i pranimit të Fletë-votimeve të mërgimtarëve. Ndërkohë, shumë mijëra Fletë-votime, vazhdojnë të jenë stoqe nëpër postat botërore, pa shansë teorike, për të arritur në afatin e fundit, të caktuar, dhunshëm, nga dhunuesja e KQZ, Valdete Daka.

Prandaj, Kryeminister i nderuar, veproni, mos heshtni, siç i keni heshtur dhe shpërfillur kërkesën e ligjshme të mërgimtarëve, për të votuar dinjitetshëm. Ju e heshtet, deri në injorim, kërkesën e Mërgimtarëve, për shtyrje të afatit, për pranimin e fletë-votimeve.

Të paktën, ndërhyni, me autoritetin që ju garanton pozita e Kryeministrit: Të mos asgjësohen Fletë-votimet, të cilat do të arrijnë nga Mërgata, në KQZ, pas afatit të dhunshëm dhe idiotesk, të caktuar nga kryetarja Valdete Daka. Pra, të rezervohen, për të pritur shqyrtimin dhe vendimin e pjekur të Kryeminnistrit të vendit.

Për fund: Kërkesa aktuale e mërgimtarëve, drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, është: Të shtyhet afati i dërgimit të Fletë-votimeve deri me datën 21 shkurt.