KIKA, ME PLOTË HISTORI E NGJARJE NËPËR KOHË

0
1038

Hajrush Redenica “Kika” I, II, III, Prishtinë, 2013 – 2018

Milazim F. KADRIU

Hajrush Redenica pos si poet ku ka të botuar disa libra me poezi para lexuesve vjen edhe me librin historik të titulluar “Kika”, libër ky i botuar në tri vëllime (Vëllimi i I-rë është botuar më 2013 kurse vëllimi II dhe III më 2018). Ky është një libër historik që flet për historinë e këtij fshati kufitar që edhe këtu si edhe fshatrat tjera kufitare ka një histori të begatë ngase të gjitha luftërat që janë zhvilluar në mbrojtje të Kosovës së pari janë zhvilluar në këto fshatra. Andaj edhe në fshatin Kikë të Dardanës prej nga është edhe vetë autori i librit janë zhvilluar një varg ngjarjesh të rëndësishme në mbrojtjen e kufirit nga okupatori serb por edhe nga okupator të tjerë që në Kosovë janë ndërruar njëri pas tjetrit deri në luftën e fundit, ku lufta e lavdishme e UÇK e ndihmuar nga aleatët e sajë njëherë e përgjithmonë e përzunë nga këtu okupatorin dhe tash e gati 20 vite Kosova gëzon lirinë e pritur me shekuj.

Fillimisht autori Redenica flet për fshatin Kikë që e përshkruan me të gjitha bukurit natyrore që rrallëkund mund të hasen. Fletë për pozitën e tij strategjike pozitë kjo që ka bërë të zhvillohet këtu shumë beteja në të gjitha kohët ngase nga aty është mbrojtur Kosova nga luftëtarët trima të kësaj ane por edhe të viseve tjera që ju kanë ardhur në ndihmë.

Pas një letërnjoftimi të fshatit Kikë, autori fletë edhe për vendosjen e muhaxhirëve të parë në Kikë, shpërnguljen e popullatës nga Sanxhaku i Nishit,Toplica dhe Pusta Reka në vitet 1877-1878 dhe vendosjen e tyre në vendet që tashmë janë afër kufirit Kosovë-Serbi ,që ata janë vendosur aty që të jenë më afër sepse kanë shpresuar se një ditë do të kthehen në vatrat e tyre stërgjyshore por që fatkeqësisht ajo nuk ndodhi asnjëherë. Kështu periudha e viteve 1877-1878 ishte periudha më e vështirë për popullin shqiptar, kur shteti serb bëri spastrimin etnik duke i përzënë shqiptarët nga trojet stërgjyshore. Autori tregon se cilat nga familjet e dëbuara nga trojet e tyre janë vendosur në fshatin Kikë (këtu u vendosën Lipovicët, Mushicët, Vllasët, Ramabajët, Velegllavët, Mihocët, Dërvadelët, Dragobuzhdët, Korronelët, Huruglicët, Demajt dhe Surdullët).

Për të gjitha këto familje autori jep të dhëna se cilit fis i takojnë, nga kanë ardhur, kur janë vendosur në Kikë, cilët kanë bërë lëvizje tjera nga Kika për në vendbanime tjera të Kosovës apo edhe një pjesë janë shpërngulur për në Turqi sipas propagandës dhe marrëveshjes famëkeqe të Turqisë me Serbinë me qëllimin e vetëm që sa më shumë shqiptar të dëbohen nga Kosova dhe ata që janë dëbuar nga trojet e tyre që tashëm janë nënë Serbi të mos jenë afër dhe tu shkëputet shpresa e kthimit në trojet stërgjyshore. Autori flet edhe për shumë ngjarje të kohës të zhvilluara në atë kohë si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare por që janë ngjarje të lidhura me fatin e shqiptarëve e që për fat të keq këto ngjarje dhe konferenca të mbajtura në vende të ndryshme sollën vendime të çuditshme që ishin në dëm të shqiptarëve dhe tkurrjen e shtetit shqiptar duke ua dhënë pa kurrfarë të drejte fqinjëve të tyre pjesë të mëdha të territorit të trojeve shqiptare.

Pastaj autori fletë për një varg betejash të zhvilluara në këto anë dhe për luftëtarët më në zë të kësaj ane që gjithmonë luftuan kundër okupatorit serbosllav por edhe kundër okupatorëve tjerë. Ndër trimat e parë të kësaj ane ai përmend Lotë Vakun, Hajrullah Lipovicën, Latif Vakun etj. Autori përpos Luftës së Kikës fletë edhe për Luftën e Velegllavës, Betejën e Bujanovcit, Masakrën e Tivarit, Masakrën e Gjilanit etj. Sipas autorit Kikën e bënë të veçantë pjesëmarrja e saj në luftërat e ndryshme për mbrojtjen e tokave të Shqipërisë, sidomos në ato luftëra gjatë vitit 1912 dhe vitit 1944. Ai flet edhe për Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, po edhe për lëvizjet e ndryshme dhe atdhetarët shqiptar që asnjëherë nuk u pajtuan me okupatorin si dhe për shumë personalitete të periudhave të ndryshme që dhanë kontribut të çmuar që ishin lëvizje në vazhdimësi deri në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Kështu ai përmend Mulla Idriz Gjilanin, Muharrem S. Fejzën, Sylë Zabricën, Ajet Raincën, Ajet Kosovicën, Hoxhë Isufin, Xheladin Kurbaliun, Lam Breznicën, Sylë Hotlën, Faik Tahirin, Ibrahim Vokshin, Hysen Tërpezën, Ramiz Cërnicën, Gjon Sereqin etj.

Pastaj sjell rrëfime të dëshmitarëve për ngjarjet që i shtjellon në libër si është Masakra e Gjilanit, pastaj flet për aksionet e grumbullimit “të tepricës” së drithit, aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, rënien e gjakpirësit, Aleksandër Rankoviqit. Pastaj për fillimin e shkatërrimit të Jugosllavisë. Për Pranverën e Madhe të vitit 1981, Grevën e minatorëve të Trepçës, ngjarjet e viteve të 90-ta e shumë ngjarje tjera deri në luftën e fundit çlirimtare.

Autori në këtë libër flet edhe për jetën arsimore, kulturore e sportive në Kikë dhe rrethinë. Duke folur për hapat e parë të arsimit shqip në këtë anë autori sjell të dhëna për hapjen e shkollës së parë shqipe në Hogosht më 1 shtator 1941 e ku mësues të parë në këtë shkollë ishin Fadil Hoxha dhe Mehmet Gjevori, ndërsa në këtë shkollë mësimet i ndiqnin nxënësit nga Hogoshti, Kopernica, Shipashnica, Dazhnica, Lisocka, Kika, Poliçka e nga vende tjera të Malësisë së Gollakut.

Një pjesë të mirë të librit autori ia kushton Nënës Gjylë apo si e kanë quajtur Nëna Qëndresë që vërtetë në bazë të rrëfimeve të sjella në libër me plotë meritë ajo e ka marr këtë epitet dhe mund të themi se ishte një heroinë e vërtetë që u përballoi shumë vuajtjeve të kohës dhe asnjëherë nuk u ligësua por ishte me qëndrim stoik ndaj furtunave të kohës dhe ia arriti me qëndresën e saj deri në lirinë e Kosovës të cilën e gëzoi ndonëse jo shumë gjatë por ishte e kënaqur se pas gjithë atyre vuajtjeve e përjetoi lirinë e vendit.

Libri i autorit e sidomos dy vëllimet II dhe III janë të ilustruara edhe me shumë foto të ngjarjeve të atyre kohëve por edhe të personaliteteve për të cilët flet autori. Andaj këto foto e begatojnë edhe më shumë librin dhe i dokumentojnë më bindshëm gjithë historinë për Kikën që na e sjell autori Hajrush Redenica.