Kongresi i Lushnjes, që shpalli Tiranën kryeqytet, në 100 vjetorin e tij…

0
631
Shtëpia e Kongresit të Lushnjës

Ruben Avxhiu, IllyriaPress.com

Ishte mbase shumë simbolike që dy personazhe në përkujtimin e Kongresit të Lushnjes ishin kryetari i Kuvendit të sotëm, Gramoz Ruçi, ish-ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës komuniste që e mbyti për gati gjysëm shekulli eksperimentin e demokracisë shqiptare dhe Princi Leka II pasardhësi i Mbretit Zog. Ky i fundit ka një rol të jashtëzakonshëm ne hedhjen e themeleve të shtetit modern shqiptar (thuhet, por më keq se sot ishin punët), po nga ana tjetër duke u shpallur mbret vulosi precedentin e parë të minimalizimit të rolit të parlamentit shqiptar në fatet e kombit.

Këto do të kishin më pak rëndësi, nëse nuk do të gjendeshim përpara realitetit të hidhur që në 100-vjetorin e parlamentit të parë shqiptar, Shqipëria vjen pa një parlament normal.

30 vjet pas rënies së komunizmit, vendi ende nuk krijon e mban dot një parliament përfaqësues e funksionues.

Shqipëria e re paskomuniste u modelua si një republikë parlamentare, po me përjashtim të viteve 1991-1992, nuk funksionoi asnjëherë si e tillë. Fillimisht ishin parlamentarët demokratë që humbën betejën me presidentin e fuqishëm Sali Berisha. Një pjesë u larguan duke formuar parti të tjera. Shumica e atyre që mbetën u ndërruan me të tjerë “me një të rënë të lapsit” nga udhëheqësi historik i Partisë Demokratike.

Deputetët socialistë gëzuan një lloj pavarësie se as presidenti Rexhep Meidani e as kryeministri Fatos Nano nuk vinin dot nën kontroll të gjitha grupet në Partinë Socialiste. Po viti 1997 në vend që të rikthente besimin te institucionet vetëm sa uli pritshmëritë për to. Për opozitën e re ai ishte thjesht “parlamenti i kallashëve”.

Në fund të dekadës së parë të demokracisë dhe fillimin e dekadës së dytë, pushteti real kaloi përfundimisht nga presidenca te qeveria, por parlamenti nuk rifitoi dot dinjitetin e humbur. Sa më shumë fuqizohej proporcionali në sistemin zgjedhor aq më shumë deputetët bëheshin përfaqësues të kryetarëve të partive sesa të popullit në emër të të cilit zinin vend në karriget e legjislativit.

Socialistët gjetën më në fund te Edi Rama, versionin e tyre të kryepartiakut të fortë që i kthen deputetët në ushtarë të bindur.
Ligjet në letër ua lënë deputetëve fuqinë për të caktuar e rrëzuar kryeministrin e vendit. Mirëpo, 30 vjet pas rënies së komunizmit, në Shqipëri vazhdon të ketë më shumë fuqi urdhëri politik e partiak sesa ligji në letër.

Kryeparlamentarë si Jozefina Topalli dhe Ilir Meta kishin ambicje personale dhe u përpoqën në mënyrat e tyre që të forconin rolin e Kuvendit. Po as ata nuk shkuan aq sa të përplaseshin hapur me kryeministrin e kohës, Sali Berisha.

Sikur të mos mjaftonte imponimi dhe injorimi nga çdo qeveri në pushtet, Kuvendi tani sabotohet edhe nga opozita e çdo ngjyre. Duke praktikuar bojkotim të institucionit, socialistët dhe pastaj demokratët kanë protestuar me çadra e greva urie duke e lënë legjislativin si kopsht lodrash për partinë fituese të radhës.

Së fundi, opozita e sotme ka djegur fare mandatet, një veprim i paprecedentë në botën demokratike, duke përfshirë edhe vendet shumë më autokratike se Shqipëria.

Në vend që të korrigjonte gabimin si e këshilluan, pa asnjë përjashtim, të gjithë miqtë dhe aleatët e qendrës së djathtë, në botë, ajo e thelloi krizën duke bojkotuar edhe pushtetin lokal duke i dhuruar pushtet absolut kryeministrit Edi Rama.

Në vend që të negocionte për të shmangur krizën e paparë, Rama e partia e tij e mirëpriti atë dhe mund të kenë përdorur korrupsionin apo kërcënime që disa anëtarë në listën e opozitës të merrnin vendet e lëna bosh nga kolegët e tyre. Këto vende në fund të fundit u takonin me ligj dhe shumë prej tyre bënë detyrën që u takonte. Po Kuvendi ka ende plot vende bosh, të paplotësuara dhe nuk e ka më legjitimitetin që pretendon se ka.

Në këto kushte, Shqipëria meriton zgjedhje të reja. Një parlament me një mandat të ri nga populli. Po nuk ka asgjë në horizont. Rama mbase nuk sheh ndonjë problem që demokracia ka pushuar së funksionuari sa kohë që ai vetë gëzon pushtet absolut. Kurse opozita preferon më mirë të mbetet në rrugë sesa të rrezikojë një humbje tjetër, nga manipulimet e qeverisë në pushtet. Ka arsye për të besuar se populli është gati ta rrëzojë qeverinë me vota, por jo me protesta. Po opozita refuzon të shkojë në zgjedhje me Ramën kryeministër ndërkohë që ka braktisur të vetmin mekanizëm ligjor që mund ta rrëzojë Ramën para zgjedhjeve: parlamentin.

100 vjet pas Kongresit të Lushnjes dhe fillimeve të para parlamentare shqiptare, të duket se nuk kemi mësuar ndonjë gjë të madhe. Jemi të fiksuar me udhëheqës të fuqishëm e të pagabueshëm. Parlamentarët shkojnë e vijnë dhe janë thjesht taborrë të zëvendësueshëm. Mbase shekulli i dytë do të sjellë një përvojë më të mirë. Në mos, si duken gjasat, nuk e lëmë fare këtë ekperimentin e lodhshëm që e quajnë demokraci.


Himi i Kongresit të Lushnjës: