Hafiz Ali Korça
(1873 – 1956)
Nga Sinan GASHI
Një atdhetar, që këtë mision e manifestoi në Lëvizjen Kombëtare politike, në përhapjen e arsimimit në ato kohë të errëta, si dhe një publicist e poet i dëshmuar edhe me vepra të plota, është Hafiz Ali Korça.
Vendlindja e tij, Korça, që në shekullin e XIX ishte vend i rëndësisë së parë i Shqipërisë, në të gjitha sferat e jetës, nga se përjetoi një zhvillim të lakmueshëm ekonomik, kulturor e arsimor.
Ali Korça, pas mbarimit të fillores dhe të mesmes në qytetin e lindjes, vajti për studime në Stamboll. Atje njohu dhe u brymos me idetë e klasikëve arabë, persianë e turqë, nga se këto tri gjuhë i kishte përvetësuar tepër mirë. Që si student ai ishte radhitur në Lëvizjen Kombëtare, që kishte anëtarë personalitete të shquara të çështjes kombëtare, me të cilat kontaktoi vazhdimisht.
Pos atje, aktivitetin e vet e bënte edhe në koloninë shqiptare të Sofjes, kur, posa kthehet në Turqi e arrestojnë për dy muaj në Sinop, më 1894, dhe lirohet vetëm pas protestave të njerëzve përparimtarë.
Ai, madje, në Korçë kishte formura çetën e tij, që vepronte në tërë rrethin. Bëmat e tij atdhetare janë të shumta, por do përmend pjesëmarrjen e tij në Kongresin Alfabetit në Manastir (1908), në Kongresin e Dibrës (1909), e tjerë. Mu për këto aftësi dhe manifestime të atdhetarizmës, ai ishte nën përcjellje nga dashakëqinjtë e atdheut, duke e manifestuar trysninë edhe me maltretimet e ngacmimet e familjarëve të tij.
Do thënë se, kur ishte sundimi Austro – hungarez, më 1916, Hafiz Ali Korça u emrua drejtor i arsimit për një rreth të gjerë, që përfshinte Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin e Poradecin.
Përveç këtij aktiviteti, ai nuk ndalonte as atë fetar, duke synuar që atë ta bëjë shqip, pra përmes përkthimeve përshtaste materjale që e kishin aktualitetin e kohës.Kur qe në krye të shërbimit fetar islam në qytetin e Shkodrës, ai ishte angazhuar mjaft në aktivitetin intelektual kombëtar, si duke u emruar anëtar i Komisis Letrare, ku së bashku me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Mati Logorecin e Sali Nivicën vepruan me përkushtim në fushën e gjuhësisë shqiptare.
Njihet aktiviteti i tij edhe në botimin e veprave, qoftë letrare qoftë të karakterit arsimor, letrar e propagandistik kombëtar, si: “Abetare” (1910) në Korçë, “Alfabeti Arabisht” (1914) në Shkodër, “Gramatika sintaksa shqip arabisht edhe fjalime” (1916), atë kundër bolshevizmit “Bolshevizma çkatërrimi i njerëzimit” (1925), etj. Nga letërsia botoi vëllimin e poezive “Shtat ëndrat e Shqipërisë” (1927), në Tiranë, krijime simbolike me arritje të lakmueshme artistike, pastaj veprën “Jusufi me Zelihanë” (1960) me 3.104 vargje e tjerë.
Kështu gjithsej i ka botuar 12 vepra, kurse 12 sosh janë në dorëshkrim.
Shkrimet publicistike ky autor i kishte publikuar në revistën “Zani i Naltë” që botohej në Tiranë, gjatë vitit 1923, si dhe në “Dituria islame”.
Për këtë aktivitet kaq të dendur e të gjithanshëm, ai ishte internuar edhe një herë në kohën e regjimit komunist, më 1949, që e kishte përjetuar rëndë.
Kjo mund të kuptohet fare mirë nga këto vargje të një poezie të tij:
Për Shqipërinë u përpoqa
rrezikova jetën t’ime
Nuk rrëfehet se sa hoqa
Se shteti m’i njihte krime.
Jetën e përmbylli në një gjendje të rëndë shëndetësore, në të ftohtit e dhjetorit të vitit 1956, në Kavajë.
Veç tjerash, ai kishte dëshmuar interesimin dhe njohuritë për gjendjrn politike edhe në Kosovë, për dhunën serbe në vazhdimësi atje, duke shkruar poezinë “Vajtimet e Atdheut”, të cilën ia kushtin bombardimeve të Kosovës, përkatësisht të trevës së Drenicës, nga forcat serbe në vitin 1924.
Këtë barbari ai e sheh edhe në kontesktin politik e strategjik të Evropës, e cila as që thotë gjë për tokat shqiptare, të ndara e të shpërndara, ku pos Kosovës përmend edhe faljen e Çamërisë Greqisë.
Ja se sa bukur shihet talenti i tij dhe njohuritë politike për kohën, në një stofë të kësaj poezie:
Pjesa më e madhe e Shqipërisë
Iu dha Serbit e Greqisë
Vetëm i ardhi keq Perëndisë
Për atë gjakun e foshnjërisë,
Dua t’i lutem pak qeverisë
Të marrë masat e ligjësisë:
T’i lutet Francës dhe Anglisë
T’i pritet hovi pak Serbisë
Dhe për Çamërit, fqinjë të Greqisë.
Është e veçantë e këtij krijuesi se, pas çdo ‘shpjegimi’ të këtij fati të rëndë, fut një dyvargësh, sikur të ishte kuje:
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
Kjo poezi dhe shkrimet e tjera të Hafiz Ali Korçës dëshmojnë për linjën e largët historike nëpër shekuj të kërkesave të shqiptarëve për korrigjimin e gabimeve, jo nga fqinjët lakmitarë, por nga shtetet evropiane që i miratonin ato pa ndonjë hezitim.
VAJTIMET E ATDHEUT
(Kushtuar bombardimit të Drenicës nga serbët në qershor 1942)
Më s’t’u nda zjarri, më s’t’u nda flaka
Më s’t’u nda vrasja, ndjekja, shuplaka,
Më s’t’u nda therja, mbytja, grabitja,
Më s’t’u nda shtypja, vojtja, drobitja.
Gra, burra, foshnja për ditë vriten,
Nga vendi vet zhveshur po qiten;
Digjen katundet e përvëlohen,
Ah, shpirti më këputet, prej kujt s’ndalohen.
U gërmadhove, u copëtove,
Krejt u trondite krejt u shkretove.
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
Qytetërimi ku asht vallë?
Përse Europa nuk i sheh hallë?
Si s’po dëgjohet topi i shkretë?
Si s’shihet flaka qi del mbi retë?
Si nuk dëgjohet rënkimi i shpirtit?
Pse s’këshillohet kombi gjakpirës?
Në botët, thua, s’ngeli bamirës.
Qysh u shurdhua bota e tërë?
S’shohin barbari gjer sot ç’ka bërë
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
Me top u shuan vëllezërit tanë,
Malet dhe fushat ndër gjak i lanë.
I vranë, i shuan, i handakosën.
Në vend të tyre tjetër vendosën.
Sa malle që patën ja u perlanë.
S’di me ç’të drejtë dreqvet ia dhanë!
Më digjet shpirti, kam shum frikë,
Se do t’i sosje kjo politikë,
Fill shqiptari nuk do të lënë?
Fatzijtë e gjorë ku do të vejnë?
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
Në ketë shekull kjo politikë
Mrekulli, quhet e them pa frikë,
Kjo politikë racëmbaruese
Për ditë grin pleq, trima, nuse
Kjo politikë lugate shtrigë
Dhelpër dinake, kuçedër e ligë
Faroj vëllezër me qindra mijë
I madh i Vogël duhet ta dijë
Fol, o moj botë e qytetërimit
Përse po shkulet kjo rracë e trimit.
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
Kosovë e bukur, oj shpresa jonë
Bujare, trime, ke qenë si i thonë
Sot të zu halli, në zgjedhë ngele,
Kurban po bëhesh për ditë si dele.
Kurban po bëhesh ditë bajrami,
Në Ballkan therret veç shqiptari.
Nuk ther fare shenjt Ismaili.
Kështu pse s’duket Xhebraili?
Të të shpëtonte nga thojntë e mprehtë
Të të shpëtonte nga zjarri i nxehtë
Ty moj Kosovë, e madhe shpresë
Se ndaj ty ruhet edhe sot besa,
M’i madhi krahu i Shqipërisë!
M’e madhja çerdhe e Trimërisë!
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
Pjesa më e madhe e Shqipërisë
Iu dha Serbit e Greqisë
Vetëm i ardhi keq Perëndisë
Për atë gjakun e foshnjërisë,
Dua t’i lutem pak qeverisë
Të marrë masat e ligjësisë:
T’i lutet Frances dhe Anglisë
T’i pritet hovi pakë Serbisë
Dhe për çamërit, fqinjës të Greqisë.
Qani Kosovën dhe Çamërinë
Për gjëmëzezet zgjatëni zinë!
Nip i Pellazgut, o komb i vjetër!
Nga ti m’i i vjetër nuk ndodhet tjetër,
Dyzet ke patur milione frymë
Te pakoi koha, te çkriu si brymë.
Le Arijanen, Durrës u pshtete,
Nga fati i shkretë si nje grusht mbete.
Edhe këtuze shprehje nuk gjete.
Mento ku ishe, ku je, ku vete,
Tashti pa krahë ke mbetur fare
Për një të vjetër komp, turp e marre.
Qani Kosovën dhe Çamërinë!
Se i këmbejnë si bagëtinë!
Ka vdekur fare civilizimi;
Sot veç një lustër ka Perëndim.
Iku mëshira erdhi rrënimi!
Po del mbi qiejt nga do rënkimi,
Në fund të tokës hyfte gëzimi!
Kur po shfaroset një komb ma trimi,
Kurse ka vdekur krejt njerëzimi,
Kurse nuk paska babë a vëlla jetimi,
Fare mos qoftë shtypi dhe shkrimi!
Qani Kosovën dhe Çamërinë!
Për gjëmëzezet zgjatëni zinë!
Mos i ndaj lotët, qaj Vardar plaku!
Nat’e ditë ece të lahet gjaku
Gjaku i shenjtë që derdh barbari,
Me te ushqehet sot çdo fill bari,
O shale i shkretë, qysh duron valle?
Pse nuk po shkrihesh, qysh je i gjallë?
Shembuni male, mbetët të shkretë!
Shembuni bashkë me gjithë tepetë!
Kur komb bujari për ditë po shuhet,
Ty, moj Kosovë, jeta ç’të duhet?
Kur dhe Evropa s’po ta sheh hallin
Për ditë ju therin, ju marrin mallin
Për ditë ju derdhet gjaku
Shpresa ka mbetur vetëm te Hakku.
Qani, vëllezër, Kosovën, qani!
Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!
1924
Hafiz Ali Korça