Kryekazani !

0
715

Leonora Laçi

Duke marrë shkas nga takimet e fundit me gazetarët shqiptar apo të huaj të Kryeministrit Rama po jap një kendvështrim personal lidhur me këto zhvillime.

Fillimisht po jap disa nga përcaktimet mbi termin KAZAN
m. (1. Enë e madhe prej metali (zakonisht prej bakri), e rrumbullakët dhe me dy veshë, që shërben për të zier ujë, ndërresa, gjellë etj. Kazan rrobash. Kazan rakie, kazan i mbyllur, ku zihen rrushi, kumbullat etj. për të bërë raki. Gjellë kazani. mospërf. gjellë jo e mirë. Ziej në kazan. Vë kazanin në zjarr. 2. keq. Vendi ku zhvillohet vazhdimisht një veprimtari e ethshme, ku zien lufta e mendimeve etj.; vendi ku përpunohet një mendim për të mashtruar të tjerët, burimi nga lind dhe përhapet një trillim, një shpifje etj.)

Të dy përcaktimet e fjalorit të gjuhës shqipe qëndrojnë për Kryekazanin tonë, sepse Shqipëria vetë është kthyer në një enë të madhe, ku ziejnë matrapazlliqet për pushtet, mazhoranca është kthyer në vend dezinformues dhe nuk na jepet informacion i saktë se çfarë bluhet aty, por ajo çfarë nuk qëndron është se po i biem në qafë aq shumë kazanit real, enës prej bakri.

Ndonëse Kryeministri shqiptar me shumë anon të imitojë Kryeministrin kanadez për stilin e veshjes e kryesisht ngjyrën e çorapëve, nuk ka harruar të marrë diçka dhe nga Presidenti i SHBA së Trump, fyerjen ndaj mediave, duke i quajtur “kazan”.
Duket sikur kishte reflektuar kur foli për Euronews, duke u shprehur se kur mediat shprehin mendimin e tyre nuk do të thotë se dhe ai s’do të shprehë mendimin personal.
Por, vërtetë na intereson mendimi personal i Edi Ramës, apo na intereson mendimi i Kryeministrit Rama ?!

Nuk është hera e parë që Kryeministri ynë z. Edi Rama tregohet arrogant, moskokëçarës, fjalaman ndaj gazetarëve, kur ndërkohë roli i tyre është të pyesin dhe të marrin përgjigje në mënyrë demokratike dhe jo vetëm për çështjen për të cilën janë mbledhur por dhe të tjera çështje, që i përkasin interesit publik. Shmangia e ikja nga pyetjet siç i quan Kryeministri “propoganda” tregon që nuk ka çfarë thotë, apo ndjehet i pafuqishëm të reagojë e t’i ndryshojë gjërat në pozicionin që ka. Kur nuk është në gjendje si Kryeministër t’i ndryshojë gjërat, atëherë kush mund ta bëjë?!

Merret me opozitën dhe jo me problemin që e ka brenda “llojit”. Ç’faj i ka opozita opozitare që individë brenda partisë socialiste kanë probleme me ligjin, ajo e ka detyrë të bëjë opozitën, pasi nuk mund të paguajë për gabimet e qeverisë, por gjithësesi ajo t’i shkojë gjerave më thellë dhe jo vetëm për show facebookist, që zgjatë tre ditë.

Vetëm ne vendin tonë ndodhë që opozita trajtohet si leckë, me trajtimin që i bënë opozitës Kryeministri fyen dhe pjesën e popullit që përkrahë këtë opozitë, fyen dhe apolitikët, fyen dhe ato 1 milion shqiptarët që e votuan, fyen dhe të penduarit e votës, fyen dhe tepsinë e vet, kur nuk respekton opozitën nuk respekton as shqiptarët e thjeshtë.

Një popull perdorë rrugë të ndryshme për të marrë informacionin, qoftë edhe nëpërmjet “kazaneve” siç ka dëshirë t’i konsideroje ai.
Llogaridhënia nuk është një herë në 4 vite as për mazhorancën dhe as për opozitën e tanishme.

Pyetjet që bën “kazani” nuk janë gënjeshtra as shpikje të ndokujt, andaj çdo Kryeministër duhet të japë përgjigje, i pëlqen apo nuk i pëlqen atij, mos ndoshta kërkon vetëm gazetarë që e përgëzojnë për arritjet që janë rrugës, apo për gazetarët që i duartrokasin fjalimet e tij, dikush duhet të bëjë opozitë dhe në media ?!
Kryeministrin nuk po e pyesim as për mobilimin që i bëri shtëpisë, as se ku i bënë ai pushimet, as për Zahon dhe tekat e tij.

Kryeministrit nuk i kanë faj gazetarët, populli, të huajt, BE, SHBA, Turqia a Rusia. Le ta gjejë fajin brenda mazhorancës, sepse nuk po ia pengon opozita hapjen e negociatave, por njerëzit pranë tij.

Prandaj le të reflektojë, se vijnë zgjedhjet e zgjidhjes së pushtetit shpejt.