KOSOVA ËSHTË E SHQIPTARËVE

0
467
Hashimi duke korrigjuar kufijtë

(E nuk është e individit)

Shkruan Zymer MEHANI

Idetë për shkëmbim të territoreve ndërmjet vendeve dhe popujve të Ballkanit, do të mund të ishin fatale për shtetin e Kosovës nëse do të realizoheshin në praktikë, thonë njohësit e zhvillimeve politike. Por, në rastin e Kosovës, mendoj unë se fjala është për shkëmbim vetëm të territoreve shqiptare (të Kosovës)!!!… Këto janë ide ruso-serbe…

Përderisa Kosova praktikisht nuk e kontrollon as territorin e vet, në veri të vendit, domethënë në tri komunat me shumicë serbe e lëre më Luginën e Preshevës, me të cilën pretendohet shkëmbimi i territoreve, hapja e kësaj kaptine çon drejt rrezikut, sepse në këtë rast Kosova do të dalë humbëse, ngase Serbia do të na e japë TONËN dhe do të na e marrë TONËN. Pra, vetëm ideja si e tillë është tepër e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe për kombin përgjithësisht.

Sa herë që flitet për shkëmbim të territoreve në raportet Kosovë-Serbi, në analizat e para përmendet si opsion shkëmbimi i pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës (d.m.th. është fjala vetëm për treva shqiptare, disa që ende janë të okupuara nga Serbia shoviniste –Lugina e Preshevës) Mendoj se idetë e tilla si pasojë do të sjellin humbjen e resurseve të çmueshme ekonomike që i posedon Kosova në pjesën veriore, si Trepça dhe Liqeni i Ujmanit, ndërsa, si efekt përfundimtar, do të ndodhë zhbërja e shtetit të Kosovës.

Para se të mendojë për territore e ndryshim kufijsh, Kosova duhet t’i përmbyllë disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me funksionimin e një shteti të pavarur e sovran, si dhe të ndërtohet shteti i së drejtës. Në raport me Serbinë çështja duhet të rregullohet duke integruar pjesën veriore të Kosovës të populluar me shumicë serbe, e cila do t’i ruante lidhjet me Serbinë në fusha si arsimi, shëndetësia e kultura, por edhe shqiptarët e Luginës të përfitojnë çdo të drejtë, duke i ruajtur lidhjet me Kosovën dhe Shqipërinë, sikurse serbët në Kosovë.