Krishtlindjet e bardha, mos i gjakosni

0
2017

Dionis Xhafa

Kam një perceptim se nga të gjitha festat të cilat mund të përjetoj, Krishtlindja hyn ndër ata që janë më të pastra. Madje, janë edhe më të pastra edhe se Viti i Ri më duket ndonjëherë. Po po, u çova këtë mëngjes dhe më dukej sikur ajri ishte më i freskët. Qyteti dukej tepër i pastër, mbi të gjitha. Gjithçka dukej sikur ishte e bardhë, pa ndonjë sëmundje apo parregullësi. E, dukej sikur edhe njerëzit ishin më të këndshëm, nisur edhe nga atmosfera. Dukej sikur zhurmat ishin zhdukur për një ditë të vetme. Kjo ishte Krishtlindja, ajo ditë që rrallë kthehet.

Në fund të fundit, Krishtlindja është ajo festë, e cila na bën që të kujtojmë se jemi pranë rrokullisjes së një viti të vjetër dhe pritjes së një viti të ri. Pikërisht në Krishtlindje pritet që të jetë dita e madhe, ajo kur të ndërrojnë vitet. E sa e bardhë është kjo festë, e cila duhet thënë se nuk duhet të bëjë bashkë vetëm të krishterët e mbarë botës, por të gjithë njerëzit e mbarë botës, sepse fundja edhe festat e tilla nuk janë vetëm për besimtarët e krishterë, por pa dallim në fe dhe në racë.

Krishtlindja është e të gjithëve, për të ndjerë aromën e festës, e dëlirësisë së saj, e ndriçimit të saj, nga të gjithë ata që ndjejnë vërtetë. Kjo sepse me Krishtlindje fal dashuri dhe merr, duke ta bërë jetën më të lumtur, më të paqtë, më të bukur. Por, çfarë ndodh në të vërtetë? Edhe këtë ditë të pastër, të bukur e plot grimca lumturie, tentojnë ta shkatërrojnë e ta shkërrmoqin. E kush e shkërrmoq? Janë pikërisht terroristët e mbarë botës, ata që shohin te perëndimi të keqen dhe se pikërisht në këtë ditë, në Krishtlindje, ekstremistët përpiqen që të godasin në ndonjë treg frutash në ndonjë qytet si Berlini, Milano apo Parisi.

Kështu, këta njerëz duan ta gjakosin bardhësinë e kësaj feste, duke bërë të mundur që fustanin e nusërisë së festës së Vitit të Ri, ta bëjnë të kuq, ta përgjakin, ta nxijnë, ashtu siç e kanë flamurin e zi, terroristët e ISIS. Krishtlindjet janë të bardha, ata janë për të falur dhe për të marrë lumturi, në ditët më të lumtura të vitit. Ata që e gjakosin janë djajtë e varrmihësit e paqes e të gëzimit, e lumturisë dhe ndjesive thellësisht njerëzore. Bardhësi e ditëve të fundit të vitit do të triumfojnë, mbi të ligën, mbi të poshtërën, për të rrokullisur një vit e për të hapur kanatat e dritares së një viti të ri, me shpresën e një dëlirësie edhe më të madhe.

D.Xh