Kishë apo xhami në kalanë e Shkodrës?

0
1139
Kalaja Rozafa

Dom Nikë Ukgjini i përgjigjet Pëllumb Xhufit

Kisha-xhami e vendosur në kalanë e Shkodrës (Kisha e Shën Shtjefnit për katolikët e Xhamia e Sulltan Mehmetit për myslimanët), veçse një debat mes klerit, duket të nxisë debat edhe mes historianëve.

Ndryshe nga ç’e ka parë atë objekt prof. Pëllumb Xhufi, e sheh Dom Nikë Ukgjini (autor i “Kisha Katolike në trevat shqiptare nga shek. XI – deri në ditët e sotme”), botim i cili ka kaluar në duart e Xhufit.

Ndërsa më herët Myftinia e Shkodrës dhe imami Muhamed Sytari tha për “GSH” se është kundër mbajtjes së meshës më 26 dhjetor, famullitari i Shën Shtjefnit, Dom Artur Jaku përmes një artikulli në “GSH” sqaroi se katolikët nuk duan ta zaptojnë.

Në vijim, Xhufi duke njohur objektin si kishë në fillim e më pas si xhami, kundërshtoi mbajtjen e meshës dhe dha disa argumente që kundërshtohen sot nga Dom Nikë Ukgjini.

Nga DOM NIKË UKGJINI

Disa shkrime të botuara kë tyre ditëve të fundit në median e shkruar rreth objektit në Kalanë e Rozafës, më nxitën qe t’i jap disa mendime personale rreth temës në fjalë. Këtu fjalën në radhë të parë e kam për shkrimin e prof. Pëllumb Xhufit, i cili në shkrimin me titull “Objekti në kalanë e Shkodrës, ku gabojnë Kisha e Xhamia”, botuar më 23 janar në “Gazeta Shqiptare”, me dashje apo pa dashje ka hapur disa fusha diskutimi. Me këtë rast, unë do ndaloja te një pjesë e fushës historike me të cilën jam marrë dhe anën klerikale. Në këtë shkrim, besoj ta gjejnë veten edhe disa të tjerë, që dhanë mendime të njëanshme, madje edhe me fjalë mllefosëse, çfarë nuk i shkon natyrës kulturore të askujt.

Burimet studimore dëshmojnë së, fatkeqësi e madhe për popullin tonë dhe që la gjurmë me shumë pasoja ishte pushtimi shkatërrues sllav, e po kështu, edhe pushtimi turk, ky i fundit, duke qenë i përbërë prej popujsh endacakë nga stepat e Azisë dhe pa një kulturë të zhvilluar sa lypej, solli shkatërrime në çdo drejtim, si rasti i pushtimit të trevave shqiptare. Sipas burimeve historike të D. Farlatit e J. Coleti, L. Thalloczy, C. Jeriçek, e M. Shufflay, të gjitha trevat shqiptare nga shek. IV e në vazhdim, ishin të mbuluara me objekte fetare.

Me rastin e pushtimeve sllave, objektet kishtare u rrënuan dhe një pjesë e tyre, u tjetërsuan si objekte për nevojat e tyre shoqërore. Pagëzimi i serbëve në shek. X-XI solli një afrim me Selinë Shenjtë, por pas ndarjes së Kishës së krishterë në: lindje e perëndim në vitin 1054 dhe krijimit të Kishës Autoqefale Serbe në vitin 1219, situata qe përkeqësuar duke arritur deri në armiqësi në mes dy palëve.

Madje, në kohën e kryeipeshkvit të Tivarit dhe primasit të Serbisë, Guiellelm Andrea, (Brochardus) i cili në vitin 1332 shkroi se ‘shqiptarët janë katolikë dhe së e kanë gjuhën dhe librat e veta’, ai, po në këtë vit do ftonte Evropën të bëjë luftë kundër serbëve dhe grekëve. Dihet se me martesën që ndodhi në mes Stefan Uroshit I (1243-1276) dhe mbretëreshës katolike frënge Helena, motra e gru- DOM NIKË UKGJINI: Një përgjigje Pëllumb Xhufit për kishën e Shkodrës as e një fisniku frëng – Anselmo De Chau, situata kishte ulje dhe ngritje marrëdhëniesh me Selinë Shenjtë. Dhe gjatë kësaj kohe dhe në shek. XIV, me ndihmën e motrës së saj Marisë, shënohet rindërtimi dhe ndërtimi i shumë objekteve fetare katolike e sidomos në kala dhe përreth si: Shën Nikolli pranë portës, Shën Maria, Shën Apolinari, Të Gjithë Shenjtërit, Shën Prena, Shën Pjetri e Pali, Shën Vlashi etj.

Kisha Nënë e të gjithave, ishte ajo e Shën Shjeftnit, Martir i parë, e ndërtuar në shek.XIII, në themelet e kishave paleokristiane. Për ndërtimin e kishave katolike në momente të caktuara do jetë kërkuar leja e ndërtimit nga pushtuesit serbë, por nuk ka asnjë dokument se objektet fetare në kalanë e Shkodrës, Tivarit, Ulqinit, Shasit, Drishtit etj., edhe pse kanë qenë të pushtuara nga serbët ortodoksë, të kenë qenë nën juridiksionin kishtar të Kishës Ortodokse, por gjithmonë kanë qëndruar nën pushtetin e papatit. (Shih, Illyrici, Sacri, voll, VII dhe VIII, te Farlati-Coleti, Venetiis, 1817 e 1819).

Guiseppe Valentini shprehet se katedralja e Shkodrës, sipas letrës së Papa Klementit të VI, datë 22 janar 1346, ishte emëruar si vend ku qytetarët do mund ta marrin ndjesën e plotë për mëkatet e bëra (shih, Leka, 1934, nr. 8, fq. 258.) Edhe stili ndërtimor romanogotik me hyrje ballore kah perëndimi, tregon së Kisha katedrale nuk ka lidhje më ortodoksinë serbe.

Çfarë i përket emrit, Stefan, Stefano, Sancti Stephani, Staphanus, në shqip Shën Shtjefni, emër me të cilin janë shërbyer disa nga mbretërit serbë, nuk është element përcaktues. Pasi ky emër biblik është më tepër i traditës latine, arbërore se sa bizantine dhe aq më pak serbe, të cilët këta të fundit janë njohur me kulturën biblike nëntë shekuj pas shqiptarëve. Po kështu, me pushtimet turke të trevave shqiptare në shek. XV, pati rrënime të shumta në të gjitha drejtimet.

Edhe nga udhëpërshkruesit e ndryshëm, të cilët i përshkruan viset tona e në veçanti Shkodrën, del qartë vandalizmi, e sidomos më rastin e shkatërrimit të Vekështjellës së Shkodrës dhe katedrales së Shën Shtjefnit, në vitin 1479, në kohën e Sulltan Mehmetit të II, kur u hapën portat për depërtimin turk drejt perëndimit. Klithmën për mbijetesë të popullit të Shkodrës i ngujuar në Kala e përshkruan në mënyrë trishtuese dëshmitari i ngjarjes, prifti i katedrales së Shën Shjefnit, Dom Marin Barleci, në kronikën e tij “Rrethimi i Shkodrës” në vitin 1504. Kalimi në besimin islam i shqiptarëve pati pasoja të shumëfishta në jetën politike, ekonomike, shoqërore, fetare dhe kulturore të popullit shqiptar.

Bota perëndimore nuk i pranonte shqiptarët si komb më vete, por sipas prezantimit të bërë nga Perandoria Osmane, shqiptarët e islamizuar i identifikonin si turq, ata ortodoksë si grekë dhe katolikët si latinë. Rezultati kryesor i këtij procesi ishte fakti se në fushën politike, Fuqitë e Mëdha, duke na konsideruar të islamizuar në masën 70%, në Kongresin e Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Londrës të vitit 1913 ua dhuruan fqinjëve trojet shqiptare në mënyrë të paskrupullt. Në fushën shoqërore prania e islamizimit konstatohej qartë veçanërisht në qytete, në të cilat ku më herët e ku më vonë, në përshtatje me ecurinë e procesit të islamizimit, u krijuan lagjet myslimane krahas atyre të krishtera. Lagjet e reja myslimane u krijuan dhe u zgjeruan në pjesën e re (jashtë kështjellave) të qytetit.

Mes shqiptarëve myslimanë dhe atyre katolikë në disa raste në Shkodër shkaktoheshin edhe ngatërresa thotë, Dom Ndoc Nikaj. Ndryshimet në strukturën fetare të popullit shqiptar si rrjedhim i depërtimit të islamit u pasqyruan në ndalimin e zhvillimit edukativo-arsimor dhe shkencor edhe në arkitekturën dhe urbanistikën e vendbanimeve shqiptare e posaçërisht në Shkodër. Këto pasoja dhe dallimet na kanë shoqëruar gjatë shumë etapave në të kaluarën e popullit tonë.

Kisha katolike, e cila historikisht ka luajtur një rol përbashkues, edhe sot dëshiron të kontribuojë pozitivisht për shoqërinë shqiptare. Prandaj nisur nga ky fakt, famullitarët e Shkodrës nga viti 1995 e në vazhdim, në shenjë kujtimi ndaj kësaj ngjarjeje historike kombëtare të vitit 1479, në rrënojat e Kishës në kalanë e Rozafës, çdo 26 dhjetor, në ditën e Shën Shtjefnit, kanë celebruar liturgjinë Hyjnore. Këtë traditë me qëllim të mirë e të dëlirë e ka vazhduar edhe famullitari i tanishëm i Shkodrës, Dom Artur Jaku, duke mbledhur besimtarët dhe ata vullnetmirët që të bëjnë homazh liturgjike në këtë vend të bekuar, ku në altarin e atdheut dhanë jetën mijëra shqiptarë.

Famullitari, në një artikull të botuar në “Gazetën Shqiptare” më 20 janar të këtij viti, me shumë modesti dhe vizion evropian, ndër të tjera qe shprehur: “Ne si Kishë në Shkodër s’kemi nëntekste, ambicie për zaptim, nuk ekziston asnjë vullnet për tjetërsim apo shndërrim në skenë protagonizmi apo heroizmi, aq më pak konfliktuale. Lartësimi i traditës, përshpirtrisë, nderimit, për vendet që kanë rrugëtuar në pjekurinë e pranimit të tjetrit, histori të ngjashme i çmojnë si vlerë të shtuara.

Një meshë, një koncert, një aktivitet kulturor, një moment lutjeje nga të gjitha komunitet nuk e dëmtojnë këtë monument, përkundrazi i japin një vlerë të rëndësishme për kombin tonë”, përfundon citati. Shtrohet pyetja, si, a ku ka vend këtu për të ulëritur, mllefosur, apo përdorur sinonime të pakulturuara siç bëhet ditët e fundit, nga disa që duhet të prodhojnë vizion evropian, kulturë paqe dhe dashuri në mes shqiptarëve? Ciceroni shprehej: “Asgjë nuk ka më të Shenjtë tek njeriu sesa arsyetimi” (Ratione nihil est in homine divinis).