IDRIZ ZEQIRAJ
Ashtu si zgjedhjet e vitit 2017, që prodhuan qeverinë rakitike, sakate të PAN-it, njëjtë veproi edhe koalicioni LDK-PAN-Lista Serbe, si një gjueti shtrigash, për ta arnuar një qeveri të zgjyrosur, me partitë humbëse të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Një histori e përsëritur, si farsë, provokuese si në rastin e Demarkacionit, kur kryeministri Isa Mustafa kërcënonte dhe lëndonte zemrat e shqiptarëve, me faljen e mijëra hektarëve tokë fqinjit malazez, me shprehjen klishe se “i kemi numrat, për ta ratifikuar e ligjësuar në Parlament marrëveshjen” satanike me Malin e Zi.
“E zgjedhim presidentin ose shkojmë në zgjedhje”,- thotë kryeministri Hoti. “E fusim PDK-në në koalicion, duke i dhënë postin e presidentit, plus disa ministri, për ta çuar mendatin deri në fund”,- thotë kryetari i LDK-së i “zgjedhur” me aklamacion, Isa Mustafa! Rrjedhimisht, si datë zgjedhore llogaritë vitin 2023, pavarësisht se komplet koalicioni është humbës i zgjedhjeve!
Realisht, vendi i presidentit nuk është vakant, sepse ushtruesja e detyrës, Vjosë Osmani, është supër e ligjshme, sepse është e votuar bollshëm, madje, me votën e fshehtë demokratike. Andaj, nuk ka asnjë nguti objektive. Atëherë, ku e kanë hallin Mustafa e Hoti, të cilët po merakosën aq shumë. Mos, vallë, janë alergjikë ndaj Vjosës, si luftëtare e dëshmuar për demokraci?! Mendësi primitive e provinciale, të lënduar në sedër, ngaqë Vjosa i denoncoi për mungesë legjitimiteti, në drejtimin e LDK-së.
Lista emërore, prej 9 (nëntë) të lakuarëve për president, e sjellur në ekranin e TV Dukagjini, nga moderatori Ermal Panduri, është vlerësuar me notën zero, nga shumica absolute e shqiptarëve. Pa hyrë në detaje, po sjellim vetëm ndoca fakte rrënqethëse për kandidatët e listuar.
Dy pretendentët ambiciozë të këtij posti kulmor shtetëror, Haradinaj dhe Mustafa, bartin mëkatin e madh të abuzimit, deri në shkatërrim të buxhetit afatgjatë, në dekada, të Kosovës.
1) Ramush Haradinaj, duke deklaruar se “Kosova ka pasur edhe më shumë se 60 mijë ushtarë dhe duhet të paguhen, madje, përjetshëm, si “veteranë”, u kuptua si thirrje publike, për falsifikime të “Dëshmisë të Veteranit”. Qëllimi ishte klientela e anëtarësisë të përhershme partiake-elektorale dhe përfitimi material i “komandantëve”, nga shitjet masive të “dëshmive të veteranit!”
2) Kreu i PDK-së, Veseli, me qëllim të rrëzimit të qeverisë të suksesshme Mustafa, nxiti xhokerën e saj, OVL të UÇK-së, për ta kërcënuar kryeministrin Isa Mustafa, me protesta: “Ose paratë e veteranëve, ose largohu nga qeverisja!” I eturi për pushtet, i stazhionuar në dekada në kulltukun e zyrtarit të lartë, në vend që ta refuzonte dinjitetshëm dhe me përbuzje kërcënimin kriminal, të krerëve banditër të OVL-së, ai zgjodhi zvarritjen kulltukore. Dhe, Isa kryeministri, pa asnjë verifikim paraprak, aprovoi, madje, në plotni listën fatale të shumë mijëra “veteranëve”, në kuotën e katërfishit të falsifikuar, të rrejshëm!
Sipas një përllogaritje të bërë, janë abuzuar 89 milionë euro për “veteranët” e rrejshëm! Dhe, nëse vazhdonë kjo zhvatje e paligjshme e buxhetit shtetëror, do të arrijë shifrën miliardshe! Po të kemi parasysh se, dikur, shitësi, në një shitore, i cili mbyllte llogarinë vjetore, qoftë edhe me 400 marka gjermane, të munguara në arkën e shtetit, dënohej më 4 (katër) vjetë burg. Mendoni dënimin që do ta meritonin Haradinaj e Mustafa, për shumë milionat e eurove të abuzuara?! Dhe, megjithatë, pacipshëm, kërkojnë postin e Presidentit, në vend që të shporrën nga jeta politike, duke i lënë në frymëmarrjen e lirë partitë e ngulfatura nga ata.
Sa janë të pranueshme fytyrat e tjera të kësaj liste, tashmë, të bëra publike, për president të vendit, lë t`iu referohemi mediave, përgjatë këtyre dy dekadave. Nuk kanë lënë gjë pa shpifur, për ta denigruar Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-në e Tij. Dhe, kur dihet se shumica absolute e shqiptarëve të kudondodhur, vazhdojnë ta kenë lider shpirtëror Rugovën, emërimi i ndonjërit syrësh president, do të ishte provokim i skajshëm dhe përdhosje jo vetëm e Kosovës, por, edhe e shqiptarëve mbarë. Veç kësaj, këta kanë ngritur dollira dhe kanë zbrazur shampanjë, pas çdo atentati të bërë ndaj ushtarakëve FARK-istë të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së.
Në mes të përmendurëve, për Presidentitn e Kosovës, është edhe një zonjë emërmirë. Por, faktet flasin për angazhimin e saj enorme, për ta bërë Hashimin nobelist si dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale. Përveç personaliteteve amerikane, në nismën e turpshme kundër dejtësisë, si në kor, janë bashkuar: Lobi Shqiptar-Amerikan; Shoqata Vatra; Liga Qytetare Shqiptare; Batalioni Atlantiku!
Për këtë organizim lobimi, meritore e dorës së parë, padyshim, është edhe ajo, që një kryetar partie e quajti, faktueshëm, “ambasadore e Hashimit!” Lobimi ishte aq i madh dhe dizinformativ, panegjerik, në favor të Hashimit, sa që një zyrtar epror e quajti atë “Washington të Kosovës!” Por, administrata amerikane, nuk heziton, për ta pranuar fajin e bërë, për vlerësimin paushall. Dhe, reagoi ndryshe, duke dhënë edhe arsyet e kësaj lajthitjeje, krahasimi fatal, thjeshtë, lobimi dizinformues!
Grupimi i këtyre organizmave, në luftën kundër Gjykatës Speciale, i kompromenton ato skajshëm dhe humbasin kredibilitetin, besueshmërinë dhe seriozitetin, në sytë e Administratës Amerikane, e cila ka dëshmuar vendosmërinë, për ta bërë drejtësinë e mirëfilltë, e cila i ka munguar vendit, që nga çlirimi i Kosovës nga NATO-pakti.
Po kaq kompromentues janë edhe të gjithë tellallët kundër drejtësisë, në sytë e shumicës absolute të shqiptarëve. Sipas të gjitha sondazheve, hulumtimeve anketore në opinion, tej 85 % e mbështesin Gjykatën Speciale, si shansi i fundit, për ta gjykuar krimin dhe kriminelët, të cilët e kanë përgjakur Kosovën, me gjakun e bijëve të përzgjedhur të këtij vendi.
Të akuzuarit aktual në Hagë, në paraqitjen e tyre të parë, ishin serbezë dhe besonin në pafajësinë e tyre. Avokatët famozë botërorë të tyre, janë mbrojtësit e sigurtë, kundër çdo padrejtësie, që mund të tentohet të bëhet ndaj tyre. Andaj, nuk kanë nevojë për asnjë mbështetje apo mbrojtje të horrakëve, dallkaukëve, hipokritëve, të cilët dje shanin e sot lavdërojnë!
Ndërkohë që, qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma, ende nuk ka arritur ta kalojë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike në kohë Pandemike, e ka rrokur “sikleti” për zgjedhjen e presidentit, me synimin e vetëm për t`ia zgjatur jetën një qeverisjeje, tërësisht, të paligjshme. Kryeministri Hoti, në vend që të përgaditët për zgjedhjet e pranverës, siç po bëjnë të tjerët, për Hoti-2, i bashkohet intrigimeve dhe pazareve të pista të shefit të tij partiak, Mustafa. Ky i fundit po synon përsëritjen e skenarit të mëparshëm, kur dy krerë banditër partiakë, imponojnë popullit një president-kryebandit!
LDK-ja, anëtarësia, strukturat e partisë, në veçanti, deputetët, duhet ta stopojnë këdo që ka shitur shpirtin ke djalli. Ka ardhur koha ta kundërshtojnë fuqishëm maskaradën zgjedhore të presidentit me pazarllëk partiak. Shqiptarët e Kosovës duhet ta refuzojnë, madje, zëshëm, zgjedhjen banditeske të presidentit, siç veproi, vite më parë, PDK-LDK, përkatësisht, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Presidenti duhet të zgjidhet me votën popullore.
Drithërima e një populli, për pesë vjet radhazi, nga një president i shantazhuar dhe nën akuzë, e katandisi Republikën e Kosovës, deri në prag të zhbërjes të sovranitetit të saj. Mjerim!