KONKURRENCA POLITIKE DHE EKONOMIKE NË KONTEKSTIN E KOSOVËS

0
358
Muhamet Sadiku

Prof. Muhamet Sadiku

Pas çlirimit, në vitin 1999, si rezultat i angazhimit kombëtar dhe ndërkombëtar, ngase kishte trashëguar pasojat e sistemit kolonial dhe të ekonomisë së tregut të centralizuar, Kosova filloi të ecë nga zero. Vendet ish – komuniste e filluan transicionin me resurse të shumta të sistemit socialist, duke i transformuar ato, kaluan me sukses deri te demokracia dhe ekonomia e tregut. Kosova nuk e arriti këtë gjë, ngase fillimi përballej me shkatërrime dhe dëme serioze. Bashkësia ndërkombëtare e vendosi Kosovën në një protektorat ndërkombëtar, duke synuar zbutjen e shkatërrimeve dhe vendosjen e kornizave të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Për të bërë këtë mbi bazë të përvojës së jashtme, ishte krijuar një legjislacion adekuat. Çdo gjë dhe çdo sektor duhej të vendosej në kornizat e zhvillimit demokratik dhe të ekonomisë së tregut: sistemin zgjedhor, formimin e institucioneve politike dhe ekonomike. Para se të definohej statusi përfundimtar politik, synohej që të funksiononte shoqëria demokratike dhe zhvillimi i praktikave të kapitalizmit nëpërmjet pronës private dhe liberalizimit tregtar. Kosova e kuptoi shpejt rrugën e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Kësaj i kontribuoi  edhe liberalizimi i tregut, edhe pse në rrethana ku mungonin kapacitetet ekonomike.

Në kuadër të krijimit të institucioneve demokratike u aprovua legjislacioni i zgjedhjeve, i cili pati sukses që të fillim. Kosova për herë të parë organizoi zgjedhjet lokale dhe nacionale, në rrethanat e mungesës së kulturës demokratike moderne. Në ofertën konkurruese për gara politike, u gjendën liderët e partive / grupeve të ndryshme politike. Kjo u organizua duke zgjedhur individë të njohur për mjediset e ndryshme, fiset dhe blloqet politike të trashëguara. Kjo me siguri se nuk rezultoi në vendosjen e zgjedhjeve në platformën e programeve politike dhe ekonomike. Kësaj situate iu përshtat dhe votimi familjar, fisnor dhe rajonal i Kosovë. Kjo ishte e arsyeshme duke pasur parasysh krijimin e disa bastioneve të grupeve politike (Drenica, Dukagjini, Podujeva, Prishtina, e të tjerë). Në këto rrethana zgjedhjet nuk ishin në funksion të konkurrencës politike. Kishte konkurrencë në mes liderëve, e jo në mes ideve, programeve dhe projekteve.

Në disa zgjedhje morën pjesë më shumë qytetarë, sesa ishin të regjistruar (2010). Kjo në masë të madhe e deformoi rezultatin e zgjedhjeve. Me kalimin e kohës u bënë disa ndryshime me futjen në garë të disa grupimeve politike, me rritjen e vetëdijes për progres dhe shtet ndërtim si dhe për sforcimin e idesë evropiane. Kjo ka rëndësi për të kuptuar realitetin politik dhe ekonomik e në veçanti rrugën evropiane; gjithnjë më pak patën sukses premtimet boshe dhe jashtë perspektives dhe mirëqenies ekonomike.

Dihet  se faza e fundit e transicionit politik është kultura demokratike, që është një proces i gjatë. Këtë e dëshmon edhe Kosova, e cila është në proces.

Një aspekt i rëndësishëm i kësaj kulture është formimi i koalicioneve dhe pranim – dorëzimi i pushtetit. Një kohë pas luftës me angazhim të madh të bashkësisë ndërkombëtare u formuan koalicionet e para. Në mes  grupimeve politike kishte animozitete dhe mungesë gatishmërie politike për të qeverisur së bashku. Tani ky proces është duke u përmirësuar, ngase ka më pak përjashtime. Partitë politike tanimë, bëjnë përpjekje që në qeverisje të kenë objektiva dhe prioritete të harmonizuara. Dhe një aspekt esencial i kulturës demokratike mbetet pranim – dorëzimi i pushtetit. Një kohë ky proces bëhej në kuadër të ombrellës së protektoratit ndërkombëtar. Edhe më vonë në rrethana të reja, kjo po bëhet pa pengesa. Megjithatë, duhet pranuar se me formimi e Qeverisë jolegjtime të fundit, mungoi pranim – dorëzimi si akt demokratik. Mbetet premtuese se edhe në të ardhmen do të kuptohen rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i institucioneve qeveritare. Të gjitha këto procese me kohë do të bëhen platformë e një konkurrence politike. Kosova ka përparësi të mëdha në këtë aspekt në krahasim me demokracitë e tjera të reja në kontinentet e tjera, ngase është pjesë e Evropës dhe në afërsi të BE – së. Nga kjo rrjedh mundësia e të mësuarit nga përvoja të mira.

Deri më tani Kosova u ballafaqua me çështje të rëndësishme, zgjidhja e të cilave do të krijonte një platformë për zhvillim për të gjithë. Edhe çështjet më të vështira ekonomike dhe sociale, do të drejtoheshin me qeverisje transparente dhe llogaridhënie. Na kujtohen çështjet e demarkacionit, liberalizimi i vizave, korrupsioni, klientelizmi dhe politizimi i disa institucioneve ligjërisht të pavarura. Po të krijohej një konkurrencë politike zgjedhore dhe paszgjedhore dhe në funksionimin e institucioneve, nuk do të zvarriteshin disa çështje që e pengojnë prosperitetin politik dhe ekonomik. Zhvillimet e deritanishme tregojnë se, megjithatë, ekziston edhe një Kosovë e paangazhuar në partitë politike. Kjo Kosovë ka potenciale të mëdha shkencore për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës sipas standardeve dhe kritereve të Bashkimit Evropian.

Për Kosovën si shtet evropian i ri dhe i vogël, ka rëndësi zhvillimi i konkurrencës ekonomike. Kjo bëhet në bazë të një legjislacioni komercial me standarde të BE – së. Në këtë rast mendohet për veprimin e ligjeve të konkurrencës dhe të lojës konkurruese. Tregu i Kosovës, menjëherë pas luftës, i qe ekspozuar liberalizimit tregtar, importit të lirë dhe pa ngarkesa jodoganore. Në mungesë të veprimit të pushtetit ligjor u zhvilluan edhe disa procese të tjera ekonomike: Mjedisi biznesor, themelimi i ndërmarrjeve të reja private, privatizimi, investimet e jashtme e të tjera. Jashtë  procesit të transformimit efektiv kanë mbetur ndërmarrje publike të mëdha: Telekomi, Trepça, gjenerimi i energjisë e të tjera. Me transformimin e këtyre ndërmarrjeve do të futeshin elemente të konkurrencës në tregun e Kosovë. Pengesë e madhe e rritjes së efektivitetit ekonomik në ndërmarrjet publike mbetet politizimi i skajshëm në qeverisjen e tyre jashtë parimeve të qeverisjes korporative sipas parimeve të OECD – së. Pronari i tyre ka lejuar qeverisje politike dhe emërtime politike të menaxhmentit dhe të bordeve, duke injoruar ekspertizën profesionale dhe llogaridhënien. Zakonisht, pas çdo qeverisjeje pasojnë zëvendësimet në menaxhment dhe borde.

Një strukturë politike në qeverisje zëvendësohet me një strukturë politike të qeverisë pasuese. Po të bëhej angazhimi në këto ndërmarrje me struktura profesionale, atëherë nuk do të kishte nevojë të bëheshin veprime thjesht politike. Këto emërime vetëm politike janë reflektuar tejet negativisht në këto ndërmarrje. Kështu përderisa ishte monopol, Telekomi i Kosovës realizonte të hyra që i mundësonin qeverisë të merrte në miliona si dividenta. Si rezultat i politizimit, disa biznese të suksesshme u përballen me rreziqe të funksionimit. Me menaxhment dhe borde politik, edhe pas shumë viteve, nuk ndodhi asgjë me shumë në ndërmarrje publike. Kështu, duhet theksuar se Trepça nuk mund të funksionojë vetëm me 300 minatorë. Minatorët nuk mund t’i mbulojnë dështimet e pronarit. Qeverisja e deritanishme ka mungesë të llogaridhënies. Ende asnjë qeveri nuk e ka bërë një studim serioz lidhur me funksionimin e sektorit publik si dhe me kontributin e tij në zhvillim ekonomik. Konkurrencën ekonomike duhet trajtuar në kontekst të cilësisë së qeverisjes me rritje dhe zhvillim ekonomik. Zakonisht flitet për parimet dhe përbërësit e qeverisjes së mirë.

Krahas qeverisjes administrative nga administrata ndërkombëtare, Kosova s’ka mundur të krijojë një qeverisje të mirë pasi që kjo ishte nën  ndikimin e shumë faktorëve të klientelizmit, korrupcionit dhe mungesës së dijes për qeverisje me politika ekonomike. Kështu, në vend të drejtimit të duhur kishin ardhur në shprehje shumë elemente: interesat fisnore, rajonale – politike, klintellizmi dhe forma më primitive qeverisja “pa kokë dhe bisht” gjatë qeverisë së fundit. Kjo lidhet me vendimarrje që nuk bazohej në objektiva dhe prioritete të përcaktuara të zhvillimit.

Ky model i qeverisjes së kotë, synim kishte rishpërndarjen e mjeteve buxhetore, e jo rimëkembjen ekonomike me qëllim të stabilizimit të rrjedhave ekonomike dhe krijimin e vlerave të reja. Rasti i zëvendësimit të bordeve politike të ndërmarrjeve publike me borde politike klienteliste, tregon më së mirë për cilësinë e qeverisjes. Në përgjithësi qeverisja duhet të stimulojë krijimin e një mjedisi konkurrues, e jo të mjedisit klientelist.

Për situatën aktuale të konkurrencës së tregut të Kosovës dëshmojnë shumë studime ndërkombëtare (Banka Botërore, USAID, Fredom House, e të tjerë). Sipas këtyre studimeve faktorët me ndikim negativ në mjedisin konkurrues të vendit janë: moszbatimi i kontratave, mosmbrojtja e të drejtave të investitorëve minoritarë, korrupsioni e të tjera. Këto të gjetura ende nuk luftohen me politika dhe praktika ekonomike. Nuk duhet lënë anash as ndikimin e pabarazisë në treg (tenderët), keqpërdorimin e burimeve, klientelizmin ekonomik dhe shumë dukuri të tjera negative. Në një treg të ngarkuar me këso pengesash dhe praktika të antitregut, nuk duhet pritur rritjen e investimeve të huaja. Investitorët e huaj tregojnë interesim për tregje konkurruese dhe mjedis miqësor për investimin e kapitalit të tyre. Sipas raportit të BB – së për bërjen e biznesit në botë, Kosova, sipas pengesave, ka rangim të pavolitshëm: e 160 – a në botë sipas vendimeve të ndërtimit, e 128 – a sipas mbrojtjes së të drejtave të investitorëve të vegjël, e 90 – a sipas furnizimit me energji elektrike, e 53 – a  sipas zbatimit të kontratave, e 48 – a sipas pagimit të taksave e të tjera. Me këto pengesa nuk krijohet tregu konkurrues dhe atraktimi i  investitorëve të jashtëm.

Rritja e pakontrolluar e punësimit në sektorin publik e ka dobësuar mjedisin konkurrues të tregut. Kështu numri i madh i këtij punësimi ka bërë që të rriten kostot e punës administrative  si % e BPV për njësi. Me këto kosto eksportet e Kosovës bëhen më të shtrenjta dhe jokonkurruese në tregun botëror. Kur kësaj i shtohen barra e korrupsionit, ekonomia joformale, pabarazia në treg, klientelizmi dhe mungesa e llogaridhënies në qeverisje me rritje dhe zhvillim ekonomik, krijimi i tregut konkurrues ekonomik të Kosovës mbetet i paqartë. Pikërisht pikësynim i BE – së me rastin e nënshkrimit të MSA – së ishte krijimi i kapaciteteve konkurruese në shumë sektorë,  gjë që edhe pas disa viteve, nuk është arritur. Disa shteteve u janë nevojitur më shumë se 10 vjet për të përmbushur objektivat e duhura.

Shtrohet çështja se me qeverisje aktuale, sa kohë do t’i duhen Kosovës t’i arrijë këto objektiva. Nëse synojmë integrimin në BE, atëherë qasja duhet të jetë tejet profesionale. MSA nuk realizohet sipas stilit të zgjedhjes së bordeve politike në ndërmarrjet publike dhe të agjencive të pavarura. BE kërkon kompetenca profesionale. Për zhvillimin e kapitalizmit modern tregu konkurrues bëhet fuqi e madhe e zhvillimit, prandaj duhet bërë përpjekje që krahas zhvillimit të konkurrencës politike, të krijohet edhe konkurrenca ekonomike. Vetëm në këto rrethana do të japin efekte ndihma ndërkombëtare dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta.

Çështje të veçantë në Kosovë paraqet qeverisja e borxheve të jashtme. Kosova, për fat,  ende mbetet me nivel mesatar të borxheve të jashtme në raport me BPV-në (16 %). Mirëpo, edhe në këto rrethana duhet të krijohet një cikël logjik i projekteve që financohen me këto mjete dhe të planifikohet koha e kthimit të tyre. Në mungesë të qeverisjes efektive, shumë hua të lidhura me projekte konkrete mbesin të pashfrytëzuara.

Me këtë rast duhet theksuar lejimin e mjeteve të jashtme për hekurudhat e Kosovës dhe mosrealizimin e projekteve. Qeverisje kërkohet edhe për mjetet buxhetore dhe për mjetet e jashtme. Në vitet e fundit janë realizuar projekte të mëdha të rrugëve, por duhet theksuar mungesën e qeverisjes efektive të kohës dhe të tejkalimit të projekteve. Edhe me këso projektesh Kosova duhet ta forcojë konkurrentshmërinë e saj.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar