Koronavirus hyn në Kuvend, 10 deputë kanë dalë pozitivë

0
380
Kuvendi i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e sotme që të futet në rend të ditës ndryshimi i rregullores së Kuvendit, që ia mundëson deputetëve mbajtjen e seancave nga largësia, për shkak të shtimit të numrit të personave të prekur me koronavirus.

Propozimin në emër të LDK’së e ka bërë deputetja Besa Gaxherri.

“Në emër të LDK’së e ngris propozimin tuaj si mocion që ne ta ndryshojmë rregulloren e Kuvendit dhe të kemi mundësi që të punojmë nga largësia, për shkak se deri më tani 10 deputetë janë të infektuar, unë besoj se një numër më i madh prej nesh janë të infektuar. Të takohen përfaqësuesit e grupeve parlamentare me një tekst të thjeshtë që seanca të mbahet nga largësia për ndonjë afat të caktuar kohor. Ju kisha lutë znj.kryetare dhe juve deputetë që ne sot ta marrim këtë veprim ta ndryshojmë rregulloren dhe të ia japim mundësinë vetes që mos të ngecin proceset siç ishte propozimi që bëri kolegia”, tha deputetja.

Këtë çështje, kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se e ka ngritur që nga muaji mars.

“Lidhur me përpjekjet që janë bërë për ndryshim të rregullores ka qenë propozimi që nga marsi që të mbahen seancat online. Për komisionet kjo mundësi ekziston, ne po i mbajmë mbledhjet e kryesisë përmes platformës ZOOM. Për seancë duhet patjetër të ndryshojë rregullorja. Mua më është dashur konsensusi i grupeve parlamentare”, tha Osmani.

Nga Vetëvendosje, shefi i deputetëve, Rexhep Selimi ka thënë se nuk mund ta ofrojnë mbështetjen që kjo pikë të futet në rend të ditës.

“Ne kemi me të drejtë rezervat tona lidhur me motivet e kësaj nisme. Gjithsesi ne do të donim që Kuvendi të ishte funksional. Kjo nismë nuk është një nismë për tu keqpërdorur. Ne si grup parlamentar kemi nevojë konsulta me tepër që kur ta japim mendimin tonë. Ne nuk mund ta ofrojmë mbështetjen që sot të futet në rend të ditës”, ka thënë ai.

PDK ka thënë se në këtë situatë në të cilën ndodhte vendi duhet të modelohet një zgjidhje që i mundëson kuvendit që të jetë funksional.

“Po iu pamundësohet deputetëve që për shkak të gjendjes shëndetësore të votojnë në seancë”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bedri Hamza.

AAK përmes shefit të grupit parlamentar, Daut Haradinaj tha se kanë propozuar edhe ditë më parë votimin online.

“Edhe sot jemi një deputet minus, do ta jepim përkrahjen”, tha Haradinaj.

“Ju lus deputetë që të gjithë bashkarisht të mund të zgjedhim një zgjidhje sa i përket mënyrës së votimit. Deri të mërkurën kur e kemi mbledhjen e kryesisë ju lus të vini me propozime”, tha kryeparlamentarja Vjosa Osmani

Marrë nga Nacionale.Info