KOPSHTI I SHTËPISË-SHKOLLË

0
279
Naxhije Doçi - shtëpia - shkollë - Prishtinë

Naxhije Doçi Naxhije DoçiProf. Prishtinë

(Fragment tregimi)

Një erë e lehtë pranverore i trazonte herë pas here fletët e blerta të qershive në kopshtin e Shtëpisë-Shkollë, në atë periferi të qyteti të madh, në periferinë e kryeqytetit të Kosovës. Në njërën nga Shtëpitë-Shkolla të shumta të asaj periferie të mbuluar me barbari të dhembjes pa kufi, mësonin nxënësit shqiptarë të një shkolle të mesme.

Në fillim të kopshtit, buzë rrugës gati përherë të përbaltur nga shirat pranverore, si edhe nga të reshurat të tjera stinore, ishin të ngritura tri Shtëpi-Shkolla, ku gumëzhinin ag e terr nxënës të shumtë shqiptarë. Në to mësonin, në kërkim të dijës së mohuar në gjuhën e tyre dhe në kërkim të lirisë së ndaluar dhe të penguar me vite e dekada nxënësit shqiptarë të një shkolle të kryeqytetit. Mësonin nxënësit e dëbuar me dhunë nga objekti i tyre shkollor, nga armiku kriminel dhe barbarë serb.

Si ata, nëpër Shtëpi-Shkolla, mësonin edhe nxënësit e shkollave të tjera të kryeqytetit, si edhe të shkollave të tjera anë e kënd Kosovës. Dhe ishte dhjetëvjetëshi i fundshekullit njëzet në mbyllje! Dhe ishte krimi më i paparë mbi një popull të pafajshëm! Brezat shqiptarë të Kosovës përherë kishin luftuar për qëndresë dhe mbijetim mbi barbaritë e pakursyera të pushtuesve, se e donin rrezatimin e dritës së ndaluar dhe rikthimin e madhështisë së grabitur.

Në në vërtetë në ato tri Shtëpi-Shkolla në një oborr, mësonin gjysma e nxënësve të Shkollës së Mesme Teknike të kryeqytetit. Pjesa tjetër e nxënësve të kësaj shkolle ishin të shpërndarë në Shtëpitë-Shkolla nëpër pjesë të tjera të kryeqytetit.

Kopshti i Shtëpive-Shkollë të kësaj pjese periferike të kryeqytetit kishte diku nja 20 ari truall, e ndoshta edhe më tepër. Në të kishte shumë trupa qershish, të mbjella që prej kohësh nga vullneti dhe dashuria e madhe e një familjeje të përkushtuar, që me siguri në trashëgimi do ta kenë pasur si pasion një veprimtari të tillë. Për çështje nderimi, si edhe për atë si shenjë falënderimi, kujtoj se do të jetë meritore që të përmendet, se njëri nga pronarët e tri Shtëpive-Shkollë të periferisë kulmore të kryeqytetit me kopshtin përplotë me qershi, quhej Hasan Zhushi, inxhinier me profesion.

Kopshti i tillë sikur dallonte me veçantitë e veta nga kopshtet të tjera përreth të asaj periferie të kryeqytetit përherë me rreze dielli flakëruar. Dhe dallimi reflektohej më i potencuar, ndoshta pse ishte kopsht i shkollës sfiduese shqipe. I shkollës së mbijetimit të pamposhtur të së keqes së pandalur dhe të pakursyer serbe, që bëhej me vite e dekada mbi shkollën shqipe në Kosovë dhe përgjithësisht mbi popullin e pafajshëm dhe të papërkrahur shqiptarë të saj. Ndoshta kjo edhe ishte ajo bukuria krenare, që nuk lejonte hapësirë për të bërë krahasime me kopshtet e shtëpive të tjera përreth. Ndoshta…!

Kishte edhe shumë trupa të tjerë pemësh, por edhe shumë lloje perimesh të mbjella në këtë kopsht të saktificës së madhe dhe shikuar nga largësitë të krijohej përshtypja, se mos ndoshta është ndonjë oazë vendesh me me zhvillime të dalluara. Krejt si përrallore dukej nga distanca pamje e Shtëpi-Shkollës sfiduese të periferisë së kryeqytetit, mbushur ag e terr me gjallëri rinore, mbushur me nxënës shqiptarë sypetrita dhe zemërzjarrë.

Nxënësit shqiptarë me shpresa të pashuara për ardhmërinë, që duke udhëtuar nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit dhe nga periferia, shumë herë, e gadi edhe në vazhdimësi përjetonin presion shtypës duke u ndaluar dhe legjitimuar vend e pavend nga policia serbe. Përjetonin jo rrallë-herë edhe dhunë të tmerrshme me rrahje e përgjakje nga e njëjta polici serbe.

Jo rrallë-herë që të njëjtat tortura, e shumë herë edhe më të shtuara dhe më mëllefe të sëmura për demoralizime e shfarosje përjetonin edhe profesorët e Shtëpisë-Shkollë sfiduese. Dhe kjo se si krijonte atëherë domosdoshmërisht shumëllojshmëri kalitjesh për mbijetim për të rezistuar pa u ndalur për dritë të bardhë. Se si të krijonte edhe forcë qëndrese për ngrohje shpresatsh të pashuara se do të zbardhëllojnë gjithësesi horizontet edhe nëpër shkrepa të thepisur. Qëndresa e tillë dypalëshe nxënës-profesorë shqiptarë para dhunës dhe kriminalitetit të paparë të pushtimit serb mesjetar të krijonte përshtypjen se jeta po rilind hyjnueshëm për popullin shqiptar të Kosovës. Dhe kështu gjithësesi që bëheshin më të përballueshme pranverat e errëta nën robërimin klasik serb në atë dhjetëvjetësh të rëndë plumb të shekullit njëzet në mbyllje!

Lulet e qershive, si edhe shumëllojshmëria e luleve të tjera plotë erëkëndje dhe plotë ngjyrëra mahnitëse në atë kopsht të krenarisë së pakrahasuar i qetësonin dukshëm zemrat e nxënësve udhëtarë. I kënaqnin edhe sytë e pafajsisë të tyre të dëlirë, të përlotur shumëherë nëpër vite nga pengesat dhe nga torturimet e pushtuesit serb në Kosovë.

Shtëpitë-Shkolla ishin veçantia më e përkryer dhe madhështia më krenare e organizimit tonë si popull shqiptar i Kosovës, me gjuhën shqipe shumë të lashtë sa edhe vetë lashtësia e dëshmuar dhe me gjurmë të ngulitura thellë në rrënjët e trashëgimisë sonë së bekuar. Shtëpitë-Shkolla në Kosovë ishin veprimi dhe organizimi më i qëlluar dhe më i planifikuar mbijetues dhe rezistues për shkollim në gjuhën amtare dhe për liri.

Freskimi me qershi

Buzët e nxënësve udhëtarë dukeshin të thara nga udhëtimi këmbë si nëpër teh të shpatës nga kënde të ndryeshme të qytetit të tyre të madh dhe nga kënde edhe të periferisë së afërme dhe pak edhe si më të largët të tij. Shkrumbi i tyre në buzë, nga lodhja prej udhëtimit, si edhe nga mundimet trishtuese rrugës prej policëve serbë, njomëshin me kokrrat e qershive gjatë stinës së pranverës. Vjeshtave të fillimvitit mësimor nxënësit udhëtarë urinë për bukë dhe etjen e tyre e shuanin edhe me dardhat e mëdha dhe të verdha si limoni, si edhe me mollët e kuqe e të ëmbla si sheqeri.

Ata shlodheshin dhe qetësoheshin edhe me aromën dehëse të luleve ngjyra-ngjyra, plotë bukuri që gjendeshin aty në kopsht. Kalimtarët e asaj hapsire të kryeqytettit, që iu binte rruga detyrimisht, apo rastësisht të kalonin andej pari mahniteshin me rregullimin e kopshtit të Shtëpisë-Shkollë, si edhe me bukurinë e luleve dhe me aromën e këndshme që e lëshonin ato përreth.

Nuk mund të themi se kishte frekuentim të madh të njerëzve në atë pjesë të qytetit të madh, se ishte lagje periferike, por e madhe ishte sakrifica dhe madheshtia e banorëve të saj për shkollën shqipe dhe për lirinë e Kosovës së robëruar. Ishte një situatë e trishtueshme e gjendje-luftës së rëndë në atë dhjetëvjetësh të fundshekullit njëzet për Kosovën, dhe njerëzit rrallë dilnin pa shkas të madh në rrugë.

Fragment nga tregimi me të njëjtin titullNaxhije Doçi