Konsullata greke në Gjirokastër i ka hequr vizën e posaçme një banori të fshatit Sopik në Bashkinë Konispol vetëm sepse kishte deklaruar në emisionin “Gjurmë Shqiptare” të gazetarit Marin Mema në Top Channel, se fshati i tij në të shkuarën ishte me prejardhje shqiptare.
Po i njëjti emision denoncoi mbrëmjen e kaluar se si Odise Gremo u thirr në konsullatën greke në Gjirokastër, për t’u njohur me vendimin për revokimin e vizës, me anë të së cilës ai udhëtonte në shtetin fqinj për vizita mjekësore. Odise Gremo hyri në konsullatë i pajisur me një kamera të fshehtë, me anë të së cilës regjistroi reagimet e ashpra të nëpunëseve.
Ato i thanë se kishte bërë shumë gabim që kishte folur në televizion në atë mënyrë. Por veç komunikimit verbal, konsullata greke i dha një dokument Odise Gremos, ku ndër të tjera i shpjegonte se viza i hiqej për shkak të “shpërndarjes së propagandës shqiptare dhe mospasjes së ndërgjegjes kombëtare greke”.
Skandali vijon edhe më tej kur banori i Sopikut takohet me kreun e OMONIA-s në Livadhja, i cili i konfirmoi gjithashtu se viza i ishte hequr pikërisht për shkak deklaratës në Top Channel se fshati i tij është me origjinë shqiptare. Në videon më poshtë ndiqni denoncimin e plotë të emisionit “Gjurmë Shqiptare” dhe rrëfimin e Odise Gremos.
©argjirolajm.net