KONTRADIKTAT POLITIKE E DËMTOJNË PERSPEKTIVËN E ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MAQEDONI

0
430
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për Platformë politike të nivelit kombëtar, për çështjen e pazgjidhur shqiptare në Maqedoni, me qëllime e detyra, strategji, përbërës, zbatues dhe afate të caktuara. Mungesa e kësaj Platforme nuk mbulohet me Deklarata të përbashkëta, ose të veçanta të partive politike, me kushte për pjesëmarrje në qeveri, as me deklarata individuale, qofshin ato edhe nga autoritete më të fuqishme në skenën aktuale politike. Sa më euforikë që të jemi ne shqiptarët, sa më jopraktikë, të pakoordinuar, pa një zë dhe qendër vendimmarrje të përbashkët, aq më tepër do të jemi humbës në betejat e ardhshme politike.

1. Sa herë u shpall ,,Republika e Iliridës” (me një kapital të madh politik, siç është Referendumi për Autonomi Politike Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni (1992), me Kuvend e Qeveri), nga viti 1992 e deri më sot, por asgjë konkrete nuk arritën shqiptarët në Maqedoni nga kjo; as që u analizua se sa ka mbështetje historike dhe praktike kjo ide, sa është e realizueshme, sa është e dobishme për shqiptarët, sa është vetë-përjashtuese nga koncepti i shtetit aktual në të cilin në vazhdimësi marrin pjesë aktive subjektet politike të shqiptarëve, jo me dhunë, por me vullnetin e manipuluar të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni!

2. Gjatë dhe pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, sa kontradiktorë kemi qenë ne shqiptarët, me organizimin e kryengritjes së armatosur me përmbajtje çlirimtare, kur përfaqësuesit legjitim, me mandat të fituar përmes zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, të pranuara nga faktori ndërkombëtar dhe nga vetë shqiptarët, po këta përfaqësues të shqiptarëve në pushtet, në asnjë formë, në asnjë mënyrë e në asnjë moment nuk i shprehën kundërshtim dhe moslojalitet pushtetit të këtij vendi, nga i cili me forcën e armëve u kërkuan të drejta kombëtare?!

Përfaqësuesit e subjekteve politike të shqiptarëve, pjesë aktive e pushtetit në Maqedoni, në të gjitha nivelet, ndaj të cilit u organizua kryengritja e armatosur, u bënë pjesë dhe nënshkrues të Marrëveshjeve më të rëndësishme, para dhe pas këtij konflikti të armatosur, si Deklarata e Prizrenit, Marrëveshja kornizë e Ohrit etj.

Nëse nënshkruesit e këtyre marrëveshjeve dhe dokumenteve më të rëndësishme, para, gjatë dhe pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, kanë qenë përfaqësues legjitim të shqiptarëve në pushtetin e Maqedonisë, atëherë pse nuk u njihën për legjitime edhe të drejtat e pjesëtarëve të këtij konflikti, dëshmorëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve?

Si mund të shpjegohet fakti që, edhe drejtuesve të konfliktit të armatosur, komandantëve, drejtuesve politikë dhe pjesëtarëve të logjistikës, t’u njihet e drejta për pjesëmarrje në pushtet në Maqedoni, në nivelet më të larta (parlament, qeveri, ministra e zëvendësministra të mbrojtjes dhe punëve të brendshme), ndërsa pjesëtarëve të zakonshëm, dëshmorëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të mos u njihen as të drejtat më elementare sociale?!

3. Sa Marrëveshje u proklamuan dhe u nënshkruan për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, si Marrëveshja kornizë e Ohrit, Marrëveshja e Marsit, Marrëveshja e Majit, në një formë edhe Marrëveshjet e Përzhinës 1 dhe 2, dhe, si mund të shpjegohet që asgjë nuk përfituan shqiptarët nga ato?

4. Sa herë u shpallën programe për bashkim kombëtar, edhe për shqiptarët në Maqedoni, por asnjë ndërmarrje konkrete, qoftë edhe në fushën e sportit dhe turizmit, nuk u realizua në këtë drejtim. Edhe vetë kryetari i Qeverisë shqiptare, në mes të Shkupit bëri thirrje të fuqishme për bashkimin e shqiptarëve, në 100-vjetorin e Pavarësisë, por asgjë nuk lëvizi për së mbari në të mirën e shqiptarëve në Maqedoni!

Sa më parë duhet ta ndërrojmë këtë kurs të demagogjisë dhe mashtrimit në dëm të çështjes shqiptare, veçanërisht të shqiptarëve në Maqedoni, sepse më tepër jemi duke i vuajtur pasojat nga dështimet politike të së kaluarës, nga patriotizmi i rrejshëm, euforia nacional-romantike, vetëm duke e ushqyer shovinizmin e armiqve tanë, se sa punojmë, veprojmë e ndërtojmë për të ardhmen e shtetit dhe kombit tonë.

KOHA ËSHTË PËR NDRYSHIME!

(18.03.2017)