Komunikatë për shtyp Lansimi i hulumtimit “Ekonomia Qarkore në Kosovë”

0
362

Është publikuar hulumtimi “Ekonomia Qarkore në Kosovë: Hulumtim mbi njohurinë dhe përceptimin e përgjithshëm rreth konceptit të ekonomisë qarkore në Kosovë”, i punuar nga Annea Hapçiu, Këshilltare për Inovacion në KosovaLive. Mund ta shfletoni studimin në:

1. Shqip: http://kosovalive.org/sq/studim-ekonomia-qarkore-ne-kosove/
2. English: http://kosovalive.org/studycircular-economy-in-kosovo/.

Hulumtimi është bërë me synim që të identifikohen njohuritë dhe konceptet rreth Ekonomisë Qarkore te qytetarët e Kosovës. Nga anketa vërehet se respodentët po i identifikojnë problemet që po i krijon ekonomia lineare, por po mungon një proaktivitet individual për intervenim. Shumica e të anketuarve, sipas studimit nuk kishin dëgjuar më herët për termin “Ekonomi Qarkore”, e as për konceptet ndërlidhëse të saj.

Qëllimi i ekonomisë qarkore është të ofrojë një alternativë përballë ekonomisë lineare, e cila bazohet në Prodhim-Konsumim-Hedhje në një sistem ekonomik ku fokusi është në dizajnimin e produkteve me një qasje Rigjeneruese dhe Rikthyese në sistemin e prodhimit dhe konsumimit, me fokus në Prodhim-Konsumim-Ripërdorim.

Qëllimi i ekonomisë qarkore është përdorimi i lëndëve të para aq të pastërta sa që mund të ri-reciklohen në vazhdimësi. Ky sistem ekonomik ka për qëllim eliminimin e mbetjeve dhe përdorimin sa më efikas të resurseve për prodhim.

Të dhënat që mbështesin këtë hulumtim, janë mbledhur përmes hulumtimit primar, të udhëhequr përmes anketës së distribuar në mënyrë elektronike, në media sociale dhe në email. Anketa është plotësuar nga gjithsej 462 persona nga anembanë Kosova (viset rurale e urbane), të moshave nga 15-65+ vjet, të të gjitha niveleve të edukimit nga ai parauniversitar e deri në atë terciar.

Nga hulumtimi vërehet se ka nevojë urgjente për strategji multisektoriale, që përfshinë vendosjen e bazës ligjore, ekonomike, teknologjike, infrastrukturore dhe edukative, me qëllim të ndryshimit të mentalitetit dhe kulturës në raport me qasjen ndaj prodhimit, konsumimit, hedhjes apo ripërdorimit.

Dërgoi për pubklikim: Kreshnike Bruqi