(Bisedë, me autoren e 6 librave poetikë, Abide Gashi)
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1. Për kureshtjen time, por dhe të lexuesve, a mund të na tregosh diçka për vendlindjen, fëmijërinë e shkollimin?
– Quhem Abide Gashi, e lindur në fshatin Rahovë të Mitrovicës, në një familje me tradita shqiptare, e cila më rriti dhe edukoi në frymën e virtyteve kombëtare. Shkollimin fillor e kreva në vendlindje, ndërsa të mesmin në Mitrovicë dhe Zveqan.
Në vitet e tetëdhjeta, të shekullit të kaluar, kam qenë pjesëmarrëse e kam dhënë ndihmesën time të pakursyer, në të gjitha veprimtaritë dhe manifestimet e popullit tonë, për liri dhe çlirim nga zgjedha serbe. Për këtë arsye, disa herë më kanë pushuar nga puna. Kam qenë punëtore, për disa vjet rresht, në Kombinatin “Trepça”. Ndërsa, aktualisht, jam punëtore në DRP (Drejtoria Rajonale Policore), në Mitrovicë…
2. Pastaj, si rrodhën ngjarjet e jetës tënde?
– Pasi kreva shkollën fillore, ishim të parat e fshatit, me një bashkëvendëse timen, që vazhduam shkollën e mesme “Hasan Prishtina”, në Mitrovicë, për dy vitet e para.Pastaj, vitin e tretë dhe te katërtin, i kam vazhduar dhe mbaruar në Zveqan. Për studime, atëherë, jo që nuk ishin kushtet. por rrethanat dhe mentaliteti ishte mjaftë i ulët… Nuk përligjej që të kuptonin, se një femër duhej të largohej në kryeqytet, për studime?! Pra, edhe pse kisha deshirën e madhe të studioja, prindërit e mi u ndikuan nga mendimet prapanike të njerëzve, që na rrethonin! Kështu, si rrjedhojë e kësaj, m’u dha rasti dhe u punësova në Kombinatin “Trepça”. Aty e gjeta vetën në një punë të mirë, ekonomiste…
Pas dy vite punë, u njoha me bashkëshortin e sotëm, me të cilin jam për 35 vite dhe kemi dy fëmijë, vajzën Linditën dhe djalin Valdetin. Ata tani janë të martur dhe ma kanë mbushur e gëzuar jetën, me nipa dhe mbesa…Të kthehem prapë te fillimi i martesës : Ishim të rinj, kishim dy fëmijë dhe jeta shkonte për bukuri, deri sa në vitet ’80-të, në shekullin e kaluar, u lëkund gjithçka, pra filloi të shembej çdo gjë, rreth jetês sime… Nisën grevat e minatorëve dhe vazhdimisht isha pjesëmarrëse e përherë pushohesha nga puna, me shumë kolegë dhe kolege. Atëherë, deri një ditë, si sot më kujtohet, që ishte data 8 gusht, kur pas shumë burgosjeve, që bënte regjimi serb, na sollën vendime, që ta pranonim shtetin serb. Por nuk e pranuam këtë gjë, me stafin dhe u dëbuam nga puna!?
Më tej, jetuam si jetuam, plot me vëshirësi.E përjetuam dhe luftën, që nuk dua të hyj krejt në detajet tmerruese të saj… Po, falë Zotit dhe shumë miqëve, nga Amerika dhe lufta çlirimitare e UÇK-së, me humbjen e shumë bijëve dhe bijave, që ranë për liri, ngadhnjyem dhe fituam … U çliruam nga zgjedha serbe dhe u kthyem në vatrat tona dhe vazhdoi jeta normale…
3. Nuk ke mbaruar shkollë në profilin e gjuhë-letërsisë, por kjo nuk të ka penguar, që të thurësh poezi të bukura, siç ndodhë me mjaft autore… Pra, kur të lindi dëshira të shkruash dhe a i ke të ruajtura krijimet e para?
– Po, e vërtetë, nuk kam mbaruar për gjuhë e letërsi. Por kjo gjë nuk më pengon fare, që të krijoj poezi… Poezinë e kam dashur qysh kur isha filloriste. Por nuk guxoja të shkruaja, se nuk e kisha pêrkrahjen e dukur.Po edhe nëse përvidhësha, me ndonjë shkrim e varg, i mbaja të fshehur, në një vend, ku ndjehesha e sigurtë… Vetëm pasi u binda se, aty ku duhej të nxitesha, nuk e gjeta mbështetjen, u tërhoqa nga kjo punë?! Por, këto ndjenja dhe frymzime shpërthyen fuqishëm, në vitet e vona të jetës sime…
4. Cili ka qenë krijimi yt i parë, kur u botua ai dhe çfarë ndjenjash përjetove, me atë rast? A u mirëprit ai, nga lexuesit?
– Si më erdhi të shkruaja poezinë e parë, që është nëpër portale e publikuar? U frymzova nga faqja publike e Fb, ku kishin publikuar postime për përvjetorin e Jusuf Gërvallës. Për një çast, më erdhi të shkruaja poezi, si koment tek ai postim. Atë, as nuk e kisha shikuar, se kush e kishte postuar. Kështu, thura një poezi, për veprimtarin tonë të shquar, e titullin: “Po, ku je, Jusuf Gërvalla?” dhe e postova në faqen time të Fb, me 16 janar 2015. Aq shumë u pëlqye dhe kështu mora guximin e fillova poezinë e dytë, “Fluturim ndjenjash”. Gjithashtu, kjo u vlerësua mjaft nga lexuesit dhe më nxiti, në hapat e ardhshëm e deri më sot, kur shkruaj pa u ndalur… Poezinë e kam shpirtërore, me karakter të përgjithshëm, por do të thoja, epiko-lirike…
5. Po, në vazhdim, cilët ishin librat, që botove dhe cila është tematika kryesore e tyre?
– Kam botuar gjashtë libra me poezi. Ata i kanë titujt:
“Tinguj pranverorë” (qershor 2015, nga SHKSH, Prishtinë);
“Ndjesi, që nuk shuhen” (nëntor 2015, nga SHKSH, Prishtinë);
“Buzë valëve të detit”, “Violina shpirtërore” e
“Buzëqeshje, që çelin lulet” (Botimet “Trend”)
dhe “Stinëve të jetës…” (Nëntor, 2016, nga SHB “Blendi”)…
Tematika e tyre është e larmishme. Pra, poezitë e mia u kushtohen: traditave atdhetare e figurave të shquara të popullit shqiptar. Por, janë dhe për familjen, shoqërinë e natyrën, për ndjenjat njerëzore, si miqësia e dashuria etj.
6. Nga kush ke patur mbështetje ose me cilët ke bashkëpunuar, që t’i shkruash e botosh librat tu?
– Bashkpunim kam pasur, për gjashtë librat, me Isak Havollin,të cilin e përshëndes dhe i uroj gjitha të mirat!…
Librat i kam botuar me vetëfinancim, se nuk kam pasur përkrahje nga askush. Edhe për librat e ardhshëm, mendoj ashtu t’i mbledhë paratë, duke kursyer. Dëshiroj që, së paku, ta botoj një libër në vit… Në se do të kem sukses, mbetet që të shohim!?…
7. Kam vërejtur, nga Interneti, që poezitë tua i shoqëron me pamje të ndryshme, si nga natyra etj. Sa të frymëzojnë e të nxitin ato, që të thurësh poezi të bukura?
– Po, në fillim, çdo frymzim për të thurur poezi, më vinte nga një foto, me peisazhe nga natyra dhe nga portretet e ndryshme…
Po, tani, mund të krijoj edhe pa foto… Poezitë e mia flasin mjaft për aktualitetin tonë dhe figurat publike të udhëheqëse të vendit, por gjithnjë pa ua përmendur emrat …Pastaj, çka êshtë shumë e rëndësishme, në çdo poezi që e krijoj, mundohem ta thuri sa më bukur vargun dhe të jetë, me mesazh ose porosi, për lexuesin…
8. A ke libra të tjerë, dorëshkrim ose në kompjuter, të cilat presin radhën e botimit dhe kur mendon ta realizosh këtë dëshirë?
– Kam edhe 10 libra të shkruar, me poezi, të cilët po i publikoj me një veprimtari intensive, në faqet zyrtare dhe faqen e Fb, por edhe nëpër portale të ndryshëm… Kam dëshirë që t’i publikoj në letër, që të gjitha krijimet e mia edhe pse e di që nuk ka mundësi, sepse janë shumë?! Pastaj, poezitë e mia lexohen vazhdimisht, çdo të shtunë, në valët e “Radio Arta”, që vepron në Suedi. Ajo ka emisionin “Gjithëçka, shqip!”, që i kushtohet poetit dhe poezisë. Shfrytëzoj rastin, që ta përshëndes dhe ta falënderoj nga zemra këtë Radio, bashkë me stafin realizues dhe u dëshiroj gjitha të mirat e suksese, në vazhdimësi!…
9. Cila është jeta letrare në Mitrovicë? A ka poetë e shkrimtarë, që i botojnë librat e tyre dhe a janë të tubuar ata në ndonjë organizëm ose shoqatë, që aty të bëjnë përurimin ose diskutimin e krijimtarisë së tyre?
– Jeta letrare në Mitrovicë nuk është aqë gjallëruese… Megjithatë, ka poetë, shkrimtarë e studiues, që krijojnë dhe botojnë libra, por jo në kuadrin e letërsisë së qytetit.E them këtë, për arsye se nuk kam njohuri për ndonjë orë letrare dhe as manifestim letrar, në qytetin tone! Ja, për shembull, në tjera qytete të Kosovës, plot miq më kanë ftuar, që të marr pjesë nëpër konkurse të ndryshme letrare dhe, këtu në qytetin tim, nuk ka ndodhë ndonjëherë, që të më ftojë ndokush?!… Por, ndoshta, faji qendron edhe tek unë, se nuk jam afruar te ndonjë përurim a veprimtari tjetër letrare.
Pastaj, këtu në Kosovë dhe, gjithashtu, në Mitrovicë, ashtu sikurse populli, që është ndarë në të majtën dhe të djathtën, gjithashtu, edhe grupimet poetike janë të ndara!? Pra, më ka habitur shumë kjo gjë, e cila ka ndikuar në mua dhe nuk e kam vullnetin të jem aktive, në asnjë manifestim… Unë mendoj se poetët e shkrimtrët nuk duhet të bien nën këto ndikime. Bile, sa herë e kam ngritë zërin edhe në poezitë e mia, për këtë çështje…
Megjithatë, nuk më ka ftuar askush, nga drejtuesit ose letrarët, në veprimtaritë e zhvilluara në Mitrovicë, sëpaku për një njohje. Sepse, siç e tregova më lart në këtë Bisedë tonën, deri tani kam botuar gjashtë libra dhe vazhdimisht jam e pranishme në faqet publike të Internetit, me poezitë e mia. Megjithatë, po shpresoj që jo vetëm të marr ftesa për veprimtari të tilla, por dhe vetë do të tregohem ende më e interesuar, në këtë drejtim.
10. Në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën të falënderoj përzemërisht, a don që të shtosh diçka tjetër?
– Dëshiroj që libri të lexohet më shumë, Të vlerësohet drejt ai, por edhe kur janë mundësitë, të ndihmohen krijuesit, me sponsorizime, nga shteti dhe ministria përkastëse…
Dhe, në fund:
Poezitë e mia janë sikurse lule,
ato lulëzojnë në livadhet e shpirtit;
janë sikurse puhia, nga lart kur ulet,
më freskojnë, vapës së stinëve të vitit…
U përshëndes dhe faleminderit, prof. Murat Gecaj dhe Zoti u bekoftë! Me mirësi dhe respekte, pa mbarim!…
Tiranë-Mitrovicë (Kosovë), 25 qershor 2017