KISHA KATOLIKE NË TREVAT SHQIPTARE NË OPTIKËN STUDIMORE TË UKGJINIT

0
1487

Nga Isak A h m e t i

Libri: Kisha Katolike në trevat shqiptare (Nga shek.XI deri sot), Qendra Botuese Shoqata e Jezuitëve, Tiranë, 2016, fq.447, i studiuesit Dr. Dom Nikë Ukgjinit, është një trajtim gjithëpërfshirës që ai i bën kësaj teme.

Pas Parathënies (shqip dhe anglisht), të Prof. Dr. Pëllumb Xhufit, vjen një Hyrje (fq.21-28), ku thuhet se libri ka përqëllim të mbarështrojë ngjarje historike të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në trevat e tyre stërgjyshore dhe Institucionin e saj të pandashëm, Kishën Katolike, e cila, siç thuhet, ndau fatin e popullit në të mirë dhe në të keq, gjatë kohës së pushtimit serb nga shek. VIII, dhe pushtimit turko-osman, gjatë shek. XV-XX (fq. 211).

Mirëpo, siç theksohet edhe në Hyrje, në këtë vepër studimore janë trajtuar edhe sfidat e reja të Kishës Katolike në Shqipëri gjatë pushtetit të mbretit Zog, pushtetit komunist-ateist si dhe pas demokratizimit të Shqipërisë, kur Kisha Katolike Shqiptare fillon të rigjallërohet, të ripërtërihet, si të gjitha kishat e tjera perëndimore. Poashtu në këtë vepër studimore, që është mjaft voluminoze, interesante dhe me shumë vlera, sikundër edhe me disa nangësi(që do i përmendim më vonë), është përfshirë edhe gjendja e vështirë e Kishës Katolike në dioqezën e Shkup-Prizrenit, gjatë Jugosllavisë Mbretërore, Jugiallavisë Socialiste dhe luftës serbe në Kosovë gjatë vitit 1989-1999.

Natyrisht, libri në fjalë, theksohet në Hyrje( fq 22), ka këndvështrimin e vet të paraqitjes së historisë kishtare dhe citojmë: “është më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës në zbërthimin e ngjarjeve historike që lidhet me Kishën Katolike në trevat shqiptare” dhe si i tillë, ky studim monografik, citojmë: “synon të merret në hollësi me jetën konkrete të Kishës Katolike Shqiptare të salvuar dhe vijimësinë e rrugës së saj për të ruajtur identitetin kombëtar dhe fetar gjatë luftërave të ashpra kundër pushtuesve sllavë e osmanë” (fq. 22).

Punimin e tij shkencor, studiuesi Dr. Dom Nikë Ukgjini, e ka strukturuar (ndarë), në katër pjesë :

I. KRISHTERIMI-KATOLICIZMI NDËR SHQIPTARË NGA FILLIMI TEK RËNIA NËN SUNDIMIN OSMAN SHEK. XV (fq.31-58), ku flitet mbi fillimet e krishterimit tek fiset ilire, prej të cilëve rrjedhin edhe vetë shqiptarët, mbi organizimin e Kishës në Praevalitan, përkatësisht në Diokle dhe provinca të tjera para dhe pas dominimit të sllavëve deri në vendosjen e Perandorisë Osmane.

II. SUNDIMI OSMAN SHEK. XV-XIX (fq. 61-93), ku përshkruhet sundimi turko-osman në këto treva dhe përpjekjet e popullit në Veri, që në mënyrë të organizuar bën kryengritje kundër osamnlinjve.

III. ISLAMIZIMI I SHQIPTARËVE NË VERI SHEK. XVII-XVII (fq. 1O1-207), ku flitet gjerësisht mbi fillimet e islamizimit të shqiptarëve dhe përhapjes së këtij procesi si dhe për shkaqet të cilat kanë ndikuar që populli të”ndryshojë”fenë e të parëve të vet dhe

IV. KISHA KATOLIKE NË TREVAT SHQIPTARE DHE SFIDAT GJATË SHEK. XX (fq.211-389), ku flitet për sfidat e reja të Kishës Katolike në shej.XX, përkatësisht për marrëdhëniet e saj me formimin të shtetit të ri shqiptar : regjimi i mbretit Zog, koha e diktaturës komuniste dhe për sfidat e Kishës Katolike pas demokratizimit të vendit.
Krejt në fund kemi një përmbledhje, shqip dhe anglisht (fq.392-397), Ilustrimet (fq.402), Shkurtimet (fq.426), dhe Bibliografinë ( fq.428-447), por jo edhe indexin e emrave!

Duke u marrë me interpretimin dhe vlerësimin e kësaj monografie studimore,gjithëpërfshirëse, vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se, citojmë: “në këtë vepër, historia kishtare interferon e ndërthuret me historitë e tjera : me historinë politike, ekonomike, sociale, kulturore duke na dhënë një rrëfim me shumë pamje, ku secila ndihmon të kuptohet tjetra dhe të gjitha së bashku formojnë një të tërë. Autori flet për marrëdhëniet e Kishës Katolike Shqiptare me të “tjerët” në etni ose në besim, për përballjet dramatike të saj me botën e politikës, për kontributet e saj në fushën e kulturës e të ideve, për qëndrimet e saj ndaj idesë së kombit e të shtetit kombëtar” (Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Parathënie, fq. 13).

Kështu, studiuesi në fjalë, Dr. Dom Nikë Ukgjini, duke e gjetur ekuilibrin e duhur metodik për interpretimin e historisë, analizën e tij historike e ka vendosur me të drejtë në shtratin e objektivitetit shkencor, madje ai nuk ka përjashtuar, shmangur apo fshehur diçka që është e rëndësishme dhe me vlerë. Kështu ai nuk e ka anashkaluar as faktin e implikimit të Kishës Katolike në regjimin e pushtimin italian e pastaj gjerman; dhe nëpërmjet një paraqitjeje sa të ftohtë aq edhe korrekte të ngjarjeve, autori ia lë në dorë lexuesit por edhe studiuedit, të nxjerrë konkluzionet e veta, për këtë dhe për ngjarje të tjera të diskutueshme të historisë së Shqipërisë e të trojeve shqiptare, në përgjithësi” (fq 13-14).

Poashtu,siç e thekson edhe Xhufi, ndërsa nënvizon frymën e bashkëpunimit e respektit reciprok që ka karakterizuar marrëdhëniet e Kishës Katolike me komunitetin mysliman apo me klerin ortodoks, autori nuk bie në qëndrime ahistorike e hipokrite, siç ndodh shpesh, por evidenton edhe mospërputhjet që kanë ekzistuar në momente të veçanta mes tyre përsa i përket qëndrimit ndaj disa çështjeve ekzistenciale siç janë ato që kanë të bëjnë me kulturën kombëtare dhe në orientimin evropian të këtij të fundit. Por autori në fjalë, Dr. Dom. N. Ukgjini, nuk ka ngurruar, gjithashtu, të tregojë se edhe midis vetë Kishës Katolike Shqiptare dhe Vatikanit nuk kanë munguar diferenca, siç është ajo e hershme mbi emërimin e klerikëve të huaj nga ana e Selisë së Shrnjtë, të cilët për mosnjohje rrethanash apo për zell të tepruar ndonjëherë kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërfetare (fq. 14).

Për më tepër, Kalvari i Kishës Katolike është parë nga Dr. Dom N. Ukgjini, në dy pamjet, në atë të konsumuar në Shqipërinë e Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës dhe në atë të Jugosllavisë së Karagjorgjëviqëve, të Titos e të Millosheviqit. Autori në fjalë nuk ka ngurruar të evidentojë edhe klerikët që më se shumti janë shquar në betejat vendimtare ashtu siç nuk ka ngurruar të përmend edhe klerikët të cilët nuk janë gjetur sa duhet në detyrën e vet, edhe atëherë kur këtë e kërkonin interesat e popullit të vet.

Kështu, studiuesi në fjalë, duke u mbështetur mbi një bazë dokumentare e bibliografike të bollshme (por jo gjithëpërfshirëse ?), ka arritur të ndërtojë, mjaft bukur, profilin e plotë të Kishës Katolike në Shqipëri e në trevat e tjera shqiptare, të përcaktojë vendin dhe rolin e saj në historinë shqiptare të dhjetëshekujve të fundit(fq 15-16). Studimi në fjalë, edhe sipas vlerësimit të Dr. Kastriot Markut, është një përpjekje mjaft serioze në trajtimin e problematikës në fjalë (argumentit në fjalë), pas asaj heshtjeje dhe instrunentalizimi dashakeqës të krijuar nga historiografia komuniste e periudhës 1945-1990.

Por studimeve të kryera gjatë periudhës 1991-2015, për këtë tematikë tashmë i është shtuar edhe ky botim, i cili ka sjellë mjaft risi dhe ka sqaruar mjaft çështje të mbetura pezull këto 25 vitet e fundit. Pavarësisht nga këto vlera, ky studim i autorit në fjalë, sipas Dr. Kastriot Markut (edhe sipas meje, natyrisht), ka edhe disa mangësi që ia zbehin vlerën këtij libri: mungesa e një redaktimi gjuhësor të kujdesshëm e në ndonjë vend edhe shkencor, aty vërehen edhe mjaft pasaktësi, pastaj studiuesi në fjalë, nuk ka marrë në konsideratë mjaft studime të vlefshme e serioze të kryera vitet e fundit, ai madje nuk ka dalë me referimet e këtyre studimeve përtej Kosovës e Shkodrës me autorët që janë marrë në konsideratë në mënyrë çuditërisht selektive, ndonjëherë edhe naive e periferike e duke lënë jashtë punë vërtetë të çmuara si ato të Aleksandër Meksit, Aurel Plasarit, Engjëll Sedajt, Injac Zamputit, Kristo Frashërit, Isak Ahmetit dhe të ndjerit Imzot Mark Sopit apo tash së fundi Gjokë Dedajt, Gjon Berishës, Rokin Daberdakun, Dom Frrok Zefin etj. Kështu, sipas K. Markut, mosmarrja në konsideratë studime serioze, lidhur me argumentin që trajton, nuk është serioze!… Pavarësisht nga kjo, ky studim i Dr. Dom Nikë Ukgjinit është një kontribut i çmueshëm në historiografinë shqiptare.

Durrës, shtator 2016