KKAD PËRSHËNDET MARRËVESHJEN SHQIPËRI – KOSOVË PËR ABETAREN E PËRBASHKËT

0
104
Këshilli koordinues i arsimtarëve në diasporë

Më 22.12.2021

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë-KKAD, miratimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së dy Ministreve; të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi dhe Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të Republikës së Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, për Abetaren e përbashkët nga dy shtetet tona shqiptare i sheh si një akt të lartë kombëtar. Por edhe shpresëdhënëse për pjesën tjetër, jashtë trojeve shqiptare, të cilët po përballën me vështirësi në mësimin e gjuhës amtare.

Këtë miratim KKAD-ë e përshëndet dhe ndihet e sigurt se e ardhmja e përbashkët e librit shkollor, në të gjitha trojet shqiptare, ku flitet shqipja, si dhe unifikimi i diasporës-mërgatës shqiptare, jo vetëm që është një rrugëtim i realizimit të vullnetit të rilindësve, po mbi të gjitha është një porosi e të gjithë shqiptarëve: “Një gjuhë, një komb!

Përpos Abetares, muaj më parë u prezantua Teksti Mësimor për Diasporën nga Komisioni i përbashkët Shqipëri- Kosovë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I. Për këtë KKAD-ë jo vetëm që e përshëndet këtë nismë, por mbi të gjitha e përkrah dhe kërkon unifikimin e shkollave shqipe në diasporën- mërgatën shqiptare. Gjë që dy shtetet tona shqiptare këtë ide bashkimi ta kultivojnë edhe në diasporë, nga fakti se brezi i dytë i fëmijëve mërgimtarë kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën amtare, e nëse e anashkalojmë këtë ndjeshmëri, në të ardhmen ka drojë se atdheut do t’i humbasin këta fëmijë!

Për të mos ardhur deri te kjo humbje e fëmijëve tanë mërgimtarë, KKAD-ë i dërgon qeverive të atdheut një përshëndetje për detyrën e saj fisnike, për një komb, një gjuhë dhe për një abetare unike, e cila dhe ka qenë e domosdoshme kaherë për t’u miratuar. Krahas kësaj së bashku të mendojmë edhe për fëmijët jashtë atdheut, për ruajtjen e gjuhës amtare!

Shpresoj se znj. Kushi dhe znj. Nagavci së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës ta dëgjojnë zërin e mërgatës dhe kërkesat e tyre për të realizuar qëllimin, vizionin dhe misionin e KKAD-ës, për unifikimin e diasporës shqiptare, për shkollën shqipe.

Urime dhe suksese në rrugëtimin tuaj që fëmijët shqiptarë ta kenë sa më shpejt në duar abetaren e përbashkët!

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)

Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar
Mustafë Krasniqi – nënkryetar