KLUBI I SHKODRËS

0
120
Fan Noli - Klubi i Shkodrës

Nga: Fan Noli

Lajmat nga gazetat e huaja na e rrëfejnë të ndryshmë shkakun e mbylljes së Klubit të Shkodrës. Do të perpiqemi pra me pak fjalë t’i përmbledhim këto të gjitha që t’u japim të kuptojnë shqiptarët cila është thellazi përseja e këtyreve paudhësive që po ngjasin njera pas tjatrës ndë Shkodër.

Një telegraf i “Tajmsit” (“Times”) të Londrës na rrëfen për shkak mysylmanët, të cilët domosdo kërkonin që shqipja në qoftë se munt të shkruhet, duhet bërë vetëm me shkronja arabisht. Gazeta greqishte “Pyrros” na rrëfen që mysylmanët u mblodhën një natë të Ramazanit, nonjë mijë, e rrethuan klubin dhe kërkonin ta diqnin, se shqiptarët që e bënë këtë klub qënkeshin vegla të Austrisë. Qeveria (turke) tjatrën ditë e mbylli klubin dhe zbriti tabellën e tij.

Përandaj katholikët shqiptarë, nuk deshin të merrnin pjesë në konferencën që u bë prej mysylmanëve, për të protestuar kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Një letër prej Elbasani nga tjatra anë na rrëfen për shkak një gjë që ka më tepër rëndësi nga këto të gjitha. Kjo letër na tregon që mysylmanët shkodranë u tërbuan kur mësuan se në këto klube janë shkruar katër a pesë mysylmanë dhe menjëherë u hodhën t’i mbyllin dhe pak mbeti t’ua diqnin shtëpinë atyre mysylmanëve që kuxuan të shkruhen anëtarë në këtë klub.

Nuk na çudit fare fanatizma e mysylmanëve të Shkodrës dhe kurrë nuk ushqyem shpresën e kuximshme që munt të bëjshin njerës të rij, pasi u vendos konstitucia. Po çuditemi për qeverinë, e cila s’është e zonja t’u vërë fre këtyre egërsirave dhe i lë të bëhen shkak për të derdhur gjak vëlla me vëlla. Sa pandehim që shqiptarët atdhtarë të Shkodrës të mos e gëlltitin dhe këtë shuplakë pa nxjerrë zë, si burgosjen e Dervish Himës.

Kemi frikë se, ndë qoftë se mysylmanët e Shkodrës sillen me këtë paturpësi barbarë, të krishterët do ta humbasin durimin dhe, në dhënçin besën, që ta marrin gjakun gjithë Malësia, do mos mëntojnë ta shikojmë Shkodrën të mbytur në gjak, dhe fajën do mos e kenë të krishterët, dhe ata që do të pendohen do jenë mysylmanët e Shkodrës dhe qeveria turke. Dhe në këtë gjë me anën e katholikëve të Shkodrës, të cilët s’kursejnë veç të drejtat që rrjedhin prej konstitucies, do të qëndrojnë gjithë të krishterët dhe mysylmanët e Toskërisë, të cilët prej kohë kanë kuptuar çdo me thënë qytetërim.

Para se të mbarojmë, kemi dy fjalë për klubin e shqiptarëve edhe ca më tepër për atë të Manastirit që është si krye. Përse këto klube nuk protestohen këtyre padrejtësive, po pushojnë? Po munt të na thonë se s’trazohen në politikë sipas kanunoreve. Jo, or zotërinj, se kur shkruani që do të përkrahni Xhemietin e xhonturqve, na thoni që do të përpiqi për lirinë dhe përparimin e perandoritë otomane. Mirë! Ashtu e kuptoni përparimin e perandorisë otomane? Dhe kur të bëhet gjak në Shkodër, do mos jini fajtorë, posa që s’deshtë ta lajmëroni qeverinë në ç‘greminë po baret, dyke sjellë prapë në Shkodër kohën e errët të tiranisë së vjetër.

Po kemi një shpresë dhe kjo na jep kurajë! A janë të zotërit katholikët e Gegërisë tua kthejnë shuplakën atyre që dashkan të mos ketë klub shqiptar?

Botuar në “Kombi”, 1908, 25 nëntor, nr. 164

Fan Noli (Nirvana)