Dita, 3 gusht 2018
Analisti amerikan Daniel Serwer, reagoi menjëherë pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufirit, duke e quajtur atë një ide të rrezikshme.
Serwer, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se kjo ide nënkupton në fakt ndarje dhe shkëmbim territoresh dhe ai mendon se Thaçi nuk mund ta kishte hedhur idenë, pa rënë dakord me Vuçiç dhe se perëndimi mund ta ketë pranuar si zgjidhje.
Serwer tha se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të destabilizonte Ballkanin dhe më gjerë.
“Mund të forcojë mbështetjen politike për ata brenda në Kosovë që janë kundër Kosovës si shtet dhe që duan bashkimin me Shqipërinë, mund të dobësojë të moderuarit në Serbi. Dhe do të kishte ndikim negativ më gjerë tek Maqedonia, Bosnje-Hercegovina sepse Republika Srpska do të donte të korrigjonte kufijtë e vet dhe të bashkohet me Serbinë dhe pastaj kemi ambicjet ruse për të kontrolluar Osetinë Jugore dhe Abkazinë në Gjeorgji, Transnistrian në Moldavi dhe Krimenë dhe Donbasin në Ukrainë”, tha ai.
Ai e quan jobindëse idenë se po të quhet ‘korrigjim’, do të shmanget hapja e një Kutie të Pandorës.
“Është ndarje, tha eksperti i Universitetit “Johns Hopkins” në një intervistë për Zërin e Amerikës. Para së gjithash ai po propozon ndarje për një pjesë të Serbisë, ai nuk po propozon heqjen dorë nga katër komunat e veriut, por Serbia do ta propozojë një gjë të tillë në këmbim (për Preshevën). Prandaj është ndarje e Kosovës dhe Serbisë, nuk është korrigjim kufijsh”.
Në të kaluarën, Uashingtoni dhe Brukseli janë shprehur kundër ndarjes apo shkëmbimit të territorit, duke theksuar se shtetet nuk mund të formohen mbi bazën e përkatësisë etnike, por me parimet e respektimit të pakicave. Por Serwer e pranon që ky qëndrim mund të ketë ndryshuar.
“Ky diskutim nuk do të ishte hapur nëse nuk do të kishte thënë Brukseli dhe Uashingtoni që mund të diskutohet, sepse në të kaluarën ne kishim thënë që nuk mund të diskutohet dhe të gjithë i kuptonin arsyet. Dhe ata do t’i kuptojnë këtë arsye kur të flasin për këtë qëllim, sesa e vështirë dhe problematike do të jetë”.
Serwer shton, se një nga faktorët që perëndimi mund ta ketë modifikuar qëndrimin, mund të ketë të bëjë me valët e populzimit në të dyja anët e Atlantikut dhe ajo që ai e quan një prirje më etno-nacionaliste.
“Mendoj se ide si kjo që do të kishin qenë sakrilegj për një administratë Clinton (të ish-Presidentit Clinton) dhe madje dhe për një administratë Obama dhe me siguri për një administratë të Hillary Clintonit, janë më të pranueshme në një botë të Trumpit ose Orbanit”.
Por ai shton se hapja e një diskutimi të tillë, do të hapte probleme të mëdha.
“Diplomatët e kanë kuptuar gjithmonë se ndryshimet e kufijve për të kënaqur ndryshimet etnike, janë një proces i pafund. Asnjëherë nuk mund t’i kesh të gjithë njerëzit në anën e duhur të kufirit.”
Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes, (Republika Srpska), Milorad Dodik u shpreh sot se nëse Kosova zë një vend në OKB, Republika Serpska do të kërkonte të njëjtën gjë. Por zoti Serwer tha se nuk beson që Kosova do të marrë anëtarësim në OKB, edhe nëse bihet dakord për një këmbim territori, ose korrigjim, pasi Kina nuk do të pranojnë dhe Rusia mund të mos pranojnë.
“Për Rusinë është e mjaftueshme që të destabilizojë Ballkanin dhe të pengojë Bosnjën dhe Maqedoninë për t’u anëtarësuar në NATO”, tha ai.
Serwer thotë se kjo bisedë mund të ketë ndikim negativ në miratimin e referendumit në Maqedoni ku maqedonasit mund të ndihen të kërcënuar dhe të votojnë kundër.
Analisti i Ballkanit thotë se forca si Vetëvendosja do të rihapnin temën e bashkimit me Shqipërinë dhe të kërkojnë deri në referendum për këtë qëllim dhe hapja e kësaj teme do të hapte probleme për politikanët shqiptarë.
“Merita e madhe e Presidentit Thaçi ka qenë pavarësia dhe krijimi i shtetit të Kosovës. Pse ai do t’i hapë derën bashkimit me Shqipërinë, është një mister për mua”.
Megjithëse Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka folur publikisht për këtë temë shumë shpesh, është hera e parë që Presidenti Thaçi ose një zyrtar i lartë i Kosovës flet hapur për të. Dhe Serwer mendon se kjo nuk është nisma e tij, por e Serbisë dhe që po merr bekimin e administratës amerikane.
a.s/dita