Këto 5 poezi u shkëputën nga libri “Diellftohti”

0
509

FASLLI HALITI

QEROSI

Unë jam Qerosi:
Qerosi
Që vëllezërit
E mbytën tinëzisht në pus,
Qerosi që ra poshtë në botën e përtejme:
Qerosi
Që i preu kokën gjarprit,
Gjarprit që po ngjitej në lis
Drejt folesë së shqiponjës që t´i hante zogjtë,
Qerosi që e bëri gjarprin copë – copë, çikë – çikë,
Qerosi që ra e fjeti, mbështetur në trungun e lisit,
Qerosi që zogjtë e shqiponjës e vunë në gjumë me cicërima,
Qerosi që shqiponja desh t´i qorronte sytë me sqep,
Qerosi që zogjtë shpëtuan duke i folur mëmës me gjuhë shqiponje,
Qerosi që shqiponja për mirënjohje e mori mbi kurriz,
E ngjiti Qerosin lart, e çoi në botën e sipërme;
Qerosi shkoi në shtëpinë e tij,
Mbetën gojëhapur dy vëllezërit,
Të pabesët që të dy
U zunë

Befasi…

5 dhjetor 2005

PËRJETËSIA

Vdiq plaku,
Lindi fëmija.
Lind edhe vdis,
Vdis edhe lind qenka përjetësia…

31 dhjetor 2005

KA

Ka të «vegjël»
Nën hije të ftohta,
Të zeza.

Hijet po ftohin dritën.

2006

S’MË DHE

S’ma dhe zjarrin e zemrës.
Më jep së paku
Hirin.

Të ushqej lulet e shpirtit!

2007

QEPJA

Ai qëndis.
Nuk qep.
Vjen
Dimri.
Nisin shirat, stuhitë

Dhe ne na duhen palltot, pardesytë…

2006