Nga Ferit HOXHA
Mbajtja e Kongresit të Manastirit për alfabetin shqip më 14-22 Nëntor 1908, ishte pavarësia e parë e kombit pas epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut…!!! “Gjuha është pasuri dhe zhvillim, është e drejta e identitetit të një kombi, ndërsa njeriu i kulturuar është ai që shkruan, ka kulturën e vet dhe gjen mënyrën për ta treguar“.
Paraardhësit tanë në rrethana të vështira dhe jo të favorshme historike kanë luftuar për të drejtën e krijimit të një alfabeti të vetëm dhe të një gjuhë të përbashkët për verifikimin dhe afirmimin personal të tyre në botë dhe ia arritën. Gjuha është shpirti i një kombi dhe alfabeti është një thesar i kulturës që ka të bëjë me të shkuarën e tij historike. Nuk është thënë rastësisht: “Sa gjuhë njihni, aq vleni“!
22 Nëntori, është ditë e shënuar për Shqipërinë, Kosovën, Shqiptarët e Maqedonisë dhe për të gjithë diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit Shqip, pasi Kongresi i Manastirit në vitin 1908 miratoi alfabetin e unifikuar, i cili sot përdoret si një vetëidentifikim dhe promovim i të gjithë shqiptarëve në ngjarjet e historisë kombëtare.
Manastiri, qyteti i konsujve, muzikës dhe i legjendarit Mustafa Qemal Ataturk, sot e thekson bukurinë e tij si një konglomerat i civilizimit të ndikimeve kulturore e proceseve të zhvilluara kudo nëpër rrugët e Shirok Sokakut.Jo rastësisht në këtë qytet është mbajtur Kongresi Manastirit dhe unifikimi i Alfabetit Shqiptar i përdorur sot nga i gjithë kombi.
Kumtesa e mbajtur në ketë kongres nga Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit e atij kuvendi. Kërkesa e kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve.
Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetet e tjera, dhe gjuha shqipe të shkruhej vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, i cili përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vitesh në Janinë të mbahej një kongres i dytë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.
Duke qenë se para Kongresit të Manastirit gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.
Me telegramin që Fishta i dërgoi nga Manastiri më 22 nëntor 1908 abatit Preng Doçi në Shkodër, shkruhet: “Çështja e alfabetit u zgjidh. U pranuen me pak ndryshime alfabetet e “Frashërit” e “Bashkimit” e çdo tjetër u përjashtue”.
Në Kongresin e Manastirit At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, përfaqësuan shoqërinë “BASHKIMI” me qendër në Shkodër, pasi shoqëria “Bashkimi” kishte hartuar alfabetin shqip që në vitin 1899 kur u themelua( pra 9 vite para Kongresit të Manastirit).
Shoqëria “Bashkimi” kishte dalë me gërmat shqip dhe ky alfabet u propozua nga Fishta në Kongresin e Manastirit, ku pas shqyrtimit, Kongresi vendosi që alfabeti i “Bashkimit” të jetë alfabeti i vetëm kombëtar i gjuhës shqipe.
Pas miratimit të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, Abdyl Frashëri shprehej: “Evropa na ka njohur si njerëz të luftës, tani ajo do të na njohë edhe si njerëz të punës dhe përparimit”.
Në Kongresin e Manastirit (i quajtur si Kongresi i Alfabetit Shqip,14-22 nëntor 1908), nga 50 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj, kryetar i komisionit të Kongresit u zgjodh GJERGJ FISHTA, pasi At Gjergj Fishta ishte një nga luftëtarët më të mëdhenj për çështjen kombëtare të popullit shqiptar, kurse sekretare e komisionit të kongresit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë.
Në Kongres merrnin pjesë shqiptarë të fesë myslimane, katolike, ortodokse dhe protestante, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar, duke lënë mënjanë përdasitë fetare e politike e duke vënë mbi të gjitha interesin e të qënit shqiptar.
Kongresi i ABC-së shqipe i mbajtur në Manastir (14-22 nëntor 1908,) zgjodhi komisionin e hartimit të alfabetit si më poshtë vijon;
Kryetar i Komisionit: Gjergj Fishta
Nënkryetar: Mithat Frashëri
Sekretar : Luigj Gurakuqi
Anëtarë : 1. Ndre Mjeda,
2. Bajo Topulli, 3. Sotir Peci,
4. Gjergj Qiriazi,
5. Shahin Kolonja …
Në këtë shkrim nuk mund të lëmë pa përmendur mbështetjen që i dhanë këtij Kongresi disa bendas kurbetlinj në Manastirin e Maqedonisë gjatë asaj periudhe. Edhe pse nuk ishin të ftuar, ata si anëtarë të Shoqërisë “Bashkimi” ndihmuan si për përgatitjen e Kongresit, ashtu edhe për strehimin dhe ushqyrjen e delegatëve. Një ndihmë të vyer në këtë drejtim dha Ymer Ramhoxha (Ymer Efendiu) siç e thërrisnin, i cili mori pjesë në Kongres, pa të drejte vote. Pjesëmarrja e tij në Kongres zbulohet nga autoritetet turke të cilët i vihen në ndjekje, por Ymer Efendiu me ndihmën e një mikut të tij arrin të largohet dhe të mos bjerë në dorë të Turqve.
Gjatë kësaj kohe si kurbetlinj ishin edhe katër kushërinj të fisit Hoxha nga Selita e Malit.
Abdi Hoxha i cili merrej me tregtinë e miellit, Elmaz Hoxha (nipi i tij, djali vëllait), i cili kishte një furrë buke, (akshihane) restorant dhe një ndërtesë që përdorej si (han) hotel e që ndodhej përballë hotel “Iliria” ku u mbajt Kongresi, Avlla Hoxha ( vëllai Elmazit i cili rrinte bashkë me të), si dhe Bajram Hoxha ( një kushëri i tyre i cili ndodhej familjarisht në Perlep).
Ndihma dhe kontributi i këtyre bendasve është botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit” të motrave Qiriazi nga publicisti e atdhetari përparimtar Mihal Grameno, si dhe në gazetën e asaj kohe “Liria”, të përshkruara nga poeti atdhetar Josiv Bagëri, si dhe shkrime t
Me anë të këtij shkrimi, ku përbëhet kryesisht nga materiale të marra nga arkiva të ndryshme, kam pasur si qëllim kryesor freskimin e memories për këtë ngjarje historike të kombit tonë e sidomos sensibilizimin e brezit të ri me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit!
Më poshtë po risjellim në kujtesë edhe rolin e njerëzve të dijes, në skalitjen në vargje të atyre vlerave për të cilat luftuan e që shpesh edhe rrezikuan për kombin.
HYMNI I ALFABETIT
Sot ësht’ dita, shqipëtarë, të përpiqemi,
Alfabetin ton’ ta mbrojmë.
Shpejt, o burrani!
Shkronjat tona jan’ të arta,
Këto duam ne.
Refreni:
Shqipëri, atdhe i dashur, ne s’të lëmë ty të varfër. (2x)
Armiqtë, o shqipëtarë,
Po përpiqenë,
Shkronjat turçe dhe greqishte
Të na japinë.
Le t’i mbajnë ato për vete,
Kemi tonatë.
Refreni:
Shqipëri, atdhe i dashur, ne s’të lemë ty të varfër (2x)
Parashqevi Qiriazi
U lumtë burrave të Shqipërisë,
U lumtë atdhetarëve të shtrenjtë,
Themel me nder që i vunë kombësisë
Që mbushën një detyrë sot të shtrenjtë,
Kudo në botë shtyllë është dija,
Kudo ajo shkëlqen me rreza t’arta,
Ndriton njerinë s’ është si bagëtija
Po i derdh në zemër ndjenja gjithë të larta.
Asdreni
GJUHA SHQYPE
Përmbî zâ, që lshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, që nep zymbŷli,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u ‘da s’duron,
fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Ndre Mjeda
Respekt dhe mirënjohje nga Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda, Ferit Hoxha