KIKA LEGJENDARE

0
751
Heronjtë e Kikës

Shkruan Hajrush Redenica

Më 26 korrik 2019, lapidarin e heronjve të Kikës e vizituan një grup intelektualësh, poetë, shkrimtar dhe qytetarë, me ç’rast u shënua 75- vjetori i Betejës së Kikës, ku u mbrojt Shqipëria natyrale.

Këtë takim e organizoi Klubi Letrar “NOSITI” i Kamenicës, me drejtor Nexhat Rexha, i cili edhe e pat fjalën kryesore.

Të pranishëmve iu drejtua veprimtari i çështjes kombëtare Dr. Refik Kryeziu, i cili iu referua luftës së heronjve të Kikës. Fjalën e mori edhe poeti nga Velegllava, Hysen Këqiku. Edhe ai shpjegoi disa raste që kanë ndodhur gjatë asaj lufte. Më pas fjalën e mori edhe poeti nga Kika, Hajrush Redenica, i cili shpalosi shumë deteje rreth Luftës së Kikës. Në Kikën legjendare banorët e parë arritën nga Lipovica tashmë e mbetur në Serbi, komuna e Lebanës.

Aty, në Kipovicë arriti Shahin Vokshi në vitin 1875 dhe u stacionua në lagjen e Vakajve. Kur vazhdoj eksodi i shqiptarëve në fund të vitit 1877 dhe në fillim të vitit 1878 u zbrazën mbi 640 fshatra të Dardanisë dhe në Kikën legjendare u stacionuan 12 fise: Lipovicët, Mushicët, Vllasët, Ramabajët, Velegllavët, Mihocët, Dërrvadelët, Drogobuzhdët, Korronelët, Huruglicët, Demajt, Surdullët. Pasi kjo popullatë e pa se nuk ka shans të rikthehet në trojet e veta shekullore, me kalimin e kohës filloi të lëviz anekënd Kosovës dhe pothujse tani u zbraz Kika e tëra nga popullata.

Në Kikën legjendare u zhvilluan shumë luftëra dhe beteja.

Në vitin 1912 u zhvillua një luftë shumë e ashpër, me ç’ rast u vra komandanti i zonës së Karadakut, Salih Salihu nga Pogragja e Gjilanit dhe u dogjën dy shtëpi të Vakajve dhe aty u betuan shumë trima për t’i dalë zot atdheut, në krye me Lot Vakun.

Luftë e rreptë u bë më 28 e 29 qershor, që në popull njihet si Lufta e Velegllavës dhe beteja kryesore u zhvillua më 26 korrik 1944, në krye me komandantin legjendar Mulla Idriz Gjilani, ku edhe u ngrit një lapidar, por fatkeqësisht mungojnë shumë emra të asaj beteje.

Poetët, shkrimtarët, intelektualët së bashku me qytetarët shkuan në kullën e heroit të kombit, Kadri Zeka dhe u mbajt një orë letrare, ku recituan disa poete e poetë. Orën letrare e hapi poeti nga Kika, Hajrush Redenica dhe vazhduan pastaj me vargje Hysen Këqiku, Nazmije Hasani, Sadbere Gagica- Spahiu, Minivere Muja- Maka, Sinon Sadiku, Musa Ahmetaj, Baki Krasniqi, Nexhat Rexha e Nijazi Kastrati. Të pranishëmve iu bë një pritje madhështore nga banorët lokalë të Poliqkës, ku u shtrua një drekë me flija dhe gjëra tradicionale.

Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, gazetar