KRENARI SHQIPTARE

0
965
Gentian Alimadhi

Ndue Lazri

Emigranti shqiptar, kandidat për Kryetar Bashkie në Parma

E takuam një buzëmbrëmje në një qendër tregtare të Parmës. Ishim bashkë me mikun e kolegun tim Klodian Cami. Ai e kishte kohën të kufizuar për shkak të takimeve të shumta të planifikuara me qytetarë të Parmës, takime që zhvillohen thuajse çdo ditë e në të cilat ai vlerëson figurën e çdo qytetari të Parmës, qofshin italianë, apo emigrantë të integruar të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Parma.

Është fjala për avokatin shqiptar, GENTIAN ALIMADHI, i cili është bërë figurë protagoniste e mediave dhe e publikut jo vetëm për qytetin e Parmës apo për shtypin e mediat shqiptare, si edhe për mediat nacionale italiane e sidomos për gazeta të mëdha e prestigjioze si “Repubblica”. “Corriere della sera” etj. Emigranti që ka ardhur me gomone në Itali në vitin 1993, tashmë është një qytetar italian i spikatur, me kulturë e me formim profesional, me aktivitet në avokaturë që ecën cilësisht, me një njohje të gjerë e të thellë të qytetit të Parmës, të kulturës e monumenteve të tij, të traditave të shumta, por edhe të nevojave e kërkesave po aq të shumta në sfidat e reja përballë krizës e zhvillimeve bashkëkohore.

Pikërisht në këtë kontekst, Alimadhi bëhet një figurë protagoniste, sepse në mënyrë private e pa patur në xhep asnjë teserë partie, ka shpallur kandidaturën e vet, fillimisht në primariet e Partisë Demokratike për të caktuar kandidatin për deputet që do të paraqesë qendra e majtë në zgjedhjet e ardhshme administrative në Parma e pastaj për të synuar postin e qytetarit nr 1 të Parmës, pra të kryebashkiakut. Hapi i parë, mbledhja e gati 1000 firmave, nga 500 të nevojshme për të nisur garën, tregoi se Alimadhi është një sfidues serioz, me rrënjë të shëndosha dhe i njohur nga qytetarët e Parmës.

Ai është i ri, 44 – vjeçar, në kulmin e energjive dhe të formimit të tij të gjithanshëm kulturor e profesional, por edhe në fushën politike me ide të qarta për të ardhmen e qytetit ku jeton, për prioritetet për të cilat qyteti dhe popullsia e tij kanë nevojë. Ai flet me synime konkrete e jo me sllogane elektorale për trafikun e rendin në qytet, për luftën kundër drogës e degradimit, për infrastukturën në Parma e rreth saj, për punësimin dhe sidomos për inkurajimin dhe futjen e brezit të ri në njohjen dhe zgjidhjen e problemeve që ka qyteti.

Na bëri përshtypje, se gjatë kohës kur po pinim kafe, shumë qytetarë italianë që po bënin pazarin në atë qendër tregtare, vinin dhe e takonin, e përshëndesnin dhe i shprehnin simpatinë e përkrahjen e tyre ne këtë sfidë që ai ka marrë mbi supe.

Figura të tilla mund t’i quajmë pa hezitim krenari shqiptare, pasi njerëz si Alimadhi dëshmojnë që emigrantët shqiptarë kanë sjellë me vete e kanë akumuluar edhe në emigracion vlera të vërteta intelektuale e njerëzore dhe janë të gatshëm e të përgatitur të konkurojnë e kandidojnë për të gjitha nivelet e administratës lokale e shteterore dhe të klasës politike, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për transformime e ndryshime të thella, ka nevojë për zëra e fytyra të reja, ka nevojë për njerëz të pastër e të pakorruptuar. E një nga këto figura është avokati shqiptar GENTJAN ALIMADHI.

Në këto momente, kur nga primariet, që do të zhvillohen me 19 shkurt, na ndajnë pak ditë, të gjithë ne duhet ta shprehim këtë krenari shqiptare, duke mbështetur me të gjitha mënyrat bashkëatdhetarin tonë. Tek figura e tij në një farë mënyre është secili prej nesh. Vërtet, jo të gjithë mund të shkojmë e të votojmë në Parma, por mund ta përhapim këtë material e materiale të tjera të tilla që flasin për Alimadhin, në profilet tona e në gjithë rrjetet sociale, që t’i bëhet sa më shumë jehonë. Përse të mos kemi edhe ne një kryetar bashkie, në një qytet të rëndësishëm italian, siç është Parma.

Në Parma jetojnë rreth 5000 shqiptarë. Janë një forcë e madhe në jetën prodhuese e shoqërore të Parmës, por mund të jenë një forcë e madhe sfiduese e të bëjnë një surprizë të bukur në politikën italiane, duke mbështetur Alimadhin. Sëpari duke folur në opinion me të gjithë miqtë italianë e me emigrantët e komuniteteve të tjera. E pastaj duke marrë pjesë masive në votimet për primarie e duke votuar për shqiptarin GENTJAN ALIMADHI.

Le ta tregojmë veten sa më të bashkuar në këtë moment e të tregojmë se vërtet bashkimi ynë bën fuqinë e ta detyrojmë politikën italianë t’i hedhë syte edhe tek njerëzit me vlerë që ka komuniteti i emigrantëve shqiptarë e që mund të sjellë oksigjen e frymë të re në poltikën e këtij vendi.

Urimet më të mira për fitore bashkëatdhetarit tonë.

Ndue Lazri
President i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare ne ITALI (FNAI)