KRIJUES I VLERAVE TË LARTA LETRARE E ARTISTIKE

0
797

Nga pena e tij rrjedh drita që ndriçon pyllin e errët të kohës së pakohë” (E. A.)

Në Qendrën Kulturore ZENTRUM 5 në Bernë, u mbajt mbrëmje artistike, në prani të artdashësve të shumtë, shkrimtarë, artistë e diplomatë. Mbrëmjen e udhëhoqi Znj. Brikela Andrea-Nune, drejtuese e këtij institucioni.

Në Qendrën Kulturore ZENTRUM5 (Qendrën 5) në Bernë, të premten mbrëma (më 23 nëntor), u bë përurimi i librave “MAKTH” dhe “FLETËZA DHEMBJEJE” të autorit Gani Bytyçi, gazetar, piktor, organizator dhe pjesëmarrës i ngjarjeve të shumta artistike në Zvicër, Francë, Kosovë e Shqipëri. Në ambientet e Qendrës, prezantohej edhe ekspozita e pikturës së tij.

Ky aktivitet kulturor ishte organizuar dhe u mbajt nën drejtimin e Zonjës Brikela Andrea-Nune, drejtuese në këtë institucion kulturor zviceran. Ajo e udhëhoqi në mënyrë të shkëlqyer këtë mbrëmje, ku prezantohej vepra letrare dhe artistike e Gani Bytyçit.
Zonja Brikela Andrea-Nune, pasi i dha disa informacione bazë për punën e Qendrës ZENTRUM 5, dhe prezantoi programin kulturor të saj, duke i përshëndetur të pranishmit, u shpreh: “Është fat që në hapësirën e kulturës gjermanishtfolëse, në të cilën jetojmë, ne mund të gjejmë vend dhe të fusim e të prezantojmë edhe vlera të kulturës shqiptare.

Dhe kjo gjithmonë ndodh nëpërmjet artit. Për juve që po e ndiqni këtë ngjarje, dua t’ju falënderoj për praninë tuaj këtu. Sonte do të kemi mundësinë që të flasim dhe diskutojmë shqip, të dëgjojmë letërsi shqiptare, muzikë shqiptare, frymëzime shqiptare. Dhe për gjithë këtë dua të falënderoj atë, që na dha arsyen për të qenë bashkë, zotin Gani Bytyçi, i cili është kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, gazetar, shkrimtar dhe veprimtar i mirënjohur në Zvicër, Francë, Kosovë dhe Shqipëri”- u shpreh në fjalën e saj Zonja Brikela Andrea-Nune.

Gani Bytyçi është një artist i kompletuar. Ai, artin e tij e krijon nëpërmjet letërsisë dhe penelit. I vlerësuar mjaft lart për krijimtarinë letrare dhe atë në pikturë, ai sonte na nderon duke qenë i pranishëm në prezantimin e librit të tij “FLETËZA DHEMBJEJE”, i sapo botuar. Por ne gjithsesi do të rikthehemi edhe tek libri “MAKTH”, “në tregimet e të cilit ai përdor një larmi ngjyrash, për të pikturuar shpirtin njerëzor me të gjitha dritëhijet e tij”, u shpreh pos të tjerash znj. Brikela Andrea-Nune.

Më pas u shfaq një intervistë e autorit dhënë TV 24, me rastin e hapjes së ekspozitës së tij në Tiranë. Në vazhdim pasoi leximi i një fragmenti nga libri, i përcjell me tingujt e kitarës.

Bisedën me autorin kryesisht e udhëhoqi znj. Brkiela Andrea-Nune. Ndërkaq, kritiku Shefqet Dibrani, përveç se lexoi fragmente nga recensioni i tij dhe pjesërisht edhe nga recensioni i Emin Azemit, ai gjithë fjalën e tij e kishte konceptuar në formë bashkëbisedimi me autorin. Në këtë mënyrë u krijua një trekëndësh bashkëbisedimi autori, Znj. Brikela Andrea-Nune dhe Shefqet Dibrani, e që u krijua një ambient letrar e artistik aq i këndshëm edhe për gjithë të pranishmit.

Ndërkaq në hapësirat e Qendrës Kulturore “ZENTRUM5”, ishte hapur edhe ekspozitë personale e Gani Bytyçit, piktura këto, me motive të dhembjes (siç u tha edhe me këtë rast), e që e kompletonin edhe ma mirë pjesën letrare e muzikore të kësaj mbrëmjeje dhe gjithë mozaikun artistik të autorit.

Në bisedën me autorin, e cila u zhvillua dyanshëm, nga njëra anë me pyetjet e shtruara nga Znj. Breikela Andrea-Nune dhe nga ana tjetër me pyetjet e z. Shefqet Dibrani, u preken shumë aspekte nga krijimtaria e tij, që nga ato emocionale ndaj dy përkushtimeve të vëna në fillim të librit. I pari kushtuar prindërve të tij kurse tjetri në kujtim të doajenit të gazetarisë kosovare Ali Sutaj. Lidhur me këto dy dedikime të autorit, redaktori i librit Emin Azemi shprehet.

“Si në dedikim për prindërit, po ashtu dhe në kujtim të publicistit dhe eseistit të veçantë të letrave shqipe, Ali Sutaj, ky libër vjen dhe bëhet kurorë mbi një pllakë të madhe, në të cilën autori ka gdhendur memorien kolektive të brezit, që po ballafaqohej me mungesën e lirisë së atdheut. Duke qenë se edhe vetë autori i takonte atij brezi, ai edhe do të bëhet zë i atyre që nuk mund të flisnin e të shkruanin lirshëm në atdhe”.

Në librin “FLETËZA DHEMBJEJE”, do të lexojmë rrëfime artistike për njerëz e ngjarje tronditëse, që nga ato emocionale e deri tek ato, që e bëjnë autorin të meditojë gjatë e të nxjerrë edhe premisa të mendimit ekzistencial e filozofik, si robëria e liria, lufta e paqja e të tjera.

Për librin dhe krijimtarinë letrare e artistike të Gani Bytyçit foli edhe Fatmir Brajshori i cili vlerësoi se “Te fletëzat e Ganiut gjithçka është funksionale dhe në shërbim të krijimit. Ai nuk e krijon as e nuk e koncepton librin në formë ditari dhe si ndërtim kronologjik. Atë, ai e freskon dhe rikujton, herë fëmijërinë, herë ikjen, errësirën, ngjyrat që e përcjellin edhe sot, gjembat, fotografinë e prindërve, jehonën, qëndresën, rënien, ngritjen, lirinë. Të gjitha këto autori i përdor sipas nevojës dhe narracionit, pa kronologji radhore dhe rëndësie”.

Pastaj ai shtoi se “ankthi ekzistencial për të mbijetuar është gjithëçka, ndërsa në librin, që sapo ka dal nga shtypi, është aq epike shprehja, këtë tokë pëllëmbë për pëllëmbë ne e kemi mbjellë me eshtrat tanë. Ndërkaq, kur flet për artin dhe kodin e artistit, Ganiu shprehet se gjithsecili artist e ka kodin e tij, enigmën e tij. E, unë them se pikërisht për shkak të kësaj enigme, ne nuk mund të gjejmë kodin e zbërthimit të mendjes së autorëve por me që nuk është autori i rëndësishëm por teksti i tij, atëherë ne jemi interpretuesit e atyre teksteve”, tha pos të tjerash zoti Brajshori në vështrimin e tij.

Leximin e fragmenteve të librit e bëri aktori Dan Morina. Ndërkaq leximin e përcolli me kitarë Teki Zylfija.

Autorin dhe të pranishmit i përshëndeten edhe Z. Halim Hyda, ambasador i Maqedonisë, Ismet Krasniqi – Lala, humorist dhe autor librash si dhe veprimtari Gjokë Gjoka.

Kjo mbrëmje artistike u mbyll me konstatimin se “Gani Bytyçi, me këtë libër, vjen si një vëzhgues i vëmendshëm e aktiv, të cilit nuk ikin as detajet, që ai i ridimensionon në një botë të veçantë, ku rrëfimi ngjizet dhe bëhet i pandashëm nga meditimi” dhe se “Ky libër është drita që bie mbi trupat e errët të përtacisë sonë njerëzore e intelektuale për të veçuar të rëndomtën humane nga e madhërishmja patetike, për të veçuar njeriun nga turma dhe idenë sublime nga zhurma e gjoja barazisë sociale. Është, pra, kjo vepër e konceptuar me syrin e mprehtë të piktorit dhe e shkruar me penën e sprovuar të shkrimtarit. (E. A).

Mbrëmja vazhdoi me një koktej rasti, ku biseda edhe më tej pashmangshëm sillej rreth librit dhe për librin.

Bernë, 23.11.2018
Shefqet Dibrani