KOSOVË, GËZUAR DITËN E PAVARËSISË !

0
716
Kosova

Në hartën e Kosovës në Wikipedia, ia kanë lënë kufirin e saj të papërcaktuar mirë me Serbinë, pasi kanë mosmarrëveshje. Edhe emrin ia kanë shkruar Kosovo, e unë e bëra këtu Kosova! Shtova këtu edhe gjuhën Albanian (shqip). Kufirin le ta vendosë përfundimisht populli i Kosovës!

Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Të nderuar shqiptarë, të nderuar qytetarë të Kosovës,

Gëzuar ditën e Pavarësisë së Kosovës, një ditë e shënuar kjo dhe mjaft e rëndësishme për popullin shqiptar, sidomos në Kosovë, që pas rreth 6 shekujsh bëhet i pavarur. Gëzojeni lirinë, gëzojeni dhe jetojeni Pavarësinë, se ka ardhur me mund dhe sakrifica të mëdha!

Vlerësojeni pavarësinë, mos e humbni rrugën në oborr, ose si i thonë ndryshe, në kollomoq! Leni budallakitë, jo Hashimi, jo leshi! Ruajeni territorin dhe shtetin e Kosovës! Mos lejoni askënd t’ua cenojë!

Albin Kurti është një lider i majtë, modern, i zgjuar! Nuk ka nevojë të pajtohemi të gjithë me të, por suksesi i tij, është edhe suksesi i Kosovës, se tani ai është edhe Kryeministri juaj! Unë për vete do e mbështes Albinin me aq mundësi sa kam, sidomos me shkrime, për aq kohë sa do të mendoj se ai po punon mirë dhe në interes të Kosovës dhe të popullit të saj. Nëse lexoni kritika prej meje ndaj tij dhe qeverisjes së tij, ato do të jenë vetëm me qëllimin e mirë, që ai të punojë sa më mirë për Kosovën (sipas meje), e jo se ai po më dëgjon mua, apo të tjerët.

Kosova e Shqipëria duhet të bëhen dy shtete të JETUESHME për shqiptarët shumicë etj. që jetojnë aty. Vendin e kemi të mirë, por mend nuk po tregojmë se kemi shumë dhe nuk po i vëmë në punë si duhet! E kjo për disa arsye. Por ajo më kryesorja sipas meje është, se kemi lënë dhe lëmë shumë diversionizma nga kulturat e shtetet e tjera, nuk po ruajmë dhe mbrojmë kulturën e interesat tona si duhet!

Nëse do i mendojmë punët kështu, të ruajmë veten e interesat tona dhe ta quajmë primare këtë, para tjerave, do të jemi në gjendje ta bëjmë Kosovën e Shqipërinë të JETUESHME, dhe të zhvilluar, që populli jonë të mos ketë nevojë more të jetë ziliqar, apo të marrë rrugët e Perëndimit etj., për një jetë më të mirë! Kishte me na dalë mjaft vendi jonë, se nuk e kemi vendin e keq, përkundrazi. Prandaj të mos i lëmë more rrugë mendjelehtësisë së gjykimit, budallës e budallenjve, me na tërheq për hunde në gjëra, ideologji e interesa të tjera, më pak të rëndësishme, përveç atyre që na interesojnë më shumë ne dhe popullit tonë!

S’po zgjatem më shumë, se ndryshe bëhet e tepërt. Por vlerësojeni këtë ditë e çdo ditë tjetër si këtë. Liria e Pavarësia e ëndërruar në Kosovë, sot është një realitet. Gëzojeni atë dhe shfrytëzoni rastin për një jetë më të mirë në Kosovë e më gjerë!

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë!