KRAHËGJATAT E FUSHËS

0
419
Krahëgjatët e fushave

FASLLI HALITI

KRAHËGJATAT E FUSHËS

Krahëgjatat e fëmijërisë sime fushore
Krahëgjata të fushës sime stepore
Ju kam gjuajtur
Me llastiqe
Ju
kam vrarë
Ju kam vjedhur
Vezët natën nëpër folera
Të thurura kaçubeve me fije bari
Ju kam ndjekur
Me vrap, rrufe,
Fushave
Arave
Grunjave
Vija natën t’ju kapja në fole.

Doja t’ju shkurtoja krahët e gjatë
T’ju bëja krahëshkurtëra
Si shkurtëza
Por
As në tokë
As nëpër qiell
As nëpër folera natën s’ju kapa

Dhe s’kish sesi gjersa ju ishit krahëgjata.

Dhjetor, 2013

PLAS MOJ ZEMËR

Nëse rrëzohem një ditë,
Nga toka,
Mbi tokë,
Dhe jo nga lartësitë,
Sepse s’jam i lartësive
Dhe, s’do jem në përjetësi.
Gjemani kutinë e kuqe të zemrës,
Siç gjendet kutia e zezë e avionit të rrëzuar
Dhe hapeni,
Shikoni gjithçka timen
Të regjistruar brenda saj.
Shikoni të bardhat dhe të zezat e mia,
Veset dhe virtytet,
Të mirat
Dhe të këqijat
Verifikoni në të.
Do gjeni
Vallë
Të regjistruar aty
Më shumë urrejtje
Apo më shumë dashuri?

Do gjeni të regjistruar
Më shumë
Burrëri,
Besë,
Apo besnikëri,

Më shumë sinqeritet, apo dyfytyrësi…?!

2012

KUR M’U PRE FJALA

Kur m’u pre Fjala,
M’u përgjak
Gjuha.
Gjuha u vesh me të zeza.
Veshi fustanin e zi të heshtjes.
M’u përlotën organet e mendimit,

Në pellgje të zinj gjaku nis koha e pluskimit…

29 tetor 2014

NUK MË SHEH ME SYRIN E MIKUT

«Nuk më sheh me syrin e mikut», o mik,
Gjersa më vë re
Të metat»
Çdo sekondë,
Çdo minutë, çdo ditë.

Me syrin e mikut
Të kam parë e të shoh edhe sot,
Sepse
Që të dy ne
Kemi mëkate, të meta plot…

Të mirat, virtytet, vlerat e tua,
Si laureshat unë
I lë të lira
Të fluturojnë qiejve,
Qiejve si lauresha ato unë i nis,
Kurse të metat e tua i mbyll si «brilante»
Në kasafortën time me kyç të florinjtë të miqësisë.

Korrik, 2014

TE NE

Te ne,
Të ikën,
Të fluturon mendja.
Të pushon zemra…

Dhe jo vetëm të pushon zemra,
Jo vetëm të ikën,
Të fluturon,
Mendja,
Por të ikën
Të fluturon koka
Nderi
Jeta …
Mbi të gjitha
Te ne të ikën, të fluturon e drejta !

9 tetor 2014

SHPËRBLIMI

Mbolla
Qershinë.
Pas dy, tre, katër,
Pesë, gjashtë ditësh,
Ti i kërkon korra të kuqe qershisë.
Nga mospjekja, skuqja qershia ul kokën,
Qoftë prej meje qoftë prej vetë pemëtarisë

Kalon janari shkurti marsi, prilli i blerimit të blertë,
Në maj qershia më dërgon një ftesë të kuqe sferike
Një ftesë me ëmbëlsi të kuqërremtë

Pasi çel gjethi i ri
Plas, dhe bulon sythi,
Pasi prilli vjen plot blerim,
Pasi qershia shkumëzon në lulnajë,
Pasi bletë paravjelëse, vjelin mjaltë në fluturim,
Nis edhe unë vjeljen e sferave të kuqe përplot kolor ,
Shijoj si bletët ëmbëlsinë e kuqe sferike të qershisë.

Shpërblehem prej bonsensit,jo prej Zotit,Perëndisë.

Shkurt 2014

AH SIKUR

O
O o
O o o
O o o o
O o o o o
O o o o o o
O o o o o o o o
O o o o o o o o o
O o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o
O o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o o 1…
Një Keops piramidë zerosh
Pambarim.
Ah!
Sikur
Të ish njëshi para zerove, në fillim
Ah sikur para zerove
Njëshi të ish!

Por njëshi në bisht të zerove është mjerisht…!

Shkurt 2014