Me 12 gusht 2018, u organizua nga Bashkia Malësi e Madhe, manifestimi tradicional “Logu i Bjeshkëve” në Qafën e Predelecit – ku kishte edhe një konkurs bukurie, me vajzat malësore me xhubleta. Çmimin e parë të këtij konkursi e fitoi Klaudia Popaj, një vajzë e bukur, malësore si dritë, që zbukurohej edhe më shumë nga veshja tradicionale e Malësisë, xhubleta.
Këtu poshtë po japim fjalën e Kryetarit të Bashkisë, z. Tonin Marinaj, me këtë rast:
Tonin Marinaj, Fjalim në Logun e Bjeshkëve, 12.08.2018.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju uroj mirëseardhjen në Kelmendin tonë të historisë, në Kelmendin e krenarisë dhe të traditës, të mikpritjes dhe të bukurisë së magjishme natyrore, në Kelmendin e njerëzve bujarë e madhështorë.
Me lejoni si fillim të falënderoj vajzat malësore, që marrin pjesë në këtë konkurrim, që në këto ditë, kur të rinjtë dhe te rejat shqiptare po i largohen gjithnjë e më shumë traditave tona, ato me pasion dhe elegancë po e ruajnë dhe promovojnë Xhubletën – veshjen më origjinale, më të jashtëzakonshme dhe më të vjetër në botë, e mbetur gjallë deri në ditët e sotme, falë kësaj lidhjeje të veçantë shpirtërore, që malësorët tanë ruajnë me trashëgiminë e tyre kulturore dhe historike, me bukuritë e veshjeve tona.
Është krenari t’i trashëgosh këto vlera kulturore, në madhështinë e këtyre maleve krenare, që s’janë përkulur kurrë dhe kulturën e pasur të kësaj zone, prandaj mirënjohja shkon edhe për të gjithë ata, të cilët prej 17 vitesh, e kanë mbajtur gjallë këtë thesar të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore.
Ne si Bashki, i kemi kushtuar një vëmendje maksimale këtij aktiviteti, duke shtuar fondin për organizimin e tij, si dhe angazhimin e njerëzve profesionistë të artit, dhe siç e shikoni, edhe pjesëmarrja ka ardhur gjithnjë duke u rritur. E kjo është një gjë e mirë për të gjithë. Por edhe shteti ynë është treguar bujar, me investimet për zonën, për rrugën me cilësi të lartë Evropiane, dhe tani në projektin e Qeverisë Rama, për 100 fshatrat turistikë në Shqipëri, edhe dy qendra të banuara këtu në Kelmend, Qafa e Predelecit, ku ndodhemi dhe qendra e Vermoshit, do të marrin një vëmendje të veçantë me investimet e nevojshme, për t’i bërë më atraktive e në shërbim të banorëve e turistëve, që vijnë në këtë zonë. Kësaj do i shtohet edhe investimi për fazën e dytë të rregullimeve në Tamarë, e cila është bërë një qendër mjaft tërheqëse dhe e vizituar.
Ne jemi të interesuar për të mos e prekur në asnjë rast origjinalitetin e traditës së Kelmendit dhe do të vazhdojmë me përkushtim, që “Logun e Bjeshkëve” ta promovojmë bashkë, që ta njohë e gjithë Shqipëria, këtë traditë të bukur kelmendase, e cila promovon bukurinë, krenarinë, madhështinë, mikpritjen dhe bujarinë e malësorëve, pasi kjo është në nderin e Kelmendit, në nderin tonë, por edhe në nderin e kulturës dhe të historisë së Shqipërisë. Pra, të jemi bashkë, përkundër zërave meskinë, që duan të na përçajnë! Me stafin tim, jam duke u konsultuar edhe për mundësinë e shtimit të një aktivitetit tjetër kulturor në Malësi, një festival të këngës, valles dhe të instrumenteve popullore e folklorike, që mendoj se mund ta organizojmë në Bajzë apo Tamarë, gjatë pranverës, në mënyrë që të shtojmë aktivitetet kulturore dhe ta zbukurojmë jetën tonë.
Ne kemi trashëguar edhe një histori të rëndë e varfërie në vendin tonë, ku malësorët kelmendas e më gjerë, janë detyruar të lënë vatrat e tyre të bukura dhe të emigrojnë. Ata punojnë e zhvillojnë ekonominë në vendet e emigrimit, por nuk e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre, e cila i pret me mall e dashuri. Një fjalë e kam për ta: “Mirë se vini në vendin tuaj. Dera për ju është gjithmonë e hapur. Mos u lodhni kurrë me vendin që ju lindi, ejani sa më shpesh. Mos e harroni gjuhën, kulturën e traditat tuaja, tregojuni fëmijëve për Malësinë, për Shkodrën e Shqipërinë. Mbajeni mend gjithmonë, se askush nuk ju do me shumë se vendi juaj! Ne po përpiqemi të bëjmë sa mundemi, për mirëqenien dhe promovimin e vlerave më të mira të kulturës sonë, por duhet ndihma e kontributi pozitiv i të gjithëve! Ejani e investoni në Shqipëri, e në Malësi. Na duhet përvoja juaj, si dhe menaxhimi privat i burimeve natyrore, që t’i kthejmë këto anë në burime fitimi dhe në atraksione turistike e të lakmueshme për turistët e vizitorët.”
Ne jemi me fat gjithashtu, që kemi një kryeministër artist, i cili e do të bukurën dhe po e zbukuron këtë vend me investimet e nevojshme. Po shihet qartë se kryeministri Rama e ka për zemër edhe Kelmendin, me tre investime të rëndësishme në këtë zonë. Puna jonë në krye të Bashkisë, ndihma e pakursyer dhe e vazhdueshme e deputetit Sterkaj, këtë qëllim kanë patur gjithmonë, promovimin e vlerave tona dhe sjelljen në vëmendjen e qeverisë të projekteve, që e rivitalizojnë zonën, që të shtohen turistët por edhe të ardhurat për banorët e zonës, prandaj duhet edhe të jemi mirënjohës. Prandaj, një falënderim i veçantë shkon për kryeministrin tonë, i cili me punë po tregon se është kryeministri më i mirë në vitet e demokracisë.
Në fund, dëshiroj nga zemra t’ju përshëndes të gjithëve për praninë tuaj në këtë log, në mes të kësaj mrekullie natyrore, që ta zgjatë jetën. Shpresoj që ta shijoni këtë aktivitet kulturor, i cili promovon cilësitë më të bukura të jetës, dhe uroj që të bëheni një zë pozitiv i trevës sonë, që të rritet çdo vit numri i atyre, që dëshirojnë të marrin pjesë dhe ta shikojnë “Logun e Bjeshkëve” dhe resurset e jashtëzakonshme natyrore, që ofron Kelmendi dhe Malësia e Madhe. Dyert e malësorëve janë gjithnjë të hapura për ju dhe miqtë e mirë.
Ju faleminderit !