/ OPINION / Moikom Zeqo, 25 qershor 2016
Askush deri më sot nuk di të thotë diçka më të qartë për morfologjinë e zërit të njeriut, që nga e klithma e parë, e kryehershme deri në heshtjen postume. Të gjithë të qarat e fëmijëve në këtë planet janë paralajmëruese. Ftillëzime të profilit njerëzor të sinkronizuara nga biojeta, historia dhe mjedisi i epokave. Por gjithsesi, për një korrektësi kronologjike mund të shënohet se 80 vjet më parë lindi Rexhep Qosja. Jo të gjithë fëmijët që lindin mund të bëhen si Rexhep Qosja. Kjo veçanti megjithatë ka diçka më gjenerative, më simbolike. Sa herë lexoj për jetën e shkrimtarëve dhe figurave të mëdha të kulturës, të popujve dhe të njerëzimit, kam menduar i dyzuar për vendin e rastësishëm të lindjes të çdo njeriu.
E kam shtjelluar këtë ide, kam medituar dhe kam shkruar diçka, duke patur parasysh diçka që më ka bërë përshtypje jashtëzakonisht të madhe dhe që lidhet me poetin më të madh francez të shekullit të XX Saint John Perse (pseudonimi i Alexis Leger – 1987-1975). Ai ka lindur në të vërtetë në Pointe-a-Guadoloupe. Në 1989 u vendos në Francën metropolitane. Ky poet erudit i jashtëzakonshëm, kur u pushtua Franca nga nazistët nuk pranoi që të qëndronte në Paris, vendosi të emigronte dhe në doganën e një shteti tjetër, zyrtari që po rregullonte formalitetet e pyeti për emrin dhe mbiemrin dhe pastaj përdori formulën “Ku ke lindur?”. Poeti mori frymë thellë. Tha shkurt: “Kam lindur në gjuhën frënge”.
Saint John Perse tha kështu diçka më substanciale. Në biografitë dhe librat tanë për shkrimtarët dhe figurat e kulturës shqiptare nuk harrojmë asnjëherë të shënojmë edhe vendin ku ata kanë lindur. Kjo gjë është gati si një rit. Për Gjon Buzukun s’mund të themi me saktësi nëse ka lindur në afërsi të Ulqinit, apo ka vdekur në rrethinat e Venedikut, por dimë me siguri absolute se ai kishte lindur “brenda gjuhës shqipe”. Pjetër Bogdani lindi në Has dhe vdiq në Prizren, ai qe heroi i një kryengritjeje shqiptare kundër pushtuesve otomanë. Pushtuesit ia hapën varrin dhe trupin e tij ia hodhën qenve. Por djepi dhe kripta e tij ishte në përjetësi “gjuha shqipe”.
De Rada lindi në Makia të Kalabrisë, kurse Fan Noli në Ibrik-Tepe të Azisë së Vogël. Por në fund të fundit ç’rëndësi kanë saktësimet gjeografike të vendlindjeve të tyre? Naim Frashëri, Serembe, Faik Konica, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Migjeni lindën dhe mbijetuan, dhe vazhdojnë të mbijetojnë pambarimisht “brenda gjuhës shqipe”. Është pikërisht kjo e vërtetë përmbajtësore që i shkatërron të gjithë formalizmat dekorativë. Nuk ka munguar ndërkaq që në historitë e letërsisë shqipe, gjatë këtyre 5 shekujve që ekziston kjo letërsi e shkruar dhe e kultivuar të krijohen teori normalizuese të pakuptimta si teoria e qarqeve kulturorë, e shkrimtarëve katolikë veriorë, e shkrimtarëve me kulturë ortodokse, apo e shkrimtarëve myslimanë apo bektashianë etj. etj.
Këtyre përpjekjeve zhbiriluese u mungon njësia e të kuptuarit, pikërisht ajo monadë universale që shtjellon të vërtetën e epërme se shkrimtarët lindin “brenda gjuhës shqipe” dhe asnjëherë jashtë saj. Gjon Buzuku shkroi një shqipe duke tentuar të krijojë një koine mbarëkombëtare gjuhësore, siç e ka konstatuar gjuhëtari më i madh shqiptar në kohëra Eqrem Çabeji. Shqipja e shkruar nga Pjetër Bogdani, një mjeshtër i madh ilumiues i letërsisë baroke shqiptare dhe evropiane, nuk ka qenë synimi brenda kufijve dialektorë, por e kundërta: kulturalizimi i gjithanshëm. Lek Matrënga, i shekullit me Buzukun nuk shkroi në dialektin tosk, por synoi një shqipe përbashkuese. Po kështu Jeronim De Rada themelon letërsinë e mirëfilltë shqipe si askush, sëbashku me Naim Frashërin e pavdekshëm. Nëse shkrimtarët lindin në “gjuhën shqipe” atëherë dhe studimi i tyre, përtej hollësirave përbën një njësi sintetizuese dhe aspak ndarëse.
* * *
Tërë shkrimtarët që kanë shkruar gjuhën shqipe pavarësisht nga ndikimet apo edhe ravijëzimet dialektore në substancën e tyre kanë qenë unitarë. Kjo ka rëndësi të kuptohet në thelb. Edhe për rastin e Rexhep Qoses unë do të thoja se ai ka lindur “brenda gjuhës shqipe”. Dhe s’duhet harruar se ky historian i letërsisë, kritik dhe studiues i përmasave të mëdha gjithmonë e ka parë letërsinë shqipe apo edhe kulturën kombëtare mbi të gjitha kufijtë politikë, mbi të gjitha veçimet krahinore, apo dhe shtetërore, mbi të gjitha kontradiktat dhe mospajtimet plot paradokse nëpër shekuj. Rexhep Qosja i ka kushtuar jetën letërsisë shqipe, që përbën shpirtin më të kultivuar, më të thjeshtë, më të sofistikuar, por edhe më identitar të kombit shqiptar. Ai nuk i ka ndarë shkrimtarët dhe njerëzit e kulturës brenda kufijve të Shqipërisë londineze dhe përtej kufijve të Shqipërisë tjetër të strukturuar në suaza shtetesh të huaja. Rexhep Qosja është një kampion i kësaj ideje.
* * *
Para disa ditësh së bashku me mikun tim, me mesjetarologun e shquar dhe historianin Pëllumb Xhufi u nisëm nga Tirana për në Prishtinë, ku do të takonim Rexhep Qosen. Qe një mëngjes i kthjellët dhe grishës. Do të shkonim t’i uronim paraprakisht 80 vjetorin, por më tepër për ta takuar dhe për të biseduar me të. Gjatë udhëtimit mua më kujtohej një libër i Chamisso “Historia e çuditshme e Peter Schlemilit”. Është historia fantastike e një njeriu që e shet hijen e tij për të fituar emër dhe për t’u bërë i pasur. Dukuri kjo tjetërsuese e përhapur për fat të keq edhe te intelektualët.
Rexhep Qosja si një kundërfigurë e ndritur, kurrë nuk e shiti hijen e vet. Dhe kjo hije ishte vetëdija e tij. Vetëdija dhe vizioni. Kurajo dhe dinjiteti. Mbërritëm në Prishtinë dhe Rexhep Qosja na priti në shtëpinë e tij. Unë gjatë viteve kam qenë shpesh në këtë shtëpi. Kam ngrënë bukë nga duart e Shpresës, gruas së mrekullueshme të Rexhepit, që vdiq para disa vitesh në moshën 73 vjeç. Rexhep Qosja është një mikpritës proverbial. U gëzua shumë. Me të ishte dhe nipi i tij Valjeti.
E pashë me vëmendje mjedisin e brendshëm të shtëpisë, katin e sipërm të mbushur me një bibliotekë të madhe plot me libra të vëna me kujdes njëri pas tjetrit. (Ndjeva diçka në vetvete: biblioteka ime në Tiranë është kaq e rrëmujshme, madje edhe librat janë të vendosur pa asnjë rregull, grumbuj-grumbuj mbi dysheme.) Shtëpia e Qoses, me mobiliet e drurit, me qilimat, me veprat e artit nëpër mure të jepte megjithatë imazhin e një shtëpie të një thjeshtësie spartane, pa asnjë luks (o Zot çfarë luksi egzibicionist të kotë dhe të neveritshëm kanë vilat e mëdha të politikanëve shqiptarë qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë!).
Një interier me stil minimalist, por një ngrohtësi të pakufishme njerëzore, të një tradite shekullore shqiptare, që respekton mikun. Kuptohet që biseduam sëbashku. Rexhep Qosja foli se kishte ndjekur në këtë vend vlerësimin shumë të madh që i ishte bërë në Francë 100 vjetorit të lindjes së Jean Paul Sartre-it. Tregoi hollësira dhe foli me admirim për Sartre-in. Sartre-i ka qenë një shembëlltyrë frymëzuese e Rexhep Qoses. E thotë vetë në shkrimet e tij. Trimëria intelektuale e Sartre-it është e pashembullt në shekullin XX. Ajo është zbehur sot.
Duke dëgjuar Qosen m’u kujtua dhe mua gjithçka që kisha lexuar për këtë 100 vjetor të Sartre-it. Sipas Simon Blacburn-it, profesor i filozofisë në Universitetin e Kembrixhit revolta e Sartre-it është ideja e lirisë. Ky njeri i letrave pati një reputacion heroi, në demonstratat e studentëve francezë, por Presidenti Sharle de Gaulle e kishte porositur policinë “se nuk mund të arrestosh dot Volterin”. Në një libër të tij Benedict Donahues ka shkruar: “Nuk ka asnjë dyshim se Sartre është gjigant i letërsisë franceze. Ai është në panteon me Volterin, Hugoin dhe emra të tjerë të mëdhenj. Ai ka qenë gjithmonë shumë më përpara sesa koha e tij për sa i përket ideve të lirisë.”
Rexhep Qosja foli për nderimin ndaj Sartre-it, sepse në shumë kuptime edhe vetë ai u bë një prijës intelektual, një interpret, mesazher i ideve të demonstratave të rinisë të Kosovës që nga viti 1981 deri në shërimin dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Rexhep Qosja që në fillim qenien e tij si intelektual shqiptar e konsideroi si një mision. I besoi këtij misioni. Dhe sakrifikoi pa asnjë hezitim për këtë mision. Ai nuk u pajtua me padrejtësinë historike ndaj gjysmës së kombit shqiptar në Kosovë por edhe në vise të tjera. Ai botoi në 1990 librin emblematik “Popull i ndaluar”. Ky libër nuk ishte shkruar kurrë më parë në letrat shqipe. Ky libër përbënte një risi jo vetëm për të drejtën kombëtare, por dhe për atë që quhet teoria juridike e së drejtës ndërkombëtare. Ky libër qe një manifest i papërkulshëm i kërkesës për liri të Kosovës.
Hermann Hesse ka shkruar: “Njeriu është i shqetësuar kur ka shpresë!” Kurse Philothee O’Naddy ka thënë: “Liria, ky emër i tmerrshëm i shkruar në karrocën e stuhive”. Rileximi sot i “Popullit të ndaluar” sërish të befason. Rexhep Qosja kishte një ëndërr, por ai nuk e dinte, nuk kish se si ta dinte që në vitin 1999 UÇK dhe Forcat Ajrore të NATO-s do ta çlironin përfundimisht Kosovën, ngjarje kjo që ndodh në 2000 vjet. Prandaj Rexhep Qosja është mendimtari politik më i spikatur i çështjes kombëtare i kohërave tona. Trimëria e tij intelektuale buronte nga integriteti i tij moral dhe dituria universale. Kjo është e padiskutueshme. Unë nuk di një shembëlltyrë tjetër si Rexhep Qosja në llojin e vet. Por sigurisht ai nuk ka qenë i vetëm, sepse s’mund të jesh dot i vetëm.
Figura të tilla si filozofi martir i çështjes kombëtare shqiptare, Ukshin Hoti, apo figura e të burgosurit politik, të Mandelës shqiptar të Ballkanit, Adem Demaçi, janë brenda sintezës së historisë. Në bisedë, Qosja përmendi dhe shkrimtarin francez Francois-Rene de Chateaubriant, foli për librin e tij të kujtimeve. Libri i kujtimeve të Chateaubriant-it i quajtur “Memoires d’outre-tombe” (“Kujtime përtej varrit”) kanë mbetur të famshme në kulturën franceze si dëshmi të gjalla të epokës. Pastaj Rexhep Qosja rikujtoi Konferencën e Rambujesë në Francë, instrumenti diplomatik i jashtëzakonshëm, që konstruktoi idenë e Shërimit të Kosovës.
I thashë Rexhepit se në gazetën “Koha jonë” kur u hap Konferenca e Rambujesë, unë kam botuar një shkrim, më saktë një Letër drejtuar Rexhep Qoses dhe anëtarëve të delegacionit shqiptar të Kosovës, duke i kërkuar publikisht që të nënshkruhej pa dyzim marrëveshja e Rambujesë. Rexhepi më tha se nuk e dinte këtë fakt, se po e dëgjonte për herë të parë dhe m’u lut t’ia dërgoj tekstin e botuar para 17 vjetëve. E pyeta Rexhepin se ç’mendim kishte ai për dukurinë e habitshme që letërsia shqipe këto 25 vjetët e fundit, nuk ka talente të shquara, por dhe ndonjë zhvillim cilësor më të epërm. Etapa të tilla ndodhin në çdo letërsi kombëtare, por nuk janë lehtësisht të shpjegueshme. Rexhep Qosja u mendua gjatë dhe më tha se do të ma jepte përgjigjen një herë tjetër. Ndonëse, siç nënvizoi, e kishte të qartë pse kish ndodhur diçka e tillë. Erdhi koha e drekës.
Rexhep Qosja na tha se tashmë gruaja, zonja e shtëpisë kishte vdekur, por ai nuk mund t’i lëshonte miqtë, mjafton që nipi i tij Valjeti t’i porosiste ushqimet në një restorant pranë dhe ne të darkonim qetësisht në shtëpi. Pëllumbi dhe unë nuk pranuam. Përkundrazi e ftuam Rexhepin që të darkonim në Gërminë, në skaj të Prishtinës, në një peizazh të pyllëzuar. Shkuam por Rexhep Qosja nuk na la në asnjë mënyrë të paguanim, sepse e konsideronte këtë gjë, një gjë të shenjtë të tij. U kthyem sërish tek shtëpia e tij, bëmë disa fotografi sëbashku. U përqafuam. Ai na përcolli deri te pragu i shtëpisë dhe ne në muzg u nisëm për t’u kthyer në Tiranë.
Gjatë rrugës bisedova me Pëllumb Xhufin. Shkuarja jonë tek Rexhepi nuk qe thjesht një etiketë protokolli. Qe shpirtërore, qe respekt, nderim i vërtetë. E ç’rëndësi ka në fund të fundit nëse të dyja akademitë e shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë apo dhe në Honolulu e festuan apo nuk e festuan 80 vjetorin e lindjes së Rexhep Qoses. Në të vërtetë përveç performancës publike, e cila është e brishtë, spektakolare dhe e harrueshme, 80 vjetori jubilar është më tepër një mundësi meditimi dhe reflektimi për të tjerët, në përgjithësi për kombin shqiptar. Nuk kam për ta harruar asnjëherë çdo akt reflektues të Rexhep Qoses gjatë gjithë jetës së tij.
Në vitin 1991, studentët që kërkonin demokraci, mbanin në duar fotografinë e Rexhep Qoses dhe të Ismail Kadaresë. Rexhep Qosja qe i pari që kritikoi marrëzitë autoritariste të Sali Berishës. Ka qenë përherë koherent dhe i papërkulur në këtë pikë. Kritika e tij ka qenë më iluminuese dhe më emancipuese se e tërë politikanëve dhe e partive politike në Shqipëri, për të përjetuar një demokraci autentike dhe të vërtetë. Nëse Aristoteli ka thënë se “e dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën”, Rexhep Qosja në mënyrë emblematike nuk ia shiti ndërgjegjen askujt, nuk qe klientelist politik i askujt dhe në lukuninë e politikanëve të pasuruar marrëzishëm, provincialë dhe të neveritshëm, vizioni i Rexhep Qoses ka krijuar një kauzë dhe kuptimshmëri për mbijetesë.
Në vitin 1994, unë botova librin “Rexhep Qosja dhe çështja kombëtare shqiptare”, sepse sulmet ndaj Rexhepit qenë inkuizicioniste. Rexhepi nuk u kamuflua, nuk u fsheh, nuk bëri llogari për interesa të vogla. Koha vërtetoi se një intelektual si Rexhep Qosja përbën një unicum. Rexhep Qosja e kish bërë betimin e tij të jetës, dhe mua më vjen ndërmend Walter Beniamin-i, që citon veprën e Helderlin-it “Empedokli” ku thuhet në vetë të parë: “Dhe haptas ia dorëzova zemrën tokës hijerëndë dhe të përvuajtur dhe shpesh, natën e shenjtë, premtova ta dua besnikërisht deri në vdekje, pa frikë, me barrën e saj të rëndë të fatalitetit dhe të mos e përbuz asnjë enigmë të saj. Kështu, u afrova me të në një lidhje vdekjeprurëse.”
Rexhep Qosja si mjeshtër i kulturës, i albanologjisë, i eseistikës politike është gjithashtu dhe një shkrimtar i veçantë dhe shumë i dallueshëm, pra një nga shkrimtarët shqiptarë më të mirë në kohëra. Romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” botuar në 1974 ishte romani i madh, që i mungonte letërsisë shqipe. Në këtë roman ishte survejimi, më saktë një Aushvic jugosllav i pashpirt dhe i egër kundër shqiptarëve homogjenë, autoktonë të Kosovës. Është e habitshme që kjo e vërtetë kafkiane nuk kuptohet ende siç duhet edhe në ditët e sotme, ose bëhet sikur harrohet. Rexhep Qosja është njeriu i marrëdhënieve njerëzore me të tjerët.
Po botoj një letër që më ka dërguar Rexhep Qosja nga Prishtina në datën 26.08.1996 (20 vjet përpara):
“Shumë i dashuri Moikom, Uroj të jesh mirë dhe i lumtur me gjithë të dashurit e Tu. Letrën dhe librat që më ke dërguar prej Romës i mora sot, më 26 gusht, domethënë me vonesë mbi katërmujor. Kur më janë sjellë në Institut, në fund të korrikut, unë isha në vendlindje – për pushim. Vonesa me të cilën e kam marrë letrën është arsyeja e vonesës së përgjigjes time. Po, librat që më ke dërguar në qershor, përmes tjetërkujt, i kam marrë në qershor. Të uroj. Dhuntia jote krijuese dëshmohet me bollëk në të tri fushat krijuese, që përfaqësojnë këto tri vargje: në poezi, në historiografi dhe në publicistikë. E çmoj shumë, pambarimisht shumë, dhuntinë tënde “të paorganizuar”, të “pasistemuar”, në esetë.
Pasuria, pavarësisht prej natyrës së saj, vështirë i nënshtrohet sistemit të zakonshëm. Panteonin ilir e kam rilexuar dhe rilexuar. Tani në tetor bëhen tre vjet që nuk kam ardhur në Tiranë. Kam shumë mall për Shqipërinë. Miqtë dhe kolegët e mi në Tiranë kjo mosardhje mund t’i shtyjë të mendojnë se përse nuk po vi. Po si të vi! Edhe kjo mosardhje është pasojë e gjendjeve që quhen tragjedia shqiptare shekullore. E tragjedia shqiptare është e shumanshme dhe e shumëllojshme. Deri në këtë moshë unë po provoj dy anë dhe dy lloje të saj: ndarjen me kufin dhe diktaturat.
Ti flet për “marrëzitë e pushtetit berishian”! Të ishin ato vetëm marrëzi! Të gjitha diktaturat janë të marra në përgjithësi, sepse janë të marra në vijën e historisë. Mos harro, nderkaq: sa më i vogël është truri i diktatorit, aq më e madhe është dinakëria e tij. Është kjo temë e madhe për të cilën duhet të shkruhen romane e jo letra. Me urime për frymëzime dhe kushte krijuese, të përshëndes me shumë dashuri.”
Kjo letër është një komunikim. Është më saktë matrica e një komunikimi. Rexhepi është profili i kulturës në kuptimin profesional, në kuptimin universal dhe në kuptimin humanist. Ai ka studiuar historinë politike dhe kulturën, estetikën dhe kuptimshmërinë e figurave. Ai ka studiuar të tjerët, por dhe të tjerët do ta studiojnë atë. Nuk është e lehtë të studiosh një personalitet si Rexhepi, por jo dhe e pamundur. Rexhep Qosja e ka quajtur babain e tij “Sokrati im që më mundësoi thjeshtësinë dhe këmbënguljen”, kurse nënën e ka quajtur “frymëzuesja ime”. Rexhepi është i pari doktor i shkencave filologjike në Kosovë. Ai ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik. Akademiku më i spikatur në realitet.
Duke shkruar këto rreshta për Rexhep Qosen, jam më i vetëdijshëm për apologjitë e rreme dhe superlativat e kota, apo vlerësimet klienteliste. Rexhep Qosja e ka këtë rezonancë të madhe në kombin shqiptar, ndonëse shumë të ashtuquajtur intelektualë, por edhe njerëz të njohur, për arsye të ndryshme e sulmojnë apo bëjnë kinse sikur ai nuk ekziston. Nëse dikur Dekarti thoshte: “Cagito ergo sum” (“Mendoj, prandaj jam”), në rastin e sotëm për një intelektual të vërtetë mund të thuhet “Rebelohem, prandaj jam”. Dhe rebelimi i Rexhep Qoses është në substancë rebelim intelektual. Për shumë arsye paradoksale shpesh mungon ky rebelizëm konstruktues dhe vizionar tek të tjerët.
Gëzuar 80 vjetorin e lindjes i dashur Rexhep Qosja!
Foto: Rexhep Qose, Moikom Zeqo dhe Pëllumb Xhufi
Dërgoi për publikim, Gjin Musa