KOMEDIA VAZHDON!

0
1483

AV. XHABIR ZEJNUNI

Komedia politike në Shqipëri, vazhdon me të njëjtin intensitet. Tani ka hyrë në skenë edhe “çanta e zezë” (si katrani) e Spartak Brahos, ku sipas gojëdhënave, ndodhen materiale kompromentuese, të cilat inkriminojnë Presidentin Meta dhe në saje të të cilave mendohet se ai mund të gjykohet penalisht. Por, që të ndiqet penalisht Presidenti Meta, duhet ndjekur një procedurë e veçantë. Duhet më parë të provohet se ai ka “kryer një KRIM të RËNDË”. Dhe po u vërtetua ky “krim i rëndë”, atëherë Presidenti Meta duhet (mund!) të shkarkohet më parë nga Parlamenti.

Kushtetuta tek neni 90, par. 1, parashikon se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”. Duhet të besohet se Presidenti Meta do bëjë shumë kujdes që të kryejë vetëm ato akte, të cilat nuk mund të sjellin përgjegjësi për atë. Aq më shumë për kohët e turbullta që po kalon ai sot. Por, edhe politika shqiptare.

Par. 2, pjesa e parë, disponon se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”. Norma kushtetuese në fjalë, nuk sqaron se cili mund të jetë ky “krim i rëndë”. Kush do e përcaktojë atëherë këtë “krim të rëndë”?! Nuk sqarohet poashtu edhe se për cilën periudhë kohore bëhet fjalë se kur është “kryer” ky “krim i rëndë”: para marrjes, apo gjatë mandatit presidencial. Për të sqaruar më shumë të interesuarit, mbetet që të bëjë interpretimin Gjykata Kushtetuese. Dhe koha bën punën e saj.

Par. 2, pjesa e dytë, vazhdon se “Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”.

Në këtë rast, propozimi për shkarkimin e Presidentit nuk është problem, duke qenë se PS-ja ka 74 vende në Parlament. Mjaftojnë vetëm 35 deputetë propozues. Por, problemi qëndron në kuorumin prej 2/3 (92 vota) për shkarkimin e Presidentit Meta. Ku do gjehen votat për të plotësuar kuorumin e 92 votave? Vështirë të mendohet se këto vota do arrijnë nga PD-ja, e cila ka lidhur aleancë të “çeliktë” me LSI-në. Është e njëjta PD, e cila e akuzonte ish Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta gjatë Qeverisë Rama 1, si të korruptuar dhe të lidhur me krimin!

Mundet që Gykata Kushtetuese të gjykojë se koha e “kryerjes së krimit të rëndë” i referohet periudhës së ushtrimit të mandatit presidencial. Në këtë rast, nuk ndodh asgjë duke marrë parasysh faktin se Presidenti Meta nuk ka “kryer asnjë krim të rëndë” dhe po rrin “shumë urtë”. Por, nëse pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, periudha e “kryerjes së krimit të rëndë” i referohet periudhës së para marrjes së mandatit presidencial dhe duke besuar në ndonjë “mrekulli politike” se Presidenti Meta mund të shkarkohet me 93 vota, atëherë fjala i kalon Prokurorisë, e cila materialin për hetim mund ta marrë (edhe) nga “çanta e zezë” e Spartak Brahos.

Por, përsëri para Prokurorisë duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese, në bazë të par. 3, i cili disponon se “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Sipas normës në fjalë, nuk mjafton të vërtetojë fajësinë e Metës vetëm Parlamenti, por i takon në mënyrë taksative edhe Gjykatës Kushtetuese që të shprehet për fajësinë ose jo të Metës. E nëse Gjykata Kushtetuese e mendon ndryshe nga Parlamenti, dhe vërteton pafajësinë e Presidentit Meta, çfarë do ndodhë?

Pasi është vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila deklaron shkarkimin e Presidentit nga Parlamenti. Në rast të kundërt, ky shkarkim nuk ka vlerë. Pra, kemi një President të shkarkuar, por të pafajshëm. Si i bëhet hallit? Të “ngarkohet” edhe njëherë Presidenti i shkarkuar, apo të zgjidhet një President i ri? Pasi nëse “ngarkohet” edhe njëherë Presidenti aktual, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi për shkarkimin e padrejtë të tij dhe si rrjedhojë të paguajë edhe faturën” përkatëse. Në cilat norma kushtetuese, apo ligjore parashikohen akrobacira të tilla?

Për afate kohore, nuk ka asnjë problem! Por, nëse vërtetohet se Meta ka “kryer krim të rëndë” disa kohë më parë, dhe Gjykata Kushtetuese deklaron shkarkimin e tij, atëherë shtrohet problemi se përse Meta nuk është akuzuar në kohën e “kryerjes së krimit të rëndë”. Pasi në këtë mënyrë do evitohej “turpi i madh” për poltikën tonë, e cila ka zgjedhur në krye të Shtetit një person, i cili ka “kryer krim të rëndë”.

Kodi Penal, tek neni 300 me titull “Moskallëzimi i krimit”, disponon se “Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Në këtë rast, rezulton se Spartak Braho ka qenë në dijeni me kohë se Meta ka “kryer një krim”, por e ka mbajtur për vete dhe nuk e ka kallëzuar tek organet kompetente të drejtësisë. Duke qenë se janë dy opcione alternative dënimi, urohet dhe shpresohet që Spartak Braho të dënohet të paguajë gjobën. Pasi të bëjë tre vite burg për moshën që ai ka, sikur nuk shkon. Po Vettingut si do i bëhet? Ka kohë edhe për Vettingun, pasi stina e peshkimit nuk është e përshtatshme
tani (……)!