Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu duke ecur në shtratin e rregulluar të lumit Llap (Foto: Facebook)
Taulant Osmani, Kallxo.com – 25.1.2020
Komuna e udhëhequr nga Agim Veliu i ka dhënë 27 tenderë një kompanie të vetme në 20 muajt e fundit. Kompania ‘N.N.N. Bini’ gjatë periudhës ‘Prill 2018 – Dhjetor 2019’ i ka fituar 27 tenderë në Komunën e Podujevës me vlerë totale rreth 1 milionë e 850 mijë euro.
Në disa prej këtyre tenderëve, kompania “Bini” ka qenë kompania e vetme, që ka aplikuar edhe pse natyra e punës ka qenë ndërtimi i kanalizimeve dhe zgjerimi i lumit. Madje, në disa tenderë Komuna e Podujevës i kishte eliminuar kompanitë e tjera që kanë ofertuar, duke e lënë të vetme në garë kompaninë Bini.
Pronari i kompanisë “Bini”, Afrim Hajdari thotë për Gazetën “Jeta në Kosovë”, se arsyeja se pse kompania e tij i ka fituar 27 tenderë në periudhën 20 mujore është se ai oferton me çmim të ulët dhe se nuk ka ndonjë arsye tjetër.
“Çdo tender që e kam marrë, e kam marrë me çmimin me të ulët. E vetmja arsyeja që i kam fitu është çmimi më i ulët”, thotë Hajdari për Gazetën JnK.
Hajdari thotë se nuk merret me politikë dhe tenderët nuk i ka marrë për shkak të lidhjeve politike. Por Hajdari nuk e përjashton se e voton LDK-në, siç thotë ai “Si krejt Llapi”.
“Unë nuk jam zyrtar në parti, s’kam pozitë. Normal që e kam votu LDK-në, si krejt Llapi. Absolutisht hiç asnjë ndihmë se kam. Në komunën e Podujevës ma shumë fitojnë firma të qyteteve tjera se të Podujevës”, thotë ai, duke shtuar se asnjëherë në jetë nuk ka dhënë para për LDK-në e as nuk ka ndihmuar financiarisht fushatën e ndonjë personi të LDK-së.
“Kurrë në jetë s’kam dhanë pare për LDK-në. Kurrë as një mbulim me para nuk ia kam bërë. Me politikë nuk merrem hiç, pos në zgjedhje që dal”, thotë pronari i kompanisë “Bini”, Afrim Hajdari.
Ndonëse, i ka fituar 27 tenderë në periudhën 20 mujore, Komuna e Podujevës thotë se të gjitha këto procedura janë kryer në bazë të Ligjit për Prokurim Publik. “Asnjë kompani, asnjëherë nuk është favorizuar. Përzgjedhja e Operatorëve Ekonomikë është bërë në bazë të kushteve të tenderit, në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik”, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, nga Zyra për Media e Komunës së Podujevës.
Ndonëse në disa prej aktiviteteve të prokurimit, ka qenë vetëm kompania “Bini” që ka ofertuar, ose e vetmja që sipas Komunës ka pasur ofertë të përgjegjshme, kjo e fundit nuk kishte anuluar aktivitetin për të hapur një thirrje të re.Komuna thotë se Ligji nuk e kufizon numrin e ofertave.
“Në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik shpërblehet me kontratë Operatori Ekonomik edhe në rastet kur kemi vetëm një ofertues, kur operatorët e tjerë janë të papërgjegjshëm. Ligji i Prokurimit Publik nuk e kufizon numrin e ofertuesve”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Komuna e udhëhequr nga Agim Veliu thonë se nuk e kanë favorizuar kompaninë që fitoi 27 kontrata për 20 muaj.
“Nuk mund të quhet favorizim i ndonjë kompanie, kur tenderi është i hapur dhe në të mund të konkurrojë secila kompani që plotëson kushtet e tenderimit”, kanë thënë Komuna e Podujevës në përgjigjen për Gazetën JnK. Komuna nuk ka kthyer përgjigje nëse kryetari i Komunës Agim Veliu ka marrë ndonjë donacion nga kompania “Bini” apo pronari i saj.
Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Bini”, Afrim Hajdari thotë se Agim Veliun e takon vetëm kur ai del të vizitojë punët në teren.
“Me Agim Veliun nuk më bie me u taku. Tenderin e nënshkruaj në zyrën e Prokurimit. Me të jam taku veç kur të del me i bo vizitat në punimet që i bëjmë ne”, thotë Hajdari. Gazeta JnK ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e komunës, Agim Veliun, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Tenderët e fituar: 1 milionë e 850 mijë euroGazeta JnK ka analizuar 27 tenderët e Komunës së Podujevës që janë fituar nga kompania “Bini”. Një nga tenderët që kompania ‘Bini’ ka fituar se fundmi është ajo për “ndërtimin e Kanalizimeve fekale në qytet dhe fshtra”. Vlera e parashikuar për këtë tender kishte qenë 256,820.91, ndërsa kontrata ishte nënshkruar, në muajin dhjetor 2019, me vlerë prej 191 mijë e 310 me kompaninë Bini. Për këtë tender në garë kanë qenë 3 kompani, mirëpo njëra ishte eliminuar nga gara si e papërgjegjshme.
Komuna e Podujevës ka shpallur edhe tenderë të tjerë me emërtim të njëjtë, mirëpo për pjesë tjera të qytetit apo fshatrave. Një të tillë e kishte fituar kompania ‘Bini’, në muajin nëntor 2019. Vlera e këtij tenderi kishte qenë 7 mijë e 339 euro.Komuna brenda periudhës 5 mujore kishte hapur 3 thirrje për tender, me emërtim të njëjtë, për ndërtimin e kanalizimeve fekale në qytet dhe fshatar.
Tenderit të hapur në korrik të 2019, kishte pasur vazhdimësi edhe më 2 aktivitetet e lartpërmendura të nëntorit dhe dhjetorit.Vlera e tenderit të korrikut kishte kushtuar 73 mijë e 497 euro dhe ishte fituar poashtu nga kompania “Bini”, ndërsa komuna kishte vlerësuar se ky projekt mund të kushtoj deri në 83 mijë euro 979 euro.
Për këtë projekt kishin aplikuar 5 kompani. Njëra ishte përjashtuar për shkak të arsyetimit të Komunës se oferta ka qenë e papërgjegjshme, ndërsa nga 4 ofertat tjera, Komuna kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Bini”.
Kompania “Bini” kishte fituar një tender për ndërtimin e kanalizimit fekal në qytet dhe fshatra edhe në dhjetor të 2018. Në këtë tender që kishte kushtuar 26 mijë e 615 euro e vetmja kompani që kishte aplikuar kishte qenë “Bini”.
Oferta e kësaj të fundit kishte qenë e njëjtë më shumën që Komuna kishte planifikuar t’i shpenzojë. Ndërtimi dhe rregullimi i shtratit të lumit LlapKompania “Bini” i kishte fituar disa kontrata nga Komuna e Podujëves për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap. Madje, në tenderin për ‘vazhdimin e punës në projektin për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap’, vetëm oferta e kompanisë “Bini” kishte qenë e përgjegjshme nga 4 kompani sa kishin ofertuar.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi kishte qenë 50 mijë e 362 euro, derisa kompania ‘Bini’ që sipas komunës, kishte qenë e vetmja kompani me ofertë të përgjegjshme e ka fituar tenderin me vlerë prej 43 mijë e 333 euro apo rreth 7 mijë euro më pak se sa vlera e paraparë. Pak muaj më parë, Komuna e kishte pasur edhe një tender me emërtim të ngjashëm, ajo për vazhdimin e punëve në ndërtimin dhe rregullimin e lumit që ndanë Podujevën, lumin “Llap”.
Vlerë e kësaj kontrate kishte qenë shumë më e madhe. Në gusht të 2019, Komuna e Podujevës, Komuna e Podujevës kishte nënshkruar kontratë me vlerë prej 327 mijë e 124 euro me kompaninë “Bini”. Komuna e Podujevës, ndonëse i kishte pasur 4 oferta në tavolinë, kishte vlerësuar se vetëm propozimi i kompanisë “Bini” është i përgjegjshëm, duke përjashtuar 3 kompanitë e tjera, duke mbet në garë vetëm kompania “Bini”. Për këtë aktivitet të prokurimit të Komunës së Podujevës nuk ishte ankuar asnjëra nga 3 kompanitë të tjerë që ishin vlerësuar me oferta të papërgjegjshme.
Një tender të ngjashëm, Komuna e kishte nënshkruar me të njëjtën kompani edhe në muajin korrik të 2018, por me vlerë shumë të madhe apo 159 mijë e 751 euro. Për këtë tender kishin aplikuar vetëm 2 kompani. Mirëpo, Komuna e Podujevës kishte vendosur që kompaninë tjetër të shpallte me ofertë të papërgjegjshme, duke mbetur në garë vetëm kompania “Bini”. Edhe në dhjetor të 2018, kompania “Bini” kishte triumfuar përballë 7 kompanive tjera në tenderin për zgjerimin e shtratit të lumit “Llap” në fshatrat Penuhë, Konushefc, Gllamnik e Llapashticë.
“Bini” e kishte fituar këtë tender duke aplikuar me vlerë 39 mijë e 831 euro.Nga 7 kompani sa kishin aplikuar, Komuna e Podujevës, njërën e kishte shpallur të papërgjegjshëm, ndërsa 5 kompanitë të tjerë s’kishin arritur ta fitonin tenderin. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë kishte qenë 73 mijë e 806 euro. Vlera që Komuna e Podujevës e kishte planifikuar për ta kryer këtë projekt kishte qenë 83 mijë e 960 euro.
Ndërtimi i kolektorëve të ujërave të zezaNjëri nga 27 tenderët e fituar nga kompania “Bini” ka qenë edhe ajo për ndërtimin e kanalizimit fekal në Llaushë, në lagjet Sadiu, Dushkolli dhe në Dumnicë e Epërme në lagjen Jaholli. Komuna e Podujevës kishte paraparë që për këtë tender të shpenzoi 87 mijë e 460 euro, mirëpo kompania “Bini’ kishte shkuar me ofertë me vlerë prej 58 mijë e e 629 euro apo rreth 30 mijë euro më pak. Për këtë tender kishin aplikuar 5 kompani, por vetëm 4 prej tyre ishin vlerësuar si kompani që kanë ofruar ofertë të përgjegjshme.
Në shtator të 2019, kompania Bini kishte nënshkruar edhe një kontratë të madhe me Komunën e Podujevës. Punët për ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza si dhe kycjet dhe kyçet fekale do t’i kryente kompania “Bini” për 54 mijë e 711 euro. Apo rreth 9 mijë euro më pak se shuma që Komuna kishte vlerësuar për t’i shpenzuar për këtë projekt. Përveç, ‘Bini’, në këtë projekt kishin aplikuar edhe 2 kompani të tjera, por që nuk e kishin fituar tenderin.
Ndërsa në tenderin “Ndërtimi, riparimi dhe mirëmbajtja e kanalizimeve fekale dhe atmosferike”, kishte qenë vetëm kompania “Bini” ajo që kishte aplikuar, ndonëse kostoja e projektit kishte qenë mjaftë e madhe. Komuna kishte planifikuar t’i shpenzojë 93 mijë euro për përfundimin e këtij projekti, derisa kompania “Bini” kishte marrë tenderin duke ofertuar me 89 mijë e 420 euro, apo rreth 3 mijë e 500 euro më pak.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu gjatë inspektimit të punëve
Një tender tjetër, ku 2 prej kompanive që kishin ofertuar ishin shpallur të papërgjegjshme, përballë kompanisë “Bini” dhe një tjetre, ka qenë edhe projekti për ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe fekal në fshatin Dobërdol. 4 kompani kishin dërguar ofertat e tyre për këtë projekt, por në fund në garë kishin mbet vetëm 2 kompani, pasi që Komuna e Podujevës i kishte vlerësuar si oferta të papërgjegjshme.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate nga Komuna e Podujevës kishte qenë 37 mijë e 979 euro, ndërsa oferta e kompanisë “Bini” ishte shpallur fituese me rreth 6 mijë euro më pak. Kompania “Bini” kishte fituar tenderin për ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe fekal në fshatin Dobërdol për 31 mijë e 645 euro.
Largimi i deponive ilegale të mbeturinaveKur komuna e Podujevës kishte vendosur t’i largojë mbeturinat nga qyteti dhe rrethina, kishte planifikuar t’i shpenzojë 22 mijë euro dhe për këtë kishte hapur thirrje për tender.E vetmja kompani që kishte aplikuar dhe që e kishte fituar tenderin ishte kompania “Bini”. Kjo kompani kishte ofertuar me 20 mijë e 815 euro.Komuna edhe një vit më herët kishte larguar mbeturinat nga qyteti e fshatrat.
Kontrata e një viti më herët kishte qenë më e lirë se ajo e 2019. Edhe në maj të 2018, tenderin për largimin e deponive ilegale të mbeturinave e kishte fituar kompania “Bini”. Mirëpo, ajo nuk kishte qenë kompania e vetme që kishte aplikuar në këtë tender.Në 2018, kishin qenë edhe 2 kompani të tjera që kishin aplikuar, mirëpo Komuna e Podujevës i kishte shpallur 2 kompanitë e tjera si të papërgjegjshme.Kompania “Bini” kishte fituar edhe tenderin për t’i pastruar rrugët me vlerë prej 15 mijë e 735 euro.