KOVID-19, KRIZA POLITIKE DHE KRIZA ETIKE

0
449
Coronavirus - positive

Xhelal ZejneliXhelal Zejneli

                Virusi Kovid-19, i përhapur në mbarë botën, e përfshiu edhe Kosovën. Organizata Botërore e Shëndetësisë virusin e sipërthënë e shpalli pandemi globale. Kjo do të thotë se çdo vend i botës të gjitha kapacitetet e veta duhet t’i përqendrojë në ballafaqimin me epideminë.

Pikërisht në kohën e përhapjes së sëmundjes, krerët politikë të Kosovës ndërmorën do hapa që shpijnë në krizë politike:

– Për t’u mbrojtur nga virusi kinez, siç e quajti Trampi, Presidenti Hashim Thaçi, tentoi të shpallë gjendje të jashtëzakonshme;

– Me pretekstin se i zmadhon përmasat e virusit, Kryeministri Albin Kurti shkarkoi nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme;

– Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, veprimin e kryeministrit e mori për akt arbitrar dhe autoritar. Njëherazi ai i kërkoi kryeministrit: të tërheqë vendimin e shkarkimit të ministrit; të heqë taksën ndaj mallrave serbe; dhe të kërkojë falje për aktin e shkarkimit.

Sakaq, kryetari i LDK-së i siguroi edhe votat e mocionit për rrëzimin e qeverisë. Zhvillimet e sipërthëna shkaktuan krizë politike.

*   *   *

             Tri shtyllat e shtetit: Presidenca e Republikës së Kosovës, Qeveria e RK-së dhe Kuvendi i RK-së udhëhiqen nga tre politikanë të cilët u përkasin tre subjekteve politike të ndryshme, të cilat kanë qenë në kundërshti politike ndaj njëra-tjetrës:

– Kryetari i shtetit vjen nga Partia Demokratike;
– Kryeministri i qeverisë është i Vetëvendosjes;
– Kryetarja e Kuvendit të RK-së, i takon LDK-së.

Ta udhëheqësh shtetin në rrethana të sipërthëna është një çështje komplekse. Rrjedhimisht, kjo kërkon nga politikanët e Kosovës mjeshtri politike.

Problemet që u shfaqën gjatë bisedimeve midis udhëheqësve të Vetëvendosjes, në një anë dhe krerëve të LDK-së, në anën tjetër, për formimin e qeverisë, dhanë të kuptohet se ky koalicion do të qëndrojë mbi këmbë të qelqta.

*   *   *

            Gjendja e jashtëzakonshme në një shtet shpallet sipas parimeve kushtetuese të atij vendi. Në rastin e Kosovës ku shtyllat kryesore të shtetit – presidenca, qeveria dhe kuvendi udhëhiqen prej politikanëve që u përkasin partive politike kundërshtuese, për të mos thënë acaruese, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është mirë të bëhet në konsultim me udhëheqësin e organit ekzekutiv si dhe me atë të organit ligjvënës. Një këshillim i tillë assesi nuk është në kolizion me ligjin apo me kushtetutën.

Në rrethanat e Kosovës dhe në konstelacionin politik të saj, shkarkimi i një ministri nga kreu i ekzekutivit, është mirë të bëhet në konsultim me kreun e subjektit nga i cili vjen ministri që synohet të revokohet.

Reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës ndaj shkarkimit të ministrit që vjen prej radhëve të subjektit politik të tij, është një hap i shpejtuar. Reagimi i ashpër i tij shpie në rënien e qeverisë, madje në një kohë kur shteti ballafaqohet me virusin e Juhanit, siç e quajti sekretari i Departamentit të Shtetit, Pompeo. Reagimi i ashpër i kryetarit të LDK-së apo vendimi i prerë i tij për ta prishur bashkëqeverisjen, pashmangshëm shpie në krizë politike.

Secili prej aktorëve të sipërthënë thotë për vete se ka vepruar drejt. Alber Kamy thotë: “Ekziston e drejta jote, por edhe imja”. Kriza politike në Kosovë në një kohë pandemie nga virusi korona, flet edhe për një krizë etike.

Nga kriza politike në Kosovë s’fiton dot kush. Nga kriza politike në Kosovë, humb ajo vetë. Humbin qytetarët e saj. Kosova humb, si në plan të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

E ngarkuar me një mori problemesh ekonomike dhe sociale, Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kriza politike e vonon Kosovën në ballafaqimin e saj me problemet e shumta që duhen zgjidhur.

Në planin ndërkombëtar, Kosova humb autoritetin dhe prestigjin e vet ngase hyn në krizë politike në një kohë kur OBSh-ja virusin Kovid-19 e ka shpallur pandemi të përgjithshme.

E zhytur në krizë politike dhe etike, Kosova nuk do të jetë në gjendje të ballafaqohet suksesshëm me virusin e padukshëm dhe të pamëshirshëm. Zhvillimet e fundit në Kosovë janë një luks i shtrenjtë të cilin ajo nuk do të mund ta përballojë.

Segmente të caktuara të shoqërisë kosovare përballen me probleme ekzistenciale. Në mjedise të caktuara të Kosovës ka papunësi, skamje dhe varfëri. Lehtë e kanë politikanët të përplasen ndër vete. Ata dhe bijtë e tyre s’dinë dot se ç’është skamja dhe varfëria. Ata s’duhet të harrojnë se për një pjesë të popullsisë, sofra shtrohet si fytyrë murgeshe, sot, mu si në poezinë e Enver Gjergjekut dikur.

Ka individë dhe familje që nuk mund t’i sigurojnë as artikujt ushqimorë më themelorë: miell, bukë, vaj, oriz, sheqer, pemë, perime, preparate higjienike. Ka të tillë që s’kanë si e paguajnë faturën e rrymës.

Dihet mirëfilli se një prej mënyrave të mbrojtjes nga virusi vdekjeprurës është mbyllja në shtëpi dhe vetizolimi. Por, udhëheqësit politikë të Kosovës dhe e tërë klasa politike e saj duhet ta dinë se pjesa vulnerablë e popullit që s’ka të ardhura ditore apo mujore, mund të ballafaqohet me zinë e bukës, që do të na rikujtonte mjerimin migjenian të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Krahas masave kundër virusit, klasa politike e Kosovës, në veçanti qeveritarët dhe pushtetarët, duhet të mendojnë edhe për krizën e urisë dhe jo të shkaktojnë krizë politike.

Sot klasa politike duhet të jetë në krye të përgjegjësisë që e imponon situata endemike. Të mos jesh në krye të përgjegjësisë sot, do të thotë që një ditë të mbash përgjegjësi historike.

Politikën e shtetit s’duhet ta diktojnë dhe ta imponojnë militantët, ushtarët dhe partizanët partiakë. Politika nuk bëhet nëpër çajtore, pijetore, byrektore dhe taverna. Ajo nuk është punë e pseudo-analistëve partiakë. Nuk është punë e mediumeve që u shërbejnë pushtetarëve dhe subjekteve politike. Atë s’e bëjnë dot mercenarët e të gjitha ngjyrave, bukëpjekësit, djathëshitësit, pjatalarësit dhe shoferët e kamionëve. Atë s’duhet lejuar ta bëjnë demagogët, konformistët, oportunistët, poltronët dhe karrieristët. Politikën s’e bëjnë dot individët e çekuilibruar me qëndrime radikale dhe të skajshme.

Politika është mjeshtri e së mundshmes. Në raportin e forcave që mbizotëron në Kosovë, bashkëpunimi i forcave politike për interesat madhorë të shtetit, është conditio sine qua non për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Për çështjet që ndërlidhen me ndërtimin e shtetësisë së saj, udhëheqësit e institucioneve të shtetit si dhe forcat politike opozitare duhet t’i bashkërendojnë veprimet dhe t’i harmonizojnë qëndrimet politike.

Subjektet politike kryesore të Kosovës, veç e veç, gëzojnë mbështetjen e më pak se 25 për qind të qytetarëve të saj. Nga kjo rezulton se asnjë udhëheqës politik në Kosovë nuk mund të sillet në mënyrë autoritare.

Në rast rrëzimi të qeverisë së përtashme, cilat subjekte politike do ta formonin koalicionin e ri apo qeverinë e re, kur dihet mirëfilli se të gjitha partitë politike janë në konflikt të ashpër ndër vete. S’ka dyshim se do të kishim koalicione joparimore. Qeveritë e tilla rëndom janë fragjile dhe të paqëndrueshme, mu si kjo e deritashmja.

Të mbash zgjedhje parlamentare në kohë pandemie, do të thotë të bëhesh gaz i botës. S’duhet harruar se krizat politike, morale, ekonomike dhe sociale mbjellin dëshpërim ndër qytetarë. Të zhgënjyer, shumë prej tyre s’do të dilnin as të votojnë. Kur një ditë të rihapen rrugët e botës, s’do të ketë forcë që do të mund ta ndalte dyndjen e të rinjve.

*   *   *

Në kohën e virusit Kovid-19, askush s’mendon për dialogun midis Prishtinës dhe  Beogradit. Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet t’ia bëjnë me dije ambasadorit Grenel se një dialog i tillë, sot nuk është në agjendën e askujt, madje as të Uashingtonit dhe Brukselit.

Është imperativ i çastit që Kosova ta tejkalojë krizën politike dhe t’i kthehet luftës kundër virusit agresiv. Pas ngadhënjimit ndaj tij, t’i rreket ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të mirëqenies për qytetarët.