KONCEPTI “TEKST”

0
5358
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Pavarësisht nga qasjet e ndryshme, në qendër të studimeve për gjuhësinë e tekstit mbetet teksti. “Fjala tekst vjen nga latinishtja textus ose textum, që d.m.th. “i thurur”. Në këtë kuptim teksti është një lloj i thurjes, d.m.th. stili i thurur në një tekst. Sipas Scherner-it termi tekst tek autorët klasikë është përdorur rrallë, dhe më shumë në kuptim metaforik. Në Mesjetë përdoret për herë të parë termi “tekst” për mjetin, pra për tekstin e shkruar, librin ose kodin. Me tekste kuptohen paragrafët e shkrimit të shenjtë. Në këtë kohë nuk ka ndonjë reflektim gjuhësor për tekstin.

Në fillim të shekullit XX shfaqen përkufizimet për “njësitë e përbëra nga pjesët”. Fillimisht Sosyri që e konsideron “langazh” si njësi prej “langue” dhe “parole”. Interesi i Sosyrit është shumë i rëndësishëm për marrëdhënien mes shenjës dhe objektit, kategorive të gjuhës dhe renditjes si dhe organizimit të tyre të brendshëm, para së gjithash vendosjes së një metodike të qartë dhe një prioriteti logjik të gjuhësisë së “langue”.

Përcaktimi i konceptit “tekst” ka qenë objekt i shumë diskutimeve të cilat gjithsesi nuk kanë çuar në një koncept të përgjithshëm dhe të pranuar gjerësisht. “Duke iu referuar një parimi të vjetër skolastik që thotë se “atje ku ka mospërputhje konceptesh, duhet të gjenden dallimet”, Coseriu/Albrecht thonë se “nuk ka asnjë fushë tjetër kaq të pasur dhe të vështirë për konceptet sa gjuhësia e tekstit”.

Në studimet për gjuhësinë e tekstit ka përkufizime të ndryshme për tekstin. Teksti trajtohet nga këndvështrime të ndryshme, si i shkruar apo i folur, i përbërë nga një ose më shumë fjali, si monolog apo dialog, gjuhësisht i pastër apo i përzier me forma të tjera të komunikimit.”

Ashtu sikurse u pa, drejtimi i parë i gjuhësisë së tekstit u zhvillua në sfondin e gjuhësisë strukturaliste dhe asaj gjenerative, ku brenda tyre njësia më e lartë gjuhësore konsiderohej “fjalia“. Me gjithë kritikën që erdhi në fillim të viteve ‘60 për kufizimin në fushën e fjalisë, nuk pati ndryshime të bazave teorike gjuhësore. Hierarkia e sistemit gjuhësor të deriatëhershëm (fonema, morfema/fjala, gjymtyrët e fjalisë, fjalia) u zgjerua me njësinë tekst.

Në kuadrin e një postulati të zgjerimit të kufijve përtej fjalisë, tekstet u panë si njësi përtej frazës, përkatësisht fjalisë. “Teksti“ u përkufizua si një renditje koherente fjalish. Koncepti bazë i koherencës së tekstit u pa thjesht nga ana gramatikore.

“Sipas Heinz Vater-it “qasja transfrastike niset nga fakti që tekstet janë njësi strukturore të të njëjtit lloj si fjalia, por më të gjera. Prandaj tekstet mund të përshkruhen me anë të instrumenteve të gjuhësisë strukturaliste dhe më vonë të asaj gjenerativo-transformacionale”, I konceptuar në këtë mënyrë, ndërtimi i tekstit shihej si i realizuar me anë të rregullave të gjuhës, por synimi ishte të gjendeshin parimet strukturore mbi të cilat ndërtohet teksti.

Një nga përkufizimet e para për tekstin, në fazën e tranzicionit nga gjuhësia e fjalisë drejt gjuhësisë së tekstit, u dha nga
Koch-u: “Çdo sekuencë fjalish të rregulluara nga ana kohore ose hapësinore, në mënyrë të tillë që të sugjerojë një tërësi do të konsiderohet tekst ”. Në këtë mënyrë Koch-u, e konsideron tekstin si term të mbivendosur.

“Harweg-u e sheh tekstin si “një zinxhir të pandërprerë përemëror të ndërtuar nga njësi gjuhësore të njëpasnjëshme ”. Kjo qasje transfrastike e ka zanafillën tek ideja se tekstet janë njësi strukturore në kuptimin e fjalive, vetëm se janë më të gjera. Në lidhje me këtë përkufizim për tekstin, vetë Harëeg-u do të thoshte më vonë: “Në librin tim “Përemri dhe ndërtimi i tekstit” e kam përkufizuar konceptin “tekst” si “një zinxhir të pandërprerë përemëror ose sintagmatik, më saktë: zëvendësimi dydimensional i njësive gjuhësore të ndërtuara njëra pas tjetrës”, ku njësi të tilla gjuhësore të lidhura pas njëra-tjetrës janë të specifikuara si fjali-më saktë: si fjali gramatikore, d.m.th. fjali të pranuara nga ana gramatikore”. Harëeg-u bëri dallimin mes dy formave të konceptit tekst-asaj të orientuar nga performanca dhe formës së orientuar nga kompetenca. Sipas Harëeg-ut “koncepti ynë për tekstin kërkon një zinxhir të pandërprerë përemëror.

Një ndërprerje e këtij zinxhiri do të shënonte kufijtë, d.m.th. fillimin dhe fundin e një teksti specifik “. Harëeg-u pranon se ka dhe tekste të caktuara ku parimi i ndërtimit të tekstit nga rrjeta përemërore nuk përmbushet, si në rastet e aforizmave të përbëra nga një fjali.”

Ky përkufizim është kritikuar shumë ndërkohë. Nga njëra anë, zinxhiri i pandërprerë përemëror është konsideruar si një kusht shumë i fortë, sepse ka dhe tekste, që nuk e plotësojnë këtë kusht, dhe nga ana tjetër i dobët sepse plotësimi i këtij kushti si mjet i ndërtimit të teksteve nuk mjafton.

Një autor i rëndësishëm i gjuhësisë së tekstit, Hartmann-i paraqet tezën e mëposhtme: “Teksti si formë e manifestimit të gjuhës” ndërton shenjën origjinare gjuhësore ”. Hartmann-i e konsideron tekstin si “shenjë origjinare gjuhësore” dhe si “një zinxhir i pandërprerë emëror, i ndërtuar nga njësi gjuhësore të njëpasnjëshme”.54 Hartmann-I thotë: “teksti, i konceptuar si mundësia bazë e shfaqjes së gjuhës në një formë të manifestuar, […] ndërton njësinë gjuhësore origjinare.

Prej andej mund të ndërtohet çdo përbërës material prej çdo bartësi shenje të mundshme gjuhësore.” Sipas Gansel/Jürgens-it , kjo tezë përmban aspekt të rëndësishëm: konceptin “origjinar”,që nënkupton se gjuha ndodh në parim në formën e teksteve, ose e thënë ndryshe një tekst është ndërtesa gjuhësore, pra, ajo çfarë kryhet në një akt performance (ose dhe një radhë aktesh performance), d.m.th. gjithçka çfarë thotë ose shkruan dikush.”

LITERATURA:
Mujaj, Hasan, Gjuhësia e tekstit, Faik Konica, Prishtinë, 2004; Mëniku,Linda.Doc, Konektorët e tekstit në gjuhën shqipe (punim doktorature), Tiranë, 2013 ASHSH e RSSH. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. Tiranë, 2006.
ASHSH. Gramatika e gjuhës shqipe 1. Tiranë, 2002.
ASHSH. Gramatika e gjuhës shqipe 2. Tiranë, 2002.
Belluscio, Giovanni; Rrokaj, Shezai. Fjalor krahasues i termave të gjuhësisë. Arbëria, Tiranë, 2011.
Çeliku, Arbër. Koherenca tekstore. Hyrje në konceptet bazë të gjuhësisë së tekstit nëpërmjet një qasjeje krahasuese të shqipes me gjermanishten. Asdreni, Shkup, 2005.
Mëniku, Linda. Çështje të konektorëve të teksti”. Studime Albanologjike, 1998, Nr.2.
Topalli, Tefë. Gjuhësi teksti. Shkodër, 2011.
Thomai, Jani. Teksti dhe gjuha.SHBLU, Tiranë, 1992.