KRIMI USHTARAK SERB NË REÇAK (KOSOVË) – 15 JANAR 1999

0
797
Masakra e Reçakut

Naxhije Doçi Naxhije DoçiProf. Prishtinë

Misionari i Lartë i OSBE, Z. Viliam Voker kishte thënë:
MË 15 JANAR 1999 NË REÇAK ËSHTË BËRË KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

Dita e 15 janarit 1999 ishte e kobshme për fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Forcat serbe i kishin kidnapuar, vrarë dhe masakruar edhe për së vdekuri 42 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe katër gra dhe dy fëmijë. Raçaku është sulmuar dhe është kallur edhe në qershor të vitit 1998.

Popullata ishte larguar e tmerruar për t’u strehuar në vende pak më të sigurta. Ishin larguar gra, fëmijë e pleq, se burrat e moshës madhore kishin ndenjur kah kishin mundnin nëpër male, për t’u mbrojtur disi, si edhe për të luftuar kundër barbarizmit të shfrenuara të forcave serbe.
Forcat militare dhe paramilitare serbe të ardhura edhe nga Serbia, më tërë armatimin e rëndë ushtarak, i kishin zënë pikat kyçe çdo kund nëpër Kosovë dhe bënin kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare, ngase qëllim esencial të tyre kishin pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Edhe në komunën e Shtimes çdo kund i kishin zënë pozicionet më strategjike. Prej kohësh e kishin grumbulluar armatimin në Kodrën e Gështenjave, mbi pishat e Shtimes, por edhe te Rezervoari i Ujsjellësit. Prej aty e kishin si në pëllëmbë të dorës krejt Raçakun dhe më 15 janar 1999 edhe e kishin vënë enkas në shënjestër. Nuk kishin pushuar së gjuajturit tërë kohën në Reçak, se si duket e kishin pasur në plan që ta rrafshonin me tokë.

Reçaku para ofenzivave shkatërruese serbe ishte një katund shumë i zhvilluar i komunës së Shtimes, me shtëpi të mira dhe të ndërtuara me plan dhe me material të fortë. E kishin ndërtuar djemtë e fshatit, të cilët prej motit e kishin marrë rrugën e gyrbetit, diku që nga viti 1985, e sidomos gjatë dhjetëvjetorit të apartheidit serb në Kosovë. Shumë mund e ndjersë kishin derdhur banorët e Reçakut për ta rregulluar jetën e tyre në fshat, në mënyrë që edhe ata të jetonin njëherë si njerëz. Gyrbeti kishte bëre që jeta të ishte e mbushur me përmallime për njëri- tjetrin, por nuk kishin pasur zgjidhje tjetër. Nuk kishin se ku të punonin në Kosovë të rinjntë shqiptarë, ngase pushtuesi serb i kishte mbyllur të gjitha vendet e punës për shqiptarët. Ishte dikur Raçaku, por… E prishi dhe e djegu barbaria serbe.

Personazh i rrëfimit për krimin serb në Reçak është Hyra Emini, grua 76 vjeqe nga Reçaku, e cila thotë: “Më 15 janar 1999 qe bërë një luftë e tmerrshme dhe krejtësisht e pabarabartë në Reçak. Forcat ushtarake serbe gjuanin me tërë armatimin e rëndë dhe të blinduar në popullatën e paarmatosur dhe të pambrojtur shqiptare. I granatonin dhe i kallnin edhe shtëpitë e fshatit. Dy luftëra të vështira i përjetova në jetën time dhe në të dyjat armik yni ishte shkau. Në këtë luftën evitit 1999, në pleqërinë time e pash tmerrin me sy. Djalin tim Ajetin ma vranë në derë të shtëpisë dhe ma thanë shpirtin. Ajet Emini quhej djali im dhe ishte 40 vjeçar. Fëmijët i mbetën jetimë, që të rriten me mallin për babain e vrarë. Ndërsa gruas së tij i mbeti mbi supe tërë barra jetësore për rritën e tyre”.

Pas ofensivës serbe të qershori 1998, në Kosovë kishte ardhur Misioni i Verifikatorëve të OSBE-së dhe popullata e këtushme e kishte gjetur njëfarë mbështetje morale tek ata. Njerëzit kishin filluar të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre të djegura. I kishin pastruar e meremetuar nga të djegurit shtëpitë e tyre dhe kishin filluar edhe që të gjallëronin në to, se s’kishin pasur ku të shkonin tjetërkund. Ishin kthyer, por përherë me njëfarë droje, e me vesh në krah, siç thot populli, ngase ishin të vetëdijshëm se armiku serb nuk fle. Ishte kthyer popullata në fshatin e vet, se nuk e kishin pasur të lehtë të qëndronin gjatë nëpër dyert e huaja dhe nëpër male. Ishin tmerruar sa herë që e kishin kujtuar tragjedinë e luftës dhe jetën e shthurrur, si pasojë e saj.

Më 15 janar 1999 forcat kriminele serbe përsëri e kishin nisur luftën në Reçak. Prap kishin shkatërruar dhe kallur duke bërë gjithkah shkrumb mbi shkrumb. Luftë e rrufeshme kishte qenë atë ditë. Kishin granatuar dhe gjuajtur nga të tri anët me të gjitha llojet e armëve. Edhe prej Duhlës dhe prej Rrancës kishin granatuar. Nga shpejtësia e zhvillimit të ngjarjeve, pjesa më e madhe e banorëve nuk kishte pasur afat që të largoheshin në vende të papërfëshira nga tmerret e luftës, prandaj edhe ishin detyruar që të strehoheshin disa familje bashkë nëpër bodrumet e shtëpive të tyre. Ishin vendosur edhe familja e peronazhit te rrëfimit, Hyra Emini. Shtëpia e tyre ishte përballë pishave, ku ishin të stacionuara forcat serbe.

Si familje kishin qenë të vetëdijshëm se ishin në përcjellje të forcave serbe, nga se prej oborrit të tyre e kishin parë vazhdimisht një dritë të kuqe. Kishin qenë të vetëdijshëm edhe për të gjitha të këqijat që mund t‘ju vinin nga kriminelët serbë, por nuk kishim pasur se ku të shkonim tjetër kund.

– Ishte ora 6 e mëngjesit më 15 janar të vitit 1999, thotë Hyra Emini. E dëgjuam një rafal të gjatë automatikësh dhe sikur edhe e morëm me mend se do të ngjajë hataja. Djemtë e mij dolën shpejt, që t’i lajmërojnë kushurinjt e vet që të dalin të gjithë, se ishte rrethuar tërësishtë fshati. Kriminelët posa i kanë parë duke lëvizur njerëzit i kanë gjuajtur. Duke hyrë në dyert e oborrit e kanë plagosur njërin prej fqinjëve tanë. Djali im Ismeti, duke u përpjekur që t’i mbyllë dyert e oborrit, për t’u mbrojtur nga plumbat, i bie të këmbët granata. Prej Kodrës së Bebushit granatonin ushtarët serbë, ndërsa me breshëri plumbash gjuante këmbësoria serbe, që e kishte vërshuar tërë fshatin.

Ajeti im është kthyer për t’i thënë të vëllait, që të mos merrej me dyert e oborrit, por nuk pat afat për ta përfunduar këshillën, se granata tjetër që ra, ia hoqi kafkën e kresë. Ai ra në duart e Ismetit, i cili tmerrshëm bërtiti: “Oh, vëllau im çka të bënë”! Ismeti duke u munduar që ta afrojë te kroi për ta freskuar pak me ujë Ajetin e masakruar, që ishte ende i gjallë, një breshëri tjetër plumbash i godet të dytë. Ajeti përshëndetjen e fundit e pat: më janë kallur buzët nga etja për ujë or vëlla, si toka e Kosovës që është e etur për liri. Me fjalën Kosovë në gojë vdiq Ajeti im. Ëndërra e tij ishte për të kontribuar diçka të madhe për vendin e vet, për Kosovën e vet. Në madhështi u shëndërrua…!

Për katrahurën e 15 janarit 1999, në Reçak, Hyra Emini vazhdon: -Ismeti im me plagë në trup, duke u munduar që të vëllain e vdekur ta sjellë në shtëpi, i sheh të dyert e oborrit ushtarët serbë, që hynin duke shkrepur plumba pandërprerë me automatikë. Edhe nga dyert e mëdha të shtëpive të reja hynin sa mundnin ushtarë serbë dhe u mbush krejt oborri me ushtarë serbë, por edhe me gjithfarë kriminelësh të tjerë me koka të lidhura me shamija. Iu bishtëroi të gjithëve Ismeti dhe iku kah shtëpia e fqiut, Hysni Imerit, ku gjendeshim të strehuar më se 70 e më tepër anëtarë të dy-tri familjeve tona, kryesisht gra, fëmijë e pleq. Edhe aty na kishin hetuar kriminelët serbë dhe gjuanin pandërprerë drejt nesh, duke i thyer dyer e dritare. Të strehuarit u mbështetën kah muret anësore të dhomës.

Krejt plumbat hynë brenda. Fëmijët u tmerruan para kësaj çmendurie çfarosëse. Të zbehurit e tyre dhe shterrja e zërit, duke qajtur me zë lemeritës, na e bënte jetën më të rëndë edhe se vetë plumbat. Pas nja 20 minutash gjuajtjeje, ata hynë brenda, duke menduar se na kishin mbytur të gjithëve. Kur na panë të gjallë, u tërbuan dhe thika e tyta na i vunë te fyti. Ishte tmerr të gjendesh ballë për ballë me kriminelët. Na dukeshin se nuk ishin njerëz, por bisha mali. Ata as që kishin formë dhe ndjenjë të njeriut… Nga të eturit për krime, sytë i kishin të kuq dhe iu dilte shkumbë nga goja.

– Jemi vetëm familje me gra, pleq e fëmijë- arritëm për t’ju thënë në mes të asaj jetëvdekje.
– Na thonin:
– Ku janë terroristët? Ku është UÇK-ja?!
– Nuk di ku janë terroristët- u thoja. Nuk di as që ka dikund në botë terroristë më të mëdhenj se ju. A nuk po e shihni si na keni hyrë në shtëpi me tërë këtë armatim të rëndë e po shitni trimëri para meje plakës e para këtyre grave me fëmijë ndër duar. Fëmijëve të vegjël ua keni prerë në nismë lojërat dhe gëzimet e jetës. E sa për UÇK-në, po ua them në gojë, se është Pika e Djalit dhe se lufton për vendin e vet. Ata kurrën e kurrës nuk do të mbysnin fëmijë serbë dhe gra serbe, të pa armatosura.

– Bajram Mehmeti vetëm pse iu tha se UÇK nuk ka këtu dhe se ajo rrinë atje ku e lyp vendi, e rrahën me dru. Vetëm pak kohë më vonë edhe e vranë. Djalin ia plagosën rëndë. Edhe vajzën, Hanëmshahe Mehmetin ia vranë në përrua. Në atë dhomë të tmerrit burrat i ndanë prej grave dhe fëmijëve dhe i mbështetën për muri për t’i ekzekutuar. Një plakë e paralizuar në karrocën levizëse vetëm pse iu tha: “Mos i vrisni se janë pleq dhe të sëmurë”, iu vërsulën si hijenat dhe i silleshin përreth duke lëshuar zëra të çmendurish. Luanin më të lojën e vdekjes. Disa e therrnin me thika e disa shkrepnin plumba mbi të. Në buzagazin e fundit të plakës së paralizuar, kriminelët e panë turpin e veprës së tyere kriminale.

Edhe më të mbështeturit për muri luanin lojëra tragjike, – thotë Hyra Emini. Me maje thikash ua hiqnin plisat nga koka. Thikat linin vrragë në kokë, e vrragët kullonin gjak. Plisat e përgjakur i detyronin t’i shkilnin. Kush e refuzonte këtë pelegrinazh, ekzekutohej në vend. Imri Jakupit i ranë me kundak të pushkës në kokë tre kriminel dhe ia çanë kokën. I ranë për ta mbytur vetëm pse ofshani, kur ia shkelën plisin. Plisi është krenaria e shqiptarit dhe kur shkilet ai, shkilet krenaria… E shkelja e krenarisë ishte e papërballueshme dhe tepër tragjike për shqiptarin… Të gjithë burrat i rrahën dhe i përgjakën. Krejt vendi u gjakos. Edhe Ismetin tim e rrahën për vdekje, sepse nuk u tregonte se ku është UÇK-ja. Ai ishte i sëmurë dhe invalid qysh prej rrahjeve të mëhershme, që ia kishin bërë katilët, se përherë kishte qenë i ndjekur dhe i malltretuar prej tyre. Që t’u largohej ndjekjeve për vdekje dhe burgosjeve edhe u detyrua që të largohej përkohësisht nga Kosova. Me punën e vet në gyrbet është munduar për ta dhënë kontributin e vet në ndihmesë çeshtjes së madhe kombëtare. E ka ndihmuar shkollën shqipe dhe institucionet të tjera të Kosovës.

– Bëni çka të doni me mua- u pat thënë Ismeti ushtarëve kriminelë serbë, se nuk kam ku të shkoj përtej shtëpisë sime…!

Kur krisën disa rafale pushkësh në afërsinë e vendstrehimit tonë, kriminelët menduan se erdhi UÇK-ja dhe dolën jashtë me shpejtësi rrufeje. Burrat e mbështetur për muri, 13 sish e shfrytëzuan momentin dhe dolën jashtë dhomës së tmerrit. Kishin zbritur me shpejtësi përskaj Kront të Malit, kah dyert e poshtme të oborrit dhe kishin shkuar për t’u strehuar në përrua. Nuk kishin tjetër vend ku për të shkuar, se tërë fshatin e kishte vërshuar këmbësoria e inkriminuar serbe. As aty e as kurrkund nuk kishte kurrfarë sigurie. Ata vetëm hynin dikund sa për të thënë, se nuk dinin as ku hynin e as pse të hynin. Në përrua, ku kishte pasur edhe të strehuar të tjerë, i kanë gjuajtur prej dy drejtimeve me të gjitha llojet e armatimit. Shumë sish edhe i kishin vrarë, si Rizah Beqën me djalin Halimin 13 vjeçar dhe Zenel Beçën 19 vjeçar. Ndërsa i kishin plagosur rëndë nënën e Zenelit, Zyhra Beçën 44 vjeçare dhe vajzën e saj 17 vjeçare.

Pasi ishin ngopur së shkrepuri me armatim në përrua, kriminelët ishin afruar për të dëgjuar ndonjë zë të të mbeturve të mundshëm gjallë. Kur kishin parë se s’po bëzante askush, kishin thënë në gjuhën e tyre: “Hajde vëllezër serbë po shkojmë tash, se i mbytëm të gjithët! Të gjithëve duhet t’ua bëjmë kështu, që të mos mbetët më asnjë shqiptarë në Kosovë…“!, thotë Hyra Emini.

– Malltretime, vrasje dhe masakrime kishin bërë pothuaj në secilën shtëpi të fshatit Reçak, kudo që kishin gjetur banorë të strehuar. Kishin hyrë edhe në shtëpinë e mësuesit Sadik Osmani, në lagjen e Gashëve. Burrat i kishin nxjerrë jashtë dhe të shtrirë për tokë i kishin rrahur me dru gjer në alivanosje, ndërsa gratë i kishin mbyllur brenda. Pas kryrjes së këtij shfrenimi i kishin detyruar burrat që të iknin në vrap kah katundi Rranzë, se “Po shkuat në tjetër anë, iu mbysim“ – Ju kishin thënë. Në kodrën, që banorët e quajmë Kodra e Bebushit, iu kishin dalë në pritë ushtria dhe policia serbe. Në distancë prej dy-tri metrash i kishin vrarë të gjithë.

Skenar makabër për shuarje jetësh, ishte bërë në atë vend të krimit të shkaktuar. Të parët drejtë kodrës kishin ikur të rinjtë, nga se ata si të rinj kishin mundur që të iknin më shpejtë. Me shpresë se do të shpëtonin kishin ikur shpejtë. Të gjithë i kishin vrarë duke i qëlluar në sy, në vesh, në krye dhe gjithkund. Shoshë trupin ua kishin bërë. Edhe të tjerët, që kishin vrapuar si të parët, të gjithë i kishin vrarë. Gjithësejt të vrarë në kodrën e Bebushit 42 shqiptarë, prej moshës 12 e gjer në moshën 80 vjeçe, duke përfshirë edhe gra e fëmijë. Pas kësaj të gjithë i kishin masakruar për së vdekurit.

Nga kjo masakër e paraskenuar kanë shpëtuar tre vetë: Imer Hakipi (65), Nesret Nazifi (50) dhe Bilall Sadriu (50), të cilët ngase nuk kishin mundur të vraponin, ishin fshehur në grunaje 20 metra largë Lugut (vendkrimit) dhe s’kishin pasur guxim të dilnin gjer të nesërmën pas mesdite.

Ushtarët serbë që na hynë brenda ishin shumë dhe nuk ishte e mundur që t’i numëronim Të mëdhenj e me mjekërra të gjata e të tmerrshme vetëm për t’i parë ishin që të gjithë, ndërsa thikat e mëdha që i mbanin në duar i lëpinin me gjuhë para syve tanë-Thotë Hyra Emini!

– Më 16 janar 1999 të vrarët dhe të masakruarët shqiptarë të Reçakut kishte ardhur për t’i parë Misionari i Lartë i OSBE-së, Z. Viliam Voker dhe kur i kishte parë kishte thënë: “Në Reçak është bërë krim kundër njerëzimit”. Përmes fjalëve të tij edhe është alarmuar bota e qytetëruar, se në Kosovë po bëhet pastrim etnik dhe gjenocid kundër shqiptarëve. Ekranet televizive qenë mbushur me spotet e skenave rrënqethëse, që ndodhën më 15 janar 1999 në Reçak. Skenat e tilla e tronditën botën.

– Kjo ishte një e mirë e madhe për ne shqiptarët dhe për Kosovën – thotë Hyra Emini!
– Neve shqiptarëve edhe përpara na kanë vrarë e prerë shkijet, por s’ka dëgjuar kurrkush për hallin tonë. Na vranin dhe na shpallnin fajtorë. Shkau gjithëherë ka pasur propagandë të fortë, e bota gënjeshtrat e tij i ka marrë për të vërteta. Nuk e ka ditur bota se kush janë serbët, andaj nuk e kanë kuptuar as mjerimin tonë nën thundrën tutore të tyre. Tani që e kanë kuptuar, dhashtë Zoti dhe rrezoftë dritë edhe për ne shqiptarët dhe për Kosovën!

– Të gjithë të masakruarit i kishin marrë nga Lugu dhe i kishin vendosur në xhaminë e fshatit – Vazhdon rrëfimin Hyra Emini. Ushtarët tanë i kishin sjellur aty.

Posa shkoi Vokeri, më 17 janar serbët prap granatonin dhe i digjnin shtëpitë. Vranin dhe prenin njerëz. Kishin për qëllim që t’i merrnin kufomat nga xhamia për t’i fshehur gjurmët e krimit të bërë. U bë rezistencë e madhe e luftëtarëve tanë për mbrojtjen e dinjitetit të kufomave. Serbët, pasi kishin armatim të fortë ia kishin arritur qëllimit, që t’i rrëmbejnë kufomat. Kthimi i kufomave nga rrëmbyesit ka zgjatur shumë kohë, se skenarët e lloj-llojshme serbe kanë qenë shumë provokuese. Në përleshje me kriminelët serbë ishin vrarë edhe 11 ushtarë të UÇK-së. Ata i kanë varrosur në fshatin Malapolc. Me nderime të larta i kanë varrosur, ashtu siç edhe e kanë merituar.

Personazhi i përjetimit të “Krimit ushtarak serb në Reçak”, Hyra Emini, në vazhdim të rrëfimit, për djalin ne vet, Ismet Emini thotë:
– Iu dështuan të gjitha përpjekjet ushtarake serbe për fshehjen e krimit – Më thoshte Ismeti. Ne i njihnim njerëzit tanë, edhe pse i kishin sakatosur dhe prishur në fytyrë. I dija edhe çka kanë pasur të veshur. E dija për shembull se mësuesi Sadik kishte pasur të veshur setër të kaltër. Kështu për secilin të vrarë dija ndonjë element identifikues, se i kisha shikuar për një kohë të gjatë të shtrirë në xhami.

Kur kishin qenë në spital të Prishtinës, para gjykatëses fashiste serbe, Danicës, si edhe para avoketëve tanë të mirënjohur Bajram Kelmendit dhe Fazli Balës, dhe Ekipit të Mjekësisë Ligjore Ndërkombëtare, Ismeti Emini kishte deklaruar me vendosmëri se këto janë Kufomat e Raçakut.

– Lëshojini kufomat, se po i njeh të gjitha djali! – kishte thënë me këmbëngulësi strategu i drejtësisë shqiptare, Bajram Kelmendi. I kishin marrë kufomat të gjitha komplet dhe kishin dalur. Njëra kishte qenë e djegur. Për t’i marrë të gjitha komplet kishte zgjatur procedura.

  • Rrëfim marrë nga libri “SHPIRTI I DËRMUAR – Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë, 1997-1999” – Prishtinë -2000 – Naxhije Doçi