Shoqata, Klube dhe individë nga Republika dhe Kantoni i Gjenevës, kanë filluar aksione të ndryshme solidariteti në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti i shkaktuar në Shqipëri.
Siç njofton koordinatori i Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” z. Ali Mehmeti, festa e paraparë më 30 Nëntor 2019, në nderim të ditës së Flamurit dhe 107 vjetorit të shtetit shqiptar, është shtyrë për më vonë.
Me rastin e marrjes së këtij vendimi ka dalë edhe propozimi që të gjitha Shoqatat dhe Klubet shqiptare të këtij kantoni të ndajnë shumën prej 1 mijë franga zvicerane, enkas për të goditurit nga ky tërmet me pasoja katastrofale.
Në anën tjetër fëmijtë e mergimtarëve tanë në bashkëpunim me moshatarët e tyre zviceranë kanë filluar grumbullimin e veshmbathjes dhe ushqimeve.
Kurse shumë afaristë tanë nga ky kanton do të shkojnë së shpejti në vendngjarje, dhe do të shohin se çfarë është nevojë urgjente e familjeve të prekura nga ky tërmet.
Dëshirë e secilit mërgimtarë është që çdo gjë të shkojë në dorën e familjeve që kanë mbetur pa strehë dhe pa më të dashurit e tyre.
ARIF EJUPI