ALEKS STAVRE DRENOVA-ASDRENI (1872-1947)
KOSOVA – FRYMËZUESE POETIKE
Nga Sinan GASHI
Fatin e Kosovës, madhështinë dhe heroizmat e përhershme që i dëshmoi ajo, poetët e traditës i letrarizuan në veçanti, duke shkrirë talentin e tyre së bashku me adhurimin, duke shprehur mendime përplot me emocione.
Idealisti i madh dhe i përkushtuari i krijimit poetik, Aleks Stavre Drenova (1872-1947), i përjetshmi si Asdren, ishte rrëmbyer vazhdimisht nga motivet atdhetare, të cilat i krijoi edhe më me emocion duke qenë jashtë Atdheut. Veç toponimeve historike që hasen si tituj të poezive të tij, njëra është me frymëzim të thellë për Kosovën, e cila mbeti jashtë veprave të botuara, deri në ditët e sotme.
Kosova e kësaj poezie është vendi që ka sy lirie, që rrit trima shqiptarie, që shtrihet në pjesën hapësinore të bukur të Ballkanit dhe që ka pasuri të pamasë. Ajo për krijuesit e traditës është kopja unikate e madhështisë, prej ku mund të mësohet ajo që quhet “sakrificë”, ajo që thirret “heroizëm”, ajo që përjetësohet – “Atdhetari”.
Poezia që ka gjithsej pesëmbëdhjetë strofa jep një zjarr përvëlues për këtë pjesë të tokës shqiptare që i ishte prerë dhunisht nga letërsia e saj. Në poezi hetohet një shtrirje e rrjedhës historike e Kosovës, me fatin e saj të rëndë; me krenarinë që e ka shqiptaria për të, me të kaluarën e lavdishme historike, me burra të gjatë si selvia, me gra e vasha si zana mali etj.
Poeti që i kishte ndjekur të ngjarat brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe i cili ishte pjesëmarrës i ngjarjeve kyç për kombin, si Kongresi i Manastirit (1908). Shpallja e Pavarësisë (1912), nxjerrjen e gazetës “Shqiptari” në Rumani, e të tjera, dinte gjithçka nga rrjedhat dhe ndiente dhimbje të shtuar si poet kur diçka e keqe pllakoste vendin.
Me poezinë “Kosovës” Asdreni shpreh dashurinë dhe besimin, dhimbjen dhe shpresën se ky truall dhe këta “Kosovas”, siç i quan ai, do të jenë të synimeve të hershme, ata që nuk dorëzohen para së keqes, para armikut të synimeve shfarosëse dhe do të lirohen vetiu. Duke qenë kjo një temë kryesisht historike, ai edhe mendon në synimin programatik të saj, andaj edhe hetohet dukshëm zbehtësia artistike në strofa të veçanta. Nuk e lënë synimet grabitçare serbe që të ndihet më i qetë dhe mendimin ta thotë më poetik.
Ndërrimi i emrit në “Serbi të Vjetër” ose qëllimet e tyre për përçarje nëpërmjet gjithçkahes së mundshme mes shqiptarëve, pra edhe përmes feve të shumta që ka shqiptari, poetin e irritojnë, duke i dhënë vargut e strofës gjithnjë ngjyrime këshilluese të drejpërdrejta me doza të mllefosjes. Ai i ka të freskëta edhe pjesët e tjera të truallit amëtar që ia kishin përvetësuar me ndihmën e “mendtarëve” të Evropës, në kongrese fatkeqe për shqiptarët. Pikëtimet e shtrirjes gjeografike vetëm sa shënuan mosharresën se jemi “Në Manastir, në Shkup, në Shkodër e Janinë…”.
Jo vetëm kësaj radhe, por edhe shumë krijime poetike të Asdrenit janë himne, marshe e thirrje për ndryshime të gjendjes kombëtare.
Ja se si shkruan në një strofë:
Sot ora mbërrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqipnii
Si zonjë në lumnii.
Është kjo poezi e shkruar me strofën gjashtëvargëshe, me njëmbëdhjetërrokësh të rimuar, me një frymëzim të thellë, të përshkuar nga një zjarr idealisti.
Fqinjët: grekët, serbët e bullgarët, me synimet e tyre ekspansioniste, ia terratisin shikimin autorit, i cili dhimbjen e kthen në revoltë të theksuar. Shpirti i ndieshëm i poetit nuk duron këtë përbuzje, këtë shkatërrim, këtë synim asgjësues të kohës.
Idealisti i jetës nuk kish si të mos ishte i tillë edhe në krijimtari. Njeriun që asgjë nuk e ndaloi të kontaktonte me Ismail Qemalin e Fan Nolin, me Luigj Gurakuqin e Mihal Gramenon, me Ernest Koliqin e Lasgush Poradecin nuk kishte si të mos i dinte dhe ndiente këto probleme të mëdha kombëtare. Reagimet e tij ishin dykahore: artistike dhe propagandistike.
Koha ishte epike, pasi që edhe mendimet i kërkonte të një shkalle të tillë.
Historia e letërsisë njeh krijues më të talentuar, krijues më vëllimorë dhe më laryshi gjinish letrare, por jo edhe një idealist si Asdreni, i cili jeton, vepron, vuan dhe gëzohet vetëm për poezinë dhe atdhetarinë.
KOSOVËS
Kosovë, o vend’i famshëm i trimnis
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke
Si vahë e virgjën: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrniis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelliis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmoon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përsëri
N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burrat ti q’i leen, t’gjetë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdhen për me shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnji pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtësii
Si breshni mi te hidhen me duhii
Sa bije e krye s’ngreh
Por eshtnat dheut i le’.
Gra e vasha ke, si zana sy- mëdha
Trimnesha, qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për ndeer të shtëpisë s’vet,
E falin shpirt e jet!
Te toka jote aq luftna janë ba
Kur trimat prekin dekën pa me qa
Kur nana e motra lot derthin pa pra;
Ata me gjakun dheun e kanë la
Si di Shqiptari n’jet!
M’e ba detyrn’ e vet!
Kosovë, o trimneshë, lul’e rrallë
Detyrën tin’e ke me dal sot në ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kan robnue
Dhe n’zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrëzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë se ju del
Dhe duersh mos t’ lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Ku jeni pra ju burra, ju luftarë
Kosovas, o të vlershmit ushtarë
Që keni për tan’botën luftue gjithmoon
Ndër drejt vall gjaku ma nuk ju valon
Pak ju me u – përment
Për votër e për vent?
Nuk shifni rrotull jush, Grek e Bullgar
I flliquni Srbijan, Sllav barbar
Kosovën si e mbajn nën kamb t’tyne nën themrë
Si ja çpojnë syt’ e faqet e deri n’zemër;
Duen emnin me ja çdukë;
Me dekë pa uj e pa bukë!
Disa ‘Serbi e vjetër’ duen me i thanë
‘Maqedhoni’ do t’jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej ziis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e duur
Q’anmiqt e kan vorrue me dhe e me guur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fee
Po nanën ju kujtoni qi u ka lee
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijvet e harrueme mi ket dhee!
Se asht turp i math për ju
Të huejt me i çnderu!
Sot ora mbrrini dita e bekueme
Shqipniin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlqye dilli
Me rrnue një Shqypnii
Si zonjë në lumnii.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Në Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder luftë me dek!!
Aleks Stavre Drenova – Asdreni