KOHË E PAKOHË

0
757
Zymer Mehani

Zymer Mehani

Kohë e pakohë

Qentë kuisin
Ujqit ulërijnë
Pas bredhjesh të gjata
Kur koha e hëngri kohën
Mbi hi të natës këndojnë korbat
Me krakamë krra-krra
Dhe qyqet e shkreta
E bufët e verbër
Lakuriqë e minj
Kërmij e shtërpinj
Duke fluturuar
Hecur e zvarrë-zvarrë
Çdoherë janë në ikje
sepse janë kusarë
Sepse janë lanetër
Sepse janë barbarë
Duke u vërtitur në rreth
Rreth jashtë rrethi
Rreth brenda rrethi
Rreth mbi rreth
Rreth nën rreth
Rreth në rreth
Rreth e rrotull
Çakejtë këndojnë
Pas shumë shekujsh
Nga shkëmbi i lartë i kohës
Humbur në greminat skëterrë
Zogjtë e trullosur thyejnë krahët e vet
Derisa era i përkul
Degët e gjera të lisave
Në hapësirën e madhe
Si nëpër ethet e botës
Në natën që e ndan hapësirën
Që e ngjall
Që e zgjon
Që e dallgëzon
Që e trazon
Për ta shpëtuar
Nga rënia në shpellë të errët të vetmisë
Të mbushur me zbrazëti
Si grushta uji fytyrës së përgjumshme
Shpuar nga shigjetat e diellit
Me mashtrimin e ëmbël të largësisë
Që mendon për udhëtim në kohë shtrëngatash
Midis erës dhe diellit
Midis tokës dhe qiellit
Midis hënës dhe diellit
Që me ëndrra e lidh zërin e njeriut
Në mullirin e vjetër të epokës
Pas horizontit që dridhet
E të gjithë rrathët i lartëson
Që edhe kohën e ndalon
Duke ruajtur pasurinë shterpe
Të diellit të kotur
Derisa thellë fundoset
Në hullitë e natës


Dritë kërkojmë

Po e ndjejmë se po na mund koha
Veç ajo e di sa u zvarritëm nëpër gurë
Mbështjellur me lëmashkun e qetësisë
Në luzmën e kandrrave të shëmtuara
Në humnerën e ekzistimit
Të mbushur me zbrazëti
E dritë kërkojmë gjithkak nëpër natë
Rruga është e gjatë për detin e kositur
E toka u dridhka. fushë e mal u digjkan
Luzma e yjeve na e huton hënën
Para nesh ngriten kulla të gurta
Që ishin, janë dhe do të jenë fole shqipesh
Sy më sy me tufanin e egër
Furtunat derisa të fashiten
Dhe erërat derisa të pushojnë
Mbi shkëmbinj të thepisur
Shqipet do të qëndrojnë


Me një besë

Nën syrin e zgjuar të diellit
Mes ngjyrash të bukura t’ylberit
Si dallgëzim i erës pas ëndrrash t’fëmijërisë
Paskajësi e bardhë, pagjumësi e rrallë
Mësuam fluturimin e gjeraqinës
Horizonteve që prore dridhen
Me krahët e kohës së lodhur
Para së cilës ekziston vetëm fjala
Ama fjala e burrit
E rëndë me peshë të gurit
Nëpër kohën e habitur që s’ndalet
Me një besë për këtë tokë që s’falet


Fluturoni…

O vargjet e mia të freskëta
Shkoni, udhëtoni fluturim
Nëpër viset e atdheut kaloni
“Shumë i shtrenjtë je ti kombi im”
O fjalët e mia të flakta
Të ngrohta o vargjet e mia
Nëpër atdheun tim kaloni
“Shumë e shtrenjtë është Shqipëria”
Shkoni, në vrap, mos u ndalni
Të nxehta o vargjet e mia
Tregoni ngado që kaloni
“Shumë e shtrenjtë është shqiptaria”
Me re fluturoni pa u ndalë
Me dritë me avull ngadalë
As e shihni o vargje të zjarrta
“Atdheu cep më cep me lapidarë”