KOSOVA E BINDJEVE TË FORTA

0
344
Veli Stafa

Veli Stafa
(1915 – 1939)

Nga Sinan GASHI

Ndër krijuesit e viteve ‘30, që fati nuk deshi t’ia jepte mundësinë e dëshmimit të pjekurisë së një talenti letrar të sinjalizuar, është Veli Stafa.

Si një numër poetësh fatkëqinj që i korri bacili i tuberkulozës, edhe këtë djalosh intelegjent e ndërpreu atëherë kur bëri emër në letrat shqipe dhe kur e priti vetëm sa të diplomonte mjekësinë, për të mos ia mundësuar asnjë ditë të vishte mantelin e bardhë.

Veli Stafa është nga një familje intelektuale elbasanase; i ati Hasan Stafa oficer demokrat. Pas fillores në vendlindje, gjimnazin e vazhdoi në Shkodër, ku ishte transferuar familja e tij. Aty lexonte literaturë jo të pakët në bibliotekën e t’et, madje edhe sosh nga letërsia e huaj.

Regjistron pastaj mjekësisë në Bolonjë që e përfundon në afat, më 1938, me diplomën e cilësuar “me lavdërim”. Studimet për mjekësi poeti i ri i shihte të humaniteti profesional edhe mënyrë më praktike për ta shëruar të keqen dhe shëmtinë e jetës siç konstaton në ditarin e lënë dorëshkrim. Adhurimi i profesionit nuk u realizua, ngase vetëm pesë ditë pas studimeve punoi në spital, kur tuberkulozi famoz që i sulmonte pamëshirshëm poetët (N. Frashërin, Gj. Qiriazin, K. Mirditën, Migjenin e G. Palin), kishte rrëmbyere dhe Veli Stafën. Kufoma sillet nga Parisi në Elbasan, në pranverën e ftohtë të 1939-tës.

Krijimtarinë letrare e kishte filluar që 18 vjeç, përkatësisht më 1931, me poezitë “Si bij të po një nane” dhe “S’i përulesh ti poshtnimit”, që radhiten krijime – dorëshkrime.

Edhe pse për të gjallë nuk la vepër të botuar, në të përkohshmet publikoi poezi e skica letrare, kryesisht me pseudonime, si Platonicus, Ve-Ri dhe N.O.M. (shkurtesa për Novus Ordo Mondus). Nga tërë krijimtaria në dorëshkrim mund të konstatohet se dëshmohet poet, prozator dhe publicist me talent. Për dëshminë e parë kishte lënë më se 20 vjersha, si prozator dëshmohet me 19 tregime e skica, kurse si publicist me 17 publikime të ndryshme problemore shoqërore si dhe një ditar intim, “Ditari i një universitari”.

Në poezi ai shpreh një talent të lindur, ku spikasin preokupimet e tij sociale e shoqërore për njeriun shqiptar të krizave kohore, ku poeti i ndjeshmërisë së thellë nuk mund të mos thotë mendimin e sinqertë, lirika të frymëzuara këto për botën, për botën intime të këtij të riu.
Përpëlitjet shpirtërore të poetit kanë tensionin e njejtë, edhe kur ishte në vendlindje, edhe kur ishte larg saj në studime, në Itali. Zymtësia e gjendjes së përgjithshme ekonomiko-shoqërore kishte depërtuar në brendësinë shpirtërore të tij, andaj pikëllimi është velëzim i pothuajse të gjitha poezive:

Kputet si lot vesa, me përultësi
Ndahet prej shoqesh, Ishohet përdhe
Pik’-pikë botën puth me ambëlsi,
Ndjesina zgjon dhe ngjall dhimbje të re.
(Edhe ti ishe vesë)

Këto poezi dëshmojnë një zë nga thellësia e shpirtit të venitur të një të riu, pa fuqinë e mendimit dhe të artit migjenian. Këlthima e një njeriu që frikohet nga dikush që e ndjek, siç thotë në një varg “një za ma ndjek kët qenie të hutueme”. Është deklarimi i një të riu 23-vjeçar, që me këto dëshmi letrare paralajmëroi se do të dinte të vjershëronte bukur, që tragjika e fatit s’e lejon. Të gjitha këto krijime shtriheshin brenda gjashtëvjeçarit 1931-1937.

Duke e njohur dhe duke u aktualizuar të kaluarën, qoftë edhe të afërt, njoftohemi për grimcat e tërësisë së krijimtarisë letrare të një dekade, që gjithsesi ka specifikat e veta me dallim nga tjetra. E vitet tridhjetë mendojmë se përbëjnë dekadën mozaik, ku u shfaqën të gjitha risitë letrare, që më vonë vetëm sa u zgjeruan nga shumësia e krijuesve letrarë.

Veli Stafa i ri, veç tjerash kishte njohuri edhe për fatin e një pjese të tokës shqiptare, Kosovës, dhe fatit të kosovarëve, andaj vargëzon sa për ta derdh dufin e ndryrë në vete, aq edhe për ta pasqyruar atë realitet të hidhur.

Është me interes të thuhet se ai ishte me aq njohuri natyrash të ndryshme, por edhe sikur njihte mirë karakterin e fortë të kosovarit, i cili nuk di të gjunjëzohen, pavarësisht dhunën dhe mënyrat e përjetimeve të peripecive të saj. Këto bindje autori i shpreh që në titull të poezisë, “S’ i përulesh ti poshtnimit”, por edhe në dyvargëshin refren, që del si rikujtesë e esencës domethënëse krijuese të tij:

S’të ndal plumbi, s’të mban varri,
se s’duron thika coptimit.
Ndër dej t’vlon gjak shqiptarit,
s’i përulesh ti poshtnimit.

S’I PËRULESH TI POSHTINIMIT
(Kosovës)

O Kosovë e burrnisë,
djep fatosash i lavduem,
shpirti i flaktë i djelmënisë
digjet ty me të liruem.

Gjaku yt, jo, kot s’do t’shkojë,
do t’arrijë me të shpëtuem;
Drejtësia do ta dëbojë
zgjedhën turp që t’ka zezuem.

S’të ndal plumbi, s’të mban varri,
se s’duron thika coptimit.
Ndër dej t’vlon gjak shqiptarit,
s’i përulesh ti poshtnimit.

Ti po ndez dhe vashat zana
me dashninë për lirinë;
tue çue peshë djemtë azgana,
zgjon në vorr Binak Alinë.

Shpejt për ty dita e lirisë
do të zbardhi tue gjimuem,
sokoleshë e trimërisë,
o Kosovë, ke me gzuem.

S’të ndal plumbi, s’të mban varri,
s’e duron thika coptimit.
Ndër dej të vlon gjak shqiptarit,
s’i përkulesh ti poshtnimit!

1931, Shkodër
Veli Stafa