KRIJIMTARIA E POETIT BAHRI SHYTI E RUAN FRESKINË DHE BESNIKËRINË NË LIDHJE ME JETËN

0
604

Fjala e redaktorit të librit, z. Hysen Ibrahimi

Para vetes kemi librin e tretë të radhës me poezi ”DHIMBJE DHE KRENARI”, pas librave të mëhershëm të titulluar “KOSOVË TY TË PËRKULEM” (2016) dhe ”LOT E KËNGË TË MËRGIMTARIT” (2017) të poetit Bahri Shyti.

Meqë kemi të bëjmë me një poet tanimë të njohur dhe me një përvojë të dëshmuar, vetë titulli na orienton se në brendinë e librit autori ka shfaqur shqisën e tij mendore – si aftësi e njeriut krijues – për të shfaqur në forma të ndryshme dhimbjen edhe krenarinë që poeti në këtë rast vlerëson përmes vargut poetik. Shndërrohet si njëri ndër poetët më kritikë dhe më të drejtpërdrejtë, që pasqyron përjetimin tragjik dhe dëshirën e tij të shkuarjes dhe zhvillimit më përpara të popullit shqiptar.

Çdo ngecje, pengesë dhe sfidëë e që për këto jemi përgjegjës vetë ne shqiptarët, poeti Shyti e godet, sepse e përjeton rëndë, me një intensitet të fuqishëm emocional, sikundër kur arrihet diç e mirë në interes të vendit nga vetë ne shqiptarët, ai shpërthen me poezi artistike në mbështetje të së mirës. Këtë të mirë ai e përjeton jo vetëm përmes poezisë, por edhe përmes këngës që rrezaton lirizëm të kulluar poetik e kombëtar.

Këtë do ta vëreni në poezinë e titulluar ”LOZONJARET”, ku shkruan:

Në njërën dorë mbajnë shaminë
Në tjetrën flamurin
Nga hedhja e shtatit
Prej vendit luajnë dhe gurin

Sa shpejt e hedhin hapin
Këto vajzat lozonjare
Në këto valle të bukura
Të trevave shqiptare

Vallëzoni vallëzoni
Ju o shqipet e mia
Aty bashkë me hapin tuaj
Po ndihet dhe çiftelia.

Pra, shndërrohet si lajtmotiv, ku përmes poezisë dëshmon për kohën reale nëpër të cilën po kalojmë. Edhe pas një shekulli, lexuesi do ta kuptojë përmes poezisë së autorit sesi ka qenë gjendja reale e vendit.

Në librin e autorit Bahri Shyti do të hasim në një tërësi poezish satirike, me një talent të rrallë dhe atë me shumë të drejtë. Të gjitha këto poezi, autorin e shtyjnë të paraqet një situatë aktuale në vendin e tij, tejet realisht.

E kjo për autorin s’është gjë tjetër, pos një padrejtësi e një fati të kombit të tij që ende ndodhet nën zgjedhën e pushtetarëve të korruptuar dhe e kanë varfëruar vendin dhe nuk po e lënë të ecën përpara.

Sa për ilustrim, po lexojmë tri strofa të poezisë së titulluar ”E BRAKTISUR KOSOVË”:

E braktisur ishe
E braktisur ke mbetë
Ata nuk po duan
Që ti të kesh jetë

Jo nga populli i mjerë
Por nga fara e të keqit
Që t’u versulën si hije
Vetë kjo farë e dreqit

S’duan që të ngrihesh
Në këmbë për në vrap
Shtiren se të ndihmojnë
Përtoke të shtrijnë prapë

Vërtet se janë poezi satirike dhe të cilat përkojnë me realitetin e hidhur dhe shpirtin e trazuar të poetit, gjëk që nuk do koment. Në paraqitjen e tij, me vargje në përshtatje të një niveli tejet të lartë, në vetvete ka arritur të dërgojë mesazh për pushtetarët më primitivë të të gjitha kohërave. Shtrohet pyetja: a thua vallë, është i vetmi poet Shyti me këtë shtrirje të gjerë të poezive satirike, që përkojnë me mendimin e popullit dhe atë njëqind për qind! Ai përqendrohet dhe e përjteon me dhimbje situatën me një problem apo ngjarje dhe atij i jep forcë, që, përmes poezisë, i jep kuptim dhe brenda përbrenda e qëllon mesazhin, e nxjerr në pah për veshin e arsyes. Autori Bahri Shyti shumëherë shkon aq larg, sa ka formuar bazamentin (me padëshirën e tij) e poezive satirike të përshtatura në rimë dhe ngjarje.

T’i marrim tri strofa të poezisë ”MOS O UJK I VJETËR”:

Ç’ka flamuri që nuk valon
Gjak dëshmori kush mohon
Dy dekada pa turp fare
Luani luani me gjykatën speciale

Kështu na bëhet kur s’kemi zot të shtëpisë
Tani prapë kanë hyrë në rrugën e tradhtisë
Ndryshe po flitet ndryshe veprohet
Pas dështimi të pistë nisen e pendohen.

Pendimi i vonuar të sjell buzë greminës
S’mund të dalësh as në rrugë t’Prishtinës
Më mirë të vdekur të të shpallim patjetër
Mos u mundo fare tash o ujku i vjetër.

Te secili varg i poetit hasim preokupimin dhe, që nga largësia, në mërgim, nga pamundësia për të qenë pranë, heton padrejtësitë e matrapazëve që duan ta bllokojnë ecjen përpara të vendit, sepse ajo kërkon zgjedhje nga prangat e të pabesit, kërkon liri, kërkon zhvillim dhe integrim.

Falë zgjuarësisë së poetit Shyti, gjatë thuarjes së vargjeve, ka arritur që, në mënyrë të Drejtpërdrejtë, t’u japë rrugë motiveve e ideve në të mirë të vendit, të cilat janë shtytëse qendrore për poetin.

Duke u nisur nga kjo, autori detyrohet të hasë në kundërshtitë e realitetit njerëzor dhe polemizon me njerëz pushtetarë, që janë të zgjedhurit e popullit dhe janë të obliguar të punojnë për vendin e jo për veten e familjarët.

Të gjitha këto pakënaqësi vijnë si rezultat i përjetimit të thellë të jetës, që e ka përjetuar autori, që një ditë të shkruajë, të krijojë në mendimin e të shprehurit të lirë për të drejtat e kombit të tij.

Autori Bajri Shyti i shkruan edhe dashurisë, bile mund të themi se, së paku këtu, autori e qetëson shpirtin.
Do të shohim se me sa delikatesë poeti fillon në poezinë e tij të titulluar: ”MË ZBRITE SI RREZE DIELLI”, ku shkruan:

Si një rreze dielli
Më zbrite në dorë

Për lexuesin këto poezi nuk janë të reja, kur e dimë se autori ka një talent të rrallë për t’u motivuar nga e kaluara.

E vështirë qenka jeta kur ty nuk të kam
Unë të pritja në një moment tjetër
Edhe vetë e pyesja me zë Perëndinë
Çfarë faji pate që të dërgoi në një rrugë tjetër.

E tërë poezia është bukuri artistike dhe, për asnjë çast, autori Shyti nuk largohet nga ideja e të imagjinuarit apo edhe e reales, saqë tjetri nuk arrin ta zbulojë personazhin e krijuar në varg nga autori, duke dhënë mundësinë të imagjinojë vetë lexuesi.

Këtu kuptojmë se poeti Shyti shkruan për shumë fusha në poezi. Poezia dhe mjeshtëria e formulimit të vargjeve në poezinë ”MË ZBRITE SI RREZE DIELLI” kalon nga poezia moderne në atë në atë tradicionale.

Krejt në fund, mund të themi se poezitë e poetit Bahri Shyti, të shkruara me një vlerë artistike dhe letrare, dëshmojnë për frymëzimin e tij krijues që krijimtaria e tij në përgjithësi e ruan freskinë dhe besnikërinë në lidhjet me jetën – si për aktualitetin, po ashtu edhe për të kaluarën.