KOALICIONI I BANDAVE TË KRIMIT VRASTAR DHE HAJNISË ZYRTARE

0
733

TË NDALOHET ME LIGJ!

Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ

HASHIMI FJALË E RRENË – BESOHET, POR…

Presidenti Vaclav Havel, dramaturg, letrar, ish i burgosur politik në ish-Çekosllovakinë komuniste, thoshte se kurrë nuk e kam gënjyer popullin dhe as që do ta gënjej në të ardhmën. Kjo ishte një arsye më shumë që kolegu i tij i letrave, Presidenti Ibrahim Rugova e adhuronte dhe i përmbahej devizës së Havelit. Popullit duhet thënë e vërteta, madje në çdo rast e kohë. Haveli dhe Rugova u larguan kësaj bote, për në amëshim, duke lënë veprën dhe emrin e mirë, tek popujt e tyre dhe më gjerë për njerëzimin.

Ishte rast i mirë për të mësuar dhe trashëguar nga Presidenti Rugova, qasjen e sinqertë karshi popullit, të vërtetën e pahile, edhe atëherë kur ajo nuk ishte në favorin e tij. Por, ndodhi e kundërta. Me qëllim përfitimi vetjak e gruporë, krerët e partive politike, Hashimi, Kadria, Isa, Ramushi, gënjeshtrën e bënë normë të tyre. Më makro rrenën për Demarkacionin garonin suksesshëm. Ky i fundit theu rekordin me betimin mashtrues dhe rrenacak, se “Kosova nuk humb asnjë milimetër tokë!!!”

Dhe, duke dashur ta mbrojë tradhtinë nënshkruese të Hashim dallaverës, gënjeshtra e Isës ka edhe elemente të bollshme të tradhtisë. Mjerisht, duke u thirrur në emër të LDK-së, në ujdi me një rreth vicioz butakësh, flasin e veprojnë në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë.

E bëra këtë parantezë, sepse gënjeshtra dhe mashtrimi zyrtar, vazhdon të jetë shqetësues për popullin e Kosovës.

Gjykata Speciale pasojë e kërcënimit të organeve
të drejtësisë dhe vrasjes të dëshmitarëve

Hashim Thaçi fjalë e rrenë dhe besohet. Por, çuditërisht, vetëm një herë tha një të vërtetë absolute dhe nuk u besua, pati reagime. Dhe, kjo e vërtetë kishte të bënte me arsyen e themelimit të Gjykatës Speciale. Hashimi tha se për themelimin e kësaj Gjykate ndikuan dy faktorë:

1) Dështimi drejtësisë në Kosovë, për shkak të shantazhimit dhe kërcënimit të prokurorëve dhe gjykatësve;

2) Frikësimi deri në vrasjen e shumë dëshmitarëve.

Shtrohet pyetja: Pse e tha kaq lehtësisht dhe vendosmërisht Hashimi këtë të vërtetë të pakontestueshme?

a) Sepse kjo, tashmë, është dëshmuar në praktikë. Edhe kur paneli i gjykatësve ka marrë një vendim për dënimin e kriminelëve, gjykatësi shqiptar, ka votuar kundër dhe “komandantët” e kanë detyruar ta zbulojë votën e tij, siç është rasti i palo “gjykatësit” frikacak, Rrahman Ratkoceri.

Bllokimin, stopimin dhe dështimin e tërësishëm të drejtësisë e bënë “komandantët”, që thirreshin se “ne e bëmë luftën”, por, në fakt, e kishin sabotuar atë, duke vrarë, në mesin e qindra të tjerëve, edhe ministrin e luftës, në vlugun e luftës, kolonel Ahmet Krasniqin. Të involvuar në vrasje ishin “komandantët” e Rognerit, Sigurimi Shqiptar dhe Serbia. Ndonse e vërteta nuk mund të fshihej më tej, sepse kjo ishte bërë një – e fshehtë publike, – dhe Hashimi e gjykoi që ai ta pranojë i pari krimin, tashmë, të bërë;

b) Hashimi e ndjenë vetën dhe partinë e tij paksa më komod në frikësimin, vrasjen e dëshmitarëve, në raport me partinë-bandë AAK-në. Goditja e dëshmitarëve në Dukagjin ka qenë e egër, e përgjakshme. Andaj, edhe reagimi i AAK-së, ndaj deklarimeve denoncuese të Hashimit, ka qenë i menjëreshëm dhe më i zëshëm.

“Fillimi i Ri” me njerëz të vjetër – absurd!

Sllogani absurd dhe qesharak – njëherësh, i koalicionit PDK-e, AAK-a, Nisma: “Fillimi i Ri”, është një mashtrim, një gënjeshtër e madhe sa bjeshka. Janë po këta horrakë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj me shokë, që, për dy dekada radhazi, ia kanë nxirë jetën shqiptarëve. Përgjatë viteve ’90-a përçanë Mërgatën; nuk njohën institucionet paralele në Kosovë, njësoj si Serbia; sabotuan të gjitha aksionet për ndihmë dhe mbijetesë të Kosovës; krijuan Fondin “Vendlindja thërret” dhe i mashtruan me grabitjen e parave mërgimtarët, duke mos justifikuar asnjëherë arsyen pse u volën paratë, por i përvehtësuan në mënyrën më kriminale; në prag lufte filluan vrasjet politike, rasti i gazetarit dhe i zëdhënësit Ali Ukaj; përçanë faktorin ushtarak, duke e sabotuar luftën në masën më të madhe të mundshme; vazhduan përndjekjen, dajakosjen, kidnapimin, burgosjen, torturat, deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë, duke filluar nga ushtarakët institucionalë, kuadrot, veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së të Ibrahim Rugovës.

Një bandë e ndarë në dy parti siameze, e provuar në krime vrastare, haraç dhe vjedhje zyrtare, pse u dashka provuar sërishmi?!?

“Komandantët” milionerë duhet të japin llogari për krimet e bëra karshi popullit të Kosovës dhe jo të pretendojnë edhe mëtej terrorin politik dhe ekonomik, nëpërmet pushtetit të përgjakshëm të tyre!

Masa e dhunës e Vetëvendosjes, në raport
me përmasën provokuese

Lëvizja Vetëvendosje, në fillimet e saj, u duk premtuese, sepse ishte një forcë e re, me njerëz të rinj. Protestat e saj, madje, deri në dhunë, janë provokuar nga tri arsye madhore:

1) Veriu i ndarë i Mitrovicës;

2) Bashkësia e komunave serbe, “Zajednica”;

3) Shënimi i vijës kufitare, “Demarkacioni”, me Malin e Zi.

Përveç sulmit në familjen Mustafa, si masë e dhunës të tejkaluar dhe e pajustifikueshme, aksionet tjera, përfshi edhe gazin lotë-sjellës në sallën e Kuvendit, kanë qenë të përligjura, në raport me përmasën e dëmit qeveritar si dhe të provokimit enormë dhe cinik, për ta realizuar një tradhti të hapur.

Por, nga ana tjetër, vota e Vetëvendosjes ka qenë në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve.

1) Vetëvendosja ka qenë dhe mbetet kundër Gjykatës Speciale, si shpresë e vetme të luftimit të krimit të pandëshkuar;

2) Aprovimi i ligjit të turpshëm i mbrojtjes të kriminelëve, të akuzuar nga Gjykata Speciale, me paratë e qytetarëve të Kosovës, përfshi këtu edhe nga familjet e viktimizuara, pikërisht, nga këta kriminelë, gjë që është një krim i llojit të veçantë, madje i virgjër e tejet cinik;

3) Votimi për njohjen e vlerave të “UÇK-së”, që bëhej në mbrojtje të “komandantëve” kriminelë, të dënuar dhe që nënkuptonte kërkesën për lirimin e tyre, pavarësisht fajësisë së tyre të faktuar.

Nisur nga këto dhe sjellje tjera, në përkrahje të partive të krimit, është vënë dyshimi se Vetëvendosje është “bisht i PDK-së!”

Problem tjetër është Albin Kurti. Duke dëgjuar përrallisjet e Demaçit, që janë shpifje groteske, siç është akuza se, gjoja, “Rugova ka pranuar një autonomi për Kosovën!” Analistë e politikaj evropianë i janë përgjigjur Demaçit se “Rugova kurrë dhe në asnjë rast nuk ka zbritur poshtë pavarësisë, ndërkohë që Demaçi vërtitej për ta futur Kosovën nën ombrellën e Serbisë me “Ballkaninë” e tij”, i cili ishte një opsion i tejkaluar, madje, jashtë kohës dhe hapësirës, i dalë boje!” Injorimi i figurës të Rugovës, nga Albin zeza, ka qenë dhe mbetet barrë e kosto e lartë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Mania e Vetëvendosjes, se “ne mundemi edhe pa ndërkombëtarët, ta konsolidojmë shtetin e brishtë të Kosovës”, duke pasur armatën vrastare të SHIK-ut në shtet e pushtet, është utopi.

Deklarimet paushalle të Avdullah Hotit

Pahamendje, zgjedhja e Avdullah Hotit, për ta kryesuar listën zgjedhore të koalicionit të djathtë: LDK-e, AKR, Alternativa, është pritur mirë nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së. Ka edhe dyshime dhe skepticizëm se zotëri Hoti, pavarësisht heshtjes dhe kursimi në lavdata për shefin e tij, megjithatë, ka qenë gjatë kohë afër Isës, i cili, me inatin e kuq monist, karshi kuadrove të LDK-së, ka dëmtuar partinë e Rugovës. Përndryshe, Dr. Hoti ka udhëhequr mirë, me profesionalizëm dhe përkushtueshëm, Ministrinë e Financave.

Katër deklarimet e tij publike, janë paushalle dhe larg ralitetit:

1) “Në LDK-e ka unitet të plotë”, – thotë Hoti;

E vërteta është se në LDK-e është dëmtuar uniteti partiak, pas shuarjes fizike të kryetarit Rugova, madje, në vijimësi. Aty ku dominon kërcënimi, shantazhi, përjashtimi e linçimi, nuk mund të bëhet fjalë për asfarë uniteti partiak.

2) “Në LDK-e ka demokraci të brendshme”, – thotë, bile serbez, Dr. Hoti;

Pikërisht, pse mungon kjo demokraci, shefi i saj aktual e ka bërë horrë partinë e Rugovës, duke vepruar në kundërshtim me anëtarësinë dhe popullin. Prova për fjalën e lirë dhe mendimin e pavarur, u kushtoi me përjashtim nga Këshilli i Përgjithshëm, në “Kuvendin e 8-të Zgjedhor” dhe, tani, edhe nga lista, kandidatëve më aktivë dhe më cilësorë të LDK-së, si: Adem Salihaj, Shpejtim Bulliçi, Donikë Gërvalla, Hatim Baxhaku, Fatmir Rexhepi, Murat Hoxha, Frashër Demaj, Petrit Bicaj me shokë.

Më e votuara e LDK-së, profesoreshë Vjosë Osmani, denoncoi faktin se nuk iu dha fjala, në një mbledhje partiake. Zotëri Hoti reagoi se “ka folur kush ka dashtë”. Por, njerëzit i besuan Vjosës, sepse, të paktën, ka dhënë prova sinqeriteti, se është nxënëse besnike e Ibrahim Rugovës.

3) “Mua më zgjodhën për ta kryesuar listën themeluesit e LDK-së”, – thotë Hoti;

Ndërkohë, dihet se themeluesit e LDK-së janë spastruar nga forumet vendim-marrëse. Edhe nëse ka mbetur ndonjë, është krejt i pafuqishëm përballë klanit aktiv. Dhe, këtu qëndron edhe drama e LDK-së, sepse vendosin disa ustallarë inatçorë, mediokër e butakë klasikë!

Megjithatë, Dr. Avdullah Hoti është një zgjedhje e pranueshme nga anëtarësia e LDK-së, nga aleatët në koalicion dhe pjesa më e madhe e popullit Kosovë-dashës.
Vërejtja reaguese ndaj deklarimeve paushalle të Dr. Hotit, kandidat i nominuar nga koalicioni: LDK-e, AKR dhe Alternativa, për kryeministër të ardhshëm të Republikës të Kosovës, është qëllim-mirë dhe shumë dashamirës. Por, kushdo që i referohet Presidentit Rugova, përkatësisht, frymës rugoviane, duhet të jetë i saktë në fjalën publike, duke u shërbyer vetëm me të vërteta absolute, sipërore, ashtu siç vepronte hyjnori Rugovë.

4) “Ata që kanë abuzuar me pushtetin, nuk duhet të udhëheqin mëtej Kosovën”, – thotë Hoti.

Mendoj se kjo gjuhë e zbutur, e mjegulltë dhe, deri diku, lutëse, nuk është adekuate, nuk i shërben një fushate përballëse me kriminelët, haraçxhinjtë, hajnat zyrtarë, siç janë “komandantët” milionerë. Derisa ambasadorët e dy shteteve prijetare botërore: Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar britanike, përkatësisht, Greg Delawie dhe Ruari O’Cornnell, e lënë me një anë gjuhën diplomatike dhe i emërtojnë saktësisht vrastarët dhe hajnat milionerë, pse zotëri Avdullah Hoti shpërfillë krimin dhe hajninë, duke u mjaftuar me “abuzim”! Një fillim i keq.

Shpifja, sado e lehtë të jetë, peshon rëndë dhe penalizohet. Ndërsa, e vërteta, pavarësisht fjalorit të përdorur, i lehtë apo i rëndë, nuk mund as të penalizohet dhe as të konsiderohet i tepëruar. Sepse e vërteta duhet të vlerësohet, madje në masën e duhur, duke e përsëritur në çdo rast dhe në çdo kohë.

Andaj, ka ardhur koha të thuhet bindshëm dhe zëshëm: Koalicioni i bandave të krimit vrastar dhe të hajnisë zyrtare – të nxirret jashtë ligjit!

Kriminelët të ndëshkohen për krimet e tyre serike; për vrasjen e ushtarakëve institucionalë, (FARK-ut), luftëbërës si dhe të Veprimtarëve të LDK-së; për vjedhjen industriale të pasurive shoqërore dhe shtetërore; për katandisjen, deri në prag të dështimit, të shtetit të Kosovës.