KISHAT E KURBINIT NË OPTIKËN STUDIMORE TË KASTRIOT MARKUT

0
881

Shkruan: Isak A H M E T I

Libri studimor: KISHAT E KURBINIT, Geer, Tiranë 2008, fq. 416, i studiuesit Kastriot Markut, të cilin po ju paraqesim kësaj radhe, është një kontribut me vlerë, shumë i çmueshën për të njohur më mirë dhe më thellë, përmes burimeve të mjaftueshme, Kishat e Kurbinit, përkatësisht toponiminë, veprimtarinë e klerikëve, shkollimin, arkitekturën, etj. Në këtë libër, siç shihet edhe në përmbajtjen e tij, do gjejmë shumë të dhëna të reja, të cilat, fatkeqësisht, nuk janë prekur më parë, sa e si duhet, nga studiuesit tanë as nga Teofan Popa, e që kanë të bëjnë me mbishkrimet e Kishës së Shën Prendes, e të cilat në mënyrë më të thelluar i ka shqyrtuar autori në fjalë.

Kështu ky autor, në bazë të kërkimeve të drejtpërdrejta në terren, bazuar në burime të shumta historike si dhe në analizat e rezultateve të hulumtimeve që i ka kryer, ka arritur të krijojë një vështrim më të thelluar dhe më të plotë të udhës që kanë ndjekur përgjatë shekujve organizimi kishtar si dhe objektet e kultit të krishterë në Kurbin.

Libri në fjalë hapet me:
1. Paraqitje (autor Imzot Rrok Mirdita),
2. Dy fjalë (autor Aleksandër Meksi), dhe
3. Hyrje (fjala e autorit), që shërbejnë si VADE MECUM për të hyrë më lehtë në përmbajtjen dhe vlerat e këtij libri.

Librin në fjalë autori e ka ndarë në tri pjesë :
I. ORGANIZIMI KISHTAR NË KURBIN (fq. 25-120),
II. MONUMENTET KISHTARE NË KURBIN (fq. 121-223)dhe
III. KONTRIBUTI I KISHËS KATOLIKE PËR ARSIMIN NË KURBIN (fq. 225-251)

Siç shihet, prandaj, libri në fjalë, i shkruar me pasion dhe përkushtim, përbëhet prej tre pjesësh, që, siç e ka vënë re edhe Aleksandër Meksi (fq. 9-10), përplotësojnë njëra tjetrën.

Tek pjesa e parë: ORGANIZIMI KISHTAR NË KURBIN, siç e thotë edhe vetë ky titull, është trajtuar organizimi kishtar në Kurbin, ku ruhen 30 kisha të periudhës së Mesjetës, të cilat, sipas autorit, përbëjnë një pasuri të rëndësishme jo vetëm për të njohur organizimin kishtar por edhe arkitekturën e kësaj zone (fq. 10).

Studimi i organizimit kishtar të krahinës së Kurbinit ndër shekuj, bëhet mbas një paraqitjeje të plotë e shqyrtimi dhe vlerësimi shkencor të burimeve historike dhe atyre dokumentare, krahas studimeve të derisotme, të cilat nuk janë të plota edhe pse të shpërndara në botime të shumta të cilat nuk mund t’i gjejë me lehtësi çdo lexues i interesuar për këto probleme, që nuk janë të pakta sidomos sa i përket organizimit kishtar në Mesjetën e hershme deri sa fillon të përmendet Ipeshkvia e Krujës e sidomos të qenët gjatë Mesjetës së mesme njëherazi të Ipeshkvisë së Arbërit me atë të Krujës (fq. 9).

Në kuadër të pjesës së parë autori ka përfshirë këto njësi shkrimore mjaft përmbajtësore:
– Çështje të historiografisë kishtare,
– Kurbini. Vështrim i përgjithsjëm
– Kurbini në Ipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës,
– Ipeshkvinjtë e Arbërisë dhe Ipeshkvinjtë e Durrësit që qëndruan në Shën Prende, Gallatë(1615-1856),
– Ipeshkvinjtë e Durrësit që qëndruan në Delbenisht (1856-1957),
– Gjendja kishtare në Kurbin gjatë mesjetës,
– Papë Klementi XI dhe Kuvendi i Arbërit.

Te pjesa e dytë: MONUMENTET KISHTARE NË KURBIN, autori, siç e thotë edhe vetë titulli mjaft përkufizues, ka marrë në shqyrtim monumentet kishtare në Kurbin, ku ka të dhëna dokumentare sipaps burimeve historike. Të dhënat e para bazë më të shumta dhe më të qenësishme mbi ndërtimet kishtare dhe organizimin kishtar në Kurbin, sipas autorit, janë ato të relacioneve të viteve 1641 dhe 1644 të Mark Skurrës dërguar Propagandës Fide (fq. 121). Duke bërë fjalë për këto relacione, autori vlerëson me shumë të drejtë se hartuesit e tyre janë treguar mjaft objektive, për aq sa ka qenë e mundur në kohën për të cilën flitet, në kushte tejet të pasigurta.

Këto relacione, të dërguara Propagsndës Fide, nga ana e ipeshkvinjve, vizitorëve, prelatëve, misionarëve, informatorëve, inspektorëve apostolikë me detyrën e inspektorit të përgjithshëm mund të konsiderohen, sipas vlerësimit të autorit, si një HISTORI E KISHËS KATOLIKE e shek. XVII në Shqipëri. Pjesa e dytë e librit mbyllet me një sprovë, për aq sa lejojnë mbetjet, të paraqitjes dhe analizës së përbashkët për tipologjinë, teknikat e ndërtimit të përdorura dhe vlerat e këtyre kishave që përbëjnë një pasuri të rëndësishme.

SKOLLA SHQIPE E KURBINIT E VITIT 1632

Te pjesa e tretë :KONTRIBUTI I KISHËS KATOLIKE PËR ARSIMIMIN NË KURBIN, siç e thotë ky titull mjaft përkufizues, autori ka marrë në shqyrtim në mënyrë mjaft të thelluar traditën e arsimit, shkollat, që ishin hapur në këtë trevë. Duke iu referuar relacioneve, burimeve të ndryshme, dokumenteve relevante, autori konstaton se “themelet e arsimit shqip jo vetëm në Kurbin, por në tërësi në trojet etnike shqiptare duhet t’i kërkojmë në Gallatë të Kurbinit në gjysmën e parë të shek. XVII, ku këtu u hap shkolla e parë shqipe. Kështu, sipas dokumenteve, që në vitin 1632 ekzistonte në Kurbin një seminar… atëherë këtu u hap shkolla e parë dhqipe e njohur si shkolla e Kurbinit” (fq. 231-232-233). Fakti i hapjes së shkollës në Kurbin, sipas autorit, është një fakt historik i dokumentuar dhe, kësisoj, i padiskutueshëm…

Libri:KISHAT E KURBINIT, i studiuesit Kastriot Marku, mbyllet me: Fjalorthin, Burimet dhe Literatura, Treguesi i emrave të vendeve dhe personave, Shtojcën; Relacionet e ipeshkvinjve të Arbërisë nga Kurbini, gjë që tregon jo vetëm për erudicionin por edhe për përkushtimin e autorit për të bërë një libër me shumë vlera, që do shërbejë si shtysë për studime të mëtejme të kësaj problematike. Krejt në fund le të theksojmë se, me rastin e ndonë ribotimi eventual të këtij libri, do ishte mirë që ai të plotësohet me të dhëna të reja që nuk janë të pakta.