KOSMA DHE BANDITËT (II)

0
486
Alberto Moravia - Kosma e i briganti

ALBERTO MORAVIA

. novelë .
me 8 kapituj

Përktheu: FASLLI HALITI
TIRANË, 2005-2019

Kapit, II – ATAMANI

Kurrë, në fakt, Atamani s’ia kishte dalё si atё ditё qё tё bёnte Kosman tё qeshte. Shakatë me shpirt, batutat, hokat, shtrembërimet e fjalëve komike, historitë, frazat më të befta, nuk pushonin së vërshuari, së gurgulluari plot freski nga sedilja e pasme, ndërsa makina nxehej ndërkaq duke u ngjitur e duke zbritur nëpër kodrat me diell. Kosma, me çantën e çmuar, vendosur mbi gjunjë, s’bënte tjetër veçse qeshte, po me atë mospërmbajtje të fuqishme, tipike me ato teshtimat qё shkakton duhani apo speci.

Atamani, i ngjashëm me një prej statujave baroke qё simbolizojnë një lumë, qё mbajnë nё duar njё qyp qё derdhet dhe qё rrinё brinjas me kёrthizёn jashtë, qëndronte shtrirё mbi jastëkë, me barkun që i dridhej prej çdo lëkundjeje, i fshehur nёn velin e njё bluze me vija të kaltra, e linte të rridhte pёrherё, shkulmin e bollshëm tё haresë duke u shfaqur gjithnjё si serioz, Gjithçka e ngacmonte: pulat që kapërcenin rrugën në çastin qё kalonte makina, gratë e shtëpive tё rojtarёve tё rrugës. Atamani nxirrte kokën nga dritarja e makinёs me qёllim që t’i shante, duke i lenë ato të habitura, e ngacmonin makinat që e parakalonin, pamjet e fshatit, qielli, çdo gjë. Me këtë rast përziente kujtimet, anekdotat, refrenet. Gjithçka e bёnte me një ton të përpiktë e të sigurt prej bufoni, që Kosmas i dukej i këndshëm. Bashkëpunëtori i Atamanit nuk thoshte asnjë fjalë dhe mezi buzëqeshte, duke u rrudhur në faqet thatime me dy quka majtas. Kishte një epitet të çuditshёm: «Torta», dhe Kosma pandehte se ky ishte emri i tij.

Por kulmi i humorit të Atamanit dhe i tё qeshurёs së Kosmasit arriti kur makina u kryqëzua me grupin e çiklistëve dhe me makinat sportive, qё shoqёronin rrethin çiklistik ndërballkanik. Atamani la që të kalonte moria e çiklistёve, me fituesit entuziastё dhe makinat e pluhurosura dhe turmën e gazetarëve dhe mekanikëve, kur u ngjit vargu i të vonuarve dhe arritën çiklistët e fundit që tashmё s’kishin asnjë shpresё, jo vetëm për tё fituar garёn, por as të zinin ndonjë vend nderi, prapё ata rropateshin njëlloj të djersitur e të vetmuar nën njё diell vdekjeprurës, Atamani, si të thuash, e tejkaloi vetveten. Duke e nxjerrё trupin pёrgjysmё jashtë dritares, filloi t‘i shajë ndyrё fatkeqёt. «Budalla… idiot… pse vrapon?… Tani s’arrin më shumë… brinar… s’e sheh që ke një fytyrë brinari?… Ti vrapon dhe e humbet garën kurse gruaja jote sakaq të vë brirët atje nё shtёpi… këmbë shtupë… i marrë… torollak…» e kështu me radhë. Çiklistët në rrugë, të gjithё tё kërrusur mbi timonët e ulët, tёrboheshin, kurse Atamani dyfishonte sharjet dhe Kosma mbante brinjët me duar dhe i rridhnin lotët nga e qeshura e madhe.

Por pas rrethit çiklistik, Atamani u mbështet përsëri mbi jastëkët dhe heshti papritur plotësisht, si njё dordolec, qё i është këputur filli. Më kot u mundua Kosma që ta ndizte sërish atë vatër gëzimi dhe hareje. Atamani mezi iu përgjigj dhe vetëm pas pak çasteve në makinë u vendos menjëherë një heshtje e plotë. Kosma vështronte rrugën, Torta drejtonte makinën dhe Atamani dukej sikur përgjumej, ai tundej e shkundej, krejt i bardhë dhe drithërues, ngaqё makina kërcente dhe hidhej pёrpjetё pёr shkak tё rrugёs gjithё gropa.

Në të vërtetë po afrohej vendi i studiuar dhe i paracaktuar me kohë, në të cilin Atamani, nё një mendje me Tortën, kishte vendosur ta hiqte qafe, t’i lante hesapet me Kosman. Atamani i kishte gjetur forcat pёr tё bёrё shaka deri sa arritën tek rrethi çiklistik. Por pastaj mendimi zotërues e mposhti. Iu kujtua se po të vazhdonte të tallej, s’do t‘i mbetej mjaft forcë për të vënë në jetë planin e tij. Veç kësaj, tani më shumë se sa të qeshte dhe të bënte të tjerёt tё qeshnin, ishte e nevojshme të mësonte veten dhe, në njëfarë mënyre edhe Kosman, me atë që po bëhej gati të ndodhte.

Më në fund, makina, me të lënë kodrat, po hynte në një zonë gati shkretirё. Një fushë e gjerë me bar dhe e zbehtë, e kufizuar në nga malet e zhveshur gurishtorё, me njolla shkurresh të njё pylli të dendur, gati për tё filluar prerja. Asnjë pemë, vetëm ndonjë shkurre e ulët aty-këtu hidhte një hije të shkurtër nën diell. Kuaj hergjele, me bishta tё gjatë dhe të trashë, galoponin lehtë mbi bar. Midis atyre livadheve me dredha, të vetmuara, të shkreta, rridhte me dredha një lumë. Herë pas here Atamani shihte pas shkurreve të dendura që lëshonin hije, rrjedhën e bardhë dhe shndritëse si argjendi tё lumit. Dita, ndërkaq, po fillonte të thyhej. Nga një re e vogël u përhap dalëngadalë në gjithë qiellin një masё resh pupëlore. Kjo masё tentonte të errësohej dhe të shtrëngohej, duke formuar vetëm një re gri dhe të lartë, të ngjashme me një ballë të vërejtur dhe të menduar. Një dritë e ftohtë, e njëjtë munduese, përhapej mbi gjithë fushën.

Atamani dhe Torta kishin zgjedhur atë vend si më të përshtatshmin për bëmën e tyre. Përveç vetmisë, diçka e rastit përcaktoi një zgjedhje të tillë. Prej kohësh në gjithë krahinën, endej një bandë, gati kriminale, qё pёrbёhej nga hajdutё rrugёsh. Kjo bandë e kryesuar, nga një njeri i dëshpëruar me emrin Glinka, gjer atёherё kishte arritur të kryente mjaft grabitje. Gazetat nuk flisnin për të, me qëllim që të mos pengonin veprimet e policisë, por dihej në mënyrë të turbullt se një ushtri e vërtetë rojash i ndiqte keqbërësit tё cilёt, megjithatё kishin mundur t’i shpëtonin gjithmonë kapjes, nё saje të egërsisë së skajshme dhe vendosmërisë me anё të së cilës, kur i ndiqnin a përlesheshin me ta, nuk nguronin tё vrisnin kundёrshtarёt dhe nё saje të bashkëpunimit të fshehtë me shumë fshatarë dhe banorë të periferisë. Atamani, keqbërës i padënuar mё parё dhe i rastit, e kish llogaritur qё krimin qё do tё kryente t’ia ngarkonte kёsaj bande duke përfytyruar me të gjitha hollësitë një sulm të tillë, të barabartë me ato, ku së fundi kishin mbetur viktima, udhëtarë të tjerë të zonёs. Për këtë qëllim, prej kohësh, pa rёnё nё sy, kishte marrё tё dhёna pёr zakonet dhe veprimet e bandës nga njё komisar, i njohuri i tij.

Ishte e vërtetë se banda vepronte në të gjitha anët e krahinёs, në largësi të madhe nga vendi i zgjedhur nga Atamani, por ky nuk shqetësohej për kaq pako gjё; veç kësaj banda vetë, jepte prova për lëvizje të mëdha duke dhënë goditjet e saja në zona të ndryshme dhe të paparashikuara. Pastaj, edhe nëse banda, njё herё e kapur, do të refuzonte autorësinë e krimit, askush s’do ta besonte bandёn për këtë. Dhe ai ndërkaq, pasi tё kalonte pak kohë, do të dinte shiste pёrsёri nёn dorё gurёt e çmuar, të shndërruar nё mёnyrё tё pёrshtatshme.

Plani, siç shihet, ishte studiuar gjer në hollësitë më të imta. Atamani, bashkё me Tortan kishte bërë nja dy udhëtime në atё vend, për të përcaktuar trajtat e tij. Tani si gjithë njerëzit me shpirt tё vogёl dhe të ulët, Ataman kishte një besim të madh tek teknika. Saktësia e planit të sajuar prej tij, ishte bërë për të një domosdoshmëri edhe më e ngutshme e nevojёs sё tij tё dëshpëruar për para. Ky plan ishte sajuar në mënyrë të tillë sa Atamanit tanimё i dukej e pamundur të mos e vinte nё jetё. Atamani sado që e kishte rrotulluar nga çdo anë, nuk kishte arritur të gjente në të asnjë mangësi. Kaq kishte mjaftuar që tё zhdukej çdo mëdyshje nga shpirti i tij.

Për këtë Atamanin nuk e turbullonte as ankthi më i vogël. Ai tani e ndjente veten afër sendёrtimit të planit të tij, si ai zhytësi që ka ecur gjer në fund të dërrasës së trampolinës dhe bëhet gati të hidhet. Atamani ndihej i qetë, sepse në këtë ujë të pabesë, nё të cilin ai përgatitej të zhytej, përkundej një barkë që në rast rreziku do ta shpëtonte. Kjo barkë ishte banda e hajdutëve.

Atamani jo vetëm që e ndjente veten tё qetë për sa i përkiste sendërtimit tё planit të vet, por ndihej gjithashtu i lirё nё shpirt, ndonёse në mënyrë të ethshme dhe tё ndёrprerё, siç ndodh në çastet e tensionit. Me njё liri gjeniale dhe nervoze, qё i vinte nga gjetjet. Gjetja e parё, kishte qenё ajo që e bёri Kosman të qeshte gjatë shëtitjes. Qё ta bënte të qeshte, Atamanit i dukej një mënyrë krejt e vetvetishme dhe e errët pёr t’i hequr Kosmas forcat, ashtu si ca lloj merimangash që i injektojnë viktimës sё tyre një lëng paralizues, para se ta shqyejnë. Çdo e qeshur e Kosmas ishte njё dëshmi se ai ishte i çarmatosur dhe s’dyshonte pёr asgjë. Çdo e qeshur e Kosmas e siguronte Atamanin pёr epёrsinё e tij dhe pёr suksesin e komedisë sё luajtur prej tij. Pa llogaritur qё me gjithë ato shaka, ai shkarkonte tensionin që më vonë mund të ishte pengesë për kryerjen e krimit.

Gjetja e dytë qëndronte në të folurit ashtu si kot dhe me shaka për bandën që rrezikonte krahinёn. Gjithmonë me instinkt, Atamani e kuptonte se gënjeshtra më e pëlqyer është ajo që ndërtohet me elementë tё vetё realitetit. Në këtë mënyrë realiteti bëhet bashkëfajtor me njeriun me anё tё shfaqjeve tё veta mё tё njohura dhe mё tё padyshimta gjer nё çastin qё njё akt vullneti e ndriçon papritur duke zbuluar tek ai rrezikun e fshehur. Atamani e kuptonte se s’ka asgjë që të mos e qetësojё më shumë viktimën se sa të luash para saj me thikën qё më vonë do t’i shërbejë atij për t’i prerë gurmazin. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë, jo vetëm se e end mё fuqishёm rrjetën e gënjeshtrës, por arrin edhe njё qëllim tjetër, të familjarizohesh me përdorimin e grackёs dhe me veçoritë e saj. Atamani tha se nuk përjashtohej rreziku që të ndesheshin me bandën dhe atëherë do të ishte për ta një fatkeqësi e vërtetë. Mbase atyre u leverdiste, që t’i gëlltisnin xhevahiret para se të ishte tepër vonë.

Karficat do t’i hante Torta, aq thatim sa ç’ishte, unazat Kosma, për sa u përkiste byzylykëve dhe sendeve tё tjera më kaba, do ta bёnte punёn ai, si mё i shëndoshi nga tё gjithё. Kosma ishte i heshtur dhe s’fliste para Tortës për gjërat e çmuara që kishte çanta, pasi nuk e njihte. Bile në fillim, ishte orvatur të jepte përshtypjen se ruante mostra të ndryshme stofrash. Por Atamani duke e marrë me mend arsyen e mëdyshjes së tij, tha se s’kishte asgjë për t’u trembur, që Tortës mund t’i besonte së paku aq sa dhe vetё atij. Prapё, Atamani i tregoi atij fije për pe, gjithë atë që dinte nga komisari, miku i tij, në lidhje me bandën. Për Atamanin, Kosma tashmë ishte si i vdekur dhe ato lajmet e çmuara kishin po atë rrezik përhapjeje, sapo të ishin mërmëritur mbi një arkivol të gozhduar mirë.

Atamani e thuri dhe e stërthuri veçanërisht fjalën mbi praninë në bandë të një gruaje me emrin Albina; e bukur mesa dukej dhe e egër dhe më mizore dhe mё e vendosur se vetë burrat. Ky emër iu duk se i interesoi Kosmas në mënyrë të veçantë dhe i bëri shumë pyetje Atamanit, i cili nuk i kurseu hollësirat, në pjesën më të madhe të trilluara. Kosma i përhumbur tha se ai emër dhe përshkrimi që Ataman i kishte bërë për gruan ia bënin tërheqëse atë. Do t’i pëlqente të kishte një aventurë me një femër të tillë. Atamani e talli, por pranoi se diçka e tillë s’do të qe pa shije. Më në fund u frymëzua nga logjika e metodës së vet deri nё atё pikё sa zbuloi, gjoja si rastësisht, nën sedile, një çekiç të madh prej druri dhe e pyeti Tortan se për çfarë mund të shërbente vallë kjo vegël dhe në mos, rastësisht, donte ta përdorte, pёr t’u mbrojtur nga hajdutёt. Kështu pra, çekiçi ishte, pikërisht, për të goditur Kosman.

Për sa i përket gjetjes së tretë: Atamani s’e kishte përgatitur, ajo i qe dhёnё rastësisht. Në një kthesë të rrugës, në një pikë të shkretë, ja duken dy roja me mushketat hedhur krahaqafë, qё qёndronin pa lëvizur pranë një muri të ulёt në hijen e një çiçibanozi. Nё çast Atamani, me një frymëzim të befasishëm i thirri Tortas që të qëndronte, sepse do ta pyeste diçka nё lidhje me rojat. Me t’u ndalur makina, Atamani zgjati kokën dhe u bëri shenjë dy rojave qё dëshironte t’u fliste. Dy rojat u afruan si pa dëshirë dhe atëherë Atamani i pyeti, nëse ato kishin edhe shumë rrugë për tё bёrё gjer në S., qytet i vogël ky për ku ishin drejtuar. Rojat u përgjigjën se mund të ishin ende dhe nja shtatëdhjetë kilometra.

Atamani duke bërë shaka dhe si në mirëbesim pyeti, nëse ishin të sigurt nëpër këtë rrugë dytësore qё nuk rrihej shumё dhe, nëse nuk kishte rrezik që të sulmoheshin nga ato bandat, për të cilat rojat, sigurisht qё kishin dëgjuar të flitej. Por rojat nuk e morën kёtё çështje me shaka, siç i pëlqente e siç dëshironte Atamani.

( Vazhdon )

Përktheu nga italishtja: Faslli Haliti