KONTRIBUT STUDIMIT TË HAPËSIRËS ETNOGJEOGRAFIKE SHQIPTARE

0
746

Nail Draga, ETNIA DHE HAPËSIRA, Botoi:Art Club, Ulqin, 2017

Libri ETNIA DHE HAPËSIRA, i prof. dr. Nail Dragës, ka për objekt studimi, gjeo-hapësirën shqiptare dhe analizat etno-gjeografike dhe shoqëroro-politike të zhvillimit etnik dhe territorial të shqiptarëve nëpër etapa historike në Siujdhesën e Ilirisë (siç e quan autori), pra në Gadishullin Ballkanik e më theks të veçantë për trungun e tij me Malin e Zi. Libri ETNIA DHE HAPËSIRA, është material i shkruar në 208 faqe i pasuruar me harta, tabela dhe fotografi.

Në këtë libër autori me kompetencë të lartë shkencore shtjellon zhvillimet etno-gjeografike nga Konferenca e Berlinit 1878 e deri me tani, duke shfaqur në pah të gjitha mundimet dhe sakrificat e popullit shqiptar për ruajtjen e identitetit kombëtarë dhe shtrirjes territoriale.
Që në fillim autori bën një analizë detale të ndryshimeve demografike në pjesët veriperëndimore të territoreve të banuara me shqiptarë para dhe pas Kongresit të Berlinit.

Këtu autori zbulon se si territoret e shteteve fqinjë rriteshin në dëm të territoreve shqiptare dhe se si prej padrejtësive të mëdha dëmtohej hapësira e jonë si nga aspekti territorial ashtu edhe ai demografikë. Në këtë kohë filluan shpërnguljet e mëdha si një nga elementet parësor të ndryshimeve demografike dhe luftimet për pushtime të reja në dëm të territorit dhe popullsisë shqiptare. E gjithë kjo sipas autorit ishte me bekimin dhe sipas planeve shtetërore për ndryshime etnike në viset shqiptare.

Më pastaj autori analizon të dhënat e S. Gopçeviqit mbi luftën për Tivarin. Këtu autori thekson se këto të dhëna janë autentike dhe objektive pasi që S. Gopçeviqi është dëshmitar okular i ngjarjeve të asaj kohe dhe se shkrimet e tij paraqesin objektivitet.

Në kumtesën çështja e Ulqinit dhe gjeopolitika e fuqive të mëdha (1880) autori analizon në tërësi mënyrën e shkëputjes së Ulqinit nga Perandoria Osmane. Këtu autori tregon se kërcënimet dhe shantazhet e Fuqive të Mëdha edhe në atë kohë kanë pasur sukses. Autori duke analizuar në thellësi këtë problematikë shkruan se si Fuqitë e Mëdha i’u kanë kërcënuar Perandorisë Osmane se po që se nuk e dorëzon Ulqinin do të sulmojnë qytetin e Izmirit. Ky kërcenim pati sukses sepse për Perandorinë Osmane shumë më mirë ishte të sakrifikonte Ulqinin sesa të hynte në luftë të drejtpërdrejt për qytetet në thellësi të territorit të saj me forcat perëndimore.

Ajo që këtë libër e bënë të nevojshëm për lexim jo vetëm nga profesionistet por edhe nga masa e gjerë është, analiza që i bënë autori periudhës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pozitës së shqiptareve në Mal të Zi. Pas Kongresit të Berlinit vjen periudha e formimit të shteteve kombëtare dhe harta e re gjeopolitike e Ballkanit. Këtu autori thekson se tokat shqiptare u dëmtuan shumë dhe u ndanë në shumë pjesë. Ky dëmtim nuk ishte vetëm në aspektin territorial por është në aspektin demografik duke e sjellë shtetin shqiptarë dhe popullsinë e saj si një nga faktorë me ndikim tepër të vogël politik dhe strategjik në këto hapësira.

Më pas autori analizon shtrirjen territoriale të vendbanimeve dhe popullsisë shqiptare në Mal të Zi. Ai këtë analizë e bënë në aspektin gjeografik dhe demografik duke shfaqur shifra të lëvizjes në kohë. Nga të dhënat e prezantuar nga autori konstatohet se numri i shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore rritet vazhdimisht si në vlera absolute ashtu edhe në vlera relative. Popullsia shqiptare në Mal të Zi rritet nga 19.425 banorë në vitin 1948 në 47.682 në vitin 2003, apo në vlera relative nga 5.15% në vitin 1948 në 7.09% në vitin 2003.

Autori gjithashtu në këtë libër bënë analizën hartografike dhe demografike të Shasit si vendbanim shqiptar. Autori me kompetencë të plotë propozon mundësinë e valorizimit turistik duke u bazuar në atraktivitetet natyrore dhe shoqërore të tija. Ajo që autori thekson në këtë libër është edhe shpopullimi i viseve malore të banuara me shqiptarë. Ky shpopullim vjen si pasoj e kushteve të rënda për jetesë në këto zona dhe mungesa e infrastrukturës përcjellëse. Popullsia e këtyre zonave kryesisht ka emigruar në botën e jashtme e gjithashtu edhe në viset urbane.

Krejt në fund autori i librit analizon dhe studion regjistrimin e fundit të popullsisë në Malin e Zi, me theks në mjedisin në zonat e banuara me shqiptarë në Malin e Zi si dhe indikatorët e zhvillimit në zonat e vijës kufitare Mali i Zi – Shqipëri. Nga e gjithë kjo autori konstaton se lëvizjet demografike sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2003 paraqesin një mjedis heterogjen për nga aspekti kombëtar me diversitete etnike. Sipas autorit çështjet mjedisore duhet të jenë prioritet veçanërisht në brezin Ulqin-Shkodër si zona të banuara me shqiptar dhe hapësira me zhvillim të lartë të turizmit. Nga kjo autori konstaton se edhe infrastruktura dhe investimet në ate, duhet të jenë të rregullta dhe të mirëfillta.

Nga e gjithë kjo autori konstaton së këtu kemi të bëjmë më një zonë të veçantë gjeografike e cila meriton një qasje profesionale nga strukturat qeveritare. E gjithë kjo sipas librit të autorit do të ndikonte në sqarimin e ecurisë së lëvizjes së popullatave dhe socio-politike të popullsisë shqiptare në Mal të Zi, e gjithashtu do të ndikonte edhe në kontributin e shqiptarëve në stabilitetin rajonal dhe integrimet në organizatat evropiane dhe botërore.
Bazuar në atë çka ka shtjelluar autori në këtë libër mund të konstatohet se ia ka arritur qëllimit dhe së vepra e tij përbën një thesar të çmuar për zonat e banuara me shqiptarë në Mal të Zi.

Prof. asoc. Dr. Florim Isufi
Prof. asoc. Dr. Shpejtim Bulliqi