KOMBI SIPAS KONICËS

0
1580
Faik Konica

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Kombin shqiptar Faik Konica e përfytyronte si një bashkësi njerëzish të mbështetur mbi një gjuhë, prejardhje, gjak dhe tradita të përbashkëta. Koncepti i Konicës për kombin ishte (r)evolucionar, organik dhe historikist. Ky koncept i Konicës ishte në përputhje me ideologjitë liberale të shekullit XIX, të cilat e merrnin krijimin e kombeve si një proces evoluimi që shkonte nga njësitë më të vogla drejt njësive më të mëdha, nga familja, fisi dhe krahina, drejt kombit. Faik Konica duhet parë si një intelektual nacionalist dhe modernizues. Ai duhet parë në kuadrin e përkufizimit, që Smith i ka bërë ideologjisë nacionaliste për të arritur dhe mbajtur autonominë, bashkimin dhe identitetin në emër të një popullsie, disa anëtarë të së cilës e vlerësojnë atë si një komb potencial.

Botëkuptimi i Konicës duhet vënë në kontekstin e kohës. Ai jetoi pothuajse për tërë jetën në Evropën Perëndimore dhe SHBA dhe ishte i ndikuar nga rrymat kulturore dhe ideologjike të shekullit XIX dhe XX. Në Evropë në atë periudhë morën hov të madh studimet mbi gjuhët e popujve, dhe siç thotë Benedict Anderson ishte një kohë e artë për leksikografët, gramatikanët dhe filologët. Ishte po ashtu koha kur u rrit interesi në lidhje me origjinën e popujve, veçanësitë e tyre kulturore dhe karaktaret e tyre historike. Qysh prej shekullit XVIII në mendimin evropian karakteri kombëtar dhe gjenia kombëtare ishin nocione që përdoreshin për të shpjeguar historinë e popujve. Zhvillimi i arsimit humanist dhe i shkencave frymëzoi besimin në mundësinë e progresit dhe të evolucionit të popujve.

Sipas Anthony D. Smith: Historicizmi, besimi në lindjen, rritjen, begatimin dhe rënien e popujve dhe të kulturave u bë gjithnjë e më shumë tërheqës si një kuadër për të studjuar të kaluarën dhe të tashmen dhe si një parim për të shpjeguar dhe kuptuar ngjarjet e së kaluarës dhe së tashmes. Faik Konica ishte një aktor dhe propagandues i një projekti kombëtar për shqiptarët. Ky projekt ishte pjesë e atij procesi modernizues nëpër të cilin kaluan edhe popujt e tjerë të Ballkanit në shekullin XIX. Konica u përpoq të krijonte një gjuhë letrare për shqiptarët, në mënyrë që të krijohej një komb shqiptar homogjen dhe organik.