IDRIZ ZEQIRAJ
Opinioni gjithëshqiptarë është i njëzëshëm se në Shqipëri dhe Kosovë, janë bërë krime të listuara dhe të organizuara. Janë fakte, argumente shkrimore dhe dëshmitarë okularë, edhe pse disa syrësh janë ekzekutuar, për ta pamundësuar dëshmimin. Viktimat e para janë ushtarakët e UÇK-së të FARK-ut dhe veprimtarët luftëtarë e politikë të LDK-së të Ibrahim Rugovës.
Por, këtë të vërtetë absolute, duan ta mohojnë, dëshprueshëm, të inkriminuarit e drejtëpërdrejtë dhe llumhania ideologjike enveriste e staliniste, të cilët, me mbështetjen e krimit dhe të kriminelëve, vërbërisht ose me dashje, janë bërë pjesë e krimit.
Disa avoketër, të gëzuar me punësimin honorarik, në mbrojtjen e të akuzuarëve në Gjykatën Speciale, humbasin sensin e masës të marrëzisë, duke kritikuar deputetët e Kosovës, pse e votuan atë Gjykatë! Këta avoketër, lakmiqarë të pacipshëm, edhe pse e dinë realitetin, i bishtnojnë së vërtetës. Hashim presidenti e ka thënë të vërtetën lakuriqe, se “Gjykata Speciale, me qendër në Hagë, u krijua përshkak të dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë si dhe të shantazhimit, frikësimit e deri në vrasjen e dëshmitarëve të mundshëm”. Aludimi, pothuajse, i drejtpërdrejtë, është për komandantët dhe bandat e tyre aktive, sidomos, në Dukagjin.
Nga të intervistuarit të parë, rezulton se ata akuzohen , kryesisht, për vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm, ushtarakë dhe luftëtarë civilë, pra, kundërshtarët politikë, pjesë e organizimit në FARK dhe LDK-e.
“Ne jemi shqiptarë. Nuk e vrasim njeriun pas shpine…Para se të shtijmë në të, i themi “Në emër të popullit”. Ne nuk i fshehim gjurmët! Ne nuk vrasim njerëz natën, që pastaj t`i qajmë ditën. Për të vetmën arsye, se jemi shqiptarë”, – thotë “triumfalisht”, Rustem Mustafa, alias, komandant Remi.
Realisht, të gjitha këto i ka bërë Remi dhe remat tjerë komandantë. Thirrja në shqiptarizëm, tashmë, është e demoduar. Që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në Luftën e Kosovës, madje edhe pas luftës, shqiptarët komunistë, kundër shqiptarëve nacionalistë, kanë garuar sllavët fqinjë në kidnapimin, burgosjen, maltretimin, terrorizimin, e deri vrasjen makabre, ditën për diell, natën në errësirë, në pusira e prapa shpine, si dhe fshehjen, në liqene e tokë, deri edhe karbonizimin e kufomave të shqiptarëve.
Komandant Remi merr përsipër të gjitha vrasjet e bëra nga shqiptarët, në zonën e “mbretërimit” të tij. Por, dëshmitari, okular e publik, rrëfen rastin e trishtëm të krimit:
“Më kidnapuan, më dërguan në burgun e shtabit të UÇK-së të Llapit. M´i kërkuan 600 mijë marka haraç. Unë nuk i ksha, sepse biznesi im ishte një lokal. Na morën natën, na dërguan afër një pyelli. Na urdhëruan ta hapnim gropën. Unë u shtira si i sëmurë. Në një moment, përfitova nga errësira, ika, pa shpresë shpëtimi, shprazën breshëri plumbash, por, fati dhe shpëtova. Pas një kohe, në shoqërim të policisë të UNMIK-ut, u ktheva në vendin e krimit të SHTAB-istëve të Llapit. Nga rrobat i njoha bashkë të burgosurit e mi!”
Dëshmitari përjetues i kësaj “loje” të përgjakshme, është edhe më konkret.
Pretendimi se keni ekzekutuar armiqtë, spiunët, nuk qëndron. Spiunoi Enver Maloku, që u vra në prezencë të fëmijëve,?! Ke spiunoi Xhemajl Mustafa, që u vra në hyrje të shtëpisë?! Edhe ata që i quani spiunë, kanë qenë nëpunës zyrtarë. Po të kishin mëkate, do të iknin nga Kosova, si ca të tjerë. Ata ishin këtu, në mesin e qytetarëve, të lirë. Pse nuk ua bëtë gjyqin?! Por, i ekzekutuat, madje, cubërisht, për t`i fshehur gjurmët e bashkëpunimit me ata, para luftës.
Shqiptarizmi i Enverit, si humanizmi i paramilitarëve serbë
Komandant Remi kulmon në marrëzinë e tij ideologjike. Një profan, injorant total politik. Një enverist e stalinist i mykur, që, si duket, ka pasur guidë mësimet e Enverit për eliminimin , pa gjyq, të kundërshtarëve politikë.
“Enver Hoxha para se ta vriste Kadri Hazbiun, i tregoi hapur se do ta vriste. Mehmet Shehu kurseu plumbin e Enverit dhe vrau vetën. Por, ishte spiun Mehmeti, i katërfishtë . Ama Enver Hoxha e kurseu pak, sepse ishte shqiptar, – shkreton komandant Remi! Ja, se ku i ka ngelë ora komandantit qumshtor, trumcak?!
Vërtet, Enver Hoxha ishte një këlysh serbo-rus, që terrorizoi dhe ekzekutoi, gjatë dhe pas luftës, shumë mijëra atdhetarë, përfshi aty edhe familjet e zëshme kombëtare, ndër ta edhe pasardhësit e Frashëllinjëve, Sylejman Vokshit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Abaz Kupit, Abaz Ermenit, Elez Isufit, Ernest Koliqit dhe shumë të tjerëve.
Sllavofili Enver sakatosi 348 intelektualë, që kishin studjuar në Universitetet e Austrisë dhe shumë qindra tjerë në Universitetet tjera të Evropës dhe të botës.
Vatrën, qendrën e kulturës së Veriut të Shqipërisë, Shkodrën e hirshme, hyjnore, e bëri një burg masiv. Gardën krijuese, dinjitoze, atdhetare e shumë simpatike të priftërinjëve shkodranë, e maltretoi deri në terrorizim. I burgosi, i dajakosi, i dënoi, i çoi në plumb, me gjyq dhe pa gjyq fare. Dhe, gjithëherë, “Ne emër të popullit!”
Provokatori Rrustem Mustafa, alias Remi, provokon e lëndon qindra-mijëra shqiptarë, anekënd Shqipërisë, të cilët përjetuan dhe mbijetuan kalvarin kriminal të Enver Hoxhës. Janë shumë mijëra familje, anëtarët e të cilave nuk arritën ta mbijetojnë kalvarin tej fashist të Hoxhës kriminel e rrugaç. Horri milioner kriminel i Kosovës, lavdëron e panegjeron horrin super-kriminel Hoxhë të Shqipërisë.
Vrasja e dy ministrave të brendshëm, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, më vonë, i pari – Kryeministër, i dyti – ministër i Mbrojtjes, është bërë për t`i humbur gjurmët e krimeve serike të vet Enver Hoxhës, sepse bashkëpunëtorë, intim e konspirartiv, në krime e tij ishin, pikërisht, ministrat e brendshëm.
Në gjyqin farsë, kundër ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe, në vitin 1948, viktima Xoxe, do të deklaronte se “asnjë vendim nuk e kam marrë pa lejen, urdhërin e vet Enver Hoxhës!” Prokurori Bderi Spahiu, që dënoi Koçi Xoxën, u kërkoi falje familjes dhe shqiptarëve, sepse gjithëçka ishte farsë, gjyq i montuar, i kurdisur, i rrejshëm.
Shqiptarët e Shqipërisë londineze janë të zënë, me pisllëqet e cinizmin e kryeministrit mostër të tyre. Përndryshe, do të kërkonin ndëshkimin e këlyshërve të Enver Hoxhës në Kosovë, të cilët po ua lëndojnë plagët edhe pas 34 vjetësh të vdekjes të asaj helaqeje, – siç thonë llapjanët e Remit.
Remzi Shala akuzohet për vrasjen e shqiptarëve
Fshehja, ikja nga drejtësia e Remzi Shalës, i cili thirret, njësoj si komandant Remi, në UÇK-e, rezulton të akuzohet për kidnapimin e, të paktën, të një njeriu, me emër dhe mbiemër, i cili është parë në arrest, por, kurrë më në jetë. Atëherë, pse t`i faturohet ky krim i shëmtuar UÇK-së?! Pse nuk i shtrohet gjykimit?! Arrestimi i tij është zbatim i ligjit dhe jo frikësim i popullit, siç përrallisë ndonjë kalemxhi. Populli ndjehet i liruar dhe jo i frikësuar, kur nga mjedisi i tyre shporret një kriminel.
Gjykata e Hagës ka liruar edhe kriminelë serikë shqiptarë. Edhe të akuzuarit e tanishëm mund të lirohen. Mjafton të keshë milionat dhe një avokat të huaj, se pazaret, lehtas, rregullohen.
Mjaft më me përrallisje dhe abuzime me emrin e UÇK-së, sepse ajo nuk ka nevojë për mbrojtjen e atyre që ia kanë nxirë fytyrën UÇK-së, Kosovës, Kombit, duke vazhduar me vrasjet politike gjatë dhe pas luftës; duke lënë mijëra fëmijë jetimër në Kosovë; duke i veshur në zinë e përjetshme mijëra familje anekënd Kosovës.
Zhurma çjerrëse në mbrojtje të krimit
Një gazetar senzacionist, shante e mallkonte RTK-në, pse nuk e ka pasqyruar intervistimin e komandantëve në Hagë. E përse ta bënte këtë?! Sikur pak po zhurmojnë mediet e paguara nga komandantët e akuzuar! Por, gazetarët heshtën, kur panë e dëgjuan, madje, për dy ditë radhazi, kur RTK-ja, turpshëm, lavdëroi Hashim presidentin, “për suksese në udhëheqjen e shtetit”, ndërkohë që, realisht, ishte e kundërta. Bëhej fjalë për 8 (tetë) shtetarë, që kanë hyrë, në vitin 2019, me probleme të pazgjidhura.
Stalinisti Dritan Lajçi, i cili është përzgjedhur për zyrën juridike përkatëse, nga shefat e të akuzuarëve nga Specialja, dizinformon opinionin se: Në Hagë do të mbrohen interesat e Kosovës!” Sikur Kosova qenka në bankën e zezë e të akuzuarës! Hajde rrenë, hajde! Kriminelët që kanë përgjakur Kosovën, me vrasjen e bijëve më të mirë të saj, tani, duhet ta mbrojnë Kosovën!?
Njëjtë veprojnë edhe disa avoketër batakçinj, të cilët flasin për një farë prove të rëndë, situate të vështirë, para të cilës ndodhet Kosova, duke iu referuar Gjykatës Speciale!? Broçkulla! Asgjë e keqe nuk e pret Kosovën. Përkundrazi. Hetimi i krimeve individuale është OK-ej. Ndërsa përpjekja e horrakëve, për ta kolektivizuar krimin, me qëllimin e caktuar, inkriminimin e UÇK-së, përbën krim dhe, si të tillë, duhet demantuar, demaskuar dhe luftuar, madje, pa kompromis.
Populli i Kosovës pyet, me të drejtë: “Ku i morën milionat e pasurisë, pikërisht, “komandantët”?! Edhe sikur ata të mos kishin urdhëruar vrasjen e askujt, nga shqiptarët e pafajshëm, është fajësi e mjaftueshme, për milionat e vjedhura, pasuritë e brezave shqiptarë të Kosovës.
Vjedhjet e kësaj natyre, bota i ndëshkon ashpër. Haile Selasie, i parë i shtetit, Hero Kombëtar i Etiopisë, për korrupsion, u var në shtatorën e tij, në mes të sheshit, kryeqytetit. Dhe, ju “komandantë”, pa ushtarë, “keni gjetur shesh dhe bëni përshesh”!