Mërgim Korça
Për herë të parë i a kisha dëgjuar emrin shumë dhjetra vite të shkuara e pikërisht në verën e vitit 1953, kur zoti Loro Kovaçi na thotë, të birit Toninit si edhe mua, se … âsht arratis’e ka dalë në Jugosllavi Dom Zef Oroshi … aj âsht pênd’e fortë e ka me i a diftue botës të tâna krimet qi janë kah i përfton këtu te na kjo diktatur’e mallkueme komuniste.!
Ne përjetonim vitet kur Shqipëria ishte i vetmi vend, i ashtuquajtur socialist, ku akoma vazhdonin e vepronin çetat e malit që luftonin për lirin’e vëndit!
Me këtë rast marr lejen e lexuesit të ve në dukje një fakt tejet mjeran.
Në Hungari, lëvizja kundradiktatoriale dhe kundrakomuniste zgjati veç dy vite derisa u shtyp me dhunë, zjarr’edhe gjak nga tanket hrushovjane.
Megjithatë, quhet (me të drejtë), Revolucioni Hungarez i 1956-ës dhe emrat e të rënëve janë të shkruar me gërma kubitale si martirë të atdheut. Kurse tek ne, ajo lëvizje kundrakomuniste e cila me çeta maleve zgjati për dhjetë vite, le që as i ka shkuar kujt në mëndje t’a emërtojë revolucion por as kryengritje jo.
Sa u takon pastaj emrave të atyre martirëve duke filluar nga organizatori kryesor si edhe udhëheqësi i asaj rezistence Mark Gjomarkaj e vazhdo me gjithë të tjerët, historia si edhe historianët shqiptarë jo që nuk i zenë në gojë si heronj të lëvizjes kundërkomuniste por përkundrazi, i kanë njollosur me balt’e tradhëtíra të rreme!
Që nga pohimi i zotit Loro Kovaçi u desh të kalonin që atëhere jo pak, por pikërisht pesëdhjet’e pesë vite, derisa të më binte në dorë libri me titullin “Një jetë e shkrirë për Fé e Atdhé”, kushtuar Monsinjor Dr. Zef Oroshit, nga miku si edhe kumbara i monsinjorit, autori Tomë Mrijaj.
Me kureshtje të madhe si edhe gjithë gëzim fillova t’a lexoja vëllimin. Ashtu si në pamjet që të paraqiten parasysh tek kundron brëndësín’e një kaleidoskopi, ashtu filluan të më duken, skenë mbas skene, rravijëzimet që paraqiste libri i tij.
Që në faqet e para kuptohej se vëllimi ishte shkruar nga dora e një personi i cili Monsinjorin jo vetëm që e kish njohur mirë por edhe kishte qen’ i afërt me të aq sa vetë Monsinjori fij’ e për pé, i kishte treguar rreth ngjarjesh, ndjenjash edhe rrethanash të ndryshëme të jetës Tij.
Doemos në vazhdim, dora dorës, autori sjell pastaj kujtime personale dhe i shtjellon ato për vite me radhë derisa vjen edhe çasti kur vetë autori përjeton pranë krevatit, kalimin n’Amëshim të Monsinjor Oroshi!
Zoti Tomë Mrijaj është nga ana tjetër edhe mik i afërt i Kapidan Ndue Gjomarkut. Ky i fundit, jo vetëm që është një personalitet i madh në vetvete, jo vetëm që ka luajtur rol të vyer si edhe aktiv si pjesëmarrës forumesh drejtuese të organizmave shqiptare në Perëndim përgjatë dhjetravjeçarëve që pasuan vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, por ka qenë shok’edhe mik i Monsinjor Oroshit që në rinín’e Tij të herëshme!
Kësisoji kuptohet qartë se fati e desh që, autori i vëllimit lidhur me Imzot Zef Oroshin, të kish në dispozicion burime sa të larmishme e po aq krejtësisht të posaçme të cilat nuk ka arkiv që t’ua verë në dispozicion hulumtuesve të zakonshëm.
Kush fillon t’a lexojë vëllimin në fjalë, që në fillim befasohet me një moment të cilin dua t’a nënvizoj.
Autori i vëllimit citon … “Burrë është ai që fal dhe mbi fatkeqësínë shtrin dorën e pajtimit, vendos besën e paqës, mirëkuptimit, respektit ndaj njeriut”.
Ky pohim është një konsideratë rreth trajtimit që i bën Kanuni i Maleve konceptit “besa e dhânun”, shprehur nga pinjolli i familjes së nderuar të Çokajve, Monsinjori i ardhshëm Dr. Zef Oroshi.
Mirëpo me këtë koncept ësht’i lidhur ngusht’edhe Ndrec Çoku, pararendësi i nderuar i Monsinjorit.
Që në hapat e para të jetës tij, Dom Zef Oroshi u mëkua me tharmin e etikës dhe moralit të Kanunit dhe në rastin konkret me paragrafin e tretë të nyjes njëqindenjëzet’e dytë (§856 i Kanunit) i cili thotë:
§856 – Shpija e t’vramit, po i dha besë dorërásit, ky edhe pse e vrau, ka me shkue në mort e në gjâmë m’e përcjellë t’vrámin deri n’vorrim e me ndêjë për drekë. Kjo besë njatë 24 sahat.
Ja pra me pak fjalë ngjarja të cilën na e sjell autori, zoti Tomë Mrijaj. Të parit të Çokajve i a kishin vrarë njerin nga djemtë. I gjithë fisi e ndiqte dorërásin. Ky, duke mos i parë derman vetes e duke e ditur se ç’burrë ishte Ndrec Çoku, (i ati i të vrarit), vete para kullës tij duke thirrur se i kërkonte besë.
Dhe malësori kreshnik mirditas i a dha besën e burrit 24 orëshe! Të nesërmen, mbasi u a kishte marrë besën 30 ditore burrave të familjes Çoku, e përcolli vrasësin e të birit sipas zakonit.
U ndala rreth kësaj ngjarjeje të jashtëzakontë, pikërisht për t’a theksuar momentin se si Dom Oroshi i ardhshëm, i cili si meshtár do t’a kish detyrë parësore të tijën “faljen e mëkateve”, ish i pregatitur që nga fëmijëria e tij për këtë rol njerëzor kulmor, që i u realizua me mbarimin e Seminarit Pontifikal të Shkodrës e pastaj duke u diplomuar në Universitetin e Urbinos në “Propaganda Fide” në Itali!
Në vazhdim autori i vëllimit, tek i a paraqit lexuesit rezistencën e armatosur të Mirditës si edhe të zonave të veriut mbas vendosjes diktaturës komuniste, si gurë themeli merr pohimin e Dom Zef Oroshit “… Mirdita prandej âsht masakrue dhe masakrohet gjithnji, posaçe të gjith krahinave të Shqipnis, sepse rezistencën qi ka gjetë dhe gjen aty qeverija e Enverit, nuk e ka gjetë aq të ashpër në asnji krahinë tjetër …”.
Miqësia e zotit Tomë Mrijaj me Kapidan Ndue Gjomarkun, i a ka krijuar mundësinë autorit të na sjellë në librin e tij letrën e datës 3 shkurt 1953 me informacion autentik që Dom Zefi i dërgon nga Mitrovica, (ku u arratis sepse në prag arrestimi nga ana e kriminelit toger Baba), mikut të tij të rinisë Kapidanit, mbi gjëndjen në Shqipëri.
Ai dokument nuk është një letër dërguar një miku, dhe aq, por është një analiz’e gjëndjes vajtueshme në të cilën ndodhej Shqipëria asokohe.
Pa i a hequr kërshërinë lexuesit t’a lexojë në kopje të origjinalit dokumentin, (tek libri i z. Tomë Mrijaj – M.K.), nuk mundem mos të ndalem në nja dy pika kulmore që Dom Zefi i a ve në dukje Kapidanit.
Në njerin nga kalimet ai pohon “… Me shum keqardhje, na duhet të thomi, qi kurrndonji herë nuk i âsht shtî popullit shqiptar sistematikisht nji përçamje aq e madhe, me parimin “divide et impera” (përçá e sundo – M.K.), sa ndër kohnat e sodit nga klika sunduese e Shqipnis; përçamje në familje, përçamje në fshatarsí, përçamje ndër qytetarë, shkaktue nga agjentat e “Sigurimit”, tue privilegjue të kqijt ose agjentat e tue e shtypë popullin me anën e tyne …”.
Në vazhdim Dom Zefi i a ve theksin nënështrimit të verbër të udhëheqjes shqiptare ndaj B.Sovjetik si edhe Stalinit dhe ndonëse brezat e moshuar e kanë përjetuar situatën që Dom Zefi i a përshkruan Kapidan Ndues, atyre jam i sigurtë se si edhe mua, tisi i harresës u a ka mbuluar atë.
Prandaj këto të vërteta duhen kujtuar e rikujtuar papushim se ndryshe harrohen.
Shkruan Dom Zefi ndër të tjera “… Për t’ia mbërrijtë kulmit të sovjetizimit, obskurantistët e Tiranës në gushtin e 1952 dekretuen nji ligj qi ndalon të gjithë librat qi janë shtypë para vjetit 1944, si në gjuhë shqipe edhe në gjuhë të hueja; marríja (çmenduría – M.K.) e shekullit të XX-të qi i u imponue popullit shqiptar e sidomos asaj pjese të vogël intelektualësh, qi ka mbetë gjallë akoma, nga Moska imperialiste-shoviniste!”
Kjo masë e qeverisë komuniste të cilën na e kujton zoti Tomë Mrijaj, nëpërmjet gojës Dom Zef Oroshit, duhet lexuar me vëmëndje nga brezat e rinj. Po nuk i dijtën dhe t’i mbajnë mirë parasysh këta trille të diktaturës komuniste në drejtim të zvogëlimit me dhunë të horizontit kulturor të popullit, mund të vijë një ditë që trille edhe më të dhunshëm mund të zbatohen nga udhëheqës paranojakë!
Dom Zef Oroshi ishte një intelektual i mirëfilltë dhe i formuar me kulturë të gjerë shumëplanëshe.
Me 16 qershor 1962, formon Shoqatën Katholike Shqiptaro – Amerikane dhe më 1965 ai njihet si Meshtar i Dioqezës së New York-ut. Mons. Oroshi, që në vitin e largët tashmë 1966, themeloi dhe botoi revistën Jeta Katholike Shqiptare të cilën e drejtoi për 12 vite radhazi.
Revista tematikën e saj e kishte në masën madhore natyre kishtare e gjithashtu kulturore. Mbas ndërprerjes ajo rifillon të botohet së rishmi në vitin 1995, nën drejtimin e dom Pjetër Popajt dhe vazhdon e botohet rregullisht.
Nuk ka se si të mos e mbushë me mallëngjim lexuesin shqiptar fakti se Dom Oroshi nga viti 1960 që u vendos në New York e deri në vitin 1969 meshat i ka ngritur në kisha amerikane derisa i mbështetur fuqimisht nga shqiptarët e diasporës ngriti kishën e parë shqiptare në Park Avenue të Bronx-it.
E kësisoji dora dorës, duke i lexuar faqet e vëllimit të shkruar nga miku i Dom Oroshit, Tomë Mrijaj, shtjellohet para syve të lexuesit jeta e këtij klerikut të shquar, intelektualit të mirëfilltë si edhe atdhetarit të skajshëm.
Viti 1970 shënon një pikë kulmore për Dom Zef Oroshin. Ai pritet në Vatikan në audiencë të posaçme nga Shënjtëria e Tij Papa Pali i VI-të.
Gjatë shkëmbimit të mendimeve të ndërsjella, Dom Zefi i dhuron Atit të Shënjtë botimin e shqipëruar prej tij të librit “Katër Ungjijt dhe punët e Apostujve”.
Me këtë rast Ati i Shënjtë, duke e vlerësuar lart punën e madhe të tijën në fushën e kulturës fetare, e nderoi Dom Zef Oroshin me titullin e lartë Monsinjor (Imzot – M.K.).
Çaste kulmore që duhen ndriçuar – Duke i dhënë një goditje të lehtë kaleidoskopit që na paraqit autori rreth jetës dhe veprës Dom Zef Oroshit, riorganizohen kristalet e ngjyrosura dhe si nga fundi i oqeanit del në sipërfaqe një moment madhështor të cilin kleriku i a ka pasë shpjeguar me të gjitha nuancat autorit të librit: bashkëpunimi ndërmjet Peshkopit Noli, Dom Zef Oroshit si edhe takimet e tyre me Arqipeshkvin e Bostonit, Eminencën e Tij Kardinal Cushing.
Thelbi i bashkëbisedimeve kishte qenë afrimi i Kishës Katolike Shqiptare me atë Orthodoksen, shëmbull ky i një ndjenje ekumenike madhore!
Në këtë vazhdë një shprehje e posaçme e konkretizimit të kësaj nisme ësht’edhe përshkrimi tejet i gjallë që i bëhet gjatë librit nga autori i tij, kremtimit madhështor që i u bë përvjetorit të 60-të të themelimit të Gazetës Dielli, ku moment tejet prekës është bashkëcelebrimi i meshës së Shënjtë nga Arqipeshkvi i New York-ut Terence Cardinal Cooke, tre dhespotët arbëreshë të ardhur nga Kalabria si edhe Dom Zef Oroshit!
Një nismë kjo ekumenizmi të mirëfilltë ku shiheshin të gërshetuara veprimet e ndërsjella të barinjëve shpirtërorë katolikë në vëllazërim të plotë me udhëheqësit shpirtërorë të ritit të krishterë bizantin.
Moment tjetër tejet kuptimplotë rreth pozicionimeve të Monsinjor Oroshit, i cili nuk ka se si të gjëndet në asnjë arkivë, por na sillet si dëshmí e gjallë dhe shum’e bukur nga i pranishmi në bisedë, zoti Tomë Mrijaj, është fragmenti i diskutimeve mes Monsinjorit dhe profesor Zef Nekës.
Ky i fundit, duke i u referuar tregimit të Monsinjorit me titullin “Çohaja”, (Bariu – M.K.), i mallëngjyer nga përshkrimet e lexuara në tregim shprehet me lot në sy “… un kam kja si fëmi për atë vend qi po e dishrojmë së gjalli. Ndoshta ai regjim i djallit nuk ka me na e dhanë mundësinë të kthehena e të çmallena me truellin t’onë, se çdo dit’e po plakena.”
Monsinjori mbasi e dëgjoi i u përgjigj “… Fajin e kena vetë e ma s’shumti na klerikët qi qindruem pasivë e nuk e organizueme popullin të çohej në kambë i madh e i vogël, në Veri e Jug të Shqipnisë, si ortek i madh bore e t’a luftote at murtajë qi na zhgatrroi n’temel”!
Sa prekës gjatë leximit të librit, përshkrimi që i bëhet çastit kur me nismën e Monsinjor Oroshit, ky i fundit si edhe zoti Tomë Mrijaj vajtën, qëndruan në heshtje në shënjë respekti, si edhe u lutën para varrit të patriotit të shquar Abas Kupit.
Dhe çasti kulmor ësht’ai kur Monsinjori pohoi se si kishte thënë meshë për dy vite me radhë për shpirtin e të ndjerit gjeneral Abas Kupit, i cili vetë i a kishte lënë amanet (por për një vit – shënim M.K.)! Moment vërtet madhor ky, ku mësohet se si një prelat i krishterë ngre meshë për një bektashí!
Si mos të preket lexuesi tek e përshkruan autori me thjeshtësi por edhe me mjeshtërí pohimin që kish bërë Monsinjori në një rast kur, i shoqëruar nga zoti Tomë Mrijaj, kishin shkuar tek varri i Mit’hat Frashërit dhe atje takuan krejtë rastësisht para varrit profesor Luan Gashin.
Mbas përshëndetjeve Monsinjori ishte shprehur “… Na jena krenarë sot para vorrit të Apostullit të Shqyptarizmës … gjithmon’e kam kujtue e kam m’e kujtue në lutjet e mija derisa të kemë frymë!”
Këto ishin disa nga çastet kulmore që desha t’ua vija në dukje lexuesve me shpresën se do t’u nxitet kërshëria t’a lexojnë të plotë vëllimin në përkujtim të kësaj figure të madhe që ka nxjerrë kombi ynë!
Pak konsiderata shtesë
– Vëllimin, materialet e të cilit fluturimthi u mundova sadopak t’i prek, jo rastësisht e krahasova me një kaleidoskop.
Dy fjalë tashti të shpjegoj cila qe shtysa t’a bëja një krahasim kësisoji. Personalisht kam lexuar shumë libra përshkruese figurash të shquara.
Padyshim që në mes lexuesve të këtyre radhëve do të ketë persona që kanë lexuar edhe më shumë se unë libra të kësaj gjiníje.
Por mendoj, se e përbashkëta e jonë, dora dorës që përparonim në leximin e faqeve që autori i ka kushtuar Monsinjor Zef Oroshit, qëndron në faktin se ky libër ka një veçorí krejtësisht të posaçme i krahasuar me librat e tjerë: leitmotivi padyshim që është figura e Monsinjorit.
Mirëpo, gjatë kthimit të faqeve të librit lexuesi ndeshet fillimisht si pa e vënë re e pastaj dora dorës e sheh se ka të bëjë me një libër ku krahas figurës qëndrore, së cilës edhe i përkushtohet ky vëllim, mësohen ngjarje, botime si edhe njihet me hollësira rreth personalitetesh, të cilat të qëmtoheshin veç e veç do të kërkonin kohë të madhe të gjurmoheshin!
Kështu, teksa autori zë në gojë se në personin e Monsinjor Oroshit shkriheshin në një Feja si edhe Atdheu, mësime këto që i a kishin mëkuar udhëheqësit shpirtërorë si edhe profesorët e tij Patër Gjergj Fishta si edhe Dom Ndré Mjeda, mësohet njëkohësisht se në Shkodrën e vitit 1891 funksjononte shtypshkronja me emrin “Shtypshkroja e Zojës së Papërlyeme”, (pronë e Kolegjit Saverian të Shkodrës – M.K.), e cila i filloi botimet me të përkohëshmen “Elçija e Zemrës së Krishtit”!
E pastaj jepet një informacion rreth shtypshkronjave të ngritura në vazhdim si edhe emrat si edhe periudhat e botimeve të dhjetra e dhjetra gazetave, revistave si edhe të përkohëshmeve të ndryshëme!
P.sh. mësohet se që më 1904 në Romë ka filluar botimi i revistës fetaro – patriotike “Lajmëtari i Shqipërisë” (L’Araldo d’Albania), ose në Napoli (1904-1906) botimi i revistës “Shqyptari”, e nuk mund t’a lemë pa e zënë në gojë faktin se mësohet që në Shkodër, në atë qytet të lashtë si dhe vatër kulture të herëshme fetare dhe kombëtare, qendër ku më hollësisht se askund tjetër në qytetet e trevave shqiptare njihej e analizohej me drejtpeshim Kanuni i Maleve, që më 1920-ën është botuar revista “Grueja Shqyptare”.
Përse më la shumë mbresa tek e mësova këtë fakt? Sepse mund të duket e pabesueshme por gratë italiane e kanë fituar të drejtën e votës në vitin 1925!
Por ka edhe më keq akoma: grave zvicerane kjo e drejtë i u dha hiç më parë por në vitin 1972!
Prandaj informacionet anësore që jepen në vëllimin e zotit Tomë Mrijaj, krahas vetë temës qëndrore rreth personalitetit të Monsinjor Oroshit, janë aq të larmishme dhe të vyera sa që mua personalisht ky vëllim mu duk me vënd të krahasohet me një kaleidoskop për vetë larmín’e shtjellimeve që sjell para lexuesit!
Nga ana tjetër, paralelisht trajtimit të figurës qëndrore të librit, informacion hera herës edhe i gjerë, jepet për personalitete të shquara që historiografia komuniste jo që i ka përbaltur por edhe mohuar si p.sh. Atë Danjel Gjeçaj O.F.M., Tajar Zavalani, profesor Ernest Koliqi, Dom Ndré Zadeja, Atë Andrea Nargaj O.F.M., profesor, dr. Rexhep Krasniqi, etj., etj.
E për t’a mbyllur me një informacion anësor por tejet interesant dhe të vyer, është përshkrimi që profesor Karl Gurakuqi i bën legjendës se si me vrasjen e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut si edhe dyndjes së ushtrive otomane në trevat shqiptare, fugura e Zojës së Këshillit të Mirë nga Kisha e Zojës rrëzë Kështjellës Rozafatit u ngjit në ré, kaloi mbrekullisht detin Adriatik dhe zuri vënd në Kishën e Genazzano-s në Itali ku gjëndet edhe një pllakatë përkujtimore e vendosur në vitin 1932, që përkujton pelegrinazhin e 340 shqiptarëve të kryesuar nga Arqipeshkvi i Shkodrës Monsinjor Lazër Mjeda si edhe gjashtë hierarkët e kishës së tij ku u lutën që Zoja e Këshillit të Mirë të kthehej nga Genazzano-ja në Kishën e Zojës në Kalan’e Shkodrës. Pllakata ësht’e nënëshkruar nga Imzot Luigj Bumçi.
Në përmbyllje, dëshiroj t’i kujtoj lexuesit të këtyre radhëve se të shumtë janë njerëzit që kanë njohur njerëz të shquar e doemos kanë ruajtur edhe kujtime prej tyre.
Një pjes’e atyre kujtimeve u është thënë të tjerëve ndërsa pjesa më e madhe … janë harruar së bashku me bartësit e tyre.
Kësisoji shumë të pakët janë ata që kujtimet e tyre i kanë hedhur në letër. Sado të varfra që të kenë qenë për nga stili i të shkruarit ato fletë të shkruara, ato janë si vera e ruajtur me kujdes e cila, sa më shumë kalon koha, aq m’e vyer bëhet.
Doemos pastaj kur gërshetohet stili i përshkrimit me madhështin’edhe të personalitetit që përshkruhet, ato u përcillen pastaj brezave pasardhës si kryevepra.
Prandaj, desha t’i mbyll këto radhë duke shprehur mbresat që më la vëllimi i shkruar nga zoti Tomë Mrijaj duke e cilësuar jetën e Monsinjor Zef Oroshit si një “Jetë e shkrirë për Fé e Atdhé”!
Autori, nuk e kujton Monsinjorin vetëm si kumbarën e katër fëmijëve të tij. Jo. Ai nuk hedh në letër një profil të një djaloshi i cili i mëkuar me mësimet e fésë e të atdhedashurisë por edhe me etikën dhe moralin e mirëfilltë që përçonte me zbatimin e tij në popull Kanuni i Maleve (kur nuk kishte shtet ligjor), studjon, bëhet famullitar dhe i shërben me përvuajtje popullit të krahinës tij.
Jo, as vetëm me përshkrimin e kësaj ane të Monsinjorit të ardhshëm nuk kufizohet autori.
Nga leximi i vëllimit, dora dorës para lexuesit paraqitet një meshtár me karakter të fortë, një malësor mirditor me tipare si të gdhendura në granit i cili di, kur toger Baba i tmerrshëm i vinte qark t’a arrestonte, edhe t’i marrë leje vëllait të madh që të arratisej nga Shqipëria, por nga ana tjetër edhe shkrihet në lotë dhimbjeje tek mëson vuajtjet e familjarëve të tij nëpër kampet e internimit të diktaturës.
Mirëpo edhe me kaq nuk merr fund përshkrimi i këtij kleriku shumëplanesh.
Ky personazh i shquar përshkruhet edhe se ç’vepra madhore të shkruara la mbas vetes së tij si në fushën e predikimit katekizmit të përshkuar nga fryma ekumenike por gjithashtu edhe si njeri me nisma edhe largpamje praktike n’udhëheqje ku kishën e themeluar prej tij veç shërbimit themelor që ajo kishte e konceptoi edhe si çerdhe patriotike!
Prandaj, nuk më mbetet gjë tjetër t’i them autorit të vëllimit, zotit Tomë Mrijaj, veçse:
Ju falënderoj nga zemra për këtë dritë që hodhët mbi jetën dhe veprën madhore të Monsinjor Zef Oroshit e gjithashtu për kaleidoskopin e veçantë letrar, që na paraqitët nga i cili gjithsecili ka se çfarë të mësojë! (Michigan, USA)