KRIJIME ME TEMË NGA JETA DHE PËRJETIMET

0
1857

Hana Hoxha “Rrugë pa emër”, Prishtinë 2015

Milazim F. KADRIU

Autorja e re dhe e talentuar, Hana Hoxha erdhi para lexuesit me vëllimin e saj të pestë poetik “Rruga pa emër”, brenda vargjeve të cilit vërehet përkushtimi dhe përqendrimi artistik i autores për të komunikuar lirshëm me lexuesin rreth preokupimeve të saj poetike dhe njerëzore.
Autorja e re në moshë por me një përvojë në krijimtari (pesë libra të botuara), si edhe në librat tjerë edhe në librin më të ri na sjell plotë poezi me tema të ndryshme dhe plotë mesazhe, ndjenja , që ajo di ta përcjell bukur tek lexuesi.

Ndonëse libri është i ndarë në tre kapituj, dy me poezi dhe një prozë poetike : Rruga pa emër, Buzëqeshje e ngrirë (poezi) dhe Shembja e shekullit (prozë poetike), ato kanë një lidhmëni ngase aty janë temat e kësaj autoreje ku frymëzimet vijnë si lirika dhe përjetime trazimesh të erërave të shpirtit që bukurinë e kanë edhe në dhimbjen njerëzore të dashurisë.

Poezitë e Hanës kanë një tematikë mjaft të gjerë ku preken pothuajse të gjitha fushat. Respekti i saj ndaj vendit, familjes, të afërmeve, vlerave te luftës së UÇK-së etj i sjell në poezitë e sajë e po ashtu edhe shumë kujtime të kaluara.

Në libër janë disa poezi që u kushtohen jetës së rinisë dhe preokupimeve të saja duke tërhequr nganjëherë edhe segmente individuale. Në vazhdën e preokupimeve të autores hyjnë edhe ritmet e përditshmërisë që përshkohen edhe me tone melankolike.
Në vëllimin gjejmë poezi të sinqerta dhe reale, të cilat autorja i ka mbajtur prej kohësh në prehrin e saj, duke i mëkuar dhe ledhatuar me ndjenjat më të larta njerëzore.

Ndjesitë e dashurisë preken më së shumti në poezitë dhe prozën poetike të autores ku kujton ëndrrat rinore, dashurit, puthjet që janë ndjesi shpirtërore që japin forcë në çdo kohë dhe në çdo vend. Në poezitë e autores hasim lirikën e brishtë, metaforën e saktë, ndjenjën e sinqertë ,marrëdhëniet njerëzore, interpretimin e integritetit të sajë shpirtëror dhe kulturor ku sjellin emocione të një realiteti. Brenda poezive përdoren figura të këndshme dhe prekëse që lehtë mund të kuptohen nga lexuesi.

Vargu i saj është jeta, në tërë dimensionin e saj, e bukur dhe e brishtë. Jeta me dimensione të tjera në zgavra të etura për dritë dhe ndriçim. Në këto vargje na vjen një botë e tërë mendimesh, një botë e pashterur.

Poetja nuk thur vargje të rastësishme. Ajo thur vargje jo thjesht të bukura, por me përmbajtje dhe me finesë, vargje mbështjellë nga një aureolë ndjenjash të përziera, ku lexuesi dallon herë gëzimin për jetën dhe herë topitjen për pamundësinë e të jetuarit ashtu siç dëshirojmë. Në këto poezi na paraqitet fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia, dashuria, jeta, vetëdija,….,
Arti në poezitë dhe prozën e Hana Hoxhës, dridhin, prekun dhe shqetësojnë. Temat dhe idetë janë marr nga jeta dhe përjetimet e që janë bartur në libër me një përkushtim të veçantë.

Autorja shpreh mallin dhe dashurinë për çdo gjë që i ka munguar, por edhe krenarin e brengën. Andaj një shpirt i brishtë, i vëmendshëm, i përmalluar, me dhembje, me dashuri shpërthen në krijimet e këtij libri.

Në poezinë feministe e cila në dy dekadat e fundit ka filluar të jetë shumë e pranishme në letërsinë shqipe, krijimet e Hoxhës vijnë me një identitet dhe vlerë të veçantë, duke na bindur për talentin dhe dinjitetin e kësaj muze të re mes nesh.
Hana është ndër poetet e rralla që shpërthen tabunë e një realiteti të krijuar sipërfaqësisht, ku dashurisë i këndojnë më shumë poetët e më rrallë poetet.

Po ashtu edhe në prozën poetike autorja na e paraqet një realitet që është prezent tek të rinjtë në kohët e fundit në komunikimin përmes mjeteve elektronike ku në mënyrë shumë konkrete e përshkruan në pjesën “Dhembja e shekullit”.

Poezitë e Hana Hoxhës, autoren e radhisin ndër poetet që vargun e gatuajnë me brumin e tokës dhe realitetit, ku ajo reflekton njerëzisht, kombëtarisht dhe poetikisht. Në vend të abstraktes i le vend konkretes që gjithmonë për temë ka realitetin.
Vargjet dhe proza e këtij libri janë me plotë këngë, lojë, lulëzim, diell, ajër e oksigjen, por edhe përplot këshilla për jetën e të rinjve dhe edukatën e tyre.

Këtu hasim tema të realizuar me një pedanteri në stilin e ku pasqyron çiltërsinë e karakterit të saj. Pena e saj është kaq sensuale dhe e ndjerë dhe vargjet bartin ide e mesazhe sa të këndshme , po aq edhe të bukura e të hijshme për një poezi !
E pushtuar nga ngrohtësia dhe humanizmi, krijimet e Hana Hoxhës strehohen në folenë e shpirtit në të cilin ushqehet, cicëron, merr krahë dhe hapësirës së pafund fluturon.

Autorja bashkëbisedon me lexuesin për tema të cilat më së shumti i donë ata e sidomos gjenerata e re.
Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Hoxhës shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike duke e vlerësuar vargun si ”magji” në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.

Lirizmi dhe romantizmi që përcjellin në çdo hap krijimet e saj janë vetëm fragmente të një pasurie të pa eksploruar të cilën autorja tashmë po e zhbllokon dhe po e nxjerrë në sipërfaqe.

Hana Hoxha penën e mban të mprehur, gjoksin e mbush me dashuri, thith frymëzim nga gjithçka njerëzore, dhe ashtu vrapon në garë me kohën, s’ka asnjë çast për të humbur, dhe mundohet të sfidojë gjithçka.

Andaj krijimet e poetes Hoxha në këtë libër i bënë nder krijimtarisë letrare, ndaj le të jetë ky botim vetëm një fragment nga ecja e autores në tunelin e artit, në të cilin unë besoj se ajo do të qëndrojë gjatë.

Përbrenda shumë krijimeve rrjedhin lotët por rrjedh edhe dashuria. Vargjet dhe proza r këtij libri flasin me zjarrin e flakën e dashurisë që janë me plotë lulëzim, diell,ajër e oksigjen. E vështruar me një kuptim të gjerë dashuria bëhet shkak i shumë çkaje në jetë: i gëzimit dhe i trishtimit, i shpresës dhe zhgënjimit me “rrugën e humbur” , të cilën e ka shpjer në “udhëkryqin e jetës”.

Me anë të poezive dhe prozës poetike të këtij libri ne kuptojmë brendinë e mrekullueshme të një poeteje me shpirt të madh. Megjithë pamundësitë, ajo është kurajoze dhe krenare, i lë hapësirë jetës të trokasë butësisht dhe i fshin lotët e dhimbjes me buzëqeshje.
Autorja në këtë libër ka thënë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur.

Ky libër mendoj se ka vlera të shumanshme, pra jo vetëm për të njohur jetën dhe veprimtarinë krijuese të autores,por edhe për faktin se ajo na “rrëfehet” me fjalë të sinqerta.

Vargu dhe brendësia e saj krijuese i bëjnë nder krijimtarisë së sotme letrare, ndaj le të jetë ky botim vetëm një fragment nga ecja e autores në tunelin e artit, në të cilin unë besoj se ajo do të qëndrojë gjatë.